Gjykata e Hagës mund të lejojë video-telefonatat për të pandehurit

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë po prezanton një projekt pilot që do t’u mundësojë të pandehurve që mbahen në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së OKB-së të bëjnë video-telefonata.

Sekretariati në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili është pasardhësi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, lajmëroi të premten se së shpejti do të nisë një projekt pilot për t’u bërë të mundur të pandehurve të kryejnë video-telefonata.

Për momentin, të paraburgosurit lejohen vetëm të marrin dhe dërgojnë letra, të bëjnë telefonata dhe të presin vizitorë.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq i ka kërkuar gjykatës në disa raste që ta lejojë atë të përdorë Skype ose mjete të tjera komunikimi me video.

Avokati mbrojtës i Karaxhiqit, Peter Robinson, tha për BIRN se njerëzit që mbahen në burgje të tjera në Holandë dhe në vende të tjera në Europë mund të kontaktojnë me video me anëtarët e familjes.

“Vendimi i sekretariatit për të nisur projektin pilot, i cili do t’u bënte të mundur të ndaluarve të shikonin familjet e tyre nëpërmjet Skype ose teknologjive të tjera të ngjashme, është padyshim një hap përpara në krijimin e kushteve njerëzore në paraburgim”, tha Robinson.

“Kjo është shumë e rëndësishme kur të paraburgosurit janë larg anëtarëve të tyre të familjes, siç është rasti i Radovan Karaxhiqit”, shtoi ai.

Gjatë një konference për statusin më 10 tetor, Karaxhiqi përsëriti kërkesën e tij që t’i lejohet qasja në internet dhe përdorimi i Skype, i cili do ta bënte më të lehtë gjetjen e materialeve për punën e tij si edhe komunikimin me familjen e tij.

Ai u kërkoi gjithashtu gjyqtarëve të Hagës ta lejonin atë të përdorte një laptop sepse kishte dhimbje shpine të shkaktuara nga qëndrimi ulur me orë të tëra në një kompjuter tavoline.

Sekretariati i gjykatës hodhi poshtë kërkesat e tij, duke shpjeguar se së shpejti do të niste një projekt pilot për telefonata me video.

Karaxhiqi është mbajtur në Njësinë e Paraburgimit në Scheveningen që nga arrestimi i tij në vitin 2008.

Në mars të vitit të kaluar, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg për përfshirjen e tij në gjenocidin e Srebrenicës, krime kundër njerëzimit në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për gjenocid në disa komuna boshnjake në vitin 1992.

Si Karaxhiqi ashtu edhe Prokuroria e Hagës kanë apeluar kundër vendimit, me ish-liderin politik serb të Bosnjës që kërkon të lirohet nga të gjitha akuzat dhe prokurorët që kërkojnë që dënimi i tij të rritet me burgim të përjetshëm.

Shkruar Nga
More from Revista User

Aksident në Kinë, 12 të vdekur

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë...
Read More