Gjeopolitika në Evropën Juglindore, shahu filloi…

Nga Artur Lazri

“This is not 1389, this is 2017”( Nuk është 1389, por 2017)…

Vizita treditore (9-11 tetor 2017) në Serbi e presidentit fuqiplotë dhe njëherësh “sulltanit” të Turqisë së sotme Erdogan, u paralajmërua me të drejtë nga mediat rajonale e ndërkombëtare si një vizitë e llojit të veçantë përtej nivelit bilateral diplomatik Ankara-Beograd, duke e shtuar në maksimum nivelin e vëmendjes dhe konspiracioneve aq shumë të preferuara për evropianët e në veçanti për juglindorët e saj.

Shprehja në anglisht “This is not 1389, this is 2017” është shkëputur nga fjala e presidentit të Serbisë Vuçiç gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të dy kryeministrave; së pari, si një tregues i qartë i kontekstit gjeopolitik kohor aktual të ndryshëm nga viti i largët 1389, ku perandoria mesjetare serbe kapitulloi në një luftë të pabarabartë në ushtri dhe armatim, me një fitore vendimtare të otomanëve në betejën epike të “Fushës së Zogjve të Zinj”( gjerësisht e njohur beteja e Fushë-Kosovës) dhe së dyti, si një premisë e qartë e dëshirës serbe për një pozicion unilateral dominues në rajon duke kulmuar me një zhvillim të lartë të pritshëm ekonomik, bazuar jo vetëm në investimet e mëdha financiare turke.

Marrëdhëniet e sotme të Turqisë me vendet e Evropës Juglindore bëhen menjëherë fokus dhe temë e “nxehtë” gjeopolitike ndërkombëtare sapo dëgjohen apo shikohen emërtimet folklorike neo-otomane në mediat turke, të tilla si: “ish-kolonitë e Turqisë në Ballkan”, “Shqipëria është vëllai ynë i vogël në Ballkan” apo “teoria e pushtimit të ish-kolonive ballkanase me anë të investimeve ekonomiko-financiare” etj.

Politika e jashtme e Turqisë filloi të aktivizohej dhe të orientohej drejt horizonteve të reja diplomatike ndërkombëtare nën udhëheqjen e ministrit të Jashtëm turk Davutoglu, i cili për hir të vërtetës krijoi një vizion të ri diplomatik e gjeopolitik në politikën e jashtme turke, duke botuar doktrinën neo-otomane në librin e tij: “Thellësia strategjike. Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë”, si dhe lançimin e teorive diplomatike “zero probleme” me fqinjët dhe “Turqia jo fuqi rajonale, por fuqi qendrore”.

Përse ndodhi në këto kohë kjo vizitë strategjike në Evropën Juglindore dhe përse pikërisht në Serbi?

Së pari, ekuilibrat e brishtë gjeopolitikë të Kontinentit Evropian në ditët e sotme janë akoma më të rrezikuar edhe për shkakun e shtuar së fundmi në Spanjë që ka detyruar institucionet legjitime evropiane të kenë vëmendjen e përqendruar drejt nacionalizmit katalanas, i cili me “pavarësinë” aq shumë të dëshiruar mund të hedhë në erë në një reaksion zinxhir nacionalizmi dhe pavarësie të gjithë Bashkimin Evropian, duke lënë në hije kujdesin për Evropën Juglindore dhe sidomos për Serbinë, e cila pas gjenocidit në Bosnjë dhe Kosovë kërkon vëmendje dhe mundësi të shtuara për ridimensionim qendror në rajon, në linjat dualiste SHBA-Rusi dhe tashmë në linjën turke.

Duhet theksuar se Gadishulli ynë Ilirik, ose ndryshe Gadishulli Haemus mbetet akoma një rajon i nxehtë globalisht, një rajon nismëtar i luftërave dhe më pak i paqes, i banuar aktualisht nga popullsi autoktone dhe të ardhur, tipike fqinje nacionaliste dhe paragjykuese ndaj njëra-tjetrës, pjesë e kontinentit europian me konotacionin gjeopolitik Europa Juglindore.

Gjithmonë aty i gatshëm gjeografikisht e politikisht, në heshtje apo aktivitet, në luftë ose paqe, tërheqës gjithsesi.

Së dyti, teoria e “ish-armiqve, tashmë miq” e cila njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare si një bashkëpunim-nevojë për përfitim reciprok ndërmjet dy kundërshtarëve.

Loja filloi, “gurët” gjeopolitikë u pozicionuan mes dy ish-armiqve historikë dhe lëvizja e parë erdhi nga Vuçiç. Në mënyrë të menjëhershme, ai i dha mbështetje publike qeverisë kushtetuese dhe kryeministrit Erdogan gjatë puçit ushtarak të ndodhur apo të inskenuar në Turqi para dy viteve. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve pësuan rritje të menjëhershme deri në planifikimin e vizitave të nivelit të lartë shtetëror dhe mundësive për investime të rëndësishme turke në Serbi.

Së treti, me doktrinën “Davutoglu” Turqia ka planifikuar marrëdhënie të afërta me të gjithë ish-vendet e pushtuara në perandorinë e mëparshme otomane, duke shtuar edhe sfidat fetare të ndërmjetësuara nga Rusia si në rastin aktual të Serbisë, që mund të derivojë në linjën strategjike Rusi-Turqi-Serbi. Duke i pranuar marrëdhëniet e afërta në rajon me Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjën për shkak të shumicës fetare myslimane të konvertuar në këto vende gjatë pushtimit otoman, rasti i bashkëpunimit të ngushtë Turqi-Serbi krijon një diversitet të larmishëm potence të gjithanshme gjeopolitike.

Po çfarë u përfitua në terma konkretë në takimin Erdogan-Vuçiç?

Së pari, presidenti Erdogan në mënyrë të drejtpërdrejtë theksoi: “Serbia është vend kyç për Ballkanin (emërtesë turke për Europën Juglindore) dhe presidenti Vuçiç është një rast i mirë”, gjatë fjalës së tij në forumin e biznesit Serbi-Turqi.

Termi “vend kyç për Ballkanin” përfaqëson një term strategjik që bën diferencë në gjeopolitikën aktuale rajonale dhe përcakton vijën kryesore të investimit e bashkëpunimit të ardhshëm turk në rajonin mendje-trazuar dhe me shpresë tek e ardhmja.

Së dyti, Serbia përfitoi nënshkrimin e 16 marrëveshjeve zyrtare të bashkëpunimit në fushat kryesore me interes strategjik kombëtar, në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit të lidhura ngushtësisht për arsye të përkatësisë fetare me Turqinë që përfitojnë marrëveshje vetëm për ndërtimin e xhamive dhe institucioneve të edukimit islam.

Së treti, shkëmbimet tregtare ekonomike Turqi-Serbi deri në fundin e 2017 kaluan shumën e 1 miliard dollarëve dhe ky nivel i lartë tregtie i konsolidon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duke i dhënë përparësi absolute Serbisë në rajon.

Këto të dhëna bashkëpunimi ekonomik dhe strategji gjeopolitike pozicionojnë nga ana e palës turke Serbinë si një shtet me rëndësi të nivelit të parë në rajonin e Evropës Juglindore, rrjedhimisht duke i krijuar edhe mbështetje më të gjerë ndërkombëtare nga Turqia e cila zotëron një pozicion strategjik gjeopolitik mes Evropës e Azisë dhe aktualisht është një nga kontribuuesit kryesorë të NATO-s.

Pyetja më e rëndësishme që shtrohet pas takimit strategjik Serbi-Turqi është:

A ka Evropa Juglindore shtete-lojtarë të tjerë potencialë të gatshëm për dominim në “shahun gjeopolitik” apo me (pa) dëshirë do të ndjekin pas Serbinë në formatin e vjetër jugosllav?

Lëvizja e dytë gjeopolitike në rajon, po ashtu një aleancë potenciale ndërkombëtare vjen menjëherë.

Ftesa dhe më pas vizita formale e kryeministrit ekstrem majtist të Greqisë Tsipras në SHBA ishte një përgjigje e shpejtë dypalëshe amerikano-greke ndaj planeve ruse dhe turke në rajon. Mosrakordimi i kohëve të fundit amerikan me Turqinë dhe influenca ruse dukshëm e dëshiruar dhe e shtuar solli planifikimin e shpejtë, por shumë të kujdesshëm të aktorëve kryesorë bashkëpunues në rajon për amerikanët.

Takimi Trump-Tsipras i realizuar në Shtëpinë e Bardhë pak ditë pas takimit Vuçiç-Erdogan krijon diversitet gjeopolitik ndërkombëtar dhe bashkëpunim strategjik të shtuar në Ballkanin që merr frymë nëpërmjet aleancave historike me fuqitë e mëdha globale, duke pozicionuar aktorin amerikan global në marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me grekët e rilindur nga kjo marrëveshje pas një stanjacioni ekonomiko-financiar të viteve të fundit.

Marrëveshja bilaterale amerikano-greke konkludoi në paketën financiare ushtarake prej 2.4 miliardë dollarë dhe vendosjen e bazës amerikane në gjirin e Soudës, çka sjell kredibilitet ndërkombëtar dhe fuqi të shtuar gjeopolitike e financiare për Greqinë, po ashtu lehtësi ndërveprimi ushtarake në Mesdheun lindor për marinën ushtarake të SHBA-së.

Ambasadori amerikan në Greqi Geoffrey Pyatt theksoi disa javë para takimit: “Greqia është shtyllë e stabilitetit në rajon”, ndërsa i parapriu bashkëpunimit strategjik të ardhshëm amerikano-grek në Evropën Juglindore edhe shefi i Protokollit të Shtëpisë së Bardhë Michael Karloutsos, i cili në një intervistë për gazetën Kathimerini përsërit qëndrimin e Washingtonit: “Greqia ka një rol stabilizues në një rajon të ndjeshëm dhe të paqëndrueshëm”.

Pakti i ristabilizuar greko-amerikan sjell risi gjeopolitike bashkëveprimi në rajon e më gjerë, duke paralelizuar aleancën ndërkombëtare Rusi-Turqi-Serbi dhe demonstruar drejtpërdrejt linjën e re diplomatike amerikane në rajonin e Europës Juglindore.

Loja e shahut në gjeopolitikën evropianojuglindore, një term kuptimplotë për historinë e rajonit, po ekzekutohet në mënyrë të sofistikuar nga lojtarët-shtete rajonale me asistencën e drejtpërdrejtë dhe interesin ekonomik e politik tashmë të shprehur qartazi nëpërmjet aleancave me aktorët kryesorë globalë.

Në lojën inteligjente të shahut gjeopolitik rajonal evropianojuglindor pritet me interes pjesëmarrja e lojtarëve të tjerë potencialë si: Kroacia, Sllovenia etj., por me shumë interes të veçantë priten lëvizjet rajonale e më tej ndërkombëtare të një kombi dhe shteti të shumëpërfolur për një suport historik amerikan ekzistencial.

Proamerikanizmi unik i Shqipërisë në rajon e më gjerë i ka rrënjët që nga unilateralizmi uillsonian amerikan në mbrojtjen ndërkombëtare për konsolidimit e pavarësisë së vendit të shqiponjave të vitit 1912, duke vazhduar me ndërhyrjen në emër të NATO-s dhe formimin e shtetit tjetër shqiptar të Kosovës në rajon në 2008.

Shqiptarët, me një pozicion të fortë demografik në Evropën Juglindore, akoma nuk kanë ndërtuar një opsion të qartë gjeopolitik perspektive dhe njëherësh lobim ndërkombëtar efikas diplomatik të pritshëm kryesisht me Amerikën, duke u vetëpenguar në lojërat e brendshme politike pa (me) ndihmën e lojtarëve të tjerë shahistë…

Një nga teoritë pacifiste për rajonin thekson se Shqiptarët për shkak të shtrirjes dhe rritjes demografike në rajon do jenë faktor i paqes dhe stabilitetit në të ardhmen jo të largët, deri atëherë priten me interes lëvizjet e përmirësuara në shahun gjeopolitik.

Ndërkohë, lojtarët potencialë rajonalë kalojnë në lëvizje të avancuara.

Vizita e Erdogan në Greqi në datat 7-8 dhjetor 2017, e cila ishte e para vizitë pas 65 viteve e një presidenti turk në Greqi, shënoi një lëvizje-tentativë të fortë për dominim gjeopolitik të rajonit, me fjalën e Erdogan, i cili kërkoi zyrtarisht nga Greqia rishikimin e traktatit të Lozanës, çka sjell një realitet të ri gjeopolitik në rajon e më gjerë.

Gjeopolitikën e dominon shteti apo grupimi i shteteve që posedojnë pozitë të favorshme gjeografike, fuqi të lartë ushtarake e politike si dhe potencë ekonomiko-financiare.

Evropa Juglindore pas ezaurimit diplomatik po provon të hyjë në kanalet e dominimit ushtarak gjeopolitik, fushë dominimi jo e panjohur për këtë rajon më parë.

Incidentet greke-turke të javëve të fundit e kanë kaluar shahun rajonal në nivel kritik të lartë, duke vendosur në vëmendje forcën ushtarake për një dominim gjeopolitik të rezervave gaz e naftëmbajtëse në ujërat qipriotë, çka i vendos të dyja vendet në prag lufte ushtarake dhe kërkon praninë e arbitrave kryesorë globalë për parandalimin e një përplasje përtej rajonale.

Shahu evropianojuglindor po luhet mjeshtërisht edhe pse në fushë të minuar historike, që i bën lojtarët të kujdesen jo vetëm për mbretëreshën, por edhe për mbretin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në mbrojtje të dinjitetit të Saimirit nga marrëzia e turmave

Nga Arjan Çuri Dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe shenjtëria e...
Read More