Gjimnazi “Ali Demi” i Vlorës, historia që ende rrezaton

Me rastin e 70-vjetorit të themelimit

Nga Ndriçim Kulla

Gjimnazi “Ali Demi” i Vlorës, një nga shkollat e mesme më të rëndësishme të Shqipërisë nga vitet ’50 dhe deri sot në dekadat e para të shek.. XXI, në 20 tetor 2017 mbushi 70 vjet nga dita e parë kur nisën mësimet. Fatkeqësisht, ky jubile i këtij gjimnazi me një histori të ndritur në vendin tonë iku pa ndonjë aktivitet që të kujtonte rolin e jashtëzakonshëm që ka patur ky gjimnaz në jetën e njërit prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, Vlorës. Ndonëse disi me vonesë, ky artikull synon që të hedhë sadopak dritë mbi atë rrugë të mrekullueshme që përshkoi kjo shkollë nga viti 1947 e deri më sot.

Rreth 70 vjet më parë, në 20 tetor 1947, kur sapo qe çliruar Shqipëria në Vlorë hapi dyert shkolla e parë e mesme e përgjithshme në historinë e këtij qyteti. Vetëm pas dy vjet e gjysmë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, shteti i atëhershëm mori vendimin për të ngritur gjimnazin e parë në këtë qendër urbane të vendit.

Gjimnazi “Ali Demi” u hap në një shtëpi dykatëshe pranë kishës së vjetër katolike, e prej vitit të dytë godina e tij ishte deri në vitin 1959 ajo e shkollës së ardhme mjekësore. Prej këtij viti ajo kaloi në mjediset e ndërtesës së sotme të shkollës “Naim Frashëri”. Në vitin 1969 ai vendoset përfundimisht në selinë që është edhe sot në qendër të qytetit. Drejtori i parë ishte Koço Papaproko, ndërsa vetëm pas një semestri drejtori i dytë u emërua Harilla Kuçuli, një mësues simbol që punoi për 40 vjet në arsimin vlonjat.

Në historinë e gjimnazit “Ali Demi” qëndrojnë të pashlyer emrat e drejtorëve Koço Papaproko, Harilla Kuçuli, Ligor Prifti, Dhimitër Panda, Remzi Tivari, Kudret Velça, Nos Qosja, Pëllumb Çeli, Rakip Korkuti, Janaq Syko, Spiro Jovani, Dhimitër Sara, Gëzim Zilja, Gëzim Halili, Spiro Billa, Pëllumb Binaj e të tjerë, të cilët, ndonëse me tipare shumë të ndryshme, gjithsesi të gjitha të virtytshme, për gati shtatë dekada i dhanë një drejtim dinjitoz kolektivit të shkëlqyer pedagogjik të tempullit më të dashur të dijes që ka patur Vlora.

Në ditët tona ky gjimnaz është kthyer në një aset të thesarit historik të qytetit dhe ndërtesa e tij nderohet ashtu si shumë objekte të shenjta të kësaj qendre madhështore të historisë së Shqipërisë, siç është qyteti i lavdishëm i flamurit. Ai duhet të respektohet si një monument kulture i arsimit kombëtar shqiptar.

Një adhurim dhe mirënjohje pa kufi sot u kushtohet mësuesve të shkëlqyer, të cilët hodhën gurin e parë të mësimdhënies në gjimnazin “Ali Demi”, siç qenë “Mësuesit e Popullit” Xhevdet Kofina, Harilla Kuçuli dhe Besim Turdiu apo atyre pedagogëve që u bënë simboli i përjetshëm i kësaj shkolle të ndritur, si “Mësuesit e Merituar” Spiro Jovani (Drejtor për 25 vjet në vitet 1965-1990, Drejtori më afatgjatë në historinë e gjimnazeve të Shqipërisë së të gjitha kohërave), Nestor Nepravishta, Kristaq Suli, Koço Baltadori, Ibrahim Zejno, Xhelo Brati, Engjëll Saliu, Enver Hanxhari, Pandeli Pano etj.

Por lista e arsimtarëve të spikatur që lanë një gjurmë të artë aty është jashtëzakonisht e madhe dhe mund të shkojë edhe përtej 100 e ca emrave, prandaj unë do kufizohesha vetëm te disa, shpirti i të cilëve ka shkuar në qiell. Milo Duni, mësuesi i letërsisë, ish-i burgosur politik, i ikur para kohe nga kjo jetë; Rezar Çorati, mësues i fizikës, ish-i përndjekur politik, vdekur në moshë ende të re; Ali Bala, zëvendësdrejtor për një kohë shumë të gjatë i këtij institucioni; Fejzie Haxhiu, mësuese e fizkulturës, kampione e Shqipërisë në atletikë; Masar Sinoimeri, mësues shembullor historie, i larguar nga diplomacia prej diktaturës etj.

Në gjimnazin “Ali Demi” regjistroheshin nxënës nga i gjithë qyteti i Vlorës. Prej vitit 1950 e deri në 1990 në të u shkolluan gjithsej 3388 nxënës e nxënëse. Bota jashtëshkollore e alidemasve ishte e mbushur me një seri të gjatë aktivitetesh. Në vitet ’60 e ’70 ata morën një varg çmimesh të para në olimpiadat teatrore të gjimnazeve të Shqipërisë dhe botuan atëherë disa almanakë me krijime letrare. Kolektivi pedagogjik i gjimnazit “Ali Demi” me në krye drejtorin Dhimitër Sava në dhjetor 1990 mori meritën historike që ishte ndër kolektivat e rralla në Shqipëri që me një mesazh të posaçëm përshëndeti ardhjen e pluralizmit politik në vendin tonë.

Profesorët e gjimnazit “Ali Demi” si Dhimitër Panda (i diplomuari i parë për gjuhë angleze në Moskë e më pas themelues i katedrës së anglishtes në Universitetin e Tiranës), prof. dr. Kudret Velça (i diplomuari i parë për filozofi në Universitetin e Budapestit, për 50 vjet pedagog i historisë së teatrit shqiptar e botëror në Akademinë e Arteve të Bukura), Besim Turdiu (mësuesi model i matematikës për të gjitha gjimnazet e vendit tonë, autor i disa teksteve të matematikës për të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë), Nestor Nepravishta (mësuesi model i gjuhëve të huaja , autori i Fjalorit të parë e të vetëm Anglisht–Shqip i botuar në vitin 1966, e autori i dy teksteve të para të gjuhës frënge në historinë e Shqipërisë për gjimnazet, por që për arsye biografike këtyre librave s’iu vendosën emrin e autorit) e plot të tjerë dhanë ndihmesën e tyre të vyer në lartësimin e nivelit arsimorë të Shqipërisë edhe përtej kufijve të detyrimit të tyre shtetëror si mësues i shkollës së mesme.

Por prapa këtij profesorati, që ka pjesën e vet në historinë e lavdishme të Vlorës, nuk mungon edhe një masë e madhe e ish-nxënësve të gjimnazit “Ali Demi”, që u bënë studentë ekselentë, të cilët ishin e janë figura të shquar të botës akademike në Shqipëri e në botë, si: Bardhyl Golemi, Mina Naqo, Mario Kedhi, Vasillaq Kedhi, Anastas Dodi, Niko Pano, Emin Lafe, Kristaq Kume, Rrafo Jakoeli, Kostandin Dollani, Ethem Lika, Aurela Pasku, Agim Muço, Vesel Peçuli, Arta Balili, Fotaq Çurri, Bilal Shkurti, Spiro Caushi, Alfred Kume, Ani Velo, Irakli Mitro, Harallamb Papakroni, Zeko Braho, Agron Çuçi, Pajtim Ribaj, Rezart Çorati etj.

Një nderim i veçantë vjen sot edhe për ato figura madhështore të përmasave kombëtare të të gjitha gjinive që i dhuroi artit shqiptar gjimnazi “Ali Demi” në vite, si: Nestor Jonuzi, Dhimitër Anagnosti, Albert Minga, Kristaq Mitro, Josif Gjipali etj.

Por krenarinë e vet më të natyrshme kjo qendër epokale e arsimit në Vlorë duhet ta ketë për atë grup ish-nxënësish të tij, që më vonë u bënë politikanë dhe dhanë e japin një kontribut të çmuar në tërë sistemin shtetëror të Shqipërisë, si Paskal Milo, Fatmir Xhafaj, Gëzim Zilja, Abedin Elmazi, Gafurr Shameti, Luiza Hoxha, Kosta Koçi, Koço Kokëdhima etj.

Po kaq i nderuar duhet të ndihet në ditët tona opinioni publik vlonjat me ata ish-nxënës dhe ish-nxënëse të talentuara të gjimnazit “Ali Demi”, që shkëlqyen si personalitete me arritjet e tyre në historinë e sportit shqiptar, si: Mexhit Haxhiu, Nako Saraçi, Andrea Pavli, Gani Mezini, Xhuljeta Muço, Skerdilajd Shyti, Elida Xhindi, Niko Shtrepi, Kreshnik Çipi, Alfred Ziai, Yllka Hela, Mbarime Belaj, Afërdita Aliaj, Kastriot Malaj, Ilir Kallfa etj.

Ky gjimnaz ka qenë një “kombinat” i fituesve të olimpiadave kombëtare ashtu si dhe i garave ndërkombëtare të talenteve të reja në të gjitha fushat e shkencës. Por kulmin e tij ai e arriti kur në fillim të vitit 1990 shkolla aderoi në UNESCO si Shkollë Shoqe e Federatës Botërore të Shkollave Shoqe.

Për një kohë të gjatë mësuesit e “Ali Demit”, me nivelin e lartë shkencor të tyre, ishin të pranishëm, si pedagogë të jashtëm, në filialin e mbrëmjes të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Edhe sot shumë nga mësuesit e shkollës janë pedagogë të jashtëm në Universitetin një çerekshekullor “Ismail Qemali” të Vlorës.

Dhe së fundi, si një kuriozitet që plotëson historinë, mund të shtojmë se në bankat e kësaj shkolle në vitet 1951–1955 u dallua për rezultatet e saj edhe nxënësja Aneta Koleka, nëna e kryetarit të PS dhe kryeministrit Edi Rama, që më pas studioi për stomatologji në Universitetin e kryeqytetit të Polonisë, Varshavë, në vitet 1955–1960.

Homazh Profesorëve të gjimnazit “Ali Demi” 

Kur njihesh në detaje me historinë e gjatë të gjimnazit “Ali Demi”, nuk mund të mos të të bjerë në sy një fakt që shkon në kufijtë e mrekullisë. Nga 70 vjet ekzistencë të pandërprerë të këtij institucioni të pavdekshëm, në 25 prej tyre drejtor ka qenë Spiro Jovani, drejtori i tij në vitet 1965–1990. I informuar nga statistika të pagabueshme të Ministrisë së Arsimit, deklaroj me përgjegjësi të plotë se Spiro Jovani ka qenë drejtori që ka ndenjur më gjatë në detyrë në krye të një gjimnazi në të gjitha kohërat në historinë e Shqipërisë. Figura e tij tashmë është e gdhendur pozitivisht në kujtesën kolektive të qytetit të Vlorës. Një bir i talentuar i njërës prej krahinave më arsimdashëse, i Himarës magjepsëse, asaj treve që ka patur dy thesare, inteligjencën elitare dhe bukurinë mahnitëse, pasi mbaroi shkëlqyeshëm studimet në Bullgari për histori u kthye në fund të viteve ’50 për t’u lidhur pavdekësisht me historinë e drejtimit të arsimit në Vlorë e në Shqipëri. Spiro Jovanit i përket lavdia historike që gjimnazi “Ali Demi” deri në viti 1990 renditej nga Ministria si një nga 5 gjimnazet më të mira të Republikës së Shqipërisë. Ai ka qenë edhe autor e bashkautor i disa teksteve të historisë së botës për gjimnazet, ku ka spikatur si një studiues metodik i lëndës që ka trajtuar në ata libra.

Në këtë përvjetor brezat e alidemasve nuk mund të mos kujtojnë me shumë dashuri disa profesorë që s’janë më e që kanë hyrë me kohë në panteonin e vlerave të gjimnazit. Matematika në zërin e Xhevdet Kofinës ose letërsia në atë të Harilla Kuçulit tingëllonin si muzikë e ëmbël në veshët e nxënësve kur shpjegoheshin nga ata. Historia e Shqipërisë në gojën e Koço Baltadorit ose rusishtja në atë të Kristaq Sulit ktheheshin në imazhe të adhuruara kur ata shtjellonin me pasion në orët e mësimit. Kimia që jepej prej Xhelo Bratit ose fizika e dhënë prej Rezar Çoratit arrin me shpejtësi që të depërtonin e të asimiloheshin shkëlqyer prej nxënësve të tyre. Gjenerata të tëra të gjimnazistëve të “Ali Demit” do ta kujtojnë në përjetësi me mirënjohje profesorin legjendar Ibrahim Zejno, i cili për disa dekada të plota iu mësoi me shumë pasion matematikën me mijëra nxënësve. Gjithmonë do ta përmendin me respektin më të thellë ish-nxënësit alidemas mësuesen e tyre të paharrueshme të fizkulturës Fejzie Sota (Haxhiu), këtë simbol të arsimtares vlonjate që la gjurmë të thella në këtë gjimnaz. Ashtu si në arsenalin e vlerave njerëzore të atyre punonjësve që punuan aty, një vend të pazëvendësueshëm zë edhe Erazmie Panozaqi, sekretarja model, e cila që nga mbarimi i maturës e deri në daljen në pension kontribuoi me një devotshmëri të paparë për t’i shërbyer pa përtim personelit pedagogjik.

Në vitet 1958–1970 në gjimnazin “Ali Demi” një kontribut kolosal dha edhe mësuesi Nestor Nepravishta, i cili dha aty 3 gjuhë të huaja: gjuhë ruse dhe gjuhën frënge si lëndë të detyrueshme dhe gjuhen angleze si një lëndë fakultative me dëshirë. Me qëllim të caktuar e lashë për në fund kujtimin e këtij mësuesi e një njeriu të rrallë, që me disa libra të tij ka lënë gjurmë të përhershme edhe në kulturën e Shqipërisë.

Në historinë e gjimnazit “Ali Demi” që prej themelimit e deri në dhjetor të vitit 1990, Nestor Nepravishta ka qenë mësuesi me biografinë më të keqe sipas kritereve të regjimit. Babai i tij prej vitit 1944 e deri sa vdiq në vitin 1975 bëri 31 vjet burgje dhe dëbime, ndonëse burri i motrës së Nestorit, doktor Fejzi Hoxha, qe mjeku personal i Enver Hoxhës.

Kur u transferua prej gjimnazit të Fierit në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë në vitin 1958, Nestor Nepravishta kishte 10 vjet që kishte dhënë mësim në shkollat e mesme të qytetit të Fierit. I punësuar në arsim qysh 18 vjeç për arsye të nevojës për mësues që dinin gjuhë të huaja, ai që në mesin e viteve ’50 u vlerësua nga Ministria e Arsimit si një nga metodistët më të mirë të vendit.

I rritur si biri i Kryetarit të Bashkisë Tiranës së viteve ’30, ai mësoi që fëmijë 5 gjuhë të huaja, e në Fier e në Vlorë mësoi edhe 9 të tjera, që e bëri një nga njerëzit më poliglotë të Shqipërisë. Qysh në vitet e para në Vlorë reputacioni i tij si mësues u rrit me shpejtësi të paparë.

Në vitin 1961 erdhi në Shqipëri një delegacion i Drejtorisë Kulturore të Ministrisë së Jashtme të Francës, Drejtori që mbulonte në të gjithë botën mësimdhënien e gjuhës frënge. Ky delegacion bëri testimin e rreth 20 mësuesve të frëngjishtes të të gjitha gjimnazeve të Shqipërisë. Nestor Nepravishta u vlerësua nga ky delegacion si mësuesi më i mirë i frëngjishtes në Shqipëri. Në vitin 1962 Nestor Nepravishta qe autori i 2 teksteve të para të frëngjishtes në historinë e Shqipërisë për gjimnazet e vendit, ndonëse për arsye biografike censura i botoi këto tekste pa emrin e autori që i hartoi.

Në vitin 1966 Nestor Nepravishta shkroi Fjalorin e parë në historinë e Shqipërisë Anglisht–Shqip. Edhe ky u botua pa emrin e tij në kopertinë po për të njëjtat arsye biografike.

Fjalori Anglisht–Shqip me autor Nestor Nepravishta i vitit 1966 qe jo vetëm i pari, por edhe fjalori i vetëm në monizëm, me të cilin mësuan gjuhën angleze me miliona shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Diasporë etj., pa e ditur se autori i tij qe një mësues 35-vjeçar i gjimnazit “Ali Demi” të qytetit të Vlorës.

Ndonëse në vitin 1970 lufta e klasave e largoi atë nga kolektivi i gjimnazit “Ali Demi”, më vonë ai përktheu rreth 50 libra për Akademinë e Shkencave e 25 libra me karakter historik.

Nestor Nepravishta në vitin 1996 u ripunësua me kohë të plotë si përkthyes në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave e doli në pension në moshën 75-vjeçare duke qenë ndër intelektualet e rrallë në Shqipëri me mbi 50 vjet vite pune të plotë. Ky qe mësuesi i jashtëzakonshëm i dikurshëm i “Ali Demit”, Nestor Nepravishta.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Konsumatori, produktet bio dhe politika publike

Konsumatorët shqiptare paguajnë deri në 50% më shumë për produktet organike dhe...
Read More