Gjok Nonaj: Shuhet rapsodi 107-vjeçar, më i vjetri edhe në Europë

Është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare lahutari Gjok Nonaj, rapsodi më i vjetër, unik jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e më gjerë. Për herë të fundit është ngjitur në skenë në festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2015

Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës që u mbajt në 2015, lahutari Gjok Nonaj ishte bartësi më i vjetër që këndoi në skenën shqiptare, madje vlerësuar rapsodi më i vjetër në Europë e më gjerë. Kjo ishte ngjarja, dhe lahutari këtë vit, në shkurt, mbushi 107 vjeç, por dje është njoftuar ndarja nga jeta. Pak ditë më parë u lajmërua gjendja e tij e rëndë shëndetësore, madje kërkohej edhe ndihmë për dhurim gjaku. Nonaj, 107-vjeçar ishte shtruar në spitalin e Lezhës, por nuk ia doli, duke na lënë historinë unike shqiptare bashkë me epikën e këtij lahutari. Nonaj ishte 10 vjeç kur mësoi lahutën dhe është shprehur se “kurrë s’do ndahem prej saj”. Lahutari i moçëm Gjok Nonaj e ka përcjellë këtë traditë edhe tek e mbesa Lumturije Nonaj, e cila është lahutarja e vetme femër në Shqipëri, por edhe te nipërit e tij Gjovalin dhe Gjet Nonaj. Në daljen e tij të fundit në publik, pra në Gjirokastër rapsodi 105-vjeçar, Gjok Nonaj, ka interpretuar këngën epike “Fuqia e Mujit”, një fragment rapsodik i shkëputur nga eposi i Kreshnikëve. Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) janë këngë epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Ardhja e lahutarit 105-vjeçar është vlerësuar si një risi e festivalit, ku për herë të parë lahutarët e familjes Nonaj, Gjoka e Lumturija janë bërë bashkë duke kënduar në Gjirokastër.

Reagimi për ikjen e rapsodit 107-vjeçar ka qenë i menjëhershëm dje, sidomos në rrjetet sociale prej muzikologëve dhe njerëzve të trashëgimisë duke vlerësuar etnicitetin dhe bartësin e fundit të lahutës, kur ende nuk është zbuluar më i riu. Një prej tyre, Vaso Tole i ka dhënë lamtumirën: “Ndahet nga jeta Gjok Nonaj, rapsodi më i vjetër i botës. Dje, në orën 16:55 minuta në spitalin e Lezhës, u nda nga jeta i rrethuar nga dashuria e familjes lahutari, rapsodi më i vjetër në botë, 107-vjeçari Gjok Nonaj. “Dy vdekje nuk ka dhe nga njëra nuk shpëtojmë dot”, thotë populli, por Gjoka e sfidoi vdekjen deri në fund me lahutë në dorë e këngë në buzë. Ai, si lajmës i traditës, solli deri në kohët moderne magjinë e Eposit, kreshnikët tanë dhe bukurinë e bjeshkëve tona me gjithë forcën e shpirtit. Në moshën 105-vjeçare debutoi në vitin 2015 në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, duke thyer kështu çdo rekord të mëparshëm të këtij lloji. Ishte fat që të njoha, të dëgjova dhe që më pranove si mikun tënd!

Tani që vdekja e mori, Ai duhet trajtuar me nderimet që i takojnë një personaliteti kulturor, se i tillë ishte, se të tillë e bëri trashëgimia e madhe që Ai barti dhe këndoi për ne.

Pa shpërblim! Gjok! Shko lehtë-lehtë, ashtu siç hidhje hapin te Muji e Halili e të parët e tu.

Rapsodët i mirëpresin në botën e përtejme, se dhe në të gjallë vetëm një tjetër rapsod si Orfeu ia doli të zbriste nën dhe. Pas teje, nuk ka një të dytë si ty. Dhe për këtë do të kujtojmë! Amin! Ngushëllime familjes, të afërmve, bartësve dhe dashamirësve të trashëgimisë sonë kulturore”.

Ndërsa këngëtari popullor Esat Ruka ka shprehur dhe vlerësimin mbi lahutarin duke shkruar: “I ndrittë shpirti si në skenat e festivaleve dhe në Odat malësore, këtij “normëthyesi” të Madh të dashurisë e talenti të rrallë i rapsodisë popullore shqiptare. Pata fatin dhe kënaqësinë të shijoja edhe bujarinë e humorin e çiltërsinë e tij në vatrën familjare në malësitë e Lezhës, ku rrethohej nga nipër e mbesa, i respektuar prej tyre. Ai deklamues i legjendave e historive shndërrohej në një interpret plot lirizëm e sarkazëm rezervatesh ndër dekada. Ishte një njeri i thjeshtë si vetë lahuta dhe rapsodia”. Ceremonia e varrimit do të bëhet sot në orën 13:00 në varrezat e Kodër Marlekaj, Lezhë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Antropologjia etnike e shqiptarëve”, sfida multidisiplinore e Aleksandër Dhimës

Leximi, studimi serioz i kësaj monografie mbush një hapësirë të lënë pa...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.