Good news: Media, e sulmuar nga liderët politikë

Raporti i medias dhe politikës në një marrëdhënie të ndryshueshme mes “buzëqeshjes” dhe kërcënimit. A po futet media në shinat e misionit të saj dhe sa tregues është që media ia ka arritur qëllimit kur sulmohet nga protagonistët e politikës? Flasin pedagogët Belina Budini, Iris Luarasi dhe gazetarja Mira Kazhani.

Nga Sebi Alla

Media dhe politika gjithnjë ka qenë në një marrëdhënie “dashuri dhe urrejtje” në kohë të ndryshme. Të vërtetat, e gjysmë të vërtetat, thuhen, por sikurse vijnë plot bujë, shuhen po aq shpejt, kur protagonizmi i politikës është më i fortë se pena e gazetarisë. Gjendet një dritare ku të publikohet edhe skandali më i madh i mundshëm, por krahas lajmit të bujshëm, vjen edhe qëndrimi me sulme nga të gjithë anët. Lajmi i “keq” se po sulmohet media, në të vërtetë është “lajmi i mirë” për gazetarinë, pasi fakti që reagohet, indirekt do të thotë se gazetaria e ka kryer disi misionin e saj për të cilin ekziston. Dhe rastet nuk mungojnë. Stilet e sulmit nga politika karshi medias janë të ndryshme, por qëllimi është gjithnjë i përbashkët: “të minimizojnë çdo skandal që hapet”. Forma mbetet klasike, duke u marrë jo me atë çfarë shfaqet e shkruhet, por me median në tërësi, individin që mund ta ketë publikuar apo “korrierin” hipotetik që mund ta ketë servirur lajmin që prek interesa. Për verbin e tij, (pa kamuflazh politesk), shquhet ish-kryeministri Sali Berisha, kur në emisionit “Studio e Hapur” pesë ditë më parë kërkoi të ndërhyjë në lidhje direkte telefonike. Askush nuk do e refuzonte një reagim të ish-kryeministrit, për më shumë që po flitej për një çështje të madhe si ndarja e detit me Greqinë. Berisha në fjalët e para akuzoi gazetarin investigativ Artan Hoxha, por si rrallë në media, kundërsulmi ishte flakë për flakë edhe nga Hoxha. Të akuzuarit ndërsjellës, nxorën nga arkiva gjithçka, pa i vënë asnjë fre gjuhës. Më shumë se çfarë u diskutua mbi çështjen e madhe për të cilën ishte edhe qëllimi i emisionit vëmendja kaloi në përplasjen e fortë Berisha-Hoxha. Në një rast të tillë të paparashikueshëm, opinioni u nda, ndërsa nuk munguan “moralistët” dhe specialistët, sesi mund të kishte menaxhuar këtë situatë drejtuesja e emisionit apo kujt i duhet treguar vendi. Disa që mbështesin ish-liderin demokrat Berisha, e të tjerë që i dolën në krah gazetarit. Ish-kryeministri nuk është i vetmi që qëmton emisionet e shumta sidomos të së enjtes së ngjeshur, duke u marrë me secilin protagonist të ftuar dhe çdo gazetar që nuk i shkon në shijet e tij. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama, sulmon, po me përbuzje median, duke e konsideruar “kazan” ku zien thashethemi dhe mungon e vërteta. Një stil për të sfumuar çdo skandal që vjen e ikën. Nuk merret drejtpërdrejtë me median, por kapet pas çdo detaji, duke anashkaluar thelbin e problemit dhe merret me “estetikën” e një pyetjeje apo formulimin e qëndrimit të analistëve. Pedagogia e komunikimit prof. as. dr. Belina Budini përplasjen media-politikë, më shumë e sheh te njerëzit e mediave në Shqipëri që po shfaqen si protagonistë të vetë politikës. Për Budinin, ky lloj protagonizmi i vonuar i medias, paraqitet më tepër si “kapardisje” sesa si qasje profesionale dhe në interes të publikut. Ndërsa pedagogia Iris Luarasi sulmin që i vjen medias nga politika e sheh në një kënd disi pozitiv, pasi kjo tregon se me gjithë problemet që ka gazetaria në përgjithësi, arrin të prekë dhe në një lloj mënyre “nervozojë” protagonistët politikë, që në fundin e ditës mbajnë mëkatin për atë çfarë shkon keq në vend. Gazetarja dhe drejtuesja e portalit “Tirana Post” Mira Kazhani shprehet se fatkeqësia më e madhe është kur gazetarët mbrohen nga politika. Të tillë ka, por lajmi i keq për sulmin që vjen nga politika, ka pas historinë e suksesit të gazetarisë, nëse vetë ajo do anojë më shumë nga profesionalizmi, se sa protagonizmi.

 

Budini: Mediat, jo sulm nga politika, protagonizëm politik

Prof. as. dr. Belina Budini, Përgjegjëse e Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në UET

Media po sulmohet nga të gjithë anët, veçanërisht nga eksponentë të politikës. Fakti që sulmohet nga të gjitha palët, a tregon se media është në funksionin e vet?

Më tepër sesa të sulmuara nga politika, duket se mediat dhe njerëzit e mediave në Shqipëri po shfaqen si protagonistë të vetë politikës. Është e hapur përpjekja e disa mediave dhe disa formateve mediatike, për të dalë në rol protagonistësh ose aktorësh politikë. Ky nuk duket si protagonizëm i dhuruar, edhe pse të krijohet kjo ide nisur nga sulmet e eksponentëve të politikës të cilave u referoheni edhe ju në pyetjen tuaj. Ka të ngjarë që të jetë pikërisht kërkimi dhe dalja si protagonistë edhe shkaku i sulmeve, kritikave ose diskutimeve me tone të larta. Lajmi i mirë është se përveç aktorëve partiakë të politikës, në skenë është intensifikuar prania e aktorëve të tjerë, qofshin këto media të reja a të riformatuara, personalitete publike, publicistë, gazetarë apo analistë, ndërsa po përgatiten të hyjnë në treg edhe media të rrjeteve ndërkombëtare të informimit. Në fakt, protagonizmi i mediave përballë qeverive, partive politike apo aktorëve të tjerë me pushtet publik, flet më tepër në favor të mediave sesa kundër tyre sikurse mendohet rëndom. Nëse ato arrijnë të fitojnë protagonizëm publik dhe të jenë në qendër të vëmendjes së politikanëve, do të thotë se janë duke përmbushur minimalisht funksionet e tyre si “qen roje” të demokracisë. Lajmi i keq është se ky lloj protagonizmi i vonuar paraqitet më tepër si “kapardisje” sesa si qasje profesionale dhe në interes të publikut. Duket se ka një kor zërash kundër mediave njësoj si kundër politikës. Përgojimi sistematik i mediave nga eksponentë të politikës por jo vetëm, tani shoqëruar edhe me replika të ashpra e joetike mes njerëzve të medias dhe të politikës, mund të ndikojë që publiku t’i zhvlerësojë perspektivat e të dyja palëve.

Ka një ndarje edhe mes vetë protagonistëve të medias, që në disa raste merren me sulmet ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për anshmëri. Sa e dëmton ky fenomen për të qenë një media e fortë dhe a mungon “sindikalizmi pozitiv”, që të parët që duhet të mbrojnë gazetarët janë vetë gazetarët?

Tonet e ngritura mes vetë njerëzve të mediave dhe akuzat reciproke për anshmëri flasin pikërisht për protagonizëm publik por edhe politik. Nga pozicione dhe pole krejt të kundërta me njëri-tjetrin është e kuptueshme që do të ketë fërkime dhe përplasje dhe këtu nuk ka domosdoshmërisht një problem. Po kështu, gara mes tyre për protagonizëm më të lartë, audiencë dhe influencë, është e natyrshme. Nga ana tjetër, duke u shndërruar në protagoniste, edhe vetë media bëhet subjekt i medias. Dhe as këtu nuk ka domosdoshmërisht një problem. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, në forumet me gazetarë që kemi zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, më ka bërë përshtypje pikërisht kjo qasje për të cilën flisni ju. Gazetarët shfaqen të parët kritikë ndaj mediave. Ndoshta edhe më ashpër sesa vetë politikanët. Denoncojnë pothuajse gjithë spektrin mediatik, pa dallime, duke përfshirë kësisoj edhe veten e tyre si punonjës të këtyre mediave. Në këto kushte, si zor të përfytyrohet solidarizimi apo sindikalizmi mes kaq shumë kundërshtive dhe poleve të papajtueshme brenda vetë mediave. Së fundi, impulsi protagonist mes vetë mediave, mund të jetë nxitur pikërisht nga sfida që paraqesin mediat online dhe copëzimi i audiencave prej tyre. Gara për klikime, zhvendosja e vëmendjes drejt aspekteve lifestyle dhe gossip, shpejtësia dhe atypëratyshmëria e procesit të informimit, e kanë shndërruar krejtësisht tablonë mediatike edhe në Shqipëri. Ndaj protagonizmi mund të jetë karta e fundit që u mbetet mediave tradicionale për të luajtur, nëse nuk duan të përfundojnë karta të djegura…

 

Luarasi: Shenjë e mirë kur media sulmohet nga politikanët

Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë në Universitetin e Tiranës

Media po sulmohet nga të gjitha anët, veçanërisht nga eksponentë protagonistë të politikës. Fakti që sulmohet nga të gjitha palët, a tregon se media është në funksionin e vet?

Unë mendoj që në momentin që media sulmohet nga politikanët, kjo është gjithnjë një shenjë e mirë për median. E dëgjoj vazhdimisht nga politikanë e njerëz të ndryshëm që fajësojnë median, por unë mendoj se fajet në këtë vend nuk i ka vetëm media (sigurisht ajo ka rolin dhe fajin e saj në një shoqëri si e jona), por shumë më tepër fajet i ka politika dhe sistemi i korruptuar e i kapur. Në një vend si ky i joni, ku njerëzit presin të shohin spektaklin e radhës çdo të enjte në skenën e quajtur parlament, është mëkat të fajësosh median. Kjo më kujton shprehjen “mos i qëllo atij që të sjell mesazhin”. Nuk është faji i medias që fjala ka humbur peshën që duhej të kishte e shprehjet “hajdut, mashtrues, trafikant, i korruptuar” që i dëgjon në foltoren e parlamentit nuk kanë më asnjë peshë, siç duhej të kishin në të vërtet, sepse në gjithë këto vite nuk kemi parë asnjë politikan me peshë që paguan çmimin e hajdutërisë, trafikimit, korrupsionit dhe mashtrimit. Kjo e bën korrupsionin, vjedhjen, mashtrimin një gjë normale e shprehjet të humbasin rëndësinë e tyre të vërtet. Në një vend jo normal si ky i yni, ku pritshmëritë ndaj politikës, sistemit gjyqësor, shëndetësor, arsimor i kemi të ulëta, pse duhet të kemi pritshmëri kaq të mëdha për median? Ne nuk kemi parlamentarë që nuk kanë asnjë ndryshim me parlamentarët britanikë, e në një situatë të tillë pse duhet të pretendojmë se gazetarët që na pyesin e na intervistojnë janë njësoj si gazetarët e BBC????

Ka një ndarje edhe mes vetë protagonistëve të medias, që në disa raste merret me sulmet ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për anshmëri. Sa e dëmton ky fenomen për të qenë një media e fortë dhe a mungon “sindikalizmi pozitiv”, që të parët që duhet të mbrojnë gazetarët janë vetë gazetarët?

Është e vërtetë që ka ndarje mes vetë protagonistëve të medias, dhe sigurisht që media ka problemet e saj me paanshmërinë dhe objektivitetin. Por, në botën e sotme të zhvillimit të teknologjisë dhe informacionit nuk ka më asnjë mundësi që të mbash fshehur diçka që ndodh dhe madje kjo më duket një gjë super pozitive. Nuk di ndonjë ngjarje që ka ndodhur e që ka arritur të mbetet e fshehtë, sepse edhe nëse nuk trajtohet nga një media, ka shumë media të tjera që do ta publikonin apo transmetonin lajmin. Në fund të ditës, shumica e gazetarëve në këtë vend nuk janë njerëz të mirëpaguar, për më tepër janë qenie njerëzore, kanë familje për të mbajtur e kredi për të paguar. Kjo pa dyshim nuk është një justifikim e nuk mund të prevalojë misionin që ata kanë marrë përsipër të luajnë në shoqëri për të zbardhur të vërtetën në sytë e publikut, dhe pak “sindikalizëm” do i bënte shumë mirë medias që akuzohet për çdo gjë të mbrapshtë që ndodh në këtë vend. T’i japim Cezarit atë që i takon Cezarit…

 

Kazhani: Qëllimin e arrijmë kur media të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarit

Mira Kazhani, gazetare dhe drejtuesi e portalit “Tirana Post”.

Media po sulmohet nga të gjithë anët, veçanërisht nga eksponentë protagonistë të politikës. Fakti që sulmohet nga të gjitha palët, a tregon se media është në funksionin e vet?

Media si çdo gjë tjetër është e keqja e vetes sot. Sulmet kanë qenë e do jenë gjithmonë. Nuk na bëjnë sulmet as më të fortë as më të dobët, as heronj as çlirimtarë. Halli më i madh sesa një sulm a disa, është: ‘Paraliza dhe normaliteti që kalojmë çdo gjë ne tani. A do reagojmë ndonjë ditë si njerëz prej gjaku? Se di?!! Funksioni i medias shihet jo nga numri i sulmeve sot, se sot të sulmon çdokush. Madje sot e ngatërrojnë sharjen me të bërin gazetari. Që një media është mirë dhe funksionale, dëshmohet nga jeta e përmirësuar e një qytetari që ka humbur një gjyq pa të drejtë, e një gruaje që i ka shpëtuar dhunës dhe vrasjes, e një fëmije që mëson dhe edukohet më mirë. Media nuk matet me numrin e sulmeve dhe me numrat e zerove.

Ka një ndarje edhe mes vetë protagonistëve të medias, që në disa raste merret me sulmet ndaj njëri-tjetrit, duke akuzuar për anshmëri. Sa e dëmton ky fenomen për të qenë një media e fortë dhe a mungon “sindikalizmi pozitiv”, që të parët që duhet të mbrojnë gazetarët janë vetë gazetarët?

Ka një ndarje! Ndarje ka por kush po e bën diferencën? Gazetarët e mirë janë të izoluar, por sot nuk ka më të tillë. Fatkeqësia më e madhe është kur gazetarët mbrohen nga politika sesa kur sulmohen nga stani i tyre. Më mirë të zihemi sesa të bëjmë sindikalizma hipokrito-pozitiv, por të zihemi për të vërteten që u intereson qytetarëve dhe jo pronarëve rrogëdhënës dhe atyre politikë. Unë pres të më mbrojë puna ime në fund të ditës. Sigurisht e mirëpres një suport kolegu a kolegeje, se jam fyer dhe venë në sulm për punën time. A jam lënduar? Mjaft! Por nuk kam kështu ëndërrimesh. Nuk kam asnjë shok a shoqe në gazetari. Sot të gjithë i shoh vetëm, dhe zgjidhja nuk është te “shoqnia”, por te standardet dhe limitet morale. Po të kishim 3 a 4 parime gjallë, çdo gjë do ishte më normale, për burrat dhe gratë, dhe kam bindjen që një shoqëri normale varet nga gazetarët e saj më shumë sesa politikanët. Ne duke u bërë “mishngrënës” po hamë veten dhe fuqinë tonë. Më keq do bëhet. Pesimizmi është mbrojtja e vetme. Suksese MAPO në këtë diskutim. Prisni kur t’ju vënë në shënjestër domatesh së shpejti ose harrova fare jeni edhe ju…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama kërkon shkundje të administratës dhe “thellim” të Metës

Kryeministri Edi Rama kritikon qëndrimet e Presidentit Ilir Meta gjatë fushatës elektorale...
Read More