Gjiri i Vlorës dhe ferri i betonit të Lungomares

Baza e projektit të Lungo Mares janë muret dhe shkallët e betonit  në vijën ranore bregdetare, dy sheshet e parqeve të betonit dhe dy  korsitë e mjeteve të ndara me samarin e betonit, tip kurriz breshke

Nga Ing. Xhevair Ngjeqari

GJIRI I VLORËS DHE NDËRTIMET INDUSTRIALE.

Gjiret ujore me relieve të kombinuara dhe forma gjeometrike urbane, turistike janë dhurata natyrore të rralla në brigjet mesdhetare. Në Gjirin e Vlorës natyra ka materializuar të gjitha formacionet bregdetare, fushore,  ranore,  kodrinore,  shkëmbore të shoqëruara me prezencën e florës, faunës, lagunave, ligatinave dhe zonat urbane,  me vizionet panoramike mbi hapësirat detare.

Në izoipsin Uji i Ftohtë–Pylli i Sodës-Triport-Kepi i Dajlanit-Delta e Vjosës dhe bregdetin Radhimë-Orikum-Pasha Liman,  janë vetësistemuar brigjet ranore, të destinuara për aktivitete urbane e turistike. Ndërsa bregdeti Uji i Ftohtë-Radhimë-Pasha Liman- Karaburun dhe Ishulli i Sazanit, dominohet nga brigjet tipike mesdhetare shkëmbore. Gadishulli i Karaburunit ka formuar dhe mbron Gjirin e Vlorës dhe gjithë ultësirën bregdetare Vlorë–Shëngjin. Gjiri i Vlorës,  zotëron edhe hipotekën e pronësinë Lindore të Adriatikut Jugor dhe Jonit Verior ose kufijve ujorë të dy deteve. Megjithëse Mesdheu dhe Adriatiku me bilancin hidrik krejt të kundërt,  në kanalin e Otrantos kryejnë shkëmbimet vjetore më voluminoze, ndërsa në Gjirin e Vlorës,  detet,  qëndrojnë me kufij të ndarë, duke mos ndryshuar “ADN”-të e pastërtive ujore dhe diferencat e kolorit e kripëzimit etj. Kjo është një veçori e rrallë gjeohidrike dhe turistike. Nga të gjitha lartësitë e Sazanit,  Karaburunit, Llogorasë, Kaninës, Kuzum Baba, evidentohet konfiguracioni panoramik i Gjirit të Vlorës. Bonuset natyrore vlerësojnë Gjirin si reliev me eksponenca të larta urbano-turistike vendore dhe mesdhetare. Ai zotëron tre aftësi natyrore të dimensioneve të mëdha. Aftësinë portuale,  altimetrinë Mjedisore dhe Urbano–Turistike.

GJIRI I VLORËS OSE ROTERDAMI I ADRIATIKUT

Gjiri i Vlorës formon portin natyral më të madh të Mesdheut,  Europës dhe Detit të Veriut. Ai është dy herë më i thellë dhe katër herë më i madh se baseni ujor i portit Roterdamit. Si pozicion dhe gjeografi ekonomike është vlerësuar si Gjibraltari i Adriatikut (nga min. i Jashtëm i USA, Maxwell Blake,  dt. 10.06.1922). Porti dhe pozicioni gjeografik i gjirit ka aftësi për të përpunuar, magazinuar, tranzituar mallrat e gjithë Ballkanit Juglindor, duke shkurtuar L=300-1180 km për të shkuar në destinacionet e Mesdheut dhe Atlantikut, në krahasim me portet helene apo italiane. Duke zotëruar edhe gjithë lëndën e parë ndërtimore për realizimet portuale. Nëse portet objekt kryesor kanë ndërtimin e baseneve ujore,  në gjirin e Vlorës, basenin ujor,  portin dhe terminalet i ka ndërtuar natyra. Por me zhvillimin turistik nuk bëhet fjalë për ndërtimin e porteve tregtare në Gjirin e Vlorës, aq më tepër në bregdetin e cekët të Pyllit të Sodës,  ku po ndërtohet një port për karburantet dhe kimikatet në thellësinë H=5–6m. 

KOMPOZIMI NATYRAL I GJIRIT TË VLORËS DHE NDËRTIMET INDUSTRIALE NDOTËSE

Në vijën bregdetare nga Tuneli i Ujit të Ftohtë-Tre Porti deri në deltën e Vjosës, natyra ka krijuar bregdetin ranor me gjatësi L=13630 ml. I cili është i destinuar vetëm për ndërtime urbano-turistike. Në Ujin e Ftohtë mbarojnë brigjet e Jonit shkëmbor dhe fillojnë bregdeti ranor i ultësirës bregdetare Vlorë–Shëngjin.

Ndërsa zona e Radhimës, Karaburunit dominohet nga gëlqerorët e erroduar shkëmborë, tipik mesdhetar, i cili ofron zhvillimin e turizmit të shkallëzuar.

Mbas viteve 1990 me gjithë premtimet dhe luftën e shoqërisë civile për të ruajtur të pastër bregdetin turistik të Pyllit të Sodës, grupet e interesit kanë realizuar përsëri kompleksin industrial të TEC-it të Vlorës,  Petroliferën Italo Rumena, Parku Industrial dhe është në proces Porti i Karburanteve dhe Likuideve Kimike. I cili po ndërtohet në thellësinë H =5-6m. Ndërtimet industriale okupojnë një gjatësi bregdetare L = 4, 3–5 km.

Të gjitha këto objekte kudo mund të ndërtoheshin,  por jo në bregdetin urban dhe turistik të Pyllit të Sodës. Pasuritë natyrore mund të shkatërrohen me dhunën e pushtetit, por kërkojnë disa dekada pushtetesh të rigjenerohen. Gjiri i Vlorës është pasuri e qytetit,  krahinës së Vlorës dhe në vijim e gjithë Shqipërisë. Ai nuk është hipotekë e një drejtimi të përkohshëm shtetëror apo një formacioni partiak. Por ka një konstante të padukshme që kërkon të shkatërrojë gjirin,  qytetin dhe bregdetin e Vlorës. Me ndërtimin e portit të peshkimit dhe fantazmës portit të Karpenit,  kjo gjëmë është e vlefshme për gjirin dhe qytetin e Durrësit.

Të gjitha ndërtimet industriale dhe portuale tregtare që janë dhe po ndërtohen në bregdetin e pyllit të Sodës,  gradualisht do të shkatërrohen si ndërtime të paligjshme, antimjedisore, antituristike, antikombëtareAto duhet të zhvendosen gradualisht në drejtim të deltës së Semanit ose deltën e gazsjellësit TAP.

BREGDETI NATYROR I LUNGO MARES.

Bregdeti ranor nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri tek i ashtuquajturi Porti i Trageteve me gjatësi deri 3, 8 km,  kishte mbetur në kufijtë natyrorë. Kjo gjatësi përbën hapësirën kryesore të projekteve të Lungo Mares. Nga ana fizike bregu ndahet në tre zona turistike.

Zona e Parë nga Tuneli deri te përroi para shkollës Tregtare bregdeti me gjatësi rreth L=± 700 ml ose plazhi i vjetër, shënonte kalimin gradual nga brigjet shkëmbore, në brigje me mbushje ranore, me xhepa e gjire të vegjël me rëre të granuluar, shkëmbinj të copëzuar dhe një shtrat deti në proces nivelimi.

Zona e Dytë ose Plazhi Ri ose nga përroi i shkollës Tregtare deri te përroi i ish-Akademisë, me gjatësi rreth L =± 2, 3 km, formohet nga depozitime ranore, nga brezi gjelbëruar, laget nga ujërat e përziera të Jonit dhe Adriatikut,  por i pasistemuar,  i çrregullt dhe zotëron pamjen tipike të një litorali të Adriatikut shqiptar.

Ndërsa zona e tretë nga përroi i ish-Akademisë deri te porti i trageteve, me gjatësi rreth L=800 km përbëhej nga bregdeti ranor,  i pasistemuar dhe me ndërtime sociale e urbane të paorganizuara.

Ndihej nevoja e një projekti unik për të sistemuar gjithë vijën bregdetare. I cili në Gjirin e Vlorës së bashku me altimetrinë e relievit,  përbën një vepër arti natyrore,  nga më të bukurat dhe të rralla të Mesdheut (Shih botimi Mesdheu–Adriatiku.. Projektimi i Porteve..). Opinioni ishte në pritje të një projekti virtuoz, që do të përmirësonte bashkëjetesën e Vlorës urbano-turistike me ujërat detare. Me dufin dhe dertin e një mono propagande filloj ndërtimi i projektit të Lungo Mares. Humori vlonjat u gëzua aq shumë, sa kërkonin që kortezhet,  para se ta çonin në varrezat e Babicës,  t’i parakalonin në parajsën e gjelbëruar të Lungo Mares.

BRIGJET E BETONUARA TË LUNGO MARES.

Por baza e vitalizimit të projektit të Lungo Mares janë ndërtimi i mureve të betonit në vijën ranore bregdetare,  platformat e parqeve të betonit dhe korsitë e kalimit të mjeteve të ndara me samarin e betonit tip kurriz breshke.

Marrëdhënia më funksionale, turistike, mjedisore me bregdetin, mbetet skema natyroreBregdet–Rërë–Brezi i Gjelbër Halor–Rrugë–Ndërtime Urbane–Turistike. Këto të gjitha mund të realizoheshin në bregdetin e cekët nga Uji i Ftohtë deri te Porti Trageteve. Por projekti e ka kompozuar ose ndarë bregun në tre pjesë.

Në zonën e parë nga Uji i Ftohtë deri te Shkolla tregtare me gjatësi rreth L=700 m,  është ndërtuar gjatë bregut një platformë ose terminal betoni me gjerësi variabël B=20-50 m, me bordurë vertikale me lartësi H =1, 4–2m, pa shkallë zbritëse ose pa parashikuar larjen apo banjo detare, ka përfunduar vetëm gjysma, por gërdalla e betonit do të vazhdojë nga plazhi i Nedinit deri tek Uji Ftohtë. Muri i betonit ka zhdukur plazhet e vogla me rërë të granuluar dhe ka privuar larjen apo njomjen e këmbëve të ujërat detare. Në fund të murit të betonit kanë vendosur shkëmbinj të mëdhenj,  që edhe ndonjë i ri që merr guximin të hidhet, ndërron jetë pa u zhytur në det.

Në zonën e dytë të Lungo Mares me gjatësi rreth L = 2, 3 km ose zona e ish-Plazhit të Ri nga përroi i shkollës Tregtare deri te përroi i ish-Akademisë, bregdeti është trajtuar duke sistemuar e zgjeruar brezin ranor deri në kufi të segmenteve rrugore. Pavarësisht nga mangësitë kjo zgjidhje është pjesërisht funksionale dhe turistike.

Ndërsa zonën e tretë nga përroi i ish-Akademisë deri te porti i Trageteve me gjatësi rreth L = 800 km është ndërtuar përsëri një platformë e zgjatur betoni me gjerësi variabël B=30-60 m,  me bordurë vertikale me lartësi H=1, 6–2, 1m,  pa shkallë zbritëse ose pa parashikuar larjen apo banjot detare. Ndërsa rreth 1/3 e brigjeve të betonuara janë konceptuar të shkallëzuara. Platforma e betonuar ka zhdukur vazhdimin e bregut ranor të Plazhit të Ri, duke privuar larjen dhe marrëdhënien me ujërat detare. Në fund të bordurës vertikale kanë vendosur përsëri shkëmbinj, si në terminalin e betonit të zonës së parë. Në kufijtë e shesheve të betonit dhe plazhit ranor, kanë ndryshuar projektin duke ndërtuar dy vija kalimi, për mjetet me sens të kundërt, me një ndarje kurriz breshke në mes. Duke iu referuar shpejtësisë së parashikuar, distanca duhet të përshkohet për T=4-5 minuta. Por nga ngarkesa e qarkullimit turistik, zgjidhja artificiale me dy vija kalimi do të bllokojë e torturojë tranzitin dhe kalimin e mjeteve në hapësirat e Lungo Mares.

Ndërtimet industriale ndotëse në bregdetin e Pyllit të Sodës së bashku me platformat e brigjet e betonit dhe rrugët e ngushta të Lungo Mares janë në kundërshtim të plotë me ligjet natyrore të bashkëjetesës së ujërave detare me brigjet dhe jetën njerëzore urbano-turistike. Sepse në bregdetin shkëmbor të Mesdheut dhe Adriatkut, brigjet ranore janë shumë të kursyeraAto mbrohen dhe konsiderohen të paprekshme. Brigjet ranore trajtohen me delikatesë, sepse dhurojnë kënaqësinë e banjove detare, shërbejnë si shëtitore me bukuri e freski të rrallë mjedisore.

CILA ËSHTË PERSPEKTIVA E BREGDETIT TË LUNGO MARES

Bregdeti i Mesdheut dhe Adriatikut janë kryesisht shkëmbore. Ultësira bregdetare Vlorë–delta e Bunës është më gjata,  më e gjëra dhe më cilësorja në gjithë Mesdheun, përveç Afrikës. Në gjatësinë e bregdetit të Lungo Mares janë ndërtuar qytete si Kana dhe Sanremo,  ose qindra komuna bregdetare. Qytetet apo ishujt e Mesdheut shkëmbor, për të komunikuar me detin kanë thërrmuar, zbutur shkëmbin dhe kanë mbushur me rërë guri bregdetin. Ndërsa projekti i Lungo Mares në bregun fushor ka ndërtuar terminale betoni me lartësi 2 m.

Muret e betonit në dy zonat e Lungo Mares do të prishen dhe përpunohen. Gjithë bregdeti nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri te Porti i Trageteve do të zgjerohet duke marrë nga deti një gjerësi 60–100 m. E cila siguron plazhin ranor, brezin e gjelbër me pishë të butë me gjerësi deri 40 m dhe korridorin rrugor min. me 6 korsi ( 3+3 ).

Përfitimi i terreneve nga deti sidomos në cektësira realizohet me kosto minimale. Nga ana hidraulike,  përfitimi i terreneve nga deti nuk prish qarkullimin antiorar të ujërave detare në Gjirin e Vlorës, pastërtinë ujore dhe zonat e depozitimeve ranore. Kjo skemë ndërtimore duhet të realizohet dhe nga Tuneli i Ujit të Ftohtë deri te Lumi i Radhimës,  në bregdetin e thellë të kalasë duke përfituar nga deti, me një ndërtim të thjeshtë hidroteknik B= 60–100 m dhe kompozuar sipas skemës së botimit të librit Mesdheu– Adriatiku…. Projektimi i Porteve. Kjo zgjidhje siguron eficiencën e shfrytëzimit të brigjeve natyrore ranore në bregdetin e erroduar të Gjirit të Vlorës.

Ndërtimi i brigjeve me mure betoni privon aktivitetin e shfrytëzimit balnear turistik të bregut dhe kontaktin me ujin detar, rrit temperaturat bregdetare, dhe pa mbrojtje bordure, do të shërbejnë si burim aksidentesh. Në vlerësimin urban, turistik dhe mjedisor nuk mbështetet nga asnjë argument urbano-turistik. Si infrastrukturë ndërtimi i rrugëve me dy vija kalimi,  me sens të kundërt në vijën bregdetare, pa asnjë zgjidhje emergjence, do të krijojnë pa asnjë dyshim ferrin e bllokimit të qarkullimit të mjeteve. Ndërsa ndërtimi i shesheve të betonit me funksionin e qëndrimit e promenadave në vijën bregdetare janë pjesërisht funksionale. Sepse temperatura në det arrin 22°- 26° gradë, ndërsa në parkun e betonit do të shkojë 46° gradë.

Ndërtimet e Bunker Turizmit të Lungo Mares të cilat pjesërisht janë realizuar dhe rebusin e rrugëve në plazhin e Durrësit, nuk janë funksionale dhe urbane. Mbas viteve të para të shfrytëzimit, brigjet dhe platformat e betonit të Lungo Mares do të prishen,  përpunohen,  përmirësohen,  zgjerohen,  ndryshohen,  mbi bazën e raportit natyror bregdet, rërë, gjelbërim, rrugë. Projekti kompleks, duhet të përfshijë gjithë litoralin e Gjirit të Vlorës, Sazanit deri në Dajlan e më tej deri në Vjosë. Duke parashikuar shtrirjen e Vlorës moderne në bregdetin Treport–Nartë–Zvërnec- delta e Vjosës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mehdi Kraja: Si u njoha me babin përmes hekurave të burgut

Rrëfimi i të birit të Hafiz Ali Krajës, hoxha i famshëm i...
Read More