Gentiana Sula: Sa dosje do të hapen dhe sa janë zhdukur

Numërohen afro 100 mijë njerëz viktima të atij regjimi kur ndër ta 6 mijë të vrarë e të ekzekutuar,  40 mijë të burgosur politikë, 60 mijë internime, dosjet e të cilëve – ato që u kanë shpëtuar asgjësimeve dhe shkatërrimeve të qëllimshme –presin të hapen për të sqaruar njëherë e mirë të vërtetën me të gjithë dritëhijet…Drejtorja e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet thotë se ky institucion dhe ligji mbi hapjen e dosjes është hapi i fundmë që mëton të paqtojë shoqërinë shqiptare me të shkuarën. Hapja e dosjeve është hapi i parë.

Nga: Suadela Balliu, Madame Mapo

Mbi tryezën e punës,  ku sheh gjithfarëlloj manualesh mbi metodat e  vende të tjera, që si ne kanë pasur të shkuar të errët diktatoriale dhe jetë  mbyllura në dosje, sesi t’i nxjerrin  në dritë të diellit për ta shëruar popullin nga e keqja e po ashtu memuare të të mbijetuarve të diktaturave, filozofë që flasin mbi totalitarizmat…por syrit nuk mund t’i shpëtojë vështrimi tinëz i një dosjeje, nga ato famëkëqijat, të shumëpërfolurat, që e kanë mbajtur njeriun peng për  45 vite regjim monist  e për  25 të tjerë pluralizëm, nga ato që flitet e thuhet aq shumë, për të qena e të paqena saqë janë kthyer gati në krijesa mitike. “Mund ta shohësh” – të fton ajo, ndërsa bëhet gati për një shërbim fotografik në mjediset që aktualisht po zë Autoriteti i Informimit të Dosjeve, në një prej godinave të Gardës së Republikës. Është një dosje e vjetër, e fundviteve ’40, me fletët që veç ngjyrës së verdhë kanë edhe aromën e lagështisë, mbyllur në kushedi ç’sirtarë të Sigurimit të Shtetit. Brenda ka faksimile, letra të shkruara me shkrim dore, raportime telegrafike në copa të vogla letre…I përket luftëtarit të forcave të Legalitetit gjatë luftës së Dytë Botërore, Bilal Kola,  i cili i  pakënaqur me sistemin komunist u deklarua kundërshtar dhe bëri rezistencë në malet e Shqipërisë. I pushkatuar nga regjimi komunist më 1948 –ën. Kërkesa për marrjen e dosjes së tij është bërë nga i biri, Kurt Kola, gjithashtu i përndjekur dhe viktimë e regjimit. Për të shkuar deri në duart e të interesuarve –qofshin  këta viktimat e diktaturës, familjarë të tyre, studiues e gazetarë –dosjet  kalojnë një proces digjitalizimi që kërkon kohë dhe punë skrupuloze ku të dhënat sensitive dhe emrat e të tretëve fshihen. Familjarët ishin ata që kërkuan edhe dosjen e shkrimtares Musine Kokalari, e para dosje e lëshuar nga Autoriteti i Informimit të Dosjeve, që përkoi edhe me  100-vjetorin e lindjes së gruas që nuk hoqi dorë nga idealet e saj, deri ditën e vdekjes, në vetmi e mjerim, varrosur nga punonjësit e komunales.  Hapja e dosjes pasoi me një pelegrinazh në Rrëshen, qyteti i krijuar në socializëm. Një vizitë në bibliotekën, që vizitohej me besnikëri nga Musineja në ditët kur fqinjët e kishin të ndaluar t’i qaseshin.  Pedonalja ku shëtiste fillikat, sot mban emrin e saj. “Ishte si të thuash një lloj rehabilitimi i emrit” – shton drejtorja e këtij institucioni. E ardhur nga një familje e përndjekur prej regjimit,  e ka ndjerë veten pranë kësaj kategorie njerëzish që kanë vuajtur tmerret e diktaturës qyshse ishte zëvendësministre e Mirëqenies Sociale, ku u angazhua me dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit. “Nuk marr përsipër t’i përfaqësoj, pasi vuajtjet që kanë kaluar shumë prej tyre janë të tmerrshme, por më bën të jem pranë tyre, t’i kuptoj” – rrëfen ajo, duke shtuar se ky Autoritet e shkon përtej debatit të ditës, me hapjen e dosjeve dhe zbulimin se kush  ka denoncuar kë, se cilët ishin survejuesit, raportuesit apo spiunët e infiltruar nga makineria e Sigurimit të Shtetit për të mbledhur materiale sa për të arrestuar e dënuar  me burg “armiqtë e shtetit”.  Ideja është të paqtohet shoqëria me të shkuarën. Hapja e dosjeve është hapi i parë. Megjithëse 25 vite pas përmbysjes së sistemit diktatorial, Sula rrëfen se ka ende nga ata që  frikësohen hijes së Sigurimit të asaj kohe. “Kjo, për mua, ishte e pafalshme. Kemi 25 vjet demokraci, jemi vend në NATO, do të hyjmë në BE, lëvizim pa viza dhe ende i druhemi së shkuarës?!”.  Kjo gjë thotë se e ka çuar t’i shkojë deri në fund këtij misioni. “Njerëzit  duhet ta mbyllin këtë fazë  të jetë.  Kjo për ta krijuar të plotë të kuptuarin,  sepse nga njohja vjen edhe shërimi”.  Ashtu si edhe slogani i këtij institucioni, i ngritur për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë një plage të gjatë e  një debati që deri më tani është dukur pa zgjidhje,  “Sa më shumë ta njohim diktaturën, aq më mirë i japim formë demokracisë”.

Kur del nga zyrë, sytë të mbeten në korridorin e gjysmë ndriçua. Në muret e tij janë varur poezi, vargjet e të cilave u kushtuan jetën njerëzve si Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika, Elena Luli Mirakaj, Havzi Nela e shumë të tjerë. Objekti i punës së Autoritetit, do të jetë administrimi i 212.000 dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosjesh hetimore gjyqësore, 21.000 dosjesh të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në një Shqipëri që asokohe nuk i kalonte 3 milionët. Pra janë këto statiska që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.

 

Ç’do të thotë për ju të jeni në krye të Autoritetit të Hapjes së Dosjes? Cila është përgjegjësia dhe pesha që mbani personalisht mbi supe për zbardhjen e të vërtetave të tmerreve të së shkuarës?

Është privilegj  dhe  përgjegjësi shumë e madhe. Privilegji lidhet me faktin se drejtoj një institucion që krijohet për herë të parë me mandat shumë të rëndësishëm për përballjen dhe shkëputjen morale me diktaturën. Na është dhënë një besim i madh nga shoqëria dhe parlamenti dhe besimi i larte i publikut do të jetë faktor kyç në ecurinë dhe veprimtarinë e institucionit që unë drejtoj. Nga ana tjetër është një përgjegjësi e madhe, sepse bëhet fjalë për një aktivitet që prek jetë njerëzish. T’i kthesh edhe njëherë tek e kaluara –të shohin dhe rivizitojnë gjëra të dhimbshme –ka sfidat e veta. Si të garantohet kjo e drejte për informim e mohuar deri tani, pa cenuar të vërtetën, pa cenuar jetën private të individëve, por pa cenuar edhe çështjet e sigurisë që janë sidoqoftë prezentë në dokumentet që ne disponojmë? Si të mbrojmë qytetarët nga efekti manipulues e denigrues që ende sot kanë dokumentet e ish-sigurimit, duke evituar çdo shans për ri-viktimizim? Kërkohet një energji e madhe dhe fokus që institucioni që drejtoj të rrezatojë kujdesin, ndjeshmërinë, integritetin dhe përgatitjen më të lartë. Çdo qytetar që paraqitet për informim trajtohet si një rast më vete. Kjo kërkon investim 100% të të  gjithëve ne.

Si një nga debatet që vijon prej 25 vitesh a keni ju besimin se ligji mbi hapjen e dosjeve dhe specifikisht ky Autoritet, në krye të së cilit ju jeni, do arrijë ta quajë të mbyllur këtë debat duke bërë transparencën e plotë dhe të bëjë njëherë e mirë paqe me të shkuarën?

Mendoj që dialogu kombëtar për diktaturën do të vazhdojë ende për një kohë të gjatë, por do të përmirësohet cilësisht. Deri me sot debatet ka qenë të pabazuar në fakte. Arkivat kanë qenë të shpërndara nëpër institucione të ndryshme, të papërpunuara, sekretë, ose të pa aksesueshëm. Shpesh arkivat janë përdorur në mënyrë selektive nga politika e ditës, duke cenuar në të njëjtën kohë të drejtën e privatësisë. Jam e bindur që me AIDSSH do të krijohen kushtet për t’i dhënë fund spekulimeve, si dhe do te përmirësohen gjasat për  zbatimin e politikave  me efikase rehabilituese dhe atyre të kujtesës. Kështu me hapësirat që i jep ligji, Autoriteti do i japë një dimension të ri dhe do e rigjallërojë debatin për historinë e së kaluarës komuniste. Në radhë të parë në aspektin e represionit dhe dhunës, dhe pasojat e tij në jetën e njerëzve të veçantë, familjeve, grupeve të caktuara shoqërore etj. Për ne, të përndjekurit e regjimit dhe rehabilitimi i tyre mbetet prioritet. Në një plan tjetër, duke qenë se Shqipëria e asaj kohe jetonte “si në rrethim”, në dosjet ende sekrete gjenden edhe gjurme te vendimeve politike te rëndësishme qe diktuan zhvillimet politike, të sigurisë, diplomatike, ekonomike, e social-kulturore te vendit. Si me te spikaturat do te përmendja aleancat gjeostrategjike, qasjet për mbrojtjen, pronën, kolektivizimin, urbanizimin, demografinë, ekonominë, arsimin, kulturën, shkencën e besimin, etj. Këto janë po ashtu shume te rëndësishme për të njohur se si diktatura e orientoi shtetin dhe shoqërinë, dhe na informojnë nëpërmjet analizave te thelluara qe mundësohen përmes arkivave, për te ndërtuar edhe me mire dialogun për të ardhmen e zhvillimit e vendit. Historia shërben për vetë-njohjen tonë dhe në këtë kontekst procesi sapo ka filluar dhe po korr frytet e para, ndërkohë që vende të tjera të Europës Lindore kanë më së paku dy dekada  që e kanë filluar.

Pra është shumë më e gjerë sesa hapje e dosjeve të ish-Sigurimit, ku do të dalin në shesh kush ka denoncuar kë apo kush është dënuar për çfarë?

Sigurisht. Zbardhja e të shkuarës sidomos për personat e prekur dhe familjaret e tyre mbetet për AIDSSh një prioritet. Në këtë kontekst do doja të përmendja porosinë e Nobelistit Elie Wiesel: “Të mbajmë anën…” e atyre që u nëpërkëmbën e vuajtën, duke ndihmuar për rehabilitimin e plotë moral të tyre dhe duke sqaruar elementet e jetës dhe familjeve të tyre në diktaturë. Ne shpresojmë që përmes transparencës se rasteve individuale, tani që perdja po bie, të mundësohet kërkimi i ndjesës nga ata persona qe me apo pa vullnet të lirë cenuan të drejtat dhe liritë e njerëzve të tjerë. Që të mbërrihet dhe tek falja dhe pajtimi.

A vazhdojnë ende reminishencat e përçarjeve identitare, për shkak të mungesës së informacionit? A u krijuan të tjera përçarje pas ’90?

Narrativa e komunizmit është ende shumë përçarëse në shoqëri, dhe kjo është e dokumentuar përmes 2 studimeve të  OSBE-së  dhe Konrad Adenauer; Ka një qëndrim mohues ndaj  pasojave dhe krimeve në diktaturë, dhe për pasoje dhe nostalgji. Por ka dhe një grup të madh njerëzish që jetojnë ende në të shkuarën, duke vuajtur pasojat e thella e izolimit politik dehumanizues te asaj kohe. Janë shumë syresh. Ata ende nuk e kane marre dëmshpërblimin, ende nuk i kane gjetur varret e humbura te diktaturës, ende etiketohen. Ne nuk e kemi bërë ende rishikimin e historisë sonë moderne. Mjafton te vizitohen disa muze, dhe gjen aty pjesë të pa-rivizituara, ku kanë mbetur ende gjurmë të propagandës se stilit te vjetër, ndërkohë që narrativa e diktaturës është e ende cunguar. Ndërkohë asnjë nga  vendet e vuajtjes se “krimeve” politike nuk është kthyer ende në institucion të mirëfilltë kujtese. Na pret punë e madhe.

Institucioni sapo është ngritur, puna sapo ka nisur, sa mendoni se do të zgjasë procesi deri në zbardhje të plotë?

Ne jemi mandatuar në dhjetor, të 2016 –ës, në shkurt të këtij viti nisëm aplikimin e parë shërbimin për informim, dhe filluam shërbimet. Deri tani kemi trajtuar rreth  120 aplikime individuale dhe studiuesve dhe kemi kryer disa qindra verifikime për kandidatë në  pozicione të larta. Element thelbësor i punës sonë  është identifikimi dhe mbledhja e arkivave për krijuar një arkiv qendror te ish-Sigurimit. Tashmë  kemi ndërtuar proceset bashkëpunuese me institucionet partnere dhe po vijon puna për dorëzimin e materialeve arkivore, që përmbyllet  në  vitin e parë  të  punës sonë. Pastaj vjen përpunimi, sistemimi, renditja e materialit për të  shërbyer sa më  mire për individët, studiuesit, gazetarët, institucionet kërkimorë. Mendojmë që  ne vitin e dyte të  mandatit tone te krijohen kushtet optimale për transparencën e premtuar dhe ambientet e punës dhe programet e përbashkëta me studiuesit. Ndërkohë që vendet e tjera të ish bllokut komunist kanë më se dy dekada që e kanë nisur këtë proces dhe nuk e  kanë përmbyllur ende.

Dosja e shkrimtares Musine Kokalari, e cila u hap në 100 vjetorin e lindjes së saj ishte edhe dosja e parë që ngriti siparin e Autoritetit të Informimit të Dosjeve. Personalisht si e përjetuat këtë? A mendoni se ishte një akt që i ktheu dinjitetin, edhe pse shumë vonë, gruas që vuajti dënimet më të tmerrshme vetëm se nuk hoqi dorë nga idealet e saj?

Është një dosje që hapet kur Musineja është 28 vjeç dhe mbyllet kur ajo ndërron jetë. Ishte emocion i madh të gjenim foto të pa publikuara, dorëshkrimet e saj dhe të njiheshim me të gjithë kalvarin e saj, përfshi 27 bashkëpunëtorë të Sigurimit, porositur për ta përgjuar. Por sheh forcën e madhe të një gruaje, së cilës partia i tmerrohet. Aq shumë fuqi mendimi dhe forcë morale ka brenda!  Dosja e Musinesë është një dosje e pacenuar, një dosje qëndrese, dëshmi tjetër e një niveli të lartë moral dhe intelektual. Dorëshkrimi i saj, “Platforma e social-demokracisë shqiptare”, të cilin e publikuam pikërisht në përvjetorin e saj, është shkruar kur ishte 28 –vjeç. Nën një trysni të madhe politike dhe atëherë kur mbante velin e zisë për familjarët e vrarë, ajo ulet dhe e shkruan me dashuri dhe shpresë për Shqipërinë, sepse ka një ëndërr që e beson. Ëndërr që është ende aktuale sot. Kjo është më e pakta që mundëm të bëjmë por jo e fundit, për kthimin e dinjitetit dhe vendin historik që i takon kësaj figurë të nderuar.

Sa gra të tjera ka si Musineja? Si grua, a keni pasur kureshtjen t’i njihni më nga afër historitë e dosjeve të tyre?

Një ndjesi personale e lidhur me të qenit grua dhe drejtoj këtë Autoritet, më nxit kureshtjen për t’u njohur më nga afër me dosjet/fashikuj apo dokumente, të krijuara në ngarkim të zonjave. Ndonëse te brishta, ato ne fakt nuk janë kursyer. Me gratë në  komunizëm, lidhen edhe me shumë  dashuritë e martesat e pamundura, familjet e ndara për së gjalli, dhe divorcet e detyruara. Janë histori ende të patreguara, e fate që presin të zbardhen.Disa ide të parat, në zbatim të rolit për edukim qytetar që AIDSSH ka, lidhen pikërisht me fatin e grave në diktaturë. Kështu, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,  po shikojmë mundësinë që burgun e grave në Kosovës të Elbasanit ta kthejmë në vend të memories. Po ashtu, kemi hedhur hapat e parë për një memorial në kampin e Tepelenës, ku kanë vuajtur në vitet 1945-54 rreth 1500 persona, shumica gra me fëmijë.

Nëse mund të flasim për një shifër, sa dosje janë dhe sa është numri i individëve që kanë vuajtur persekutimet e regjimit? Sa prej tyre janë gjallë sot? A është numri i madh për të rihapur një betejë të vjetër kur rolet shndërrohen apo shërben më shumë si fenomen, për të zbardhur të shkuarën që gabimet dhe krimet e saj të mos përsëriten në një tjetër kohë?

Objekti i punës së Autoritetit, do të jetë administrimi i 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-Sigurimit të Shtetit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosjesh hetimore gjyqësore, 21.000 dosjesh të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në një Shqipëri që asokohe nuk i kalonte 3 milionët. Pra janë këto statiska që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.

Lidhur me statistika që ju kërkoni, për sa i takon numrit të individëve që kanë vuajtur persekutimet e regjimit apo sa prej tyre janë gjallë, mund t’iu themi se në një studim që ka bërë Instituti “Konrad Adenhauer” ka rezultuar se një në tre qytetarë thotë se i përket një familjeje që ka pasur internim, burgje, përjashtim nga partia etj. Është shifër e madhe.

A ka nga ata që edhe pse mund të kenë pasur dosje në Sigurimin e Shtetit nuk janë përndjekur deri në burgim? Cili është interesi i tyre në lidhje me dosjet?

Kjo është një thënie e vërtetë, për arsye se gjenden dhe raste të veçanta të verifikuara nga praktikat e krijuara deri tani, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitur nga persona të interesuar, ku për ta janë krijuar dosje nga ish-Sigurimi i Shtetit (kryesisht ky kontingjent i përket familjeve të ashtuquajtura të deklasuara nga regjimi i asaj kohe, ku të paktën njeri prej rrethit familjar ka qenë i dënuar politikisht), gjithashtu kemi një interes të shtuar të kërkesave individuale në këtë drejtim, jo vetëm për sa i takon numrit statistikor të kërkesave, por dhe faktit për t’u njohur dhe shqyrtuar dokumentacionin e krijuar për ta nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit.

Thuhet se hapja e dosjeve do u kthejë dinjitetin viktimave të regjimit diktatorial. A mendoni se kaq është e mjaftueshme ? A do të mbyllet me kaq kjo temë dhe ky debat që gëzon në Shqipëri prej 25 vitesh tashmë? Mendoni se viktimat apo familjarët e tyre do të bëjnë paqe kur të zbulojnë ish-persekutuesit e tyre?

Mendoj se ky hap i shërben procesit të rehabilitimit dhe kthimit të dinjitetit viktimave të regjimit diktatorial, qetëson shpirtrat e tyre, i shërben familjarëve të këtyre viktimave për të qartësuar fatin dhe figurën e të afërmeve të tyre, pse jo edhe për tu njohur me të vërtetën, me veprimet antihumane të persekutorëve të tyre. Ne këtë kontekst vlerësoj se do të jemi ne vetë përgjegjës për mënyrën si do ta trajtojmë të kaluarën tone.

Nga ana tjetër,  mundësia për njohjen e ish-persekutorëve, iu krijon kushte vete atyre që u përfshinë e aparatin e diktaturës me apo pa vullnet të  lirë, për një zgjim të ndërgjegjes, njohje te pasojave të  veprimeve tw  tyre tw  njerëzit konkrete, për te nxitur pendesën e tyre, kërkimin e ndjesës ndaj viktimës, si dhe ne fund çlirimin nga një sens faji qw  nuk zhduket nëse nuk e përball viktimën.

Mendoni se ka befasi për emrat e atyre që kanë survejuar, denoncuar, spiunuar apo viktimat i kanë ditur edhe më parë identitetet e tyre? A ka pasur ndonjë rast gjatë këtyre 25 viteve ku le të themi mund të ketë pasur “larje të hesapeve të vjetra?” mes viktimave dhe denoncuesve?

Siç e kemi përmendur më lart, jemi në fillim të procesit, por pa dyshim ka befasi, gjendje emocionale, me njohjen me veprime të errëta, të fshehta, keqdashëse nga targetgrupi i personave që ju evidentoni në pyetjen tuaj. Për sa i takon pyetjes tjetër, mjafton të përmendim faktin se, po afrohemi tek dekada e tretë dhe nuk rezulton asnjë rast kur i persekutuari të hakmerret kundër persekutorit.

Duke qenë kaq afër kësaj çështjeje, të të gjithë informacionit që mbajnë ato dosje çfarë ndjesie ju përshkon, të njihni sesi funksiononte makineria e ngritur e vëzhgimit, denoncimit, ku i gjithë shteti ngjante me një “Vëlla të Madh” alla oruellian? A bën të ngjallen edhe njëherë emocionet e së shkuarës kur gërmohet në të ?

Padyshim të kujtohet Xhorxh Oruelli; përballesh me një “Ministri të së Vërtetës” ku “Skllavëria është Liri”. Sidomos platformat e organeve të rendit dhe Sigurimit kanë një koncept që sot mund të duket i paimagjinueshëm. Ato përshkruajnë objektivat e sigurimit, si një organ ushtarak i diktaturës për triumf ideologjik, sundimin e një partie, dhe luftën ndaj klasave të përmbysura. Me keqardhje vumë re që këto platforma ende mbaheshin të klasifikuara. Shpresoj shumë në një interes të studiuesve për të zbardhur pikërisht makinerinë e dhunës, sepse kjo do të ndihmojë edhe në sqarimin e kontekstit dhe në të kuptuarin më mirë të çdo historie personale a familjare.

Pastaj vëren “Gjuhën e Re”, pseudonimet e përdorura. Aty vërtet ndihesh në një botë oruelliane. Por ka edhe dokumente qesharake, njerëz që vijnë vërdallë kot, bëhen pjesë e një sistemi që kërkonte të mbante pushtetin përmes frikës dhe izolimit, apo thjesht donte te realizonte “planin” sepse dhe numri i “armiqve” që-plotësohej me porosi partie.

Gjithsesi njohja me dokumentacionin e ndodhur në sistemin e arkivave të mëkateve të diktaturës, si dhe njohja me aspekte proceduriale të veprime të kryera nga struktura të ish–Sigurimit të Shtetit, të krijon një ndjesi të veçantë, ku ndërthuren brenda vetes, emocione të forta, ankthe, revoltë të brendshme etj.

Sa delikate e shihni detyrën tuaj? Sa i hollë është filli i ndarjes së emocioneve njerëzore që mund të të kaplojnë nga krimet e kryera prej atij regjimi dhe gjakftohtësia institucionale ? 

Po perifrazoj një thënie të Niçes, “Moraliteti nuk është gjë tjetër veçse lufta kundër së keqes”, në këtë kontekst jemi të përgatitur që të përballemi me këtë të keqe, me dëshirë, transparencë, profesionalizëm zbatim korrekt të legjislacionit në këtë fushë, veprime të cilat janë më se të meritueshme dhe fort të nevojshme.

Flas në aspektin njerëzor, çfarë ju ka tronditur më shumë?

Kontrasti i thellë i fytyrës së diktaturës me fytyrën njerëzore të armiqve të saj. Diktatura shfaqet me akuza të pakuptimta në optikën tonë sot. Me gjuhë te urrejtjes, ndasitë klasore, stereotipizimet. Proceset false. Pafuqinë totale e viktimës. Nga ana tjetre, janë armiqtë e diktaturës, me fotot, shenjat e gishtërinjve dhe te ashtuquajturën biografi qe shpesh është shumë e pasur me eksperienca, shkollime. Ka kontribute të tyre në  dorëshkrime, ëndrra për një Shqipëri me te mire, poezi. Diku gjen reference për bisedat për Freud, Hegel, Kant. Këto elemente janë tejet njerëzore dhe të prekshme, te një niveli te larte intelektual e moral. Një kontrast i thellë me gjuhën e Sigurimit. Po punojmë për krijimin e një kolane me profilet e “Armiqve”, ku personazhe do të jenë pikërisht ata që u etiketuan armiq: një shkrimtare e politikanë, një ish ministër arsimi, një fëmijë i internuar që në lindje, një poet, një zonjë e huaj martuar me një shqiptar, dikush që praktikonte besime fetare, dikush që kryen shërbesa fetare, një piktor, etj. Do të jetë një kolane e hapur ku tregohet edhe historia e tyre ose e familjeve të tyre  sot.

Mendoni se kjo është koha e duhur për këtë ligj, duke qenë se ka një shkëputje të konsiderueshme kohore prej së kaluarës apo ligji është i vonuar?

Praktikat më të mira ndërkombëtare – dhe këtu përmend Gjermaninë, sugjerojnë që këto procese duhen kryer menjëherë pas rrëzimit të diktaturës. Gjithsesi, “ më mirë vone se kurrë thotë populli”.E rëndësishme është që tashmë kemi kuadrin ligjor përkatës në këtë fushë, i plotësuar me akte nënligjore. Ekspertiza krahasuese, ndihma apo asistenca që keni mundësuar në këtë proces, me institucione të tjera analoge jashtë vendit, ku vlen të përmendet përvoja e shtetit Gjerman dhe atij Bullgar, me të cilët jemi në kontakte të vazhdueshme për ecurinë e këtij procesi dhe praktikat ndërkombëtare të krijuara, do të na mundësojnë fitimin e kohës së humbur por çka është më kryesorja zbardhjen e të vërtetës me dritë hijet që e shoqërojnë atë.

Ju personalisht, përpara se të merrnit në ngarkim këtë detyrë si e keni ndjekur çështjen e hapjes së dosjeve?

Si zëvendësministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinise, veç arsimit profesional, ndiqja edhe çështjen e ish të  përndjekurve politike. Përmirësuam  skemën e dëmshpërblimit, dhe u be një masterplan për  kërkimin e  varreve te humbura të diktaturës. Këto çështje e bënë shumë të qartë nevojën e krijimit të një arkive të vetme të hapur për publikun, si dhe hapjen e dosjeve sekrete të diktaturës, sepse pa to, këto politika ishin jo efektive. Drejtova grupin e punës për hartimin e ligjit për informim mbi dokumentet e ish-sigurimit.

Rridhni nga një familje që ka vuajtur persekutimin e diktaturës komuniste. Si ka qenë ndjeshmëria për të ditur se kush ishin survejuesit apo denoncuesit e familjes suaj?

Ne fakt kemi akoma shumë punë për mbledhjen dhe sistemimin e plotë të arkivit. Fakti që ju citoni dhe që drejtoj këtë Autoritet që ka arkivin e mëkateve të diktaturës,  natyrisht më jep mundësinë dhe më nxit kureshtjen për t’u njohur me historinë e të parëve të mi, nëpërmjet dokumenteve autentik të përgatitura nga struktura të ish-sigurimit të shtetit për ta, sidomos te insistoj te kërkimi i varrit të  humbur të gjyshit tim, diku pranë Burgut të Burrelit.

Ju vetë ç’ndryshim prisni të ndodhë nga zbatimi i këtij ligji?

Së pari, të ndihmojmë shoqërinë shqiptare të vrasë frikën nga policia sekrete e diktaturës, duke e ndihmuar të zhvillojë “antikorpet” e nevojshme kundra çdo tendence totalitare dhe kufizimi të lirive dhe të drejtave, që në atë kohe u eliminuan në emër të një ëndrre të bukur.

Sw  dyti, të ndërtojmë një institucion funksional qw  ndihmon shoqërinë te shijoje një standard më të lartë demokratik, ku të quhet normal procesi i informimit  për informacionin zyrtar te krijuar për qytetaret, qoftë dhe nga institucione të sigurisë. Po ashtu te ngrihet steka për një llogaridhënie e  përgjegjëgjshmëri me te madhe, si dhe një ndërgjegje më të lartë për gjithsecilin qe vepron ndaj individëve dhe shoqërisë.  Së treti, synojmë të bëjmë një arkiv serioze dhe moderne. Besoj se  pak është investuar për  arkivat në vendin tonë. Aty shoqëria sheh brenda vetes, njeh shtetin që ka krijuar, gjen mënyrat me efikase për vetë njohje, vetëpërmirësim, dhe për qeverisje më të mira. Do të doja që aksioni yni të krijojë edhe këtu një standard më të lartë se si mund të mirëmbahen, ruhen, përdoren dhe si shfrytëzohen arkivat.

Së katërti, ti japim jete një dialogu kombëtar qe do ta luftoje mohimin e krimeve të  diktaturës, dhe te krijoje një narrative konverguese për komunizmin, që do te ketë edhe një dimension Europian. Do të jemi një institucion i memories ku do iniciohen ide dhe bashkëpunime për studime te mirëfillta historike për periudhën e diktaturës, me institucione brenda dhe jashtë vendit, dhe do te jemi katalizatore dhe bashkëpunues për aktivitetet e edukimit qytetar e sidomos me rininë.

Po individët që sot kanë poste apo funksione të larta drejtuese apo politike?

Verifikimi i kandidatëve për funksione të larta publike është një nga detyrat e AIDSSh. Deri tani kanë kaluar në filtrin e saj informues disa qindra figura. Do doja të inkurajoja institucionet kushtetuese apo autoritetet publike, që të përdorin këtë mundësi për verifikim për të gjitha rastet e kandidimit të personave/zyrtarë që emërohen apo ngrihen në detyrë, në funksionet që përcakton ligji, për të mundësuar një transparence sa me të mirë të profilit profesional të së shkuarës të këtyre figurave ndaj publikut.

Po me personat e tretë, ata që kërkojnë dosje të caktuara për karakter studimor, etj. Cila është procedura që ndiqet, çfarë mund të botojnë dhe çfarë jo ata ? Nëse mungojnë emrat cila është vlera që i mbetet materialit më pas?

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas parashikimit të Ligjit nr.45/2015, ka detyrimin t’i informojë edhe subjektet e tjera të interesuara (ku përfshihen studius, masmedia etj., lidhur me faktin nëse ekzistojnë dokumente të  ish – Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre, sipas këtij ligji. Pra në çdo rast Autoriteti vihet në lëvizje mbi bazën e një kërkese të paraqitur, ku përcaktohet qartë qëllimi i kërkesës, i cili duhet të jetë sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore të parashikuara, në funksion të veprimtarisë hulumtuese dhe kërkimit shkencor, apo edukimit qytetar, sipas ligjit 45/2015.

Janë dispozita ligjore të veçanta,  të parashikuara në ligjin 45/2015, të cilat përcaktojnë krejt procedurën që duhet ndjekur nga ky kontingjent kërkuesish, lidhur me marrjen dhe dhënien e informacionit, mënyrën e shqyrtimit të dokumentacionit pranë zyrave të Autoritetit, dhënien e dublikatave atyre vetëm pasi janë bërë të palexueshme emrat e palëve të treta dhe bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit, si dhe faktin që dublikatat nuk mund të përdoren nga marrësi për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë kërkuar dhe as të përcillen te marrës të tjerë etj.Në Webfaqen e AIDSSH gjendet një formular që duhet të plotësohet nga çdo studiues i interesuar, në kuadër të orientimit, saktësimit dhe lehtësimit të proceduarave që duhen të ndiqen prej tyre. Historia që fshihet në këto dosje duhet të jete grishja e çdo studiuesi. Ju siguroj që ka mjaft materiale me vlerë që do të pasurojnë veprën e secilit prej tyre.

Po me dosjet e karakterit sekret çfarë do të ndodhë? A cenohet ende në ditët e sotme siguria e shtetit nëse hapen dosje që bëjnë pjesë në këto kategori tepër sekrete?

Një nga parimet që udhëhiqet Autoriteti gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që i ngarkon  Ligji 45/2015, është në radhë të parë mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe interesit publik, dhe në këtë kuadër Autoriteti merr masa për ruajtjen e nivelit të klasifikimit të këtyre dosjeve, e për rrjedhojë merr masa për kufizimin e të drejtës për informim të kërkuesit.

Një tjetër debat është ai i shkatërrimit të shumë dosjeve, mbase atyre më komprometueseve dhe se pjesa që ka shpëtuar pa u dëmtuar nuk ka rëndësinë e atyre të parave, që kanë humbur. A është kjo e vërtetë ?

Asgjësimi i dosjeve para dhe pas shembjes së diktaturës, është një fenomen i njohur edhe në vende të tjera, Një grup pune në AIDSSH po bën të gjithë pasqyrën e asgjësimit të dosjeve të viteve para ’90 por edhe pas ndërrimit të sistemit. Raporti do të behet publik. Gjithsesi besojmë se vlera historike e atyre materialeve që disponohen është shumë e rëndësishme.

Si do të ruhet dinjiteti i atyre personave që të detyruar apo nën kërcënim janë bërë pjesë e sigurimit të shtetit duke denoncuar? Si është menduar kjo pjesë nga ana teknike por edhe morale?

Këta persona mund të bëjnë prezent rrethanat e vërteta të implikimit të tyre me struktura të ish-Sigurimit të Shtetit që të ndihmojnë për dokumentimin e këtyre praktikave, qe do te shërbejë për të kuptuar më mirë funksionimin e makinerisë së ish-Sigurimit të Shtetit.

Ju faleminderit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si iu përgjigj Kadare, pyetjes fatale të gazetarit për diktaturën

Vjollca Hajdari, (gazetare, politologe, etnologe dhe përkthyese në Berlin), ka intervistuar shkrimtarin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.