Gramoz Pashko dhe fillimet e universitetit privat në Shqipëri

Tetor 2002, nis këtu historia e universiteteve private me themelimin e UNYT-së.  Akti kurajoz i njeriut të dhjetorit ‘90, sfidat e një rruge të re që do të kishte përballë fanatikët e arsimit publik, me argumentet gjysëmshekullore të mentalitetit komunist. Historia 15- vjeçare dhe debati për arsimin privat përkundrejt atij publik vjen e plotë në numrin aktual të revistës Mapo, tashmë në çdo pikë shitje. 

Akti i themelimit të PD-së më 12 dhjetor 1990, është nga nga ngjarjet më të mëdha të jetës politike të Shqipërisë. Ajo ngjarje shënoi kthimin e pluralizmit të ndërprerë dhunshëm e mizorisht nga diktatura komuniste në vitin 1944. Gramoz Pashko ishte pjesë e atij grupi intelektualësh e studentësh, që bënë të mundur këtë akt të fuqishëm themelimi. Gramoz Pashko ishte bërë ndërkohë, nismëtar i një grupi intelektualësh antikomunistë të cilët së bashku, në bodrumin e shtëpisë së tij, shkruan programin dhe hodhën idetë e para se si do të ishte opozita e re.

E njëjta vetëdije dhe kurajo u dëshmua prej Gramoz Pashkos edhe në vitin 2002 kur i dha jetë universitetit të parë privat në Shqipëri.  Dukej kaq i pamundur themelimi i një universiteti privat, në një vend si Shqipëria e cila kishte kthyer në mit të paprekshëm universitetin shtetëror. Në një vend ku ishte mbjellë në mendjet e njerëzve me dekada, ideja se vetëm shteti mund të ketë shkolla dhe aq më shumë universitete, se privati do të jetë dështim, do të jetë ai “gjakpirësi” për të cilin kishte folur gjysëm shekulli literatura, kinemaja dhe shkenca e kohës së komunizmit. Për Pashkon, ishte një sprovë po aq kurajoze sa ajo themelimin të opozitës së parë demokratike.

Akti i dytë i themelimit

Janë dy akte që plotësojnë Gramoz Pashkon, të ndarë midis jetës akademike dhe asaj politike. Bashkë me studentët e tij, mbërriti në vendin e duhur dhe në kohën e duhur të sheshi ku do të shkruhej historia e rrëzimit të sistemit komunist, atje ku do të themelohej Partia Demokratike. Ishte profesori i shumë studentëve të dhjetorit, që bashkë me ta do të shfaqej nëpër protestat historike të dhjetorit ‘90. Pas shumë dallgësh mes të cilave mbijetoi në politikën e dhjetë viteve të para postkomuniste, Gramoz Pashko do t’i kthehej sërish dashurisë së hershme, jetës akademike. Ishte një akt i guximshëm për kohën, themelimi i universitetit të parë privat në Shqipëri.

Ishte vjeshta e vitit 2002 kur nëpër auditorë do të uleshin studentët e tij të parë, në Universitetin e Neë Yorkut.

“Gramozi ishte shumë i lumtur me këtë sipërmarrje sepse e ndërtoi siç e donte, por dashuria për politikën ishte ende shumë e fortë. Gramozi e bënte politikën me zemër dhe me shpirt ndaj dhe zhgënjehej vazhdimisht”, i rrëfen kështu bashkëshortja e tij, Mimoza Pashko, dashuritë e jetës së Gramoz Pashkos. Universiteti ishte padyshim njëra prej tyre dhe shumë e rëndësishme, ndaj dhe ai ndërmori në një moment shumë të vështirë iniciativën “e çmendur” për hapjen e të parit universitet privat në Shqipëri.

Ashtu ishte Gramoz Pashko, ekspresiv, i rrëmbyer, por i dashuruar më së pari me lirinë. E kërkoi lirinë edhe për jetën akademike, kur themeloi universitetin NYT, larg burokratizimit të jetës skematike universitare që ofronte në atë kohë Universiteti Publik.

Ai punoi me pasion dhe dashuri të madhe për ta ngritur e për ta përsosur NYT, deri në fund të jetës së tij. Në korrik të vitit 2006, Gramoz Pashko u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti tragjik dhe la pas një jetë të rrëmbyer politike, por edhe jetën akademike, të jetësuar në NYT.

15 vjet histori e universiteteve private

Këtë vit NYT mbush 15 vjet dhe do të mbetet si Universiteti i parë privat në historinë shqiptare. Të tjera universitete private do të hapeshin ato vite të para pas NYT, për të vazhduar betejën aspak të drejtë midis privates dhe publikes. Rektori i universitetit të Neë Yorkut, Fatos Tarifa, e rrëfen historinë qysh tek akti i themelimit e në vazhdim. Profesor Tarifa nuk ishte në Shqipëri në atë kohë kur nisi rrugën arsimi i lartë privat, por kthimi i tij në Shqipëri lidhet pikërisht me Universitetin privat sepse një ndër arsyet që e kthyen atë në Tiranë ishte edhe mësimdhënia në Universitetin Europian të Tiranës. Është i treti universitet privat në Shqipëri pas New Yorkut e Luarasit.

“Sektori i arsimit të lartë privat në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera ish-socialiste, u popullua shumë shpejt, edhe pse vetë procesi i krijimit dhe i zgjerimit të këtij sektori ka qenë—dhe vazhdon të mbetet—shumë i vështirë. Ai është ndeshur e vazhdon të ndeshet me pengesa të shumta, që janë jo thjesht financiare, por kryesisht sistemike dhe që kanë të bëjnë me një traditë të kalcifikuar në fushën e arsimit të lartë, me mentalitetet sunduese etatiste, me rolin e aktorëve politikë në këtë proces, me praktika të skajshme burokratike e korruptive në çdo hallkë të aparatit administrativ dhe deri me motive të dobëta të një pjese të elitës akademike në universitetet shtetërore, veçanërisht të elementëve më mediokër të saj.

Në rrethana të tilla, krijimi i sektorit privat në arsimin e lartë ishte jo thjesht një risi, por edhe një test dhe një sfidë serioze për sistemin universitar dhe për tërë jetën akademike në vendin tonë. Me krijimin e universiteteve dhe të shkollave të tjera të larta private, edhe pse dora e shtetit në veprimtarinë e tyre mbeti dhe vazhdon të jetë ende e fortë, monopoli i tij mbi këtë sistem ra. Kjo duhet konsideruar si një arritje e madhe për jetën akademike, kulturore e shoqërore në këtë vend. Krijimi i sektorit privat çliroi energji të pashfrytëzuara dhe hapi mundësi të reja për zhvillimin e arsimit të lartë në vendin tonë. Ai lançoi vlera e principe të reja, mundësoi konkurrencën dhe praktika më të avancuara, vuri në veprim dhe energjizoi kapacitete të fjetura, duke sjellë një ndryshim pozitiv në tërë dinamikën e zhvillimit e të modernizimit të krejt sistemit të arsimit të lartë.

Në këtë kuadër transformimesh të rëndësishme në fushën e arsimit të lartë e të shkencës, UNYT ka, pa dyshim, një rol dhe një meritë të veçantë. Ky universitet jo vetëm ishte i pari me të cilin u inaugurua sektori privat i arsimit të lartë në Shqipëri, por edhe ka qenë, në këto 15 vite të veprimtarisë së tij—dhe mbetet—një ndër universitetet avangardë të mbarë sistemit, bashkë me “kohortët” e tij—Universitetin Europian të Tiranës, Universitetin Polis, institucionet e arsimit të lartë “Marin Barleti” dhe “Luarasi” e ndonjë tjetër”, thekson profesor Tarifa.

Themeluesi i Universitetit Luarasi, prof. dr. Aleks Luarasi, është i dyti që ndërmori hapin e vështirë për çeljen e një universiteti privat. Kishte qenë një ëndërr e hershme e tij, por që u bë realitet në vitin 2003, një vit pas atij të Neë Yorkut, i cili ishte një shtysë e rëndësishme për të.

“Idetë lindin nga ëndrrat, për t’u jetësuar më vonë në realitet. Unë kam punuar për një kohë të gjatë, rreth 30 vjet si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në periudhën e monizmit dhe të demokracisë. Qysh atëherë kisha një ëndërr të fshehtë: të themeloja një universitet privat, sikurse kishim dëgjuar që ekzistonin në vende të tjera të botës. Natyrisht që kjo ishte e pamundur para viteve ‘90, madje e paimagjinueshme. Dëshira bazohej në synimin për të krijuar një shkollë ndryshe, të reformuar sipas modeleve të huaja e të përparuara, por edhe sipas ideve që vlonin në mendjen time e që i shihja veçse në ëndërr, pa i ndarë me njeri tjetër.

Dëshira ime u bë e mundur të realizohej kur në vendin tonë u miratua legjislacioni përkatës. Në v. 2002, Gramoz Pashko themeloi Neë York University. Kjo ishte një shtysë tjetër për mua”, rrëfen profesor Luarasi.

Në këtë numër reviste, janë dy intervista, me themeluesin e Universitetit Luarasi dhe me rektorin aktual të Universitetit të New Yorkut, Fatos Tarifa. Do të jetë në këtë numër reviste edhe një intervistë e rëndësishme me një prej studentëve të parë të këtij universiteti, Alqi Bllako, që në saje të arsimimit në UNYT, pati një karrierë të shkëlqyer në institucione të rëndësishme për të mbërritur deri te posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, detyrë që e kryen aktualisht.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Transferimi i studimeve, një shans i dytë për diplomën tuaj

Bashkë me regjistrimet për herë të parë në universitet, çdo fillim vjeshte...
Read More