Grabitja 7 mln euro: Polici privat dhe makina “vetëzbuluan” grupin

grabitjaPolicia arreston katër persona, mes tyre edhe dy ish-efektivë të Forcave Speciale të Ushtrisë, të dyshuar si autorë të grabitjes së 9 shkurtit të këtij viti dhe 3 dhjetorit 2015, ku në këto ngjarje u rrëmbyen 7 milionë euro. Si arriti në gjurmët e autorëve policia dhe gabimi i vogël i protagonistëve me automjetin që u larguan, që i nxori zbuluar.

Një gabim i vogël i grabitësve të rreth 7 milionë eurove iu kushtoi humbjen e madhe. Pesë ditë pas grabitjes së bujshme në afërsi të Rinasit policia arreston katër persona të dyshuar si autorë të ngjarjes së 9 shkurtit të këtij viti dhe të 3 dhjetorit 2015, ku në total janë rrëmbyer nën kërcënimin e armëve rreth 7 milionë euro. Operacioni nisi mesditën e djeshme për të përfunduar rreth orës 18:00. Në pranga përfunduan Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë, banues në Tiranë, ish-punonjës i kompanisë së sigurisë “Rogat”; Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në forcat ushtarake; Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake të Zallherrit; Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat dhe u shpallën në kërkim M.A. dhe Ç.A. Lajmin për arrestimin e katër të dyshuarve e dha drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Sipas tij, pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej implikimi i të paktën 6 shtetasve. Po sipas burimeve zyrtare të policisë, i njëjti grup dyshohet se përveç grabitjes së 3.2 milionë eurove më 9 shkurt të këtij viti, janë edhe autorë të një tjetër ngjarjeje të ngjashme më 3 dhjetor 2015, kur pas sulmit me armë drejt dy blindave që transportonin para u rrëmbyen rreth 3.8 milionë euro. “Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare të konsiderueshme në valutën paund, dollarë amerikanë, kanadezë dhe australianë, euro dhe lekë shqiptare. Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto dy ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë” -deklaroi kryepolici i Tiranës. Nuk mund të qëndronte pa thënë fjalën e tij edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, aq i sulmuar pas grabitjeve të bujshme të vlerave monetare. “Shumë na kanë besuar, ca pak na kanë sharë. Të parët duan Shqipëri të drejtë, të dytët duan drejtësinë peng. Faleminderit të gjithëve që na kanë besuar. Faleminderit çdo burri e gruaje që punon ditë-natë në polici për t’iu shërbyer qytetarëve, për një Shqipëri më të drejtë, më të mirë e më të sigurt. Po bëjmë shtet, për t’iu shërbyer qytetarëve. Bravo Çuna” -mbyll reagimin e tij ministri. Ka dyshime se dy nga katër të arrestuarit janë persona që mund të jenë implikuar edhe në ngjarje të tjera brenda dhe jashtë vendit. Për policinë e kryeqytetit nuk ka asnjë dilemë që katër të arrestuarit dhe dy të shpallurit në kërkim janë autorë të dy grabitjeve të bujshme të shumave të mëdha që arrin në rreth 7 milionë euro.

Polici privat “zbuloi” ngjarjen

Ndër personat e parë të shoqëruar në polici pas ngjarjes së 9 shkurtit ishte Fation Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë së sigurisë “Rogat”. Ditën e ngjarjes ai gjendej në afërsi të zonës ku ndodhi grabitja. Dyshimet ishin se Xhyliu edhe pse me banim në Lushnjë në mënyrë disi të pazakontë gjendej në afërsi të fshatit Prezë. Pyetjes së përse ndodhej aty ai nuk i është përgjigjur saktë, duke deklaruar të dhëna kontradiktore, por në momentin e parë nuk ka pranuar se është pjesë e grupit që grabitën vlerat monetare. Dyshimet për implikimin e tij janë shtuar se ka qenë efektiv i kompanisë “Rogat security” në vitin 2015, pikërisht në kohën kur u grabitën rreth 3.5 milionë euro në afërsi të Qafës së Kasharit. Ndonëse ishte efektiv që shoqëronte vlerat monetare, ditët e grabitjes Xhyliu nuk ishte pjesë e eskortës, por kolegët e tij ranë në pritë. Për hetuesit kjo “koincidencë” nuk mund të ishte aq rutinë. Hetimet nisën pikërisht nga grabitja e parë më 3 dhjetor të vitit 2015 dhe duke analizuar provat, kishte të dhëna të mjaftueshme të dyshohej se ishte i njëjti grup kishte vepruar në të dyja rastet, përfshi edhe atë të 9 shkurtit. Pasi u mor në pyetje për disa orë, Xhyliu dhe vëllai i tij u lanë të lirë, kjo për shkak se ende nuk kishte prova të mjaftueshme. Mirëpo paraditen e djeshme policia mësyu sërish në banesën e Xhyliut, duke kryer arrestimin dhe më pas nisur operacionin edhe për ndalimin e personave të tjerë. Ndërsa një tjetër e dhënë që ndihmoi hetuesit në zbulimin e ngjarjes është fiksimi i automjetit me të cilin u larguan autorët, pasi iu vunë zjarrin dy fuoristradave të përdorura në vendin e ngjarjes. Në disa kamera sigurie është fiksuar mjeti “Golf 4”, që futet në autostradë në afërsi të Vorës dhe më pas nuk kishte më të dhëna për të. Madje në një moment ky mjet shkëmbehet më autopatrullën e policisë me shpejtësi të lartë. Duke fiksuar pamjet e kamerave të sigurisë, u grumbulluan të dhëna se bëhej fjalë për individët e ndaluar ditën e djeshme.

RENEA dhe FNSH në krye të operacionit

Duke qenë se konsiderohej një grup me rrezikshmëri të lartë, për kapjen e autorëve që ishin me banesa në Vorë, Fushë-Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë u angazhua një numër i madh i efektivëve të policisë. Në ballë të parë ishin forcat speciale RENEA dhe FNSH dhe pas katër orësh mundën që të arrestonin tre pjesëtarët e tjerë të dyshuar të grabitjes. Për më shumë mes të dyshuarve ishin edhe dy ish-ushtarakë të forcave speciale, të mësuar me përdorimin e armëve, apo largimet në rast rreziku. Në ndihmë të efektivëve ka qenë edhe një helikopter i policisë, që monitoroi nga ajri zonën ku do të kryhej operacioni. Që të katërt të arrestuarit janë gjetur në banesa të ndryshme, duke e bërë disi të vështirë ndalimin e tyre. Prania e madhe e forcave policore bëri që dy të dyshuarit me iniciale M.A dhe Ç. A, të vinin në zbatim planin e arratisjes. Edhe për këta persona strukturat e rendit mblodhën disa të dhëna duke marrë informacione se mund të fshihen në dy fshatra jo larg vendit ku ndodhi grabitja e shumave të mëdha monetare. Edhe për ta vijojnë kërkimet, por ende nuk ka pasur finalizim nga ana e policisë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kujtimet e Marsit 1992: Berisha rikthehet pas 5 vjetësh në “Opinion”

Ish-Kryeministri: Një nga ditët më të shënuara të jetës sime, por dhe...
Read More