Gerta qau pak

Nga Edison Ypi

Gerta qau pak. Gerta duhej të qante më shumë. Gerta duhej të mbushte një Fan me lot, një Mirditë me klithma, një Shqipëri me ulërima.

Gerta qau pak për një fukara në një ditë me shi zbritur udhës nga një fshat i Gorës që dridhej i tëri nga të ftohtit mbledhur kruspull me këpucë të shqyera ca rrecka në trup. Desha t’i jepja ndonjë gjë për të veshur a mbathur, gërmova bagazhin, por s’kisha. Kur kalova pas një muaji me ca gjëra me vete, nuk e pashë. Më thanë se e kishin gjetur me trupin plot me miza pesë ditë pasi kishte vdekur.

Gerta qau pak ose aspak për një plak të sëmurë pa asnjë ndihmë mjekësore mbetur fillikat në një katund të Ishmit brenda një barake për ibret mes shurrave dhe bajgave të bagëtive. Pas ca muajsh, vetëm kur vunë re që s’po dilte nga “shtëpia”, edhe atë e kishin gjetur të kalbur pasi kishte vdekur.

Gerta nuk qau bollshëm për mijëra fshatarë nëpër katunde pa asnjë dhëmb në gojë ngaqë dhëmbët nuk i përdorin, dhëmbët nuk u duhen.

Gerta nuk qau mjaftueshëm për qindra e qindra vajza fshatare që e vrasin kohën duke çapëlyer sytë. Njërin sy në televizor duke parë telenovela me turq të rruar e të kruar të veshur bukur që dashurohen e tradhtohen në një mijë mënyra. Me tjetrin sy shohin nga dritarja katundin ku thërret qameti me baltëra dhe rrecka. Këto vajza për të cilat Gerta qau pak, presin sa u vjen koha apo mosha, vijnë në Tiranë bëjnë ndonjë shkollë. Pas shkollës nuk gjejnë punë. Për të mos u kthyer te lemeritë e fshatit të baltës dhe telenovelave, mbushin motelet, bëhen kurva.

Gerta nuk qau sa duhej për qindra fshatarë që duan të punojnë, kanë energji, pasion, ambicie, dëshirë për t’u pasuruar, marrin kredi, nisin të punojnë. Por ngaqë nuk gjejnë asnjë mbështetje, pas pak mbeten si zhaba në zall, dhe falimentojnë. Vjen banka ua merr të gjitha. Mbeten me gisht në gojë më fukarenj se ç’ishin.

Gerta nuk lëshoi asnjë pikë lot për fshatra ku gjithkënd që të pyesësh të thotë se ka dy vëllezër, tre kushërinj, katër komshinj, shtatë bashkëfshatarë, në burg, për arsye që nuk i di as dreqi.

Gerta nuk qau për Çartallozin në Strelcë. Atë fantastikun që e kalon jetën duke numëruar dhe këqyrur me kujdes rrathët e trungjeve të prera të lisave shekullorë për ta mësuar me saktësi se çfarë moti ka bërë në filan vit para pesëqind vjetësh. Çartallozi për të cilin Gerta nuk qau ngrohet pranë zjarrit me trungje arre ku përmes flakëve të zjarrit sheh të kaluarën, njerëzit, ngjarjet. Bërtet e ulëret Çartallozi për pyjet që po sharrohen. Askush s’ia vë veshin.

Gerta nuk qau sa duhet për fshatarë iniciatorë që ngrenë lokale me pije dhe gatime bio që po t’i hash e pish jeton jo më pak se 100 vjet. Në vendet ku ata i ngrenë këto lokale ka gjithçka, edhe rrugë. Por meqenëse rruga nuk është e asfaltuar, bythpambukët e qyteteve nuk kalojnë andejpari por ndjekin asfaltin ku hanë e pinë lëtyra gastronomike. Kështu ndodh që vizionari i bio-lokalit për të cilin Gerta nuk qau, vret miza, derisa një ditë të bukur kur mizat i ka vrarë të gjitha, lokalin e mbyll.

Gerta nuk qau për plot nëna me të zeza që enden të vetmuara kalldrëmeve të katundeve sepse djemtë u janë vrarë në ndërlikime të pafundme me bandat e trafiqeve dhe drogës.

Gerta qau për të qarë, por jo si të vjen të qash nëpër katunde të braktisura ku ata që kanë mbetur shfaqen si fantazma, më të humbur, më të çorientuar, më të shastisur se lëkurëkuqtë e parë që takoi Kolombi.

Gerta nuk qau si dhe sa të vjen të qash kur kalon nëpër ca katunde, ke ngatërruar rrugën, i bie borisë në fillim ngadalë, pastaj sa çmend dynjanë, të gjithë të ndjekin që prapa dritares, por nga frika e ndonjë të papriture askush nuk del në oborr të pyesë; O njeri, si e ke hallin ?

Gerta do duhej të kishte qarë sadopak edhe për faktin se në shumicën e fshatrave tanë ka shkollë dhe xhami por nuk bëhet fjalë për libra, filma, gazeta, televizor.

Gerta nuk derdhi asnjë kokërr loti për fuoristradat e hashashit që terrorizojnë katundet më llahtarshëm se GAZ-at 69 të kurvit.

Gerta nuk u dedikoi asnjë pikë lot ca zagarëve që pasi ikin nga fshati në Tiranë, Itali, Gjermani, Amerikë etj., prej andej nuk i qajnë hallin fshatit të braktisur e lanetosur, por i thurin hosana natyrës së bukur, ajrit të pastër, lavdive historike me luftëra dhe heronj të stisur.

Asnjë pikë loti nuk lëshoi Gerta për hordhinë e “intelektualëve” tiranas që nuk kanë qenë kurrë prapa Dajtit, pogradecarë që nuk kanë shkelur kurrë në Mokër, shkodranë që Pukën dhe Fushë Arrzin nuk i kanë parë kurrë me sy.

Duhej të kishte qarë pak Gerta edhe për banorë të fshatrave kufitarë me Maqedoninë ku pa u lëvizur qerpiku të thonë se Struga ndodhet në Kosovë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Skënderbeu me nënë serbe: Zhurma që shkaktoi Muç Nano

Një deklaratë e publicistit dhe gazetarit Mustafa Nano, si i ftuar special...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.