Goditjet nga i nxehti, këshilla për të moshuarit

Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që personi të vendoset në një vend të freskët. T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë, t’i jepet të pijë lëngje. Të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës 

Me ardhjen e verës, institucionet shëndetësore kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e motit të nxehtë, sidomos për sa i përket kategorive të njerëzve në nevojë, si të moshuarit dhe fëmijët.   Ndaj të moshuarit këshillohet që mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C. Të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11-18. Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta. Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lino ose pambuku. Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë. Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që personi të vendoset në një vend të freskët. T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë, t’i jepet të pijë lëngje. Të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës.

Mjekët

Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit.

Problemet

Problemet nga moti i nxehtë, shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh janë zbehja, marramendja, të vjellët, pulsi i dobët dhe temperaturë e ngritur.  Si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar, jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të shtruarve të moshuar.

Të tjerë 

Por jo vetëm të moshuarit mund të kenë probleme me motin e nxehtë. Edhe të rinjtë dhe fëmijët janë kategori në rrezik. Ndaj disa rregulla të cilat me siguri do të ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve janë pirja e një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj. Konsumimi i ushqimeve të lehta të ndara në porcione. Konsumimi i frutave të bollshme dhe perime të freskëta. Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit. Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C, dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur. Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative, të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.

Kini kujdes!

Mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj; përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat; u lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE; përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20, dhe në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50; u vishni rroba të gjera prej pambuku ose liri.

 

Rregulla të arta për të nxehtët:

– Mos dilni në orët e nxehta.

– Vishni rroba të lehta.

– Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Ubi bene, ibi patria”

Nga Dr. Mirela Oktrova Temperaturat e larta të të nxehtit afrikan dhe...
Read More