Gruaja nuk ekziston

Nga Klementin Mile* 

Shprehja e zakonshme e grave, kur u zhgënjehen pritshmëritë nga ndonjë burrë, është se “të gjithë meshkujt janë njësoj”. Gratë kanë të drejtë; veçse jo në kuptimin që meshkujt i katranosin gjërat (femrat i katranosin po aq shumë). Ato kanë të drejtë në një kuptim ontologjik. Për meshkujt vërtet mund të flitet në terma universalë, siç propozon fjala “të gjithë”. Te meshkujt mund të gjesh karakteristika të përbashkëta, çka mundëson përfshirjen e tyre në një klasë. Të paktën ky ishte përfundimi ku arriti psikanalisti i famshëm francez, Jacques Lacan.

Por për të qenë korrekt me gjuhën dhe besnik ndaj mendimit të Lacanit, duhet të themi se ai iu referohej jo aq meshkujve dhe femrave, se sa maskilitetit dhe feminitetit. Kjo do të thotë se për Lacanin nuk kishte rëndësi nëse ishte femër apo mashkull personi që manifestonte maskilitet ose feminitet. Femra dhe mashkulli janë thjesht lënda e parë prej së cilës mund të prodhohet maskiliteti ose përndryshe feminiteti. Në konceptimin e Lacanit, të thuash “të gjithë meshkujt janë njësoj” do të thotë të pranosh që maskiliteti është një fenomen me shtrirje universale. Kjo nënkupton që mund të flitet në terma përgjithësues për ekzistencën e Burrit.

Lidhur me feminitetin, Lacan u shpreh në mënyrë kontroversale se “Gruaja nuk ekziston”. Te gratë nuk mund të gjesh karakteristika të përbashkëta, të tilla që ato të jenë esenciale për feminitetin e tyre. Secila grua e mishëron feminitetin e vet në mënyrë unike dhe prandaj nuk kanë kuptim fjalitë që fillojnë me termat “të gjitha gratë…”. Ndryshe nga shtrirja universale e maskilitetit, feminiteti është fenomen me shtrirje singulare – feminiteti i Anës, feminiteti i Xhulias, feminiteti i Henrikut.

Ky konstitucion ontologjik i ndryshëm i maskilitetit dhe feminitetit ka rrjedhoja praktike që e strukturojnë në mënyrë radikalisht të ndryshme sferën e veprimit të burrave dhe grave. Kështu maskiliteti, duke qenë një fenomen me shtrirje universale (çka do të thotë se te të gjitha subjektet maskuline mund të gjesh karakteristika esenciale të përbashkëta), formon bazën e artikulimit politik. Jo më kot termi politik më i përdorur në të gjitha kohërat dhe vendet është “Ne”. Ky term shpreh kontratë, vullnet të përgjithshëm, interes publik, vendim të detyrueshëm kolektivisht – të gjitha këto manifestime tipike të politikës. “Ne duhet…”, “Ne kemi marrë përsipër…”, “Ne do të bëjmë…”.

Feminiteti, nga ana tjetër, formon bazën ontologjike të artikulimit etik. Feminiteti ka vetëm shtrirje singulare, ai thotë “Unë”. Është e lehtë të imagjinojmë gjykime etike për çfarëdolloj situate, thjesht duke i shtuar foljen “duhet” termit “Unë”: “Unë duhet të mbroj vendin tim”, “Unë nuk duhet të gënjej”, “Unë duhet të ndihmoj të varfrit” etj. Ndryshe nga gjykimi politik, i cili mund të jetë i vlefshëm praktikisht (pra efektiv) vetëm nëse përfshin një shumësi njerëzish (“Ne”), gjykimi etik mund të jetë efektiv edhe atëherë kur njeriu të cilit i adresohet është vetëm një (“Unë”). Singulariteti, i cili krijon feminitet, është gjithashtu i aftë ta legjitimojë etikën.

Problemi është se në shoqërinë bashkëkohore është bllokuar rruga e kalimit nga etika në politikë. Vendimet e rëndësishme për jetesën në komunitet merren politikisht, pra në bazë të karakteristikave maskuline. Zëri etik feminin ka vetëm rol dekorativ, pasi është e pamundur që vizionin singular ta përkthesh në terma universalë – ajo çka vlen për mua nuk vlen domosdo për të gjithë ne. Në këto kushte, e vetmja mënyrë se si gratë mund ta influencojnë realisht politikën, është duke sakrifikuar feminitetin, singularitetin dhe etikën. Por edhe këto sakrifica mund të jenë të kota pasi, nëse Gruaja nuk ekziston, si mund të mbrohen të drejtat e Saj?

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund të ketë shtet të së drejtës pa drejtësi?

Nga Prof. Gjergj Sinani Në diskursin e politikanëve, shumë rrallë, për të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *