Grupi i “sabotatorëve të naftës”: Arrestimet e 7 inxhinierëve nën sytë e Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit

Historia e një prej grupeve më të bujshëm të goditur politikisht para viteve ’90. Si nisi sulmi në aktivin e Patosit nën orkestrimin e Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit dhe arrestimet menjëherë pas thirrjes në turmës: Kriminelët në Litar. Kush ishin inxhinierët e shquar që u arrestuan në vitin 1975 dhe nisja e hetuesisë së tyre

Shpërthimi i Koço Plakut në hetuesi: Enver Hoxha e ka mbushur tokën shqiptare me varre, duke u marrë shpirtrat sa e sa njerëzve.

Nga Shpëtim Koli

Stalini nuk ia kishte lënë mangut me procese politike çdo brezi që e mendonte si sabotator. Aty ku ishte dështimi i tij dilte një ndëshkim i ashpër me prerje kokash. Kjo përligjte çdo dështim ekonomik të sistemit të tij. Në këtë rrugë eci pikë për pikë edhe nxënësi besnik i Stalinit, Enver Hoxha. Në vitet ’70 Shqipëria kishte hyrë në valën e disa proceseve masive në drejtim të kulturës, ekonomisë dhe kulturës. Dështimet e mëdha në fushën ekonomike iu vunë Koço Thoedhosit dhe Abdyl Këllezit në plan të parë dhe Vasil Katit e Kiço Ngjelës. Mirëpo u implikuan edhe një numër i madh ekonomistësh dhe specialistësh të kësaj fushe. Një prej fushave më të lakmuara në këtë gjueti shtrigash ishte edhe ajo e naftës. Midis punës së palodhur të inxhinierëve të naftës dhe kërkesës së udhëheqjes komuniste ishte në mes shkenca dhe e vërteta e madhe. Udhëheqjes nuk i leverdiste të mos dilte fjala e saj për zbatim plani, apo për mungesë investimi. Duhej të dilte në kohën e duhur dhe në vendin e duhur aq naftë sa kishte vendosur “naftëtari” udhëheqës. Vigjilenca që kishte treguar Partia e Punës në këtë drejtim ishte e madhe. Ishte ngritur nga Sigurimi i Shtetit një degë të posaçme që merrej me gjetjen e “armiqve” në radhët e njerëzve më të përkushtuar të shkencës dhe studimeve. Nuk mjaftonte vetëm ajo që bënte përditë me jetën e njerëzve të thjeshtë, por vazhdonte deri në mënyrën më kriminale me njerëzit më të papërsëritshëm që mund të kishte ky vend, me shkencëtarët. Fatin më të keq e patën pikërisht ata që iu nënshkruar proceseve politike pa pasur asnjë bazë vërtetësie në akuzat që ngriheshin.
Ishte viti 1970 kur Shqipëria po përgatitej të niste goditjen e grupeve të mëdha në ekonomi, kulturë dhe ushtri. Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit do të kalonte një degë të posaçme të saj jashtë Tiranës, pikërisht në Fier, e cila do njihej me emrin Dega e Naftës. Kjo degë u ngrit në mars 1970. Ajo kërkonte të gjente dhe të sajonte me çdo kusht sabotatorët në naftë. Filloi menjëherë ngritja e rrjetit agjenturor – operativ si dhe përpunimi i një numri i madh inxhinierësh dhe punonjës. Spiunllëku doli në plan të parë, bërja e gropës së tjetrit, shpirtrat e zinj, shkatërruesit e sa e sa jetëve të njerëzve.
Dega e Naftës funksionoi deri në vitin 1984.

Aktivi i Patosit

Goditjet në rastin e inxhinierëve të naftës vinin midis organeve të partisë dhe atyre të Sigurimit. Kur mbaronte punë partia, ia niste Sigurimit. Personi më i njohur i “grupit” të madh të naftës ishte Koço Plaku. Në goditjet e saj kishin qenë viktima në kohë të ndryshme 4 vëllezërit e kësaj familjes. Njëri u vra në mënyrë të pabesë gjatë luftës. Tjetri i helmuar pas luftës. Panajot Plaku i arratisur në Jugosllavi vdiq në mënyrë enigmatike në Jugosllavi. I fundit që kishte mbetur gjallë ishte gjeologu Koço Plaku. Rasti më i mirë, pasi i ishte shfrytëzuar puna kërkimore shkencore, ishte përfshirja e tij nga diktatura në grupin e personave të destinuar për t’u dënuar si pjesë e llavës së nxehtë të proceseve të atyre viteve. Por si të gjitha planet e zeza të diktaturës, ka një pikënisje të gatimit të asaj që pritej të ndodhte. Për naftën një rast i tillë ishte aktivi i Partisë së Punës i Patosit, i marsit 1975 me pjesëmarrjen e “gjeologëve” Ramiz Alia (sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Adil Çarçani (zëvendëskryeministër i parë). Në një sallë të tejmbushur me fanatikë dhe me njerëz të tjerë të këtij kallëpi, duke imituar proceset e para politike të pasvitit 1945, njerëz të irrituar bërtisnin në eksitim e sipër “kriminelët në litar”. Pas gjithë kësaj skene të denjë për kohët mesjetare, me të dalë nga kjo sallë, nisën arrestimet e të piketuarve për t’u arrestuar. Ishte 25 marsi i viti 1975 kur nisën këto arrestime.

“Grupi”

Rreth një vit më parë, ishte arrestuar Nuredin Skrapari për agjitacion e propagandë. Atij do t’i bashkohej edhe “grupi” tjetër për të dhënë më së miri idenë e “sabotazhit në grup”.
Hetues injorantë që nuk e kishin idenë e për gjeologjinë dhe naftën, duke pasur afër ekspertë nga më të paaftët e kishin të lehtë të ngrinin akuza, pasi flisnin për gjëra që as vetë nuk i kuptonin e jo më t’i kuptonin të tjerët.
Enver Hoxha ishte ai që në mitomaninë e tij ishte i fiksuar, jo vetëm në hakmarrje deri edhe personale, por edhe në aftësinë për t’u quajtur ai “zbuluesi” i vërtetë i naftës shqiptare.
Në Tiranë është zhvilluar hetuesia ndaj “grupit të naftës”. Pikërisht nga këto përgjime dhe nga zhvillimi i gjyqit kemi arritur edhe të dëgjojmë zërin e Koço Plakut, sidomos në shpërthimin aq përcaktues se Enver Hoxha e kishte mbushur tokën shqiptare me varre duke u marrë shpirtrat sa e sa njerëzve.
Kryetar i grupit hetimor, Ferhat Matohiti, e paraqiti aktakuzën e tij më 29 prill 1976, ndërsa kjo gjeti menjëherë miratimin e prokurorit të përgjithshëm.

*
Proces me dyer të mbyllura

I mbajtur sot, më datën 11.6.76 nga Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë e formuar me:
Kryetare seance: Eleni Selenica, zv/kryetare e Gjykatës së Lartë, me ndihmësgjyqtarë: Mitat Goskova, Fehmi Legreta, të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e zv/prokurorit të përgjithshëm Sotiraq Samara, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale nr.12 që u përket të pandehurve Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi e Nuredin Skrapari, të akuzuar në bazë të nenit 72, në kombinim me nenin 12 të Kodit Penal.

Kryetarja çel seancën dhe njofton çështjen që do shqyrtohet.
Thirren të pandehurit dhe u merret identiteti.

1-Filip Nashi, i biri Apostolit dhe i Aretisë, i dtl. 1923, lindur në katundin Sheper te Rrethit Gjirokastër, banues në Fier me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i DPN-së, me arsim të lartë, i martuar, ka 5 fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban medaljet e Kujtimit, Trimërisë, Çlirimit, Urdhrin e Trimërisë, 2 urdhra pune Klasi i dytë dhe Urdhrin e Flamurit Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

2-Beqir Alia, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i dtl. 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, ish-drejtor i Institutit të Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar me parë, mban Urdhrin e Punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

3-Koço Plaku, i biri i Josifit dhe i Kostandinës, i dtl. 1929, lindur në katundin Hoçisht të Rrethit Korçë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, shef i kabinetit në Institutin e Naftës Fier, me arsim të lartë, i martuar ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban dy medalje pune dhe Urdhrin e Punës Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

4-Protoko Murati, i biri i Avniut dhe i Xhevrijes, i dtl. 1929, lindur në katundin Klos të Fierit, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nëpunës, me detyrë shef i sektorit të gjeologjisë në Institutin e Naftës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, i padënuar më parë, mban 2 Urdhra Pune Klasi dytë dhe një Urdhër Pune Klasi i tretë, i arrestuar më datën 25 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

5-Milto Gjikopulli: i biri i Vasilit dhe i Jorgjisë, i dtl. 1938, lindur në Dhërmi të Vlorës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, në Institutin e Naftës dhe Gazit në Fier, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i padënuar më parë, mban Urdhrin e punës Klasi i dytë, i arrestuar më datën 25 Mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

6-Dhimitër Stefa, i biri i Nikollës dhe i Vasillos, i dtl. 1934, lindur në katundin Grazhdan të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, ish-përgjegjës i grupit të Kurveleshit, me kombësi minoritare greke, me Shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, i martuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, mban dy medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

7-Jani Konomi, i biri i Agustinit dhe i Elenit, i dtl. 1934, lindur në katundin Krongji të rrethit Sarandë, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog në nxjerrjen e naftës, drejtor i nxjerrjes së naftës në D.P.N. me arsim të lartë, i martuar, ka një fëmijë, ish-anëtar partie, tani i përjashtuar, mban dy Urdhra Pune Klasi i tretë dhe një medalje pune, i arrestuar më datën 17 prill 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

8-Nuredin Skrapari, i biri i Mentorit dhe i Xhevrijes, i dtl. 1943, lindur në Bubullimë të Lushnjës, banues në Qytet Stalin, me origjinë fshatar i pasur i cilësuar kulak, me gjendje shoqërore nëpunës, me profesion inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i pamartuar, i paorganizuar, i dënuar në vitin 1974 me 10 vjet heqje të lirisë sipas nenit 73/I të K.P. dënim të cilin e vuan nga data 15 mars 1974, i riarrestuar më 18 mars 1975. Aktakuzën e ka marrë para një muaji.

Dëshmitarëve ju tregohen detyrat që kanë lidhur me dëshminë që do bëjnë dhe dalin jashtë sallës së gjyqit.
Mapo
(vijon nesër)

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Dosja Habilaj’, Elona Gjebrea: Nuk jam thirrur në Prokurori

Deputetja socialiste, Elona Gjebrea tha se nuk është thirrur në Prokurori për...
Read More