Gazetari i rrahur, të fortët dhe siguresa e djegur e rendit publik



dhunaNga Alfred Lela

Pronari i një prej mobilierive të shumta që gjenden në segmentin e rrugës nacionale mes fshatit Tapizë dhe Fushë-Krujës, ankohej para ca kohësh se nuk gjente punëtorë. Të mëparshmit ishin larguar sepse mund të fitonin në një orë, me më pak punë, çka fitonin në ditë, duke prodhuar mobilie.

Cili të ishte vallë zanati i ri i këtyre punëtorëve të vjetër të prodhimit të orendive shtëpiake? Kultivimi i kanabis sativës. Sepse, me rënien e Lazaratit, me qindra lazaratë janë ngritur anekënd Shqipërisë dhe kufijtë e malësive të Tiranës e Krujës janë territore të kësaj ‘mbretërie të re të marijuanës’.

Cannabis sativa është industria e re dhe e fortë, Zyra e madhe e Punëve Ilegale. Në Shqipëri ka dy socialistë, njëri Koço Kokëdhima e tjetri Saimir Tahiri. Të parit, Gjykata Kushtetuese i ka hequr mandatin, duke e nxjerrë jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa i dyti është ministër i Brendshëm. Vetëm njëri prej tyre është ‘i ndershëm’, të paktën në raport me veten dhe me idetë e tij të biznesit, kur kthen në aksion kryesor të ligjërimit idenë e legalizimit të cannabis sativës.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë rolin e kundërt, atë të kalorësit antikanabis. E mbështet pretendimin e vet mbi aksionin e bujshëm të ndërhyrjes në fshatin Lazarat, ku mbeti i vrarë edhe një polic i forcave speciale Renea. Me anë të futjes në ‘Lazaratin e pamposhtur’ ministri Tahiri nuk ka mbyllur një problem të rendit dhe as ka vendosur kontrollin mbi një territor, por vetëm sa e ka shumëfishuar atë. Mbyllja e ‘kutisë së Lazaratit’ hapi atë të Pandorës, që i nxori jashtë të gjitha.

Tani Lazarat është gjithë Shqipëria. Kur do ta vendosë kontrollin mbi Shqipërinë zoti ministër i Brendshëm? Nëse nuk e bën dot të dorëzohet para idesë së z. Kokëdhima. Socialistët duhet ta lejojnë njëri –tjetrin që të paktën të legalizojnë atë që është aktualisht ilegale. Dhe të mos i bien legenit të delazaratizimit tani kur fshati, dikur ‘i tmerrshëm’, ngjan i hijshëm sa një degë me lule qershie. Krahasuar me klonimet e tij në jug e veri.

Ka ndodhur një ngjarje që e shpjegon edhe njëherë Shqipërinë ilegjitime që godet Shqipërinë legjitime. Është goditur një gazetar sportiv nga presidenti i një klubi futbolli. Sa të trondit fakti që një koleg goditet për një shkrim (Eduard Ilnica mund të jetë secili prej nesh), të habit edhe mosha e re e rrahësit. Alban Vogli, president i ekipit të Kastriotit të Krujës është vetëm 29 vjeç. A është ky djalë i ri prodhim i lazaratizimit të Shqipërisë pas rënies së Lazaratit? (Guximi i tij për të dhunuar gazetarë në mes të ditës ia kalon me pash urtësisë së një krutani, një popull që as në vitin e tmerrshëm ’97 nuk theu një xham në qytet). Kjo është një pyetje për ministrin e Brendshëm.

Goditja e gazetarit Ilnica vjen pak pas kërcënimit të tashmë rektorit të UT Mynyr Koni dhe ish-rektorit Dhori Kule. Çfarë shenje na japin këto goditje? Se siguresa apo amortizatori që qëndron mes ilegjitimes/të fortëve dhe elitave/legjitimëve është djegur?

Edhe kjo është një pyetje për zotin ministër të Brendshëm.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Sot afati i fundit për koalicionin, Rama–Meta pa vendim

Përfundon sot në mbrëmje afati për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. LSI...
Read More