Gjinia e votës

Nga Dr. Mirela Oktrova

Kur KQZ bëri publike rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit,  personalisht më shumë se gjithçka tjetër më tronditi pjesëmarrja tejet e ulët (19.35 %) e votueseve femra në këto zgjedhje. Ndonëse një statistikë e tillë publikohet për herë të parë, duke qenë e shoqëruar kështu me pamundësinë e hetimit të trendit, edhe vetë shifra në vetvete mjafton për të hetuar shkallën e besueshmërisë së politikës në afro 49 % të popullsisë shqiptare, që përfaqësojnë votueset femra. Sepse sipas meje, nëse 80,65% e grave dhe vajzave me të drejtë vote në këtë vend, refuzojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë, kjo do të thotë se ato janë zhgënjyer aq thellë dhe aq shpesh, saqë më në fund ia kanë dalë të jenë skeptike po aq sa indiferente ndaj ndryshimeve politike, që kronikisht i kanë lënë jashtë vëmendjes…

Arsyet janë të shumta dhe shtrihen nga administrimi i zgjedhjeve dhe standardet e përfaqësimit deri te roli i gruas në shoqëri dhe pesha e saj në vendimmarrjet tona të rëndësishme si në makro, ashtu edhe në mikrokomunitet. Po reflektimin e tyre më të përqendruar dhe të dukshëm ato e gjejnë veçanërisht në mënyrën, me të cilën kandidatet femra “plaçkosen” sistematikisht ndër lista.

Kështu, nëse iu referohemi listave të subjekteve politike pjesëmarrëse në tri zgjedhjet e fundit parlamentare, trendi i peshës së kandidateve femra në to është rritës:  nga 31.91%  që ato përbënin kundrejt numrit të përgjithshëm të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2009, në 39.64%  në vitin 2013, ato arrijnë në 40.25%  syresh në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti. Por statistikat flasin gjuhë tjetër, nëse i referohemi peshës specifike që gratë dhe vajzat kanë në numrin e përgjithshëm të deputetëve (kandidatëve të zgjedhur) të Kuvendit të Shqipërisë – pavarësisht se trendi mbetet përgjithësisht i pandryshuar. Kështu në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2009 gjinisë femërore i përkisnin 25 nga gjithsej 140 ose 17.9% e numrit të përgjithshëm të deputetëve, në atë pas zgjedhjeve të vitit 2013,  23 nga 140 ose 16.4%  e numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe në parlamentin e ardhshëm 37 nga gjithsej 140 ose 24.3%  e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Raportet e përftuara në fund të procesit janë pasojë e drejtpërdrejtë e menaxhimit jokolegjial të pozicioneve të listimit, shpërndarjes gjeografike të padrejtë dhe diskriminuese të kandidaturave dhe jo së fundi e “trafikut” të “vendeve të sigurta” në krye të listave partiake.

Referuar burimeve të KQZ-së, 112 gra nga 18 subjekte pjesëmarrëse në zgjedhje u vendosën këtë vit në fund të listave zgjedhore dhe vetëm 51 syresh në krye të listave të qarqeve. Statistikën si të tillë e përmirësonte artificialisht  PR (Partia Republikane) 12 listat e së cilës kryesoheshin nga kandidate gra, m.gj.s. në këtë rast dukuria e fshehur pas statistikës nuk kishte relevancë jo vetëm për shkak të peshë së subjektit,  por edhe sepse të parat e listave të qarqeve ishin emra të panjohur dhe pa angazhim në politikë. Nëse iu referohemi tri partive kryesore, rezulton se gratë e PS kryesonin vetëm 4 lista emërore kandidatësh për deputetë, ndjekur nga LSI me 3 syresh dhe PD me 2 lista emërore kandidatësh për deputetë, të kryesuara nga një grua.

Nga partitë kryesore, përqindjen më të lartë të grave dhe vajzave në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit e pati LSI, në masën 42% (61 në 146 kandidatë). Pas saj u rreshtua PS, në listat e kandidatëve të së cilës përqindja e kandidimit të femrave ishte 36% – një shifër që ndonëse mbi objektivin prej 30% mbetet larg nismës së vetë PS për një përfaqësim gjinor prej 50%. Shembuj të qasjes gjinore konservatore u konstatuan në listën e Vlorës, ku pas kandidates së dytë në listë, renditeshin 8 burra dhe në Berat, ku në listën prej 8 emrash pati vetëm 1 grua kandidate. Përqindjen më të ulët të kandidimit të grave në listat e kandidatëve për deputetë e pati PD, në masën 20%, çka u bë shkak edhe për ndëshkimin e saj me gjobë nga ana e KQZ. Qasja gjinore konservatore në listat e PD reflektohet para së gjithash në Elbasan – ku pati vetëm 1 grua në një listë me 20 kandidatë, në Kukës – ku lista kishte vetëm kandidatë burra dhe në qarqet Fier e Berat ku burrat dominonin 3-4 vendet e para të listave!

Për rrjedhojë, nisur nga motoja, sipas së cilës “unë votoj të ngjashmin dhe të besuarin tim”, listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit nuk premtonin gjë për rreth 49% të popullsisë, aq më tepër që fushata elektorale u dominua më shumë nga lufta dhe strategjitë politike, se sa nga konkurrenca e alternativave programore dhe zgjidhjeve zbutëse për problemet dhe shqetësimet e tyre sociale. Edhe mënjanimi i figurave të njohura me angazhim të sprovuar në çështjet gjinore, zëvendësimi i tyre me profile të paafta për të ngjallur besim, fokusimi te lufta për pushtet brenda subjekteve dhe jo te pritshmëritë e votuesve jashtë tyre, si edhe jo së fundi menaxhimi i përfaqësimit në shpërpjesëtim me vlerat, popullaritetin dhe karrierat politike, i la votueset femra ose të paorientuara, ose të pavendosura, ose indiferente për procesin zgjedhor dhe alternativat që duheshin verifikuar prej tij.

Një sinjal domethënës dhe natyrisht, negativ!

Se nëse në Fier votojnë vetëm 0.7%, në Shkodër 2.52%, në Vlorë 7.68% dhe pjesëmarrja e grave tiranase në zgjedhje nuk i kalon 13.94% – në mënyrë përfaqësuese gratë e gjithë Shqipërisë bërtasin me heshtjen e tyre…

Për gjithë hallet e komunitetit, për të gjithë veshët e shurdhër, po dhe për më shumë të drejta …

Për më shumë përfaqësim…

Për më shumë angazhim social, luftë kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore …

Për më shumë alternativa dhe për më shumë vëmendje …

Nuk bëhet fjalë për teka, po për të drejta themelore…

Ndaj duhet mbytur shpërfillja, që shqep perspektiva…

Për të gjithë dhe për të gjitha…

Për sot dhe për nesër…!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vasili publikon SMS-në e famshme për Tahirin: Po të përgjonin…

Një nga zyrtarët e LSI ka publikuar një mesazh që u përfol...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.