Gratë e paharruara: Shekspiri në dhjetë akte



shekspiri_153358

Biblioteka Britanike hap një ekspozitë me portrete dhe relike të disa prej aktoreve më të paharruara, që kanë luajtur rolet shekspiriane. Kuratorët kanë shprehur për herë të parë disa të dhëna që lidhen si me ndryshimin nga origjinaliteti të rreshtit të famshëm të Hamletit, ashtu dhe portretit të ndërlikuar të Shekspirit, duke u konsideruar ende një mister edhe pse ekzistojnë shtatë pamje të dramaturgut anglez

“Shekspiri në dhjetë akte” është një ekspozitë e re në Bibliotekën Britanike, që shënon 400-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit. Ekspozita ofron një pasqyrë unike të jetës dhe karakterit të dramaturgut, së bashku me reliktet e lidhura me disa nga aktorët më të famshëm shekspirianë.

Është një objekt i rrallë dhe Biblioteka Britanike krenohet me të – botimi i parë i Hamletit në vitin 1603. Vetëm tre vjet më parë Shekspiri kishte interpretuar në tragjedinë e tij më të famshme në teatrin Globe pranë brigjeve jugore të Lumit Tamiz. Asnjë dramaturg nuk është pa kritikë dhe vepra tjetër që pason Hamletin, shoqërohet edhe me kritikën e parë për të. Kritika komenton për Romeon dhe Xhulietën: “Të rinjve u pëlqen Venusi dhe Adonisi i Shekspirit, por Hamleti është tërheqës për më të zgjuarit.”

Në katër shekuj duket se pak ka ndryshuar. Pavarësisht se shumë pak nga sendet e Shekspirit kanë mbijetuar në 400 vjet, në këtë kuti xhami ndodhen disa dokumente origjinale të kontratave të teatrove të tij. Biblioteka Britanike thotë se një nga mbishkrimet është i vetë Shekspirit.

Merret me mend sa i gëzuar ka qenë ai kur bleu teatrin Globe.

Biblioteka thotë se ekspozita synon të hedhë dritë të re mbi Uilliam Shekspirin, si njeri dhe sesi ai u bë një ikonë e kulturës. Një nga thesaret këtu është kafka e përdorur te Hamleti nga aktorja Sarah Bernhardt në vitin 1899. Skena me kafkën e Hamletin e ka bërë Jorikun një nga personazhet më të famshëm të Shekspirit. Kafka iu dhurua aktores Bernhardt në vitin 1899 nga shkrimtari francez Viktor Hygo. Zoe Wilcox është kuratore e ekspozitës, e cila është shprehur se: “Në vitin 1660, kur teatrot u rihapën pas Luftës Civile, kompanitë interpretuan skenat më të pëlqyera dhe skena e varrmihësit te Hamleti ishte një nga skenat e shkurtra komike që ishte shumë popullore.” Por, Hamleti që ne njohim sot, nuk është i njëjti me dramën origjinale të Shekspirit që ndodhet në bibliotekë, madje, edhe rreshti i famshëm që jemi mësuar të dëgjojmë në teatër, “Të rrosh, a të mos rrosh, kjo është çështja”, ka qenë disi ndryshe në origjinal, më i zbutur, thotë kuratorja, “të rrosh a të mos rrosh, si i bëhet”.

Nga Biblioteka Britanike njoftohet se ceremonia në Stratford e çimentoi atë si shkrimtarin dhe dramaturgun më të arrirë në gjuhën angleze dhe në Angli. Pavarësisht informacionit që përcjellin të gjitha këto objekte, askush nuk është i sigurt se si dukej nga pamja Shekspiri. Një ekran në Bibliotekën Britanike tregon portrete të ndryshme që pretendojnë ngjashmërinë e tij.

Greg Buzwell, bashkëkurator i ekspozitës, tha se: “Për sa i përket pamjes së tij, është diçka shumë e ndërlikuar, për shkak se ka gjashtë apo shtatë imazhe ose portrete për të, që i afrojnë Shekspirit, por kur i shikon, ata ndoshta duken pak ndryshe nga njëri-tjetri. Prandaj paraqitja e tij është mister.” Ekspozita ka portrete dhe relike të disa prej aktoreve më të paharruara, që kanë luajtur rolet shekspiriane, përfshirë Sarah Siddons, Ellen Terry dhe Vivian Leigh. Ekspozita “Shekspiri në dhjetë Akte” u hap më 15 prill dhe do të vazhdojë deri më 6 shtator. (VOA)

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Aksidenti që u kthye në dashuri!

Robert e ndoqi hijen e saj deri sa humbi tej rrugicave të...
Read More