Gropat që na vrasin për amatorizëm dhe neglizhencë

aksidentiVdekja e 18-vjeçarit Kristi Panajoti në Lungomare të Vlorës hap debatin e madh të aksidenteve që shkaktohen nga punimet në rrugë. Papërgjegjshmëria e kompanive ndërtuese dhe institucioneve shtetërore çojnë në tragjedi. Flet eksperti i qarkullimit rrugor, Gëzim Hoxha.

Nga Sebi Alla

Jeta e 18-vjeçarit Kristi Panajoti ishte destinuar të përfundonte në një gropë të madhe të hapur për ndërtimin e aksit Lungomare në Vlorë.

Gropa mbi 3 metra shënohej vetëm nga një tabelë rreziku trekëndësh e fshehur në errësirë.

Shoferi thotë se as ka mundur ta dallojë atë, as ta shmangë para se të përfundonte bashkë me mjetin brenda saj, prej nga doli i lënduar ndërsa pasagjeri që udhëtonte me të humbi jetën.

Policia ka arrestuar shoferin ndërkohë, por edhe dy drejtues të firmës u prangosën pas denoncimit të familjarëve se në fakt faji ishte i rrugës.

Kjo rrugë e kthyer në tmerr për trafikun e rënduar përgjatë verës, u bë mbrëmjen e të shtunës edhe një vend vdekjeje, tani në buzë dimri.

Nuk është rasti i vetëm ku aksidentet shpesh me pasoja për jetën ndodhin pikërisht për shkak të punimeve në rrugë, mungesës së sinjalistikës dhe mosmarrjen e masave të duhura nga kompanitë dhe institucionet shtetërore që i mbikëqyrin.

Eksperti i qarkullimit rrugor Gëzim Hoxha, shprehet se ka problematikë serioze në të gjithë vendin, ku pikërisht për shkak të mosmarrjes së masave gjatë kohës që kryhen punime në rrugë kanë ndodhur shumë aksidente.

“Ngjarja e Vlorës është rasti tipik ku nga këqyrja paraprake duket se aksidenti mund të ketë ndodhur për shkak të mungesës së sinjalistikës së nevojshme dhe mosmarrjen e masave nga kompania që kryen punimet. Madje edhe sot që flasim, edhe pas ngjarjes, sinjalistika është e gabuar, ajo është vendosur shumë afër gropës dhe jo 100 metra para saj. Për më shumë në buzë të vendngjarjes kanë vendosur një ekskavator, që në rastin më të keq një automjet nuk mund të bjerë në gropë, por do përplaset me mjetin e rendë” -shprehet Hoxha, teksa shton se janë amatorizma të shoqërive të ndërtimit dhe neglizhencë totale, pasi nuk kërkojnë investime serioze, por vendosjen e elementeve të duhura që do të mund të shmangin ngjarjet fatale.

Familjarët e djalit 18-vjeçar bënë përgjegjës pikërisht drejtuesit e kompanisë që kryente punimet dhe para dhimbjes së madhe për humbjen e të birit, bënë thirrje që shkaktarët të dalin para ligjit.

Nuk vonoi gjatë dhe Prokuroria e Vlorës lëshoi urdhër-ndalimi për Ilirian Tahmazin, me detyrë përgjegjës i sigurimit teknik dhe Tomorr Cenën, me detyrë inxhinier zbatues i projektit, të cilët akuzohen për shkelje të rregullave dhe mbrojtjes në punë.

Nga ana tjetër policia ka gati prangat edhe për drejtuesin e automjetit, 21-vjeçarin Petraq Beja.

Ai teksa ende merr mjekimet në spital dha dëshminë para hetuesve, ku sipas tij punimet pa tabela paralajmëruese ishin shkaku i aksidentit vdekjeprurës.

“Nuk kishte ndriçim, ishte e vështirë të kuptoje se në mes të rrugës ishte e hapur një gropë e madhe” –është shprehur Beja, i cili mbeti edhe vetë i plagosur, ndërsa shoku i tij Kristi Panajoti humbi jetën, pikërisht në atë gropë të madhe të hapur në mes të aksit.

Një ngjarje e ngjashme me fatkeqësinë e Panajotit ishte edhe ajo e verës së këtij viti në Velipojë.

Katër të rinj, dy italianë Xhorxho Anxhelo, Giovanni Sanguedolce dhe shqiptarët Besmir Kola dhe Artenisa Peraj, humbën jetën pasi automjeti i tyre doli nga rruga dhe përfundoi në hidrovorin e Velipojës.

U desh kjo tragjedi që në vendin ku ndodhi ngjarja më pas të hidhej një kamion me çakull, për të bllokuar atë kthesë të rrezikshme.

Ngjarje të tilla të shpeshta bëjnë bujë vetëm në ditët e para, ndërsa më pas gjithçka mbetet e harruar, për t’u marrë sërish me aksidentin e radhës, që vjen në të ardhmen, shpeshherë shumë të shpejtë.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika, në një prononcim të shkurtër për gazetën “Mapo”, duke komentuar për aksidentin e Vlorës, tha se nuk është përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar që të mbikëqyrë punimet në rrugë, apo të vendosë masa për kompanitë që shkelin rregullat.

“Nuk është përgjegjësi e ARRSH-së, pasi përveç kompanisë që kryen punimet, ka kompani që i mbikëqyrin ato dhe është e rregulluar me ligj se si duhet të veprohet në rast shkeljesh” -komenton Xhika.

Dhe si në shumë raste të tjera nuk është se mungon baza ligjore, por çalon zbatimi i saj.

“Ne kemi një VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave), e cila është shumë e rregulluar, por nuk vihet në zbatim si duhet. Aty është përcaktuar se si ndërtohet rruga, masat që duhet të merren në sinjalistikë apo rregullimet e nevojshme për lëvizjen e lirë” -shprehet Hoxha.

Por vendimi mbetet i mirë për t’u lexuar, praktikisht nuk zbatohet dhe për më shumë institucionet përgjegjëse qendrore dhe vendore në raste të tilla shmangin përgjegjësitë.

“Gjithmonë ka pasur aksidente rrugore, kur bëhen punimet. Kam bërë disa ekspertiza dhe për mosmarrjen e masave në rrugë kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda me pasoja për jetën. Konstatoj se nga firmat e huaja çështja merret seriozisht dhe aplikojnë masa të forta sigurie, pasi e dinë se nëse ndodhin aksidente, kostoja që ata paguajnë është e madhe. Ndërsa kompanitë shqiptare duket se nuk e kanë në konsideratë marrjen e masave” -pohon Hoxha.

Për specialistët e sigurisë rrugore ka ardhur momenti, madje është kaluar në kohë, që duhet të krijohet autoriteti mbikëqyrës i sigurisë rrugore, që të ketë tagrin e kontrollit dhe madje të kenë atribut që të vendosin penalizime si për kompanitë që kryejnë punimet, ashtu edhe për strukturat që vendosin sinjalistikën.

Shpesh përgjegjëse direkte bëhet policia, por në raste të aksidenteve problemi nis që nga rrugët e amortizuara, mungesa e sinjalistikës, kolaudimi i automjeteve që nuk plotësojnë kushtet teknike dhe deri në dhënien pa kriter të lejeve të drejtimit.

Në një dekadë, 3.184 të vdekur në aksidente rrugore

Në dhjetë vitet e fundit në aksidentet automobilistike kanë humbur jetën 3.184 persona, ndërsa mijëra të tjerë janë të gjymtuar përjetësisht.

Bilance të tilla, të denja për pasojat e një lufte, detyruan drejtues të policisë së shtetit që të ndërmerrnin aksione të shumta sensibilizuese për pasojat e aksidenteve.

Shkaqet janë nga më të ndryshmet, ku shpejtësia tej normave të lejuara vijon të mbetet shkaku kryesor që po vret shqiptarët në rrugë.

Më pas vijnë problemet në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës. Gjithashtu, edhe humbjet e jetës së këmbësorëve ngelin pas, kryesisht në akset nacionale. Vijojmë të mbesim vendi me aksidentet më të shumta automobilistike në Europë, ku mesatarisht i bie që një person në ditë të humbë jetën si pasojë e aksidenteve.

Vetëm tre muaj më parë të 12 drejtorët e qarkullimit rrugor në vend e panë veten të shkarkuar në mënyrë të menjëhershme, pikërisht për shkak të shifrave të larta të aksidenteve.

Megjithatë “trendi” nuk ka ndryshuar dhe situata vijon të mbesë emergjente.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mister fati i dy pengjeve shqiptare, ndryshojnë kërkesat e Salam

Egjiptiani pengmarrës mban në ankth familjet e marinarëve shqiptarë Luan Mema dhe...
Read More