Genc Burimi i përgjigjet Mustafa Nanos: Dhuna mund të rrëzojë një qeveri të zgjedhur demokratikisht

Analisti Genc Burimi, në një shkrim të publikuar nga gazeta Panorama, i përgjigjet një shkrimi të publikuar nga Mustafa Nano në gazetën Mapo, ku thuhet se dhuna nuk është zgjidhja.

Burimi, njohës i mirë i politikës franceze, e nis me një rast në Francën e vitit 2013, kur president ishte Fransua Holand.

Ai thotë se gjithçka nisi “pikërisht nga provinca më ‘kokëfortë’ franceze, Bretanja”.

“Ishte në Bretanjë, pikërisht një taksë autostrade prej së cilës Holande mori ‘grushtin’ e parë, nga i cili nuk e mori më veten”.

Sipas Burimit, autostradat janë pa pagesë për të joshur këtë krahinë rebele.

Por kur u vendos pagesa për autostradën, “’Kapuçat e kuq’ u sulën në autostradë dhe e pastruan nga pikat e pagesës, siç ndodhi 350 vjet më parë, kur u revoltuan kundër taksave të Luigjit të 14-të”.

“Më kujtohet që shtypi francez nuk u skandalizua nga dhuna, por ‘u mahnit’ nga fuqia magjike, që i jep një populli ndjenja e padrejtësisë që lind nga rritja e taksave”.

“Po qeveria franceze, ç’bëri? Hyri në polemikë me ‘vandalët’? aspak, bëri thjesht një kthesë 180 gradë. E anuloi vendosjen e pagesës në autostradat e Bretanjës dhe dëmshpërbleu koncesionarin italian me 1.3 miliard euro shpenzim kot nga paratë publike”.

Burimi citon edhe një këshilltar të ish-presidentit amerikan Ronald Regan se “Tepër taksa vrasin taksat”.

“Vjen një moment që, jo vetëm njerëzit nuk kanë më interes të punojnë më shumë nëse sistemi fiskal bëhet konfiskues, por ata edhe mund të revoltohen dhunshëm, me idenë se nuk kanë çfarë humbasin. Kjo i ndodhi pikërisht Greqisë. Është një shembull real kuptimplotë, që mund t’i shërbejë, shpresoj, Mustafa Nanos, të mos humbasë kohë me manualet e shkencave politike. Po, është e vërtetë. “Dhuna” mund të rrëzojë një qeveri nga pushteti, qoftë ky demokratikisht i zgjedhur. Këtë e provoi në lëkurë fqinji ynë i afërt”.

“Jam dakord me Mustafa Nanon, me dhunë nuk vihet në pushtet. Por me zgjedhje të parakohshme, po. Dhe në të shumtën e rastevem, dekori i zgjedhjeve të parakohshme janë protestat masive në rrugë, që nuk mund të meritojnë termin dhunë”.

“Ndaj Mustafa Nano nuk zgjedh kampin e duhur këtë herë. Nuk zgjedh kampin e Migjenit, por kampin e legenit. ‘Po unë e urrej Sali Brishën,’ shprehej me mllef e çiltërsi Mustafai para dy vjetësh. T’i mirëkuptojë tani edhe ata që ndajnë të njëjtën ndjenjë për Saliun e ri”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Belen Rodriguez pranon ndërhyrjet kirurgjikale

  Modelja, aktorja dhe moderatorja e famshme argjentinase së fundmi ka dhënë...
Read More