Gjebrea përlotet para studentëve: Momenti më i vështirë i imi

gjebrea

Kantautori dhe moderatori Ardit Gjebrea, dje në një bisedë me studentët e UET-së ka folur për momentet më të vështira të jetës së tij, ka folur për ëndrrat, studimet, jetën në Itali, lidhjen me muzikën e televizionin

Artistët nuk qajnë vetëm në skenë. Ata mund të përloten dhe në një auditor nga një pyetje që iu kujton kohët e tyre të vështira.

Kjo ndodhi dje me moderatorin dhe kantautorin e njohur Ardit Gjebrea, gjatë një bisede me studentë të UET-it.

Gjebrea ishte i ftuar në Forumet UET, jo në rolin e moderatorit që bën prej aq vitesh, por në rolin e të intervistuarit nga moderatorja Belina Budini, shefe e Departamentit të Komunikimit në UET.

Para studentëve, Gjebrea ka folur për ëndrrat, studimet, jetën në Itali, lidhjen me muzikën e televizionin etj. Me këngët e tij të mesit të viteve ’90, ai ka mbetur në kujtesën e publikut dhe këngët e tij këndohen ende sot.

Po pse Gjebrea i është kushtuar kaq fort menaxhimit të muzikës me festivalin “Kënga Magjike” dhe moderimit me emisionin “E diela Shqiptare” dhe nuk po këndon më si dikur?

Në një përgjigje të sinqertë ai pranon se nuk e gjen veten te tregu i tanishëm muzikor komercial.

“Unë shpeshherë jam më i sinqertë se ç’duhet dhe do ta ruaj sinqeritetin tim dhe sot, më ndodh që të keqkuptohem. Sot portalet e ndryshme mund të keqkuptojnë atë që dua të them dhe nuk do të jem shumë i sinqertë në përgjigjen time. Dua të jem pak diplomat sepse nuk dua të fyej askënd. Kështu që secili bën zgjedhjen e tij në jetë, por nëse unë do të vazhdoja të bëja muzikë dhe të këndoja, nuk do të jetoja më mirë se sa jetoj sot. Kjo është përgjigja ime e sinqertë pa dhënë detaje. Unë kam kënduar në pallate sporti, në stadiume, kam kënduar në Teatrin e Operës dhe Baletit. Kam kënduar në vende ku muzika vetëm dëgjohej. Në të gjitha turnetë që kam bërë jashtë, aty ku ka shqiptarë në Gjermani, SHBA, Greqi, kam kënduar nëpër teatro. Sot rrallë këngëtarët këndojnë nëpër teatro. Unë nuk dua të humbas atë habitatin tim. Unë krijova një lloj stereotipi dhe nuk dua ta humbas. Unë jam i lidhur me atë mentalitet të muzikës dhe nuk dua që të jetë ndryshe”, -tha ai.

I pyetur nga një student se cili ishte momenti kur ishte rrëzuar dhe më pas kishte gjetur forcën për t’u ringritur, Gjebrea kujtoi momentet e vështira të emigrimit në Itali, vitet ‘92-93.

“Ishte 31 dhjetor dhe unë me gruan dhe djalin që ishte vetëm 2 vjeç kishim gjithsej vetëm 30 mijë lireta, që janë pak a shumë 30 mijë lekë të vjetra. Ne duhet të festonim Vitin e Ri dhe të vazhdonim jetën me aq para. Nuk kishim asgjë për të ngrënë. E kishim traditë në familjen tonë, unë kisha marrë gjithmonë një dhuratë… (përlotet)… dhe unë vajta i bleva djalit tim një makinë të vogël, 5 mijë lireta… Ishte një moment shumë i vështirë, por ka kaluar. Ndaj djali im është forca ime që më frymëzon gjithmonë”.

Pas këtij rrëfimi Gjebrea iu dha një mesazh të rinjve studentë në sallë: që duhet të jenë mirënjohës për sakrificat e prindërve të tyre dhe t’ua shpërblejnë.

Po ashtu, me studentët Gjebrea ka folur edhe për intervistën me të burgosurin për vrasje.

“Unë e transmetova emisionin pasi u dha dënimi nga gjykata”.

Intervista e Ardit Gjebresë me të dënuarin për vrasjen e një vajze të re dhe nënës së saj bëri shumë bujë vitin që shkoi.

Arditi u akuzua se u bë “avokat” i një vrasësi gjatë qëndrimit në burg 24 orë me Marjan Rrokun, i dënuar për vrasje të dyfishtë. Por Gjebrea e ka variantin e tij për ata që e kryqëzuan mediatikisht. Ai tha me studentët, se emisioni nuk ndikoi te vendimi i gjykatës.

“Unë e regjistrova emisionin në maj, prita të dilte vendimi i gjykatës ndaj tij dhe vendimi është dhënë në dhjetor dhe unë e kam transmetuar emisionin në shkurt. Pra, emisioni im nuk pati asnjë ndikim te verdikti i drejtësisë”, -tha ai.

Më tej Gjebrea këmbënguli se intervista nuk u bë për të thithur audiencë, po ishte pjesë e një programi më të gjerë “24 orë”, ku ai më parë kishte ndenjur me një lypës, edukatore etj.

“Më kryqëzuan sepse thashë pikërisht këtë frazë: “Tani që jam këtu, mendoj se ti duhet të dalësh”. Një gazetar i kujdesshëm shikon se çfarë thua. I thashë: Marjan, kur unë jam jashtë këtij burgu, them mirë t’ju bëhet dhe aty të kalben. Kur jam këtu brenda, them se Marjani është penduar dhe duhet të dalë. Por kur të dal prapë prej këtej, nuk e di se çfarë do të mendoj”. Askush nuk më pyeti se çfarë mendove. Nuk ka më vlerë kjo gjë, pasi unë kam pasur dhe raste përdhunimesh kur kam dalë te vetja pasi tek “E diela shqiptare” jemi live. Nuk kam bërë asgjë për audiencë, unë e kam audiencën time, nuk më duhej Marjan Rroku. Për sa kohë që ata ekzistojnë dhe janë atje, unë doja që të sillja një realitet që nuk e ka parë askush. Asnjë nga këta gazetarët që folën për këtë gjë, nuk kanë shkuar dhe të kalojnë 24 orë dhe ta sjellin këtë gjë”, u shpreh Gjebrea.

Duke sqaruar formatin e emisionit të tij, ai tha se “u fol për investigim, ndërkohë që të gjithë ata gazetarë që folën për këtë gjë nuk investiguan cili ishte programi im. Unë kisha bërë dhe dy puntata të kaluara me konsullin e nderit dhe me një edukatore. Po bëja thjesht në kuadrin e programit “24 orë me… një të burgosur””.

Më tej Gjebrea shton se nuk ishte qëllimi që të ‘amnistonte’ krimin e Rrokut, përkundrazi moderatori thekson se ai është për dënim me vdekje për ata që vrasin.

“Te Marjan Rroku unë nuk shkova për të sjellë historinë e tij, se përse është burgosur. Unë shkova aty për të parë si i kalon 24 orë një i burgosur. Sigurisht që i burgosuri është ajo pjesë, e cila mendon se sa familje ka mbrapa. Unë jam ai, i cili kam bërtitur dhe bërtas akoma që të rikthehet dënimi me vdekje. Kush vret, duhet të vritet. Askush nuk e tha këtë gjë. Askush nuk më pyeti, përse ti që je pro dënimit me vdekje, nuk the asnjë fjalë për këtë gjë. Thjesht sepse nuk shkova për këtë gjë. Askush nuk kërkoi, askush nuk investigoi, por të zellshmit donin të kryqëzonin. Ata që e kuptuan, e kuptuan. U përfitua shumë audiencë nga kjo gjë. Më pas Marjan Rrokun e morën të tjerë në intervistë, por asnjë nuk foli”, theksoi Gjebrea.

Shkruar Nga
More from Revista User

Si vishet një vajzë franceze gjatë festave të fundvitit

Këpucët janë shumë të rëndësishme për aktoren franceze Ana Girardot. [ngg_images source="galleries"...
Read More