Greqia nuk mund të na japë mend për ligjin e pakicave

Nga Ervis Iljazaj

Parlamenti i Shqipërisë ka aprovuar ligjin për minoritetet para disa ditësh, nën shenjën e debateve midis qeverisë dhe përfaqësuesit të minoritetit grek, deputetit Vangjel Dule.

Pa hyrë në detaje se çfarë përmban ligji, është për t’u përshëndetur fakti se vendi ynë më në fund ka një ligj i cili i respekton pakicat në të gjitha drejtat e tyre sipas parimeve dhe principeve ndërkombëtare.

Mirëpo kjo nuk mjaftoi për fqinjin tonë Greqinë, dhe menjëherë erdhën deklaratat e politikës greke në kundërshti të këtij ligji. Ky reagim nuk është ndonjë lajm i ri për opinionin publik shqiptar, pasi ndërhyrjet dhe qëndrimet e Greqisë në politikën e brendshme janë konstante sa herë që bëhet fjalë për minoritetin grek.

Kësaj herë nuk ishte një ndërhyrje çfarëdo, por një deklaratë e Presidentit të Republikës së Greqisë, i cili na kërcënoi me integrimin në Bashkimin Europian.

Përtej atyre deklaratave, një gjë është e sigurt, se Greqia më së paku nuk mund të na japë mend apo të na mësojë se si trajtohen pakicat në një vend të caktuar. Sepse asnjëherë nuk është shquar për tolerancë apo respektim sipas standardeve dhe ligjeve ndërkombëtare të tyre. Kush ka jetuar apo ka udhëtuar ndonjëherë në vendin fqinj, e di fare mirë ketë gjë, sepse politikën e shtetit grek e kanë vuajtur në kurriz, sidomos pakicat shqiptare atje. Në këtë kuptim, Greqia nuk është vendi i duhur, për t’u marrë shembull në këtë drejtim.

Prandaj, deklaratat e Presidentit grek, afër kufirit me Shqipërinë, Korfuzin, ngjajnë më shumë si një sforcim për të bërë detyrën e zakonshme të hijeve dhe paranojave nacionaliste dhe “armiqve” që e rrethojnë.

Nuk jam i sigurt nëse Greqia ka një ligj për minoritetet apo jo, por më sa kuptohet me shumë mundësi nuk e kanë një të tillë. Kështu që është e tepërt nga ana e saj të kritikojë një ligj, që më së paku i njeh këto minoritete me status juridik dhe kushtetues.

Të gjithë e dinë, që nëse ka një minoritet që gjithmonë ka patur tolerancën dhe të drejtat që i takojnë, është ai grek.

Reagimi i politikës ndaj deklaratave të Presidentit grek ishin në tonet dhe mënyrën e duhur. Shumë mund të mendojnë që reagime të tilla përkeqësojnë marrëdhëniet me vendin fqinj, të cilat konsiderohen të rëndësishme për gjeopolitikën dhe integrimin e Shqipërisë. Ndoshta është e vërtetë, por ne nuk mund të vazhdojmë të pranojmë çdo qëndrim dhe deklaratë të politikës greke. Një politikë të tillë, Shqipëria e ka vuajtur gjatë gjithë tranzicionit, pikërisht nga kompleksimi që kemi patur ndaj Greqisë.

Prandaj, reagimi i Ministrisë së Jashtme duhet përshëndetur. Një gjë tjetër është të ruash fqinjësinë e mirë dhe tjetër gjë është të pranosh çdo vendim apo ndërhyrje nga fqinjët.

Fqinjësia e mirë, më së pari ndërtohet mbi marrëdhëniet e barabarta dhe kushteve të njëjta negociatash. Në këto momente marrëdhëniet nuk duken aspak të barabarta, pasi nga ana e Greqisë ka një mungesë totale të respektimit të politikës së brendshme shqiptare, gjë e cila nuk ndodh asnjëherë anasjelltas.

Fakti që Greqia është vend anëtar i Bashkimit Europian dhe integrimi ynë varet edhe nga vota e saj, nuk duhet të na bëjë të harrojmë parimet e patjetërsueshme të sovranitetit kombëtar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për Birrën Shqiptare: Kur uji i Moravës u kthye në biznes

Historia nis më 1928. Një sipërmarrës italian e një shqiptar marrin me...
Read More