Gerta Banushi: Butari, shqiptari i Selanikut

Nga Gerta BanushiVizion Plus

Nuk është e para herë që Kryetari i Bashkisë së Selanikut sulmohet. Që prej zgjedhjes se tij si kryetar i Bashkisë së Selanikut ka qenë shënjestër e sulmeve nga ekstremistë e majtë e të djathtë grekë. Por ajo që ndodhi ditën e shtunë, i vuri kapakun me anë të dhunën fizike ndaj kryebashkiakut.

Janis Butaris u qëllua brutalisht nga aktivistë që merrnin pjesë në përkujtimoren e genocidit kundër pondëve, pakicës greke që u shpërngul me dhunë nga Azia ku u vranë afro 300 mijë njerëz.

Sulmi ndaj Butaris nuk ishte gjë tjetër veçse një goditje e paralajmëruar për të disatën herë nga ekstremistët, të cilët nuk i kursyen shkelmat e sendet e forta kryetarit të Bashkisë së dytë më të rëndësishme në Greqi.

Por kush është Janis Butaris? Vizion Plus sjell profil të 75-vjeçarit.

Ai drejton Bashkinë e Selanikut prej vitit 2011. Është biznesmen, pasardhës i themeluesve të kantinës së verës me famë botërore “Butari”. Nuk i ka mohuar kurrë rrënjët e tij voskopojare. Babai i tij Stelios Butaris ishte vllah nga Voskopoja, ndërsa e ëma ishte nga Krusheva në Maqedoni. Vetë kryetari i Bashkisë së Selanikut në një intervistë në vitin 2010 për gazetën greke “Ethnos” ka deklaruar se: “Origjina ime është nga Krusheva dhe nga Voskopoja. Si të thuash … ndjehem pak grek i diasporës. Nëse dëshironi, patriotizmi ose helenizmi është përtej kufijve”.

Ajo që nuk u pëlqen ekstremistëve, janë mendimet e Butarit për të kaluarën historike të Greqisë. Që në fillimet e tij si kryetar bashkie, ka ngjallur mjaft reagime me deklaratat për ngritjen e një memoriali për turqit si dhe një për hebrenjtë. 75-vjeçari ka deklaruar se ndërtimi i këtyre monumenteve do të tërheqë turistët hebrenjtë dhe turq në Selanik.

Në vitin 2014, Janis Butaris ishte përsëri fitues i zgjedhjeve. Rezultati ishte befasues për një kandidat që garonte si i pavarur. Në raundin e dytë ai la pas kandidatin Stavros Kalafatis.

Ka pasur mjaft polemika dhe përplasje me fenë në Greqi, konkretisht me Mitropolitin e Selanikut Anthimos. Pak kohë para zgjedhjeve në tetor të vitit 2010, gjatë një kremtimi në Kishën e Shën Dhimitrit, Butari kishte deklaruar: “Unë nuk jam kundër kishës, por Anthimos më kujton muxhahedinët”, ndërsa kleriku vetë e quajti një tradhtar bullgar. Megjithë ndërmjetësimin e politikanëve të tjerë, ai nuk i kërkoi kurrë falje klerikut.

Butari, ky njeri mendjehapur, i cili ftoi në Selanik kryeministrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë Zoran Zaev për të festuar Vitin e Ri 2018, është një personalitet i rrallë, një politikan i pavarur në mandatin e tij të dytë, i cili është përballur me betejën më të madhe gjatë këtyre viteve, betejën e historisë me fantazmat e saj.

75-vjeçari nuk i trembet askujt, për të shprehur mendimin e tij të lirë e për t’i thënë gjërat ashtu siç janë. Çështjet e nxehta të kohëve të fundit midis Greqisë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në lidhje me emrin, kanë nxitur valën e reagimeve të ekstremistëve, pre e të cilëve ra edhe vetë Butari.

Sulmi i kësaj të shtune ndaj Kryebashkiakut të Selanikut do duhej të hapte në Greqi diskutime të mëdha, se sa i fortë e i rrezikshëm është nacionalizmi grek për çështje të ashtuquajtura kombëtare dhe se si Greqia duhet të ripozicionoje veten në rajon lidhur me identitetit e saj.

Mbase do të duhet ende kohë që autoret e sulmit të arrijnë të shohin historinë dhe të vërtetën në sy. Të pranojnë se një ditë në Ballkan kufiri do të jetë thjesht nocion gjeografik e jo pengesë. Deri atëherë Janis Butaris, shqiptari i Selanikut për të cilin mosha është si vera që familja e tij prodhon, duhet të luftojë shumë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Video-skandali në Kuvend/ Ruçi largoi Gardën, Rama futi në sallë rojet e armatosura

  Tensionet e ditës së sotmë në Kuvendin e Shqipërisë, e kanë...
Read More