Gentian Kaprata: Të gjithë sytë te Plani i Tiranës!



Gentian-Kaprata

Strategjia mediatike multiaktorëshe për të manipuluar publikun, në lidhje me planin e Tiranës, këto ditë u bë akoma më evidente, kur rreth 20 gazetarë shqiptarë iu përgjigjën thirrjes së kryebashkiakut Veliaj, për një udhëtim të sponsorizuar në Milano. Mediapartner e z. Rama, Top Channel, e humbi ekskluzivitetin dhe shumë gazetarëve, nga më të mirët e mediave më të mira të tregut mediatik shqiptar, ju dhurua së bashku me një fundjavë të gjitha të paguara, edhe mundësia perspektive që të kontribuojnë në ngritjen kulturore të qytetarëve të Tiranës, deri në atë pikë sa të luten për realizimin e ëndrrës së kryebashkiakut. Roli prej protagonisti nuk ju hoq dhe nuk mund t’i hiqej, kryearkitektit italian të planit të Tiranës, z. Boeri. Ai luajti rolin e të zotit të shtëpisë, duke iu prezantuar gazetarëve shqiptarë kryeveprën e tij arkitektonike, ‘pyllin vertikal’ në Milano.
Sidoqoftë, deri në pikën teorike që të na mbushin mendjen, ngelet një proces i gjatë për të matur empirikisht se deri në çfarë grade, këta gazetarë (sa dhe kush prej tyre) e kanë pranuar këtë rol bazik në ‘përmirësimin urban të Tiranës’. Është thelbësore të pranohet se secili nga këta gazetarë ka identitetin dhe dinjitetin e vet intelektual dhe profesional dhe të kuptohet se jo të gjithë do e kryejnë, apo do e kryejnë me të njëjtin zell, detyrën e ngarkuar. Megjithëse perceptimi publik këmbëngul se media shqiptare nuk është e lirë, nuk mund të mohohet kontributi i saj apo i elementëve të spikatur të gazetarisë, që janë përfshirë publikisht me qëndrime individuale apo redaksionale në mbështetje të kauzave civile. Prandaj, të mos dalim në përfundime të parakohshme për gazetarët, e të mos lëmë jashtë vëmendjes rrjetin e aktorëve të shoqërisë civile.
Janë bërë të shumtë në numër, të diversifikuar në lloj, por mbi të gjitha të paepur në beteja me autoritetin arrogant qeverisës. Kundërshtojnë dëmtimet e paligjshme të Parkut të Liqenit për të ndërtuar një Luna Park, kundërshtojnë dëmtimet e Parkut Rinia për të ndërtuar një parkim nëntokësor, kundërshtojnë shtetëzimet antikushtetuese te Bulevardi i Ri për të zhvilluar një tejshtrirje të re të qytetit për ndërtime private, kundërshtojnë konvertimin në këmbësore të sheshit “Skënderbej” dhe ndoshta ndërtimin e disa kullave. Kundërshtojnë fizikisht në objekt, kundërshtojnë në media sociale, kundërshtojnë në media tradicionale. Dhe përballë kësaj kaskade demokracie, qëndron kokëfortë autoriteti qeverisës (vendor e kombëtar), që nuk kupton se nuk mund ta përjashtojë dot angazhimin qytetar nga proceset planifikuese dhe vendimmarrja për punët e qytetit.
Të shfaqur më centralizues se socialistët e vjetër, socialistët e rinj (rilindësit), janë shumë larg edhe se social demokratët e të ‘majtës së re’ holandeze, të 50 viteve më parë. Të tillë politikanë të rinj (si Jan Nagel, Han Lammers dhe Andre van der Louw), e hapën udhën e tyre të suksesshme në politikë, duke kërkuar përfshirjen e zërave kritikë të shoqërisë në politikëbërje. Ndërsa, rilindësi shqiptar i katapultuar në krye të bashkisë Tiranë, z. Veliaj, kërkon të injorojë dhe intimidojë forcat e reja shoqërore dhe të korruptojë median, për çështjen më të rëndësishme të Tiranës urbane, Planin e Tiranës. Sepse, kjo është çështja reale! Çdo shqetësim, problematik, disekulibër që po artikulon sot rrjeti i gjerë i aktorëve të shoqërisë civile, e ka gjenezën te mungesa 20-vjeçare e Planit të qytetit dhe mund ta gjejë zgjidhjen te i njëjti instrument planifikimi territorial.
Përgjigjen për pyetjet: Nëse duhet të kemi një tejshtrirje të re të qytetit; nëse duhet ta konvertojmë sheshin “Skënderbej në këmbësore”; nëse duhet të diversifikojmë përdorimet e Parkut të Liqenit me një Luna Park dhe Parkut Rinia me një parkim nëntokësor, nuk mund ta japë askush tjetër veçse Plani i Përgjithshëm i Territorit. Janë të gjitha pyetje, përgjigjet e të cilave dalin të qëndrueshme vetëm duke i trajtuar si agregate të të njëjtit sistem kompleks. Por mbi të gjitha, dalin të tilla kur janë produkt i kuvendimeve që përfshijnë të gjithë aktorët e interesuar. Prandaj, të mos e lejojmë autoritetin të na injorojë, anashkalojë, korruptojë dhe gabojë, por të gjithë bashkë (gazetarë, juristë, ekonomistë, ambientalistë, urbanistë), si një rrjet i vetëm me interesa që konvergojnë në qëndrueshmërinë urbane të qytetit, të mos i largojmë sytë nga Plani i Tiranës.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Kërcënimet nga Koreja Veriore, Japonia po konsideron një sistem të ri anti-raketor

Japonia po shqyrton një sistem të ri të mbrojtjes nga raketat për...
Read More