Gjenerata Z ka kohë që është në auditor!

Nga Elona Mehmeti

Fillimviti akademik përveçse punës rutinë për të përditësuar literaturën, përmirësuar dhe rifreskuar prezantimet për leksionet, vjen me një reflektim mbi atë që presim këtë vit si studentë në auditor.

Cilat do të jenë nevojat e tyre, çfarë qasjeje do të kenë ndaj librit? Çfarë aspiratash, ëndrrash kanë?

Statistikat duket sikur së fundmi nuk kanë qenë optimiste sidomos ndaj të nxënit. Kujtoj sondazhin e fundit nga INSTAT, pak të interpretuar shkencërisht dhe më shumë të paragjykuar mbi faktin se sa lexojnë të rinjtë shqiptarë.

E pra, cilët janë këta të rinj sot 18, 19, 20 vjeç që ndodhen në auditor? Përse quhen Gjenerata Z (shkurt Gen Z).

Termi gjenerata Z është një emër i vendosur me marrëveshje ne vitin 2010 për gjeneratën që do të pasonte gjeneratën Y – one millenians, ndër të tjera edhe gjeneratën time.

Sot, pjesëtarët e kësaj gjenerate janë të rinjtë e lindur në mes të viteve 90, kryesisht ndërmjet viteve 1997–2005.

Duke bërë një llogari të thjeshtë, duket sikur gjeneratën Z e kemi tashmë në auditor e një pjesë e tyre janë në tregun e punës, për rastin e Shqipërisë kjo ndarje lidhet qartësisht edhe me ndarjen para dhe pas “luftës” dhe për këtë fakt meritonte të kishte edhe shumë vëmendje të studiuesve, ekonomistëve, sociologëve etj.

Tiparet e gjeneratës Z janë:

  • Të shpejtë në komunikim, mund të gjejnë një informacion në më pak se 7 sekonda, për shkak të teknologjisë janë edhe më jo social se gjenerata e mëparshme;
  • Janë më të prirur për të punuar dhe patur siguri në punë, për të punuar me orare të zgjatura, kjo e ndikuar edhe nga kriza ekonomike;
  • Kanë më shumë qasje sipërmarrëse;
  • Janë më kursimtarë dhe më pak të prirur se gjenerata Y për alkoolin, drogën dhe seksin;
  • Më shumë fetarë;
  • Më shumë të prirur ta harxhojnë kohë në internet;
  • Më të orientuar për të përdorur telefonat smartphone më shumë se TV për argëtim.

Si i shohim sot këtë gjeneratë?

Ndërsa bota dhe njerëzit kanë përparuar, njerëzimi kërkon gjithmonë e më shumë përgjigje, më shumë informacion, më shumë ndarje të informacionit.

Të dyja këto aspiratat u revolucionarizuan nga interneti dhe revolucioni i informacionit, i fundit u amplifikua edhe nga Mediat Sociale. Ndërveprimet njerëzore gjithashtu janë bërë më të shpejta dhe më të lehta për shkak se nevoja jonë për informacion dhe dëshirë për të bashkëpunuar në mënyrë më efektive është rritur dhe mediat sociale kanë ofruar një zgjidhje për këtë.

Megjithatë, kritika mbetet. Ndërkohë që mediat sociale dhe zhvillimet e tjera mund të mos kenë qenë shkaku i ndryshimit në natyrën njerëzore që ka krijuar perceptimin se ky brez është i cekët, dembel dhe antisocial, perceptimi jo pozitiv për ta ende ekziston në masë të gjerë.

Ky perceptim nuk është vetëm gabim, por edhe rezultat i padijes dhe mosnjohjes së kësaj gjenerate dhe sipas këtij brezi (mendim i shprehur në auditor) edhe pse kjo gjeneratë është e ndryshme sistemi arsimor paraqitet i njëjtë.

Si studiuese e reformave në arsimin e lartë në këtë rast nuk mund të jem veçse dakord.

Mos harrojmë një fakt “Modeli i Arsimit” që ne njohim sot është krijuar në përudhën e industrializimit, jo rastësisht ky model quhet “Modeli Fabrikë” i cili kishte për qëllim të edukonte një brez për të punuar dhe mësuar profesionet që do t’i shërbenin ekonomisë, si dhe për të krijuar një shtresë “të përshtatshme” për erën e re të ndryshimeve industriale, ky lloj modeli krijoi edhe shtresën e mesme të shoqërisë që ne njohim sot, mësues, infermierë, teknik inxhinier, mekanikë etj.

Qartësisht e shprehur edhe në librin Future Shock të Alvin Toffler në vitin 1970 i cili pranonte se:

“Arsimi masiv ishte makina e zgjuar e ndërtuar nga industrializmi për të prodhuar llojin e të rriturve që nevojiten. Problemi ishte shumë kompleks. Si t’i parapërgatitni fëmijët për një botë të re – një botë të lodhjes së përsëritshme të shtëpisë, tymit, zhurmës, makinave, kushteve të jetesës të mbushur me njerëz, disiplinë kolektive, një botë në të cilën koha do të rregullohej jo nga cikli i diellit dhe i hënës, por nga bilbili i fabrikës.

Zgjidhja ishte një sistem arsimor që, në strukturën e vet, simuloi këtë botë të re. Ky sistem nuk u shfaq në çast. Edhe sot ai mban elemente nga shoqëria para-industriale. Megjithatë, e gjithë ideja e grumbullimit të masave të studentëve (lëndëve të para) që do të përpunoheshin nga mësuesit (punëtorët) në një shkollë të centralizuar (fabrika) ishte një goditje e gjeniut industrial.

E gjithë hierarkia administrative e arsimit, siç u rrit, e ndoqi modelin e burokracisë industriale. Organizimi i njohurive në disiplina të përhershme u bazua në supozimet industriale. Fëmijët marshuan nga vendi në vend dhe u ulën në stacionet e caktuara.

Jeta e brendshme e shkollës u bë kështu një pasqyrë paraprake, një hyrje e përkryer për shoqërinë industriale. Tiparet më të kritikuara të arsimit sot – disiplinë, mungesa e individualizimit, sistemet e ngurta të uljes, grupimit, klasifikimit dhe shënimit, rolit autoritar të mësuesit – janë pikërisht ato që e bënë arsimin masiv publik në mënyrë efektive një instrument adaptimi për vendin dhe kohën”.

Po sot a mund të bashkëjetojmë dhe vazhdojmë të ecim në të njëjtën rrugë?

Gjenerata Z thotë jo ….

Shpesh ky brez, ndiejnë se mësimi fillon vetëm kur mbarojmë shkollën dhe kthehen në interesat dhe aktivitetet e tyre. Metodat e mësimdhënies që dikur nuk funksiononin të nxirrnin më të mirën te studentët janë edhe sot.

Në këtë rast ata u drejtohen pajisjeve të tyre si një zbavitje në rastet më të këqija dhe nëse janë me fat, i drejtohen si një mjet për vetedukim, por ky dallim nuk është bërë kurrë nga ata që kanë nevojë ta njohin më së shumti këtë realitet, politikëbërësit.

Platformat e komunikimit që përdoren që pretendohen të jenë arsyet e bisedave të tyre të cekëta dhe varësisë ndaj smartfonëve janë thjesht një mjet. Në fakt, përmbajtja nuk ka të bëjë me ta.

Nëse sistemi i arsimit do të ndërtonte sipërmarrjen dhe teknologjinë në kurrikulën e saj bazë dhe do të merrte përsipër mrekullitë e informacionit në internet dhe format e reja të të mësuarit, këto mjete dhe pajisje që përdorin të rinjtë sot mund të ishin një platformë për të ndërtuar marrëdhënie kuptimplotë me informacionin, me njerëzit dhe më e rëndësishmja, me ide.

Kjo nuk është një kritikë për mësues e pedagog, por një reflektim për punën që bëjmë çdo ditë.

Përpjekje ka çdo ditë për të ndryshuar, shpesh edhe të suksesshme dhe kjo matet lehtësisht me rezultatet apo vlerësimet e studentëve. Jo rastësisht ne kemi parë gjithnjë e më shumë sipërmarrës të rinj në të gjitha fushat (nga teknologjia tek poezia, tek aktivizmi shoqëror) të zhvillohen nga ky brez sesa ndoshta në ndonjë brez i mëparshëm.

Megjithatë, pyetja mbetet; pse kjo gjeneratë, së bashku me inovatorët dhe sipërmarrësit e tjerë veprojnë përkundër sistemit dhe shpesh detyrohen të punojnë kundër tij, në vend që të jenë si rezultat i tij ? Për më tepër, mund të imagjinohet vetëm e mira potenciale që mund të vijë nga rindërtimi i sistemit arsimor si ai që i sjell të gjithë studentët në arritjet e tyre maksimale.

Gjenerata Z do të ndryshojë botën, ata janë tashmë duke e bërë. Por, si ta bëjnë këtë, do të ndikohet shumë nga ata që do t’i udhëzojnë në këtë rrugë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nevila Nika: Si polemizohej në vitet ’30-’40, të panjohur në Arkiva

UET ka promovuar dje librin “Larg dhe Afër”, me autor Ismet Toto,...
Read More