Gentiana Susaj: Me Aikido, një luftëtare për trupin dhe mendjen

 
 

Arti luftarak që të çon drejt zbulimit të brendshëm të vetes dhe vendosjes së ekuilibrave mes trupit dhe mendjes. Pasi i ka përjetuar përfitimet tek vetja, Gentiana Susaj ka vendosur t’ua mësojë të gjithë atyre që interesohen për këtë rrugë; fëmijë e adoleshentë, burra e gra, profesionistë e shtëpiake apo viktima të dhunës. E gjitha kjo si një akt vullnetar…Lexoni intervistën e mjeshtres së Aikidos!

Kur jetonte në Ekuador, rreth pesë vite të shkuar, u njoh me artin luftarak Aikido prej dy djemve të saj që sapo kishin nisur ta praktikonin. Rasti e desh që sensei i tyre, të organizonte një klasë të hapur për komunitetin…Nga ajo ditë nuk u shkëput më dhe vendosi ta ndihmojë komunitetin përmes këtij arti luftarak- të cilin e quan “Budo”, që në japonisht do të thotë rruga luftarake.

Me t’u kthyer në Shqipëri, pas 12 viteve jashtë, hapi “Aikido Albania”, një qendër jofitimprurëse, vullnetare me qëllim përhapjen e Aidikos dhe disiplinave të tjera për mirëqenien  fizike dhe shpirtërore të njerëzve. Kontributet dhe donacionet shkojnë për zhvillimin e aktiviteteve, si ai me gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës apo abuzimeve, që siç rrëfen Gentiana, është parësor për këtë qendër. Por jo vetëm. Siç tregon ajo, Aikido mirëpret të gjithë ata njerëz që kërkojnë të vendosin një ekuilibër mes trupit, shpirtit e mendjes. Sepse, mënyra e jetës së luftëtarit, nuk është thjesht luftimi apo vetëmbrojtja, por përpjekja  e vazhdueshme për vetëpërsosje. E kjo arrihet ditë pas dite.  Në këtë intervistë të gjatë, Gentiana Susaj rrëfen me hollësi se ç’është Aikido, pak i njohur në vendin tonë, nga ndryshon nga artet e tjerë luftarakë  dhe ç’përfitime u sjell atyre që e praktikojnë

 

Çfarë është kjo qendër dhe pse e keni vendosur të jetë jo fitimprurëse?

 Qendra Aikido Albania është një qendër vullnetare, humanitare, informuese dhe këshilluese që,  ka për qëllim promovimin dhe përhapjen e Aikido-s apo disiplinave të tjera të ngjashme në Shqipëri si dhe efektet që  ato kanë  në mirëqenien fizike dhe shpirtërore të njerëzve. Pra,  qëllimi i qendrës nuk është fitimi, prandaj dhe të  gjitha kontributet dhe donacionet që  marrim shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve.

Çfarë është më konkretisht arti marcial Aikio dhe ku ka lindur ai?

Aikido është një art marcial japonez, i trashëguar nga vlerat dhe traditat më  të  shquara të samurajëve të  vjetër të  Japonisë Feudale; bazuar jo në  dhune e jo në  agresivitet, është një art marcial që  kërkon të  harmonizoje qenien njerëzore në të gjitha etapat e jetës. Në  historinë japoneze, si në shumë kultura të tjera, artet luftarake nuk konsideroheshin vetëm për kohë  lufte, por edhe për përsosjen dhe zhvillimin e karakterit njerëzor. Ato cilësi dhe parime të “luftëtarit ideal”, siç janë kuraja, guximi, vendosmëria, forca, mendjeqartësia dhe dhembshuria, janë ideale për çdo njeri,  edhe ne jetën e përditshme. Fjala “Bushido” (“Rruga e Luftëtarit”) e transmeton edhe këtë. Mënyra e jetës së luftëtarit nuk është thjesht luftimi, apo vetëmbrojtja, por është përpjekja e vazhdueshme për vetëpërsosjen në të gjitha gjërat, ditë pas dite.

Pse nuk është i njohur  më parë në vendin tonë dhe nga ndryshon nga artet e tjera luftarake?

Me sa kam mundur të  di, vite më parë, ka pasur tentativa për praktikimin e këtij arti në Shqipëri, por kanë qenë të kufizuara në kohë dhe hapësirë. Instruktoret kanë  qenë të huaj,  pra janë ndodhur përkohësisht në Shqipëri apo janë organizuar trajnime të shkurtra dhe jo të vazhdueshme. Ishte pikërisht mungesa e një shkolle të Aikidos, motivi që me shtyu për të  filluar Qendrën Aikido Albania. E para, sepse doja të  vazhdoja të  praktikoja dhe e dyta, sepse doja ta ndaja këtë eksperiencë me të  tjerë.

Aikido ndryshon me artet e tjera për nga filozofia në të cilën mbështetet. Një artist i vërtetë ushtarak e sheh konfliktin si një mundësi për të krijuar veten dhe për të kapërcyer armiqtë tanë të vërtetë, që janë brenda nesh. Një jetë e jetuar plotësisht, në këtë mënyrë, natyrisht bëhet shugyo: trajnimi më i thellë shpirtëror i mundshëm. Një thënie e preferuar e Morihei Ueshiba O-Sensei, themeluesi i Aikido-s, ishte: “Fitorja e vërtetë është vetë-fitore”. Kjo është me të vërtetë fryma e Aikido-s e jo më kot, Aikido nuk ka gara dhe kampionate.

Ju vetë ku jeni njohur me Aikio? Prej sa vitesh e ushtroni?

Kjo ka ndodhur në  Ekuador, ku kam banuar pesë  vjet dhe ishte vendi i fundit ku kam banuar,  përpara se të kthehesha në  Shqipëri, pas 12 vitesh jashtë. Ky është viti i pestë që ushtroj Aikido. Ishin të parët djemtë e mi që e filluan, dhe fatmirësisht, Sensei i tyre, organizoi një klasë të hapur për komunitetin. Ishte aty hera e parë që provova praktikën dhe që atëherë nuk jam shkëputur.

Përse shërben ky art luftarak përtej të ushtruarit ose atyre që mund ta shohin si sport?  

Aikido është “Budo” pra një rrugë  luftarake, por është dhe një rrugë e të kuptuarit, një disiplinë që,  gradualisht bëhet pjesë e stilit tënd të jetesës. Prandaj Aikido nuk është sport dhe shpesh kjo nuk kuptohet. Është e vërtetë që  ana më  e dukshme dhe e prekshme është si fillim pjesa fizike dhe çlodhja në trup e në  mendje. Prandaj edhe ndihmon për të  mbajtur trupin në  formë  pasi zhvillon koordinimin, fleksibilitetin, forcim fizik. Por, samurajët e Japonisë nuk ishin thjesht luftëtarë. Ishin njerëz të balancuar, të  cilët duhej të mishëronin moton Bun Bu Ryodo;  “Mënyrat luftarake dhe intelektuale si një”. Vetëm të ekuilibruar në këtë mënyrë, ata mund të ishin vërtet të  dobishëm dhe në  shërbim të të tjerëve. Prandaj, çdo gjë në trajnimin për Aikido ka për qëllim të zhvillojë jo vetëm një individ të fortë, por një me urtësi dhe energji, duke përfituar pozitivisht nga kjo edhe shoqëria në të cilën jetojmë.

Atëherë Aikido e mban fizikun në formë të mirë?

Në  Aikido,  trajnohemi që trupi të dijë të lëvizë në mënyrë  të koordinuar duke ruajtur qetësinë, si edhe duke projektuar një forcë më të madhe se ajo që mund të  ketë një shtatvogël që  përballet me një më të fortë  apo më të shpejtë se veten. Në vend që të theksosh dhe tensionosh vetëm pak muskuj, siç mund të ndodhë  në  ndonjë disipline tjetër, në Aikido mëson të relaksohesh dhe të lëvizësh nga qendra e trupit tënd, nga ku je më i fuqishëm apo e fuqishme. Kjo fuqi, shtrihet në mënyrë të natyrshme përmes gjymtyrëve të relaksuara, të cilat bëhen pothuajse rrëmbyese në lëvizjen e tyre. Pra, Aikido zhvillon trupin në një mënyrë unike, duke rritur fleksibilitetin e nyjave, indeve, shpejtësinë, koordinimin, dhe kapacitetin e ruajtjes se qetësisë, duke balancuar fuqinë kontraktive të  muskujve dhe atë të  shtrirë të  trupit, duke bërë të mundur që edhe një person i vogël të gjenerojë aftësi të mëdha energjie dhe vetëmbrojtjeje.

Ju thoni se ofroni kurse për ndërgjegjësim dhe vetëmbrojtje, sa të interesuara janë vajzat dhe gratë për të marrë mësime të këtyre disiplinave luftarake për vetëmbrojtje? 

Tërheq vëmendjen interesimi i shprehur nga vajza dhe gra për të  marre pjese në  këto kurse, objektivi i të  cilave është forcimi personal fizik, mendor dhe shpirtëror. Gjatë seancave punohet përmirësimi i aftësive që mundësojnë parandalimin dhe  reagimin e duhur në një situatë  konflikti, tensioni apo dhune. Kemi mundur të kemi pjesëmarrëse të ndryshme, disa madje edhe të mbijetuara të  dhunës apo abuzimeve, dhe është grupi prioritar për ne momentalisht. Është vërtet motivuese për ne si staf, të shikojmë ndryshimin që  sjellim te vajzat dhe gratë që marrin pjesë. Aftësia për të mbrojtur veten, por edhe miqtë apo familjen nga situata të rrezikshme ose të dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik është e paçmuar. Ajo që na tërheq vëmendjen është entuziazmi që tregohet gjatë sesioneve dhe praktikave. Gjithashtu, kemi vënë re dhe se sa pak kujdesemi për një fizik të fortë e të shëndetshëm. Shumë kanë merak peshën, kujdesen për mënyrën se si duken apo të tjera aspekte, priorizojnë vetëm punën apo detyrimet familjare e sociale, duke lënë mirëqenien e tyre te fundit, duke mos u kujdesur njëlloj për të pasur një trup të shëndetshëm brenda e të balancuar, pavarësisht nga mosha.

Përmendët më parë pjesën mendore dhe emocionale. Si arrihen këto përmes të ushtruarit të Aikido-s? 

Në  Aikido, trupi nuk ndahet nga mendja. Gjendja e njërit do të ndikojë në tjetrën dhe anasjelltas. Për këtë arsye, relaksimi fizik që  praktikojmë në Aikido në mënyrë të natyrshme dhe graduale përfshin relaksimin mendor. Po kështu, këmbëngulja dhe besimi që zhvillohen mendërisht janë manifestuar në një trup që lëviz dhe e mban veten me besim dhe forcë. Brendësia psikologjike ose shpirtërore duhet të pasqyrohet në trup, ose në të kundërt ajo tenton të jetë pak më shumë se intelektualizmi; nën presion, njohuri të tilla zhduken, dhe personi kthehet në zakonet dhe modelet e rrënjosura më parë.  Trajnimi i Aikido-s kërkon që nxënësi të përballet me konflikt, që të mos largohet prej tij. Përmes kësaj përvoje shumë konkrete, fizike, një praktikues i Aikido-s mëson të përballet me situatat e jetës në një mënyrë proaktive dhe konstruktive. Format e shmangies dhe frikës, i thyejmë. Reagimet e tensionuara, ndaj presionit dhe konfliktit, të cilat shpeshherë krijojnë më shumë dhunë, mësojmë t’i njohim dhe t’i  prishim. Një person i ri, – i drejtpërdrejtë, i guximshëm por modest, i aftë të jetë i fortë, por edhe i sjellshëm në varësi te rrethanave, mund të formohet nga të praktikuarit e Aikido-s. Madje, sot, Aikido është bërë i njohur edhe në qarqet psikologjike dhe të biznesit si një metaforë shumë e dobishme në hartimin e strategjive të zgjidhjes së konflikteve. Në shumë vende të botës, njerëzit përdorin filozofinë e Aikido për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Cilët janë më të interesuar deri tani; fëmijët apo të rriturit? 

Aktualisht, më të interesuarit janë fëmijët dhe prindërit e tyre për ta, sidomos për moshat rreth 10 vjeç. Nëpërmjet lojërave dhe teknikave të thjeshta, duke iu përmbajtur disiplinës dhe etiketës qe kemi, fëmijët mësojnë si të kenë koordinim më të mirë, të lidhin mendjen me trupin, përqendrim më të mirë, siguri në vetvete dhe respekt për të tjerët. Duke qenë se AIKIDO është jo kompetitive, fëmijët zhvillohen sipas ritmit individual që kanë, pa përjetuar inferioriteti ndaj të tjerëve, si dhe mësojnë si të bashkëpunojnë me shokët e grupit. Interesi tek adoleshentet dhe tek te rriturit është gjithashtu në forcim e sipër. Sa më shumë e njohin,  aq më shumë kuptojnë vlerat dhe përfitimet që Aikido përcjell.

A mendoni se të kesh njohuri praktike në këto arte të jep vërtet një armë për të mos rënë viktimë e dhunës, p.sh?

Nëpërmjet arteve marciale, kultivohet besimi dhe siguria në vetvete, e mbi këto ndërtohet fuqizimi. Për dikë që sapo ka filluar të praktikojë, ose për dikë që nuk është i rregullt në praktike, artet marciale nuk japin rezultate të  menjëhershme përsa është vetëmbrojtje. Aftësi të  tilla krijohen kur ke një aktivitet fizik gjithëpërfshirës, serioz dhe të fokusuar. Është merite kur mundemi të shmangim një konflikt pa arritur në situatë dhune. E nëse nuk e shmangim dot, atëherë mënyra si ruajmë gjakftohtësinë, si reagojmë dhe si arrijmë të zgjidhim konfliktin, do varet nga njohuritë e fituara nëpërmjet trajnimit.

Si duket një vajzë apo një grua që zotëron një art luftarak? Duhet thënë që nga kinematografia jemi mësuar t’i shohim si “cool”, por megjithatë sikur humbasin pak nga femininiteti? A është e vërtetë kjo apo thjesht një mit? 

Meqenëse kam një eksperience profesionale të  përqendruar në fushën e të drejtave të njeriut, konsideroj që  feminiteti është një fenomen historik dhe kontekstual, një model që  e krijojmë ne si shoqëri apo që  na e servirin faktorë të ndryshëm, në  forma të  ndryshme. Prandaj varet shume pikëvështrimi që kemi për modelin “femër”, koha dhe vendi në të cilin ndodhesh.

Ka shume fushata si për shembull ajo “#likeagirl”, nëpërmjet të  cilave mesazhi është që vajzat dhe gratë munden dhe kanë forcën e tyre duke qenë të zonja dhe të pavarura, por duke qenë njëkohësisht edhe të hijshme e të suksesshme. Modeli i princeshave dhe i princit të kaltër, mendoj që nuk përgatisin për jetën reale. Vajzat e arteve luftarake nuk kanë për qëllim të imitojnë apo të sillen si çuna. Në Aikido, mësojmë si të  qëndrojmë fort kur duhet të mbrojnë veten apo dikë tjetër, të jemi të vërteta me veten tonë dhe të mos ndryshojmë apo sillemi siç ashtu duan të tjerët. Praktikojmë si të kemi mendje dhe zemër të hapur, – të marrësh e të  japësh pa gjykuar dhe pa pretenduar t’i kesh të gjitha nën kontroll, të duam veten së pari, por dhe të tjerët përreth, ndjeshmëri dhe kujdes për të tjerët, përfshirë dhe kundërshtarin, komunikuese dhe bashkëpunuese me të tjerët, të frymëzojmë, motivojmë dhe influencojmë pozitivisht këdo që kemi përreth.

Ju vetë si ju shohin? Ju shohin si një “gocë të fortë”? 

(Kjo pyetje më ka bërë kurioze  dhe pyeta madje kam marrë ndonjë koment të tillë tek-tuk , por nuk e kam analizuar… S’di të them shumë. J  ) Më shumë  më shohin si dikush  që qëndron tek vetja, krahëhapur dhe me konfidencë, duke reflektuar mbase një force karakteri dhe personale. Nuk para ma komentojnë, por fakti që shume njerëz kane besim tek unë, më bën të mendoj që disi reflektohet dhe kjo pjesë. Përveç Aikido-s, gjatë 15 viteve të fundit, për shkak të punës dhe jetës private, kam njohur rreth 40 shtete, pra sa njerëz, kultura dhe ndërveprim njerëzor, gjë që më ka ndihmuar dhe ndikuar në rritje personale. Ajo që  mund të  them, është që mesa duket nuk jam modeli “tipik” i një gruaje shqiptare të brishte, të varur e me dobësi për shkak të rrethanave dhe ambientit – kuptohet, pa paragjykuar askënd.

Kush është kandidat apo kandidate e duhur  për t’u marrë me Aikio? Duhet të kesh paraprakisht disa të dhëna fizike?

Aikido nuk njeh moshë apo aftësi fizike dhe arsyeja është se vetë themeluesi i këtij arti, e konsideroi edhe si një rruge shpirtërore. Në praktike, ti ke mundësinë të përcaktosh vetë nivelin e vështirësisë si dhe ritmin me të cilin trajnohesh. Sugjerojmë që të fillohet  nga mosha 6 vjeç dhe s’ka limit për më lart. Pa dyshim, që  moshat e adoleshencës janë më të volitshmet për shkak të gjendjes fizike dhe mendore që kanë. Trajnimi bazohet në teknika progresive ku ato intensive lidhen me të tjera të qeta. Në këtë mënyrë, trupi fillon dhe përshtatet gradualisht me teknika dhe ushtrime më të ndërlikuara fizikisht. Këto praktika ndihmojnë edhe në përmirësimin e gjendjes fizike në mënyrë të konsiderueshme.

Në vendet ku Aikido është më  e përhapur, janë të rinj por dhe profesionistë tëe profileve të ndryshme që  e praktikojnë. Në Japoni, vend i shumë arteve marciale, Aikido është zgjedhur për të trajnuar elitën e Policisë Sekrete dhe Policisë Metropolitane të Tokios, falë  fleksibilitetit të theksuar të këtij arti. Por nga ana tjetër, janë fëmijë, të rinj, psikologë, juristë, inxhinierë, IT-s, disenjatorë, fotografë, infermierë, etj., ata që ushtrojnë Aikido. Aikido mund të aplikohen nënivele dhe shkallë të  ndryshme, të buta apo të renda, fizikë  por dhe verbale, duke zgjidhur situata apo konflikte në mënyrë efektive dhe paqësore, duke mbrojtur kështu edhe sigurinë mendore dhe emocionale.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vogue: Dua Lipa në mesin e 25 femrave më me ndikim në botë

Revista Vouge e ka renditur Dua Lipën në mesin e 25 femrave...
Read More