Gjuha shqipe paskësh qenë instrument gjeopolitik!

Nga Ervis Iljazaj

Dje Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, duke i dhënë të drejtën historike kombit shqiptar që jeton në atë shtet. Padrejtësia që iu është bërë shqiptarëve, që nga koha e Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot, ndoshta nuk ka të ngjashme në llojin e vet, duke qenë se shqiptarët janë një faktor shtetndërtues në Maqedoni dhe jo thjesht një pakicë etnike.

Përtej vlerës historike që ka për kombin shqiptar një akt i tillë i ndërmarrë nga Parlamenti maqedonas, merr një rëndësi të veçantë në aspektin gjeopolitik të Rajonit. Është e qartë se pas shumë përpjekjesh, një gjë e tillë ndodhi si pasojë e gjeopolitikës dhe instrumenteve diplomatike të përdorura kohët e fundit. Ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, si dhe ndryshimi i ngjyrës së pushtetit, erdhi po ashtu si pasojë e ndërhyrjes ndërkombëtare, sidomos të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kuptim, njohja e shqipes si gjuhë zyrtare, merr një rëndësi të veçantë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe të Rajonit. Tani, çdo proces i politikës ndërkombëtare, që Maqedonia ka përpara saj dhe të tilla ka shumë, faktori shqiptar nuk mund të anashkalohet, duke patur një pozicion më të fortë në këtë aspekt.

Prandaj, ndryshe nga instrumentet klasike të politikës ndërkombëtare, si ekonomia apo mjete të tjera, në këtë rast është përdorur një faktor kulturor si ai i gjuhës.

Jo më kot, kishte një rezistencë të politikës sllave për ta njohur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, pasi me anë të kësaj rezistence jo vetëm që bëhej politika e brendshme, por ndikoheshin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të saj, të cilat vinin nga faktorë të ndryshëm të fuqive jo fort dashamirëse më kombin shqiptar. Tashmë që realiteti i rajonit është duke ndryshuar, me insistimin e fortë të SHBA është e qartë që kombi shqiptar ka aleatin e saj.

Edhe pse duhet thënë, në një Rajon si ai Ballkanit, gjeopolitika shpeshherë është bërë nëpërmjet faktorëve të tillë. Etnia, gjuha apo kombësia kanë luajtur një rol thelbësor në çdo proces politik dhe gjeopolitik në Ballkan. Mirëpo, kësaj here një instrument i tillë, kjo kartë gjeopolitike është në favor të shqiptarëve dhe, është po e njëjta kartë që kanë luajtur kundër tyre, ai i kombësisë dhe i gjuhës.

Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, është si ata hapat prej elefanti, që janë të vështirë për t’u hedhur, por në momentin që hidhen janë vështirë për t’u kthyer mbrapsht. Prandaj, duhet konsideruar, mbas njohjes së Kosovës si shtet të pavarur, një nga ngjarjet më historike të kombit shqiptar në dekadat e fundit.

Por ajo duhet të shihet gjithmonë në aspektin e gjeopolitikës dhe mekanizmave që po lëvizin në këtë moment në Rajonin e Ballkanit. Ndërgjegjësimi i përfaqësuesve të shqiptarëve të këtij kontesti, është në të mirë të tyre, si dhe të gjithë faktorit shqiptar në Rajon.

Rajoni i Ballkanit është kthyer në një nga rajonet me interes të gjeopolitikës të fuqive botërore, si Rusia, SHBA apo Turqia. Në këtë kuptim mjetet diplomatike për të fituar terren dhe ndikim në këtë rajon, janë shumëfishuar. Një nga këto mjete që Shtetet e Bashkuara, fatmirësisht për shoqërinë e vendeve si Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, është drejtësi, duke shkëputur njëherë e përgjithmonë lidhjet korruptive që historikisht ka patur me politikën. Së fundmi, me njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në Maqedoni, është kthyer dhe ajo, në favor të kombit shqiptar një mjet gjeopolitik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kush tha që rruga e tretë nuk i ul taksat?

Nga Ervis Iljazaj Qeveria Rama 2 ka propozuar një sërë politikash fiskale...
Read More