Gjëra që ndodhin…!

Nga Dr. Mirela Oktrova

Më në fund ajo që shumëkush thoshte se shpresonte, ndodhi: palët u takuan dhe ranë dakord. Sigurisht që e dinim, se palët kanë aleatët apo satelitët e tyre, po ama pritshmëritë tona sikurse dhe të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë ishin të lidhura me krerët e dy partive të mëdha…  Megjithatë kur vetë palëve, me t’u takuar kokë më kokë, përfillja e interesave shumëpalëshe iu rezultoi më pak e rëndësishme se menaxhimi i interesave dypalëshe, kjo papritur na ra rëndë…!

S’kish si të ndodhte ndryshe!

Sa u bë publike, se u ra dakord për takime periodike dhe për institucionalizimin e dialogut PS/PD, se u vendos për datën, përmirësimin e standardeve apo mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhje, se u caktua votimi në të njëjtën seancë i organeve të vettingut dhe i anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar, se u dakordësua ndryshimi i Kodit Penal, monitorimi i financimit të partive politike, vijimi i procesit të dekriminalizimit apo pjesëmarrja e opozitës në Task-Forcën e Luftës kundër narkotikëve  –  me pak fjalë sapo u bë e qartë, se palët jo thjesht u takuan, por edhe konkluduan, papritur “marrëveshja” zuri të perceptohet si “pazar” dhe produkti i saj si i patolerueshëm…! Pavarësisht se sa kohë protesta e opozitës vazhdonte dhe çadra “jetonte” në bulevard, të gjithë – politikanë e analistë – bënin thirrje vetëm për “marrëveshje”…!!!

Ç’na gjeti? A s’ishte kjo marrëveshja, që kërkonim të gjithë me ngulm!                                                  Ç’ndodhi, që ndryshuam qëndrim?

Padyshim që marrëveshja – fillimisht e shumëpritur nga të gjithë – ka disa efekte anësore. Dorëzimi i ministrive të rëndësishme para zgjedhjeve dhe goditja e opozitarizmit, pamundësia e krijimit të koalicioneve dhe e pjesëmarrjes në zgjedhje të partive të vogla si edhe krijimi i premisave reale për bashkëqeverisjen PS/PD sipas modelit gjerman edhe pas zgjedhjeve, janë vetëm disa prej tyre. Po megjithatë s’duket të ketë ngjarë asnjë hata!

Janë gjëra që ndodhin! Dhe gjetkë kanë ndodhur me kohë!

Po përse atëherë ne e përjetojmë si befasi?

A nuk jemi po ne, që u lodhëm së thëni, se Shqipëria ka superprodhim subjektesh politike dhe se verifikimi rigoroz i burimeve të tyre të financimit, do ta bënte ekzistencën e shumicës së tyre të pamundur? A nuk jemi të ndërgjegjshëm të gjithë, se partitë e vogla në Shqipëri − me dy-tri përjashtime  − nuk janë parti, por personalitete me një grusht simpatizantësh, kaq të pasigurt për numrin e votuesve  sa s’bëjnë dot pa patericat e partive të mëdha? A nuk do të ishte një koalicion i madh – si e vetmja përvojë e patestuar e tranzicionit – formula, që do të na kursente përplasjet politike boshe, duke i dhënë qeverisë mbështetjen politike për reforma të thella e gjithëpërfshirëse dhe shoqërisë qetësinë dhe terrenin e munguar për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm? Vërtet, pakësimi i forcave opozitare nuk e forcon demokracinë! Po a nuk është gjithashtu e vërtetë, se edhe përkushtimi i aleancave të deritanishme qeverisëse për demokracinë nuk e ka kapërcyer status quo-në  “ flisni ju ç’të doni, se dhe ne do bëjmë ç’të duam”?

Në fakt s’ka ndodhur asgjë e papritur! Madje dhe asgjë e paparashikuar!

Të gjithë mezi prisnim përfundimin e krizës dhe fillimin e një fushate elektorale normale – natyrisht brenda normalitetit, për të cilin bëhet fjalë në Shqipëri. Dhe ja ku mbërritëm aty ku deshëm. Si çdo ilaç në rast sëmundjeje edhe kjo formulë ka efektet e veta anësore . Këtu s’ka gjë asgjë për t’u çuditur! Po problemi qëndron gjetkë! Fakt është, se ne ende s’e kuptojmë, se në nivelin tonë të demokracisë mund të kemi pak ose aspak ndikim në politikën e ditës. Edhe sepse ende nuk mundemi ose nuk duam ta kuptojmë politikën –  të paktën politikën tonë! Megjithëse flasim e shkruajmë pafundësisht për të, thuajse vetëm për të… Ngaqë flasim e shkruajmë që të na pëlqejnë, të fitojmë apo të mbajmë postet, vendet e punës apo privilegjet, lobojmë me shpresë se do na shpërblejnë ose derdhim emocione për të nxjerrë dufin…, harrojmë të mendojmë dhe arsyetojmë në mënyrë të pavarur. Të përfshirë siç jemi dhe veprojmë, ndodh të na shpëtojnë jo pak fakte a prirje dhe zhvillimet të mos përkojnë me parashikimet apo pritshmëritë tona. Atëherë befasia shndërrohet në pezmatim! Dhe pezmatimi në reagim…!

Jo për këtë herë!!! Të paktën jo që tani!

Është marrëveshja që pritej! Brenda dhe jashtë!

Është vërtet një precedent i ri…!

Po gjithsesi, janë gjëra që ndodhin!

Dhe do të ndodhin…!

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Ikën një stoik, një zë dëshpërues për teatrin e kinemanë”

Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, aktori Bujar Lako. Ngjarja ndodhi...
Read More