Gjermania, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria si “përrallë pranvere”

Nga Ndriçim Kulla

Hajnrih Hajne ka shkruar shumë kohë më parë poemën e tij të famshme “Gjermania përrallë dimri”, ku me shpirtin kritik gjerman, ironizon disa fenomene të Gjermanisë së kohës së tij. Hajne shkruante në një kohë të zymtë për atdheun e tij. Që nga ajo kohë Gjermania kaloi “dimra” të ashpër politikë, rilindi në “pranverat” gjermane të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore (pjesa perëndimore) dhe pas rënies së Murit të Berlinit (Gjermania e bashkuar). Sot Gjermania është një “përrallë vere” e bukur për gjithë Europën, duke qenë motori ekonomik i saj.

Njëkohësisht Gjermania, me Nismën “Merkel” që tanimë njihet edhe si Procesi i Berlinit, ka marrë përsipër që ta ndryshojë Ballkanin Perëndimor nga një “përrallë dimri” në një përrallë të bukur pranvere, duke hapur një erë të re për këtë pjesë të Europës.

Sot Shqipëria është një “përrallë dimri” e zymtë edhe më tepër se Gjermania në kohën kur shkruante Hajne. Nëse do t’i kthehesha dashurisë së rinisë sime, poezisë, do të shkruaja nën shembullin e Hajnes një poemë satirike me titull “Shqipëria përrallë dimri”. Realiteti i sotëm shqiptar të jep shumë material për këtë gjë.

Që me shpalljen e Nismës “Merkel” për Ballkanin Perëndimor, Gjermania është bërë për Ballkanin Perëndimor një përrallë e bukur vere, duke qenë vendi tek i cili janë lidhur shpresat për ndryshim të popujve të rajonit tonë. Nëse Gjermania do të arrijë ta zbatojë me sukses Nismën “Merkel” për Ballkanin Perëndimor, atëherë Zonja Merkel meriton të ketë një monument në çdo kryeqytet të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por suksesi i Procesit të Berlinit nuk varet vetëm nga Berlini sigurisht, por edhe nga qeveritë në vendet e rajonit. Dhe këtu lind problemi më i madh për implementimin e Procesit të Berlinit. Së paku kështu ndodh në vendin tonë që na intereson realisht. Historia jonë me Procesin e Berlinit, përtej retorikës politike është një “përrallë dimri”. Presidenti Meta me të marrë detyrën i dha prioritet Gjermanisë duke kryer një vizitë të gjatë atje, për të treguar rëndësinë që Shqipëria duhet t’i japë Gjermanisë si faktori kryesor që mund ta çojë vendin tonë në stacionin final, atë të Bashkimit Europian. Por duket se qeveria e re dhe kryeministri nuk i kanë dhënë atë rëndësi deri më sot sepse nuk pamë diçka të ngjashme pas formimit të qeverisë së re.

Me sa duket fjalët për Procesin e Berlinit duheshin si një asset politik përpara zgjedhjeve dhe tani që u fituan ato, më duket se nuk kanë më atë interesin real për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e faktorit gjerman në integrimin e vendit në BE. Askush nuk ka se si ta mendojë se diçka mund të ketë ndryshuar si nga ana e Gjermanisë ashtu edhe nga qeveria shqiptare, e cila nuk mund të gjejë rrugë tjetër për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE, se prioriteti i marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Gjermaninë. Kryeministri dhe qeveria e tij, këtë herë e vetme , sigurisht që janë qartazi ballë për ballë kushteve që iu ka vënë Procesi i Berlinit për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe dihet se Kryeministrin tonë dhe këdo qoftë tjetër, nuk e thërresin në Berlin vetëm që Zonja Merkel të dëgjojë kërkesat e tij për zhvillimin ekonomiko-politik të Shqipërisë, por në takimet atje thuhen edhe shumë gjëra të tjera. Dhe mund të merret me mend se Zonja e Hekurt nuk është aq e këndshme në këto biseda pas dyerve të mbyllura sa para kamerave televizive. Sepse Zonja Merkel ka investuar emrin e saj në Procesin e Berlinit.

Gjermanisë, ne, nëpërmjet qeverisë duhet që t’i rrimë pas portës përditë, çdo javë, çdo muaj, me vite, për të na ndihmuar, duke u udhëhequr nga vetë shembulli i Gjermanisë i shumë dekadave më parë, kur Konrad Adenhaueri me bashkëpunëtorët e tij politikë luftoi shumë, që të fitonte besimin dhe ndihmën e Amerikës për planin Marshall.

Mandati i katërt qeverisës i Zonjës Merkel i fituar në zgjedhjet e fundit në Gjermani është një garanci për vazhdimësinë e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Rinovimi i mandatit qeverisës të Zonjës Merkel i jep asaj kohën e mjaftueshme për të finalizuar nismën e saj për ndryshimin historik në Ballkanin Perëndimor, kuptohet nëse do të ketë bashkëpunimin e liderëve të rajonit. Në Tiranë ky bashkëpunim duket se është shumë i fortë sidomos në zyrën e Presidentit Meta, por duhet të jetë më i plotë, ndoshta me entuziazmin e mandatit të parë edhe në zyrën e kryeministrit Rama. Natyrisht që klima e korrupsionit, krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe përhapja e kultivimit të drogës në vendin tonë aktualisht nuk e favorizojnë një aksion besimplotë për të vazhduar “trokitjen” në dyert e qeverisë gjermane. Por së pari, duhet që të luftojmë dhe ta fitojmë betejën e shtetit ligjor me shembullin e vetë Gjermanisë, e cila u ngrit me një motivim të hekurt kombëtar, të pashembullt në histori mbi gërmadhat e Gjermanisë hitleriane.

Procesi i Berlinit nuk duhet që të rrezikohet të kthehet në një “përrallë dimri” në Shqipëri. Për këtë gjë duhet të flasë fort edhe opozita dhe të sensibilizohet fort opinioni publik sepse këto projekte është e pamundur të kthehen në suksese pa mbështetjen e tyre. Dhe Procesi i Berlinit është shansi i fundit që i jepet Shqipërisë për integrimin e shpejtë në BE.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

10 dëshmitë: Jeta ime e re pasi fitova bursën Pashko UET

Bursa “Pashko”, akorduar nga Instituti Europian Pashko dhe UET, mbështet çdo vit...
Read More