Gjimnaz Tour UET: Universiteti shkon te maturantët

Maturantët në gjithë gjimnazet e Shqipërisë do të njihen nga afër me degët që ofron Universiteti Europian i Tiranës dhe do të marrin këshill karriere për profesionet që duan të zgjedhin nga pedagogët më të mirë. UET ka nisur turin nëpër gjimnaze për këtë qëllim. Gjimnaz tour 2017 do të shtrihet këtë vit edhe në gjimnazet e Kosovës. 

Dilema më e madhe e një 18-vjeçari sot është zgjedhja e universitetit dhe degës që do të studiojnë. Është ky vendim që do të ndikojë për gjithë jetën e tyre të mëvonshme. Në këtë vendim të rëndësishëm një rol të madh kanë prindërit, por dhe tregu i punës, pasi të rinjtë synojnë ato degë ku besojnë se do të kenë më të sigurt një vend pune nesër.

Studimet universitare janë rruga që do t’u sigurojë të ardhmen, ndaj këshilli i karrierës për ta është i rëndësishëm pikërisht në këtë moment.

Duke e kthyer tashmë në një traditë Universiteti Europian i Tiranës ka nisur dhe këtë vit Gjimnaz Tour 2017, një udhëtim i pedagogëve në gjitha maturat e vendit.

Gjimnaz Tour është një prej mënyrave që lidh drejtpërdrejt universitetin me Maturën. Përveç kësaj, prej vitesh në UET organizohet Forumi Universitet, i cili do të mbahet për këtë vit më datë 8 prill 2017. Në këtë forum marrin pjesë qindra mësues, drejtues dhe specialistë të arsimit parauniversitar, të cilët debatojnë për këshillimin e karrierës, për kërkesat specifike të maturantëve, elementë që lidhen me brezin e ri, qëllimet dhe synimet e tyre.

Kontakt i drejtpërdrejtë i profesorëve me maturantët për t’ua bërë më të lehtë zgjedhjen e nesërme. Dekania e studentëve në UET, dr. Anisa Subashi, e cila organizon këtë tur tregon për MAPO-n se pse bëhet ky tur, çfarë kërkojnë maturantët e sotëm nga universiteti, cila janë degët që ata preferojnë, si e marrin vendimin dhe sa njohuri kanë për lidhjen e studimeve me tregun e punës.

Çfarë është Gjimnaz Tour dhe pse UET e bën këtë udhëtim nëpër gjimnaze?

Universiteti Europian i Tiranës në kuadër të këshillimit dhe orientimit të karrierës për të gjithë maturantët në prag të zgjedhjes së programit të tyre të studimit zhvillon aktivitete të ndryshme. Njëri prej tyre është Gjimnaz Tour, i cili është një proces shumë i rëndësishëm, pasi përfshin takime dhe diskutime midis aktorëve kryesorë që ndikojnë në marrjen e vendimit mbi atë se për çfarë maturantët do të studiojnë. Intensiteti dhe domosdoshmëria e zgjedhjes në këtë periudhë është shumë e lartë, pasi i duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Kjo është periudha kur përmes vendimeve dhe ndryshimeve mësohet shumë dhe është e domosdoshme që të krijohen kushte që ky i ri të bëhet i fortë dhe të marrë vendimet më të mira për veten. Zgjedhja e universitetit është njëra ndër vendimet më të rëndësishme në jetë, e cila ndikon edhe në cilësinë e mëtejshme të punës dhe jetës. UET Gjimnaz Tour iu mundëson maturantëve të zhvillojnë takime me pedagogë të fushave të ndryshme dhe ish-nxënës të gjimnazeve, të cilat ndajnë eksperiencën e tyre tashmë si studentë.

Çfarë të reja sjell turi i sivjetshëm? Cila është shtrirja gjeografike e këtij udhëtimi?

Këshillimi i karrierës është një koncept shumë i gjerë, duke filluar që nga informimi dhe orientimi në lidhje me një program të caktuar studimi, e deri tek eksplorimi i mundësisë së punësimit apo rritjes në karrierë brenda një institucioni. Në rastin konkret, gjimnaz touri nënkupton informimin e të rinjve në lidhje me mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, nënkupton parashtrimin apo eksplorimin e secilës alternative studimi, nënkupton dhënien e përgjigjeve mbi shqetësime apo pyetje që ata kanë. Tashmë maturantët janë mësuar me takimet në kuadër të këshillimit të karrierës, pasi ky nuk është viti i parë që Universiteti Europian i Tiranës ndërmerr një nismë të tillë. Maturantët jo vetëm që janë të vëmendshëm dhe të interesuar të dëgjojnë, por parashtrojnë pyetje të ndryshme mbi programet, sistemin e bursave, klubet studentore dhe mundësitë që ofrohen pas përfundimit të studimeve etj. Universiteti Europian i Tiranës këtë vit akademik pati një sistem më të qartë të kuotave të pranimit, gjë e cila është konform ndryshimeve të ndërmarra nga Ministria e Arsimit. Në fakt, duke qenë se diskutimet mbi Arsimin e Lartë kanë qenë të pranishme si midis maturantëve ashtu edhe midis mësuesve e prindërve të të rinjve, aplikimi i kuotave është pritur mirë. Madje një pjesë e pyetjeve që ato kanë, lidhen pikërisht me kuotat dhe mënyrën e përzgjedhjes.

Shtrija gjeografike përfshin 95% e të gjitha gjimnazeve dhe shkollave profesionale në të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug. Konkretisht qytetet e përfshira në këtë proces të këshillimit të karrierës janë: Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë, Librazhd, Përrenjas, Korçë, Pogradec, Bilisht, Laç, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Lushnjë, Berat, Skrapar, Burrel, Bulqizë, Peshkopi, Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Himarë, Sarandë etj. Gjithashtu përmendim trojet jashtë Shqipërise, Malin e Zi dhe Kosovën.

Në cilat gjimnaze keni qenë deri më tani dhe si është pritur prej tyre këshilli i karrierës? 

Këshillimi i karrierës nga UET për këtë vit ka filluar në mes të muajit mars dhe fillimisht janë organizuar takime me gjimnazistë nga shkolla të mesme jopublike. Deri më tani janë vizituar mbi 20 shkolla, ndërkohë që janë planifikuar gjatë kësaj jave gjimnazet me numrin më të madh të maturantëve dhe përgjatë muajit Prill do të udhëtojmë në çdo qytet të Shqipërisë. 

Pas disa vitesh që i organizoni këto takime të drejtpërdrejta me maturantët, sipas jush çfarë ndikon te zgjedhjet e tyre për universitetin: familja, pasioni apo synimi për të pasur një profesion që iu sjell një punë të sigurt? 

Vitet e fundit vihet re një pavarësi disi më e madhe në zgjedhjen e Universitetit nga ana e maturantëve, në raport me ndikimin e familjes. Më së shumti të rinjtë janë të prirur të zgjedhin karrierën e tyre nisur mbi pasionet apo prirjet në një fushë të caktuar akademike, duke parë gjithmonë mundësinë e punësimit në të ardhmen. Gjithashtu ka të rinj që vazhdojnë të kenë një influencë të madhe nga prindërit dhe familjarët e tyre në lidhje me programet e studimit. Ka mjaft raste që zgjedhja e programit të studimit është e ‘trashëguar’ nga formimi dhe edukimi që vetë prindërit e tyre kanë.

Kurrikulat, stafi akademik, kushtet dhe lehtësirat financiare janë ndër kriteret kryesore në përzgjedhje, kritere që UET, ndër vite ka ditur t’i ndërthurë dhe ofrojë më së miri. 

Si e njohin maturantët UET-in? Çfarë kategorie nxënësish synon të rekrutojë universiteti?

Me kënaqësi do të thosha që UET-i, vit pas viti po përzgjidhet nga maturantë ekselence, dhe kjo falë dhe politikave favorizuese të UET si akordimi i bursave të ekselencës. Ndërkohë që nuk mbeten më pas dhe maturantë me prirje dhe talente në fusha nga më të ndryshme, si: sporti, arti etj. Në këto 10 vite eksperiencë UET është kthyer në një emër që garanton cilësi në fushën e arsimit të lartë dhe si i tillë njihet gjerësisht nga maturantët. Media vizive dhe mbi të gjitha ato sociale janë dy mënyrat kryesore me anë të të cilave maturantët e njohin UET më së shumti, por gjithashtu aktivitete si shkolla dimërore dhe ajo verore e organizuar nga UET me maturantë, është një tjetër mënyrë njohjeje dhe kontakti.

A ka politika UET për thithjen e studentëve ekselentë?

 Universiteti Europian i Tiranës është gjithmonë në mbështetje të ekselentëve, talentit, liderëve të së ardhmes apo edhe të të rinjve, të cilët ndodhen në kushte të vështira sociale ekonomike. UET-i ka politika të ndryshme për të tërhequr rreth vetes maturantët më të mirë. Konkretisht, një nga këto politika për të afruar pranë vetes maturantët më të mirë të të gjitha gjimnazeve në Shqipëri është edhe sistemi i bursave të ekselencës. Në vitin e kaluar akademik, UET-i ndërmori një nismë për të ofruar mundësinë e studimit me bursë të plotë në UET për 100 nga 1000 maturantët më të mirë në të gjithë Shqipërinë. Kjo nismë ishte shumë e suksesshme dhe shumë maturantë e përqafuan këtë nismë. Ofrimi i bursave të plota të studimit për më të mirët nga njëra anë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të UET-it në ceremonitë e diplomimit në disa shkolla të mesme në Shqipëri, duke krijuar kështu mundësinë e identifikimit të studentëve më të mirë, do të vazhdojnë të jenë pjesë e politikave të UET-it për më të mirët.

Po për nxënësit që duan të përfitojnë nga bursat cilat janë politikat e UET-it në akordimin e bursave? Kush përfiton?

Projekti më i ri i bursave në Universitetin Europian të Tiranës është Bursa “Pashko”. Bursa mban emrin e një prej simboleve të liberalizmit shqiptar, ekonomistit dhe profesorit Gramoz Pashko, e cila synon të mbështesë maturantët më të mirë në rezultatet akademike, por që nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë shkollimin e lartë universitar. Bursa “Pashko” është bashkimi mes bursës së ekselencës dhe bursës sociale. Këtyre 10 nxënësve do t’iu garantohet, jo vetëm shkollimi falas, por edhe një pagesë mujore prej 25 mijë lekësh të rinj, që të mbështesin studimet e tyre në Tiranë. Fituesit e kësaj burse do të jenë nxënës ekselentë në mësime, por që nuk kanë mundësi ekonomike për të vazhduar studimet e larta. Kjo bursë i akordohet maturantit i cili në përfundim të ciklit të studimeve parauniversitare ka arritur një mesatare të lartë, por has vështirësi ekonomike dhe e ka të pamundur për arsye të ndryshme familjare realizimin e studimeve universitare. Ftoj të gjithë maturantët nga e gjithë Shqipëria të aplikojnë për të fituar këtë bursë.

Gjithashtu UET ka pasur një politikë bursash shumë të gjerë gjatë këtyre 10 viteve dhe kjo politikë e bursave do të vazhdojë edhe këtë vit me ndryshimin e vetëm të bursave sociale për t’i dhënë një dimension të ri Bursës “Pashko”

Llojet e bursave të tjera janë:

Bursat e Ekselencës Kjo bursë i akordohet maturantit/ studentit, i cili në përfundim të ciklit të studimeve paraardhëse ka arritur një mesatare të lartë (9.9 – 10 – bursë e plotë). Bursa e ekselencës jo vetëm vlerëson arritjet e studentëve, por edhe nxit të mësuarin sistematik dhe konkurrencën në dobi të rritjes së nivelit e përgatitjes. 

Bursat e Talentit Kjo bursë i akordohet maturantit i cili ka disa prirje dhe spikat në fusha të ndryshme të artit, sportit, kulturës dhe të shkencës.

Bursat e Lidershipit Promovimi i liderëve të rinj aktivë që angazhohen, por dinë të angazhojnë edhe të tjerët është në fokus të bursës së lidershipit. Të rinjtë, pjesë e forumeve të ndryshme të partive politike në vend apo liderë të grupeve të ndryshme rinore janë potencial për përfitimin e bursës së lidershipit. 

Bursat e Promovimit Social Me anë të bursave të promovimit social, UET-i iu vjen në ndihmë edhe grupeve të caktuara të shoqërisë, të cilat hasin vështirësi në realizimin e studimeve universitare. Këtu përfshihen fëmijët e policëve të rënë në detyrë, anëtarë të komunitetit Rom edhe Egjiptianë, si edhe shtresa të tjera në nevojë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Opozita i drejtohet Kolegjit: Ç’ndodh nëse pranohet kërkesa

Kolegji Zgjedhor është shansi i fundit i opozitës për të pamundësuar ligjërisht...
Read More