Genc Mamani: ASD-ja, nga frika e skemave piramidale te sigurimi i depozitave dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve

Më 2002-shin, rreth njëzet për qind e depozitorëve i tërhoqën menjëherë kursimet e tyre, ndërsa sot 16 vjet pas krijimit të saj, depozitorët marrin informacion në sportelet e shërbimit ndaj klientit apo fletëpalosjeve të shpërndara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbi benefitet, por edhe kufizimet e skemës së sigurimit të parave që ata depozitojnë në bankë. I ftuar në një leksion të hapur në UET ishte drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Genc Mamani. Ai foli rreth funksionimit të agjencisë si institucion rregullator, skemat e sigurimit të depozitave dhe mbrojtjes së depozitorëve. 

Në vitin 2002, kur vendi kishte vetëm një pesëvjeçar që kishte kaluar krizën e tmerrshme që zuri fill prej humbjeve të kursimeve në skemat piramidale që shtoheshin në mes viteve ’90 si kërpudhat pas shiut -ku veç premtimeve për t’u bërë i pasur nga mëngjesi në mbrëmje nuk kishte asnjë transparencë e garanci, e që përfundoi në destabilizim politik e luftë civile mes qytetarëve- u duk legjitime frika e atyre që kishin depozituar para në banka kur dëgjuan mbi një skemë të re. Bëhej fjalë asokohe mbi Skemën e Sigurimit të Depozitave, miratuar në parlament po atë vit dhe krijimin e Agjencisë (ASD) që do të merrej me sigurimin e këtyre depozitave.

Rreth njëzet për qind e depozitorëve i tërhoqën menjëherë kursimet e tyre, ndërsa sot 16 vjet pas krijimit të saj, depozitorët marrin informacion në sportelet e shërbimit ndaj klientit apo fletëpalosjeve të shpërndara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbi benefitet, por edhe kufizimet e skemës së sigurimit të parave që ata depozitojnë në bankë.

Ditën e premte, i ftuar në një leksion në kuadër të orëve të hapura të Bankingut me studentë të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik ishte drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Genc Mamani. Ai foli rreth historikut dhe funksionimit të agjencisë prej vitit 2002, kur edhe u krijua si institucion rregullator, skemat e sigurimit të depozitave dhe mbrojtjes së depozitorëve. Studentët patën mundësi të njohin më nga afër praktikat e këtij institucioni dhe të bënin pyetjet që i hasin shpesh në leksione, duke marrë përgjigje konkrete nga një titullar i një agjencie të rëndësishme si ASD.

“Zoti Mamani ka qenë gjithnjë i hapur në takimet që UET ka zhvilluar me bizneset në kuadër të projektit ‘250+”. Para disa kohësh bashkë me presidentin e UET, Adrian Civici dhe Dekanin e Fakultetit Ekonomik, Selami Xhepa ishim në zyrat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave nga ku morëm një feedback se çfarë kërkon sistemi financiar e bankar në vend, për t’i reflektuar më pas në silabuset tona” –tha drejtorja e programeve Master, Orkida Ilollari gjatë leksionit të hapur.

Mamani u ndal fillimisht te funksionet kryesore të skemës së sigurimit të depozitave, e krijuar posaçërisht për të shmangur atë frikën që patën fillimisht qytetarët pas krizës së vitit 1997, e për t’iu dhënë siguri financiare si edhe për të kontribuuar në stabilitetin financiar të vendit.

Falimenti i një banke, e cila është biznes me interes publik për shkak të mbledhjes së kursimeve, ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe standardin e jetesës tek qytetarët. “Për këtë arsye janë krijuar skemat e sigurimit të depozitave; për minimizimin e humbjeve nga falimentimi dhe mbrojtjen e interesave të depozitorëve”- u tha drejtori i ASD-së studentëve pjesëmarrës në auditor.

Duke hequr një paralele mes punës së zjarrfikësve në gatishmëri për të shuar zjarret, Mamani tha se edhe skemat e sigurimit të depozitave, përgatiten çdo ditë për të rritur gatishmërinë operacionale dhe financiare në përmbushjen e sanksioneve ligjore për të siguruar depozitat.

Mamani u solli studentëve një tablo historike sesi lindi nevoja për këto skema në botë, kryesisht pas Depresionit të Madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku autoritetet vendosën krijimin e mekanizmave për të shmangur efektet negative që mund të kishin kriza të ardhshme e të ngjashme me atë të vitit 1929, ku shumë banka u panë të falimentonin. Më vonë kjo praktikë u importua edhe në Europë, në vitet ’70, ndërsa u konsolidua me krijimin e tregut të përbashkët europian, ku u panë të harmonizoheshin nisma të ngjashme dhe më efektive në vendet europiane.

Pikërisht në vijim të skemës së sigurimit europian u krijua edhe skema në Shqipëri në vitin 2002, kur parlamenti miratoi ligjin për sigurimin e depozitave. Ky ligj i dha mandat Agjencisë për të administruar skemën e sigurimit të depozitave, me objekt ligjor kompensimin e depozitave për mbrojtjen e interesave qytetare dhe stabilitet financiar të vendit.

“Në atë kohë publiku nuk e mori mirë këtë risi dhe u krijua një lloj paniku, panik që u përkthye në tërheqje masive të depozitave, gati 20 për qind. Kjo erdhi nga kujtesa e freskët e skemave piramidale dhe edukimi i dobët mbi skemat e sigurimit të depozitave” – kujtoi Mamani, ndërsa tha se ASD e nisi fillimisht nivelin e mbulimit të depozitave me 700 mijë lekë duke e rritur e çuar në shifrën në 2 milionë e pesëqind mijë lekë, pas krizës financiare të 2007-2008. “Publiku e perceptoi shumë mirë dhe nuk pati më reagim negativ”.

Anëtare të skemës së sigurimit të depozitave sot janë 16 banka dhe 6 SHKK, institucione të kursim-kreditit. “Anëtarët e skemës paguajnë Prim për të siguruar depozitat, ne mbledhim Primet, i administrojmë dhe nëse ndodh ndonjë ngjarje sigurimi- subjekt i falimentuar -ua kthejmë mbrapsht depozitorëve dhe kështu mbyllet funksioni i skemës” – ka shpjeguar Mamani, duke siguruar se është e detyrueshme për të gjithë anëtarët e skemës të sigurojnë depozitat e të gjitha llojeve-me afat, pa afat, llogari rrjedhëse dhe kursimi.

Depozituesit nuk kanë kosto për të siguruar paratë e tyre, pasi kjo u kalon bankave.

“Sigurojmë në euro dhe lekë, por kompensimi bëhet në lek me kursin e ditës nga Banka e Shqipërisë kur vendoset subjekti nën likuidim. Nëse totali është më shumë se 2 milionë e pesëqind mijë lekë, nuk do të kompensoheni për tepricën. Edhe nëse llogaritë i keni në disa banka, do të kompensoheni në secilën bankë për shifrën 2.5 milionë”.

Nga të dhënat e disponuara, Mamani tha se deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2017 totali i depozitave në sistemin bankar kanë qenë rreth 8.5 miliard euro. Nga këto afro 94 për qind e totalit të depozitave në të gjithë sistemin bankar janë të përfshira në skemën e sigurimit të depozitave.

Sipas Mamanit, Fondi i Sigurimit në banka ka pësuar vetëm rritje. “Shihet qartë një rritje e qëndrueshme edhe për faktin se nuk ka pasur bankë në falimentim dhe nuk është përdorur fondi” – ka zbuluar Mamani, duke shtuar së në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ky fond kapur shifrën 270 milionë euro, një fond që drejtori i ASD e quajti të shëndetshëm.

Sipas Mamanit, raporti i lartë i mbulimit krijon besim te qytetarët.

Ai tha se në raste kompensimi ASD mund të përdorë burime alternative si marrja hua. Një marrëveshje kredie është nënshkruar më 2014-ën mes ASD dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku agjencisë shqiptare i është dhënë e drejta të përdorë këtë hua në rast falimentimi apo sigurimi për pesë vjet.

Në fund të leksionit, ai u ndal edhe te ndërhyrja e jashtëzakonshme si një mekanizëm për parandalim rreziku e rimëkëmbur bankat, kryesisht të mëdhatë, që paraqesin rrezik sistemik në treg. Një alternativë kjo ndaj likuidimit.

“Me krizën e vitit 2007, shumë banka të mëdha u tronditën dhe ishin gati në falimentim, autoritetet vendimmarrëse përdorën fonde publike për të shpëtuar falimentimit, por bënë të pakënaqur publikun, sepse u përdorën para publike për institucione private. Atëherë anëtarët e BE e gjetën zgjidhjen duke ngritur disa mekanizma qendrore; mekanizmi i mbikëqyrjes, ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe banking union-skemën europiane të garantimit të depozitave. Krijuan një direktivë për rimëkëmbje ose ndërhyrje e jashtëzakonshme në banka, që përcakton disa masa që duhen ndërmarrë për evitimin e falimentimit të bankave të mëdha me rrezik sistemik. E rëndësishme për qetës dhe siguri te depozituesit dhe qëndrueshmëri në sistemin financiar. Kjo hodhi themelet e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme; janë bankat kontribuojnë në fond dhe përjashtohet ndërhyrja e fondeve publike”.

Mamani tha se megjithëse publiku dhe kryesisht depozitorët kanë informacion mbi skemat e sigurimit të depozitave, ASD e ka një nga aktivitetet kryesore ndërgjegjësimin dhe rritjen e vetëdijes mbi kufizimet dhe benefitet që ka kjo skemë, në përpjekje për të shmangur çdo keqkuptim apo frikë që mund të krijojë panik si ajo e 16 viteve më parë, ku veç bankave, qytetarëve apo studentëve ka nisur edukimi edhe i brezave të rinj të shkollave të mesme e 9-vjeçare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Biznesi i integrimit: A është një punë me leverdi?

Bilanci ekonomik i hapjes së negociatave të Shqipërisë si kandidat në BE...
Read More