Gjenetika e popullatave, si indikator parësor në blatimin e identitetit shqiptar



albaniansRreth artikullit të Pierfranco Brunit “Shqiptaria midis modeleve antropologjike”

Nga Prof. dr. Aleksandër Dhima*

Në numrin e së shtunës të gazetës MAPO (14-15 maj 2016, f. 30), u botua një artikull i P. Brunit mbi shqiptarinë si një model antropologjik, ku vihet në qendër çështja e identitetit kulturor arbëresh. Duke marrë shkas nga ky artikull, që përmban të vërteta të pakontestueshme shkencore, kryesisht në rrafshin historiko-gjuhësor dhe etnografik, dëshiroj të shpreh disa mendime të mbështetura në rezultatet tona mbi gjenetikën e popullatave në kontekstin shqiptaroarbëresh, çka do të plotësonte tablonë identitare të atij që Jeronim de Rada e quante dikur “gjaku inë i shprishur”, në kuptimin e shpërbërjes territoriale të kombit shqiptar.

  1. Së pari, unë dëshiroj ta përshëndes autorin për analizën e thelluar që i bën trashëgimisë kulturore historike, gjuhësore dhe kultike ndër ngulimet arbëreshe të trevave qendrore-jugore të gadishullit Apenin. Jam vërtet i surprizuar nga përdorimi i termit shqiptarí, që aty nuk përdoret në një kuptim të përgjithshëm romantiko-letrar, siç e kemi mësuar në shkollë, por si një koncept antropologjik, çka paravendon një rrugëtim formësues që ngjizet gradualisht mbi bazën e elementeve të qenësishme të “prerjes” kulturore të këtij populli. Tipare të tilla, si të mirat kulturore (sipas autorit), simbolikat social-strukturore dhe rituali laiko-religjioz, kanë vetinë që të ruhen për periudha historike të njëpasnjëshme, pavarësisht nga zhvendosja hapësinore e grupeve etnike të popullsisë, e diktuar nga ngjarje historike jo fatlume, siç ka ndodhur me ngulimet e detyruara të grupeve shqiptare përtej Adriatikut. Vetë fjala arbëresh dëshmon, më së pari, ruajtjen shekullore të vetëdijes kombëtare, në sfond të një tharmi etno-kulturor që s’mund të zhbëhet tërësisht, qoftë edhe nga asimilimet e mundshme në vendin pritës.
  1. Në monografinë sintetizuese mbi antropologjinë etnike të shqiptarëve, që është duke u përgatitur për botim, unë kam përfshirë edhe arbëreshët në kapitullin mbi gjenetikën e faktorëve të gjakut te seritë shqiptare brenda dhe jashtë kufirit shtetëror dhe te seritë që vijnë nga diaspora. Analiza multivariacionale e shpeshtësive të polimorfizmave gjenetike dhe krahasimi midis të dhënave seriale, na ka lejuar të vlerësojmë jo vetëm afrinë gjenetike midis grup-popullsive shqiptare dhe arbëreshe, të marra në studim, por edhe shkallën e dallimit midis tyre dhe në korrelacion me popujt fqinjë (në rastin e serive arbëreshe me grupet italiane të komunave përkatëse).

Në studimin tonë, janë përfshinë 607 arbëreshë, banorë të 21 fshatrave nga komuna të ndryshme të Puljes, Molizes, Vultures, Kampanjës, Lukanies, Kalabrisë e Sicilisë. Për sa i përket kohës së vendosjes së këtyre grupeve në komunat e sipërpërmendura, ekzistojnë mendime të ndryshme. Sipas një opinioni të përhapur gjerësisht, fshatrat ku u ngulën arbëreshët në këto komuna u krijuan gjatë valës së pestë të shpërnguljeve; pra, ata s’mund të jenë krijuar më herët se sa në vitin 1680. Ekziston edhe një pikëpamje tjetër, sipas së cilës ngulimet arbëreshe, së paku në Molize, do të duhet të datoheshin midis viteve 1456 dhe 1494; në katër fshatrat e kësaj krahine, ende sot shqipen e flet pjesa më e madhe e njerëzve: 54,8% në Campomarino; 86,4% në Ururi; 90,1% në Portocannone; 98,9% në Montecilfone.

Seria kalabreze-lukane përbëhet nga 224 njerëz të ekzaminuar në fshatrat arbëreshe të rrethinave të Castrovilarit, të gjithë banorë të komunave S. Paolo Albanese, me elemente të fshatit fqinj S. Constantino Albanese në Bazilikatë, si dhe në tri grupe fshatrash kalabreze të Polinos, përkatësisht Frascineto (Frashnita-arb.), Eianina (Janina-arb.) Civita (Çifti-arb.) në lindje të Castrovilarit; Firmo, Lungro, Acquaformosa në juglindje të qendrës së komunës; S. Sofia d’Epiro, me elemente të fshatit fqinj S. Demetrio Corone (Sh. Mitri-arb.) në zgjatjen verilindore të të parit. Shqiptarët e Kalabrisë lidhen me valën e tretë të shpërnguljeve (1468-1506), mbas vdekjes së Skënderbeut, ose më saktë mbas rënies së Shkodrës (1479), për t’iu bashkuar njerëzve të të njëjtit gjak, që jetonin ndërkohë në Kalabri, prej nga e gjejnë shpjegimin edhe emërtimet lokale të fshatrave të sipërpërmendur sipas rrethinave të hershme të prejardhjes së tyre; emigrantë të tjerë erdhën këtu nga Peloponezi gjatë dy valë shpërnguljesh të njëpasnjëshme, në vitet 1534-1547.

       Seria nga Bazilikata përbëhet prej 159 individësh, që vijnë nga tri fshatra të rrethinave të Vultures: Barile, Ginestra (Gjineshtra-arb.) dhe Maschito (Mashi-arb.). Për sa i përket prejardhjes, ata u përkasin – sipas të gjitha gjasave – ngulimeve më të vjetra shqiptare të bregut perëndimor të detit Adriatik.

Seria e Avelinos përbëhet nga një varg i vogël prej 34 personash, ndër të cilët 27 arbëreshë me të dy prindërit me prejardhje shqiptare, dhe 7 banorë të fshatit Greci, prej të vetmit lokalitet të Kampanjës ku flitet shqip. Kjo seri nuk duket të jetë përfaqësuese për 1.500 banorët shqipfolës të atij fshati, por aty s’mund të mblidhej më tepër material, sepse banorët e njihnin vetëm pjesërisht prejardhjen e tyre.

Seria siciliane përbëhet nga 190 arbëreshë, banorë të tri vendbanimeve në provincën e Palermos, përkatësisht në Piana degli Albanesi, S. Cristina Gela dhe Contessa Entellina. Ngulimet shqiptare në Sicili i takojnë njërit prej kontingjentëve më të vjetër shqipfolës në Itali. Banorët e fshatrave të sipërpërmendur e kanë ruajtur në memorien e tyre prejardhjen nga emigrantët e parë shqiptarë, të cilët patën shërbyer si ushtarë në ushtrinë e Alfonsit I të Aragonës. Ata themeluan, përkatësisht populluan rishtas fshatrat në rrethinat e Catanxaros dhe, më tej, edhe disa të tjera në Sicili, si Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve-arb.) dhe Contessa Entellina (më 1450), pra pak përpara valës së parë masive të shpërnguljes, në gjysmën e dytë të shek. XV.

  1. Krahasimi i të dhënave hemotipologjike të serive arbëreshe midis tyre, tregon se shpërndarja e faktorëve më të rëndësishëm të grupeve të gjakut nuk dëshmon, në vija të përgjithshme, dallime të ndjeshme, sidomos në shpeshtësinë e grupit O dhe aleleve të tij. Shembull tipik në këtë drejtim përbën krahasimi midis serive të Puljes e Molizes – nga njëra anë – dhe serisë nga Sicilia, ku ky grup i gjakut mbizotëron kundrejt grupit A më tepër se sa në kampionet globale të grup-popullsive italiane të Jugut. Edhe tri komplekset shqipfolëse të Kastrovilarit përputhen, sidomos në vlerat modeste të alelit Hp1, me diferencë të ndjeshme nga mesataret evropiane dhe nga ato italiane. Mospërputhje, por sidoqoftë jo të ndjeshme, ekzistojnë në shpërndarjen e aleleve M dhe Rh– si dhe në faktorin Inv, që s’mund të vështrohen gjithsesi ndër tiparet karakteristike të grup-popullatave shqipfolëse të Italisë së Jugut.
  1. Në shumicën e grup-popullatave shqiptare të marra në studim mbizotëron gjithashtu grupi O i sistemit ABO të gjakut; shpeshtësitë më të larta të alelit O janë regjistruar në zonat bregdetare dhe në Shqipërinë Jugore. Sipas studimeve tona, kjo rrethanë duhet të lidhet më tepër me një sfond trashëgimor se sa me faktorë selektivë dhe mekanikë. Në këndvështrimin gjenetik, kjo e dhënë mund të ketë vlerë të posaçme kur përputhet me rezultatet hulumtuese mbi grupet arbëreshe; në një distancë kohore prej 5 shekujsh nga koha e shpërnguljeve të tyre prej vendit të prejardhjes (Shqipërisë), ata kanë ruajtur një epërsi të lehtë të grupit O kundrejt grupit A, çka është tipike për shqiptarët në përgjithësi.

Në lidhje me sistemin MNSs, midis grup-popullsive shqiptare nuk gjenden dallime të ndjeshme, aq më tepër që kudo vërehet një qëndrueshmëri e vlerave të aleleve përkatëse. Ndërsa grupet arbëreshe dallohen nga grupet shqiptare prej shpeshtësive më të larta të alelit M në seritë e Bazilikatës dhe Avelinos, përkatësisht të alelit N në grupet e Puljes dhe të Sicilisë. Edhe në sistemin Rh është konstatuar një shpeshtësi mjaft e lartë e alelit D në popullsinë shqiptare, që tejkalohet dukshëm vetëm në grupet arbëreshe të zonës kalabrezo-lukane.

  1. Antropologët italianë kanë kryer tashmë studime të thelluara, jo vetëm mbi faktorët e gjakut, por edhe mbi nëngrupet e tyre, shpërndarjen e haplotipeve dhe grupeve të serumit në të gjitha fshatrat arbëreshe të përmendur më sipër, në kuadrin e një projekti holistik mbi popullsitë aloglote të vendit. Sipas tyre, përputhshmëritë e rëndësishme që konstatohen në strukturën hemotipologjike të grup-popullsive arbëreshe shkojnë paralel me variacionet e pritshme të disa indikatorëve të tjerë gjenetikë, çka i detyrohet pjesërisht largësisë gjeografike midis tyre, izolimit riprodhues relativ, endogamisë dhe mungesës së flukseve imigruese/ kundrejt flukseve emigratore historikisht të dokumentuara etj.; megjithatë ka edhe autorë që mendojnë se identiteti kulturor i arbëreshëve nuk pasqyrohet në izolimin gjenetik të tyre nga italianët e jugut.

Me vlerë të veçantë në këtë drejtim do të ishte një krahasim i mëtejshëm i serive shqiptare me seritë nga diaspora arbëreshe, nëse do të kryheshin në të ardhmen hulumtime të zona të caktuara të Shqipërisë, prej nga e kanë prejardhjen (sipas traditës mbi shpërnguljet e dikurshme) grupet shqipfolëse të Italisë.

Në përfundim, mund të shprehemi se modeli antropologjik arbëresh gjen indicie të natyrave të ndryshme, që nga peizazhi etno-kulturor, shqipja e gjallë në shtatë krahina të Italisë, ndjenja e fortë komunitare dhe afritë në strukturën hemotipologjike (ende të pastudiuara në thellësi). Këto indicie na japin të drejtë të mendojmë për një përkatësi etnike të veçantë, që i dallon ata bindshëm nga grupet e tjera aloglote dhe nga grup-popullsitë italiane të zonave përkatëse.

* Profesor i Antropologjisë në UET

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria normale

Dy politikanë të lartë nga opozita dhe qeveria që konsumojnë një kafe...
Read More