Grupi parlamentar dhe qeveria duhet të jenë në “luftë” dhe jo në paqe

Nga Ervis Iljazaj

Qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste kanë bërë publike një marrëveshje që ka të bëjë me bashkëqeverisjen me qytetarët dhe ndarjen e përgjegjësive, e cila ka si synim bashkëpunimin midis palëve, për të rritur cilësinë e punës dhe arritjen e objektivave nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar për mandatin e ri qeverisës.

Përtej faktit që bashkëqeverisja është një koncept që nuk ekziston në një demokraci përfaqësuese, pasi demokracia direkte ka shekuj që ka mbaruar, për shkak se është krejtësisht e pamundur në një shoqëri kaq komplekse si e sotmja, një marrëveshje e tillë është një non sense politik dhe në dëm të jetës parlamentare shqiptare.

Pa hyrë në detaje se çfarë përmban kjo marrëveshje, ajo është tërësisht jashtë çfarëdo lloj logjike politike, kundër parimeve të ndarjes së pushtetit, dhe sistemit qeverisës parlamentar për disa arsye.

Pikë së pari, një marrëveshje e tillë, edhe pse thjesht politike dhe pa asnjë vlerë normative për funksionimin e marrëdhënies grup parlamentar-qeveri, nuk ka arsye të ekzistojë sepse detyrat e njërës dhe tjetrës palë janë tërësisht të përcaktuara në një demokraci dhe rend kushtetues për sa i përket misionit të tyre. Me anë të një marrëveshjeje të ndryshme nga këto misione, krijohen precedentë të cilët dëmtojnë praktikat politike dhe parlamentare në një shoqëri demokratike.

Pikë së dyti, një marrëveshje e tillë, ngjan më tepër si një “kinezëri” politike e frymëzuar nga populizmi në të cilin po rrezikon Rama të bjerë gjithmonë e më shumë në këtë mandat të dytë qeveritar. Kthesa populiste e Edi Ramës filloi që me konceptin e bashkëqeverisjes me anë të konsultave publike, që ndër të tjera erdhën mbas fitores së zgjedhjeve dhe jo gjatë fushatës elektorale. Nuk është aspak normale që një qeveri të ndërtojë programin e saj mbasi fiton zgjedhjet, aq me tepër pastaj ta qeverisë bashkë më popullin. Dhe kjo marrëveshje duket si thellim i kësaj filozofie politike tërësisht e dëmshme për vendin.

Pikë së treti, dhe më e rëndësishmja, është fakti se me anë të kësaj marrëveshjeje, eliminohet roli kryesor i një grupi parlamentar. Sot, roli i Parlamenti në raport me qeverinë nuk është më ai legjislativ, pasi shumica e propozimeve ligjore vijnë nga ekzekutivi dhe jo nga Parlamenti dhe, në raport “besimi” me të, mazhoranca që e mbështet qeverinë i voton ato. Roli kryesor i Parlamentit sot, është ai i kontrollit ndaj aktivitetit të qeverisë, nga i cili bazohet dhe marrëdhënia e besueshmërisë që duhet të ekzistojë midis dy pushteteve.

Në këtë kuptim, demokracia ka nevojë për tension midis Parlamentit dhe Qeverisë, dhe jo paqe midis tyre. Me anë të kësaj marrëveshjeje, duke i vendosur “detyra” të reja marrëdhënies midis ekzekutivit dhe legjislativit, e nxjerr këtë të fundit nga misioni që i ngarkon Kushtetuta e Shqipërisë.

Kjo është një marrëveshje që ndryshon rolin e palëve. Nëse në një Republikë parlamentare është qeveria ajo që i jep llogari Parlamentit, pasi është institucioni që votohet nga populli dhe zgjedh qeverinë, me këtë marrëveshje, është qeveria ajo që do të kërkojë llogari ndaj grupit parlamentar, duke deformuar raportin midis institucioneve dhe sovranit.

Roli i Kryeministrit është shumë i fortë brenda rendit kushtetues të Shqipërisë, me këtë marrëveshje rrezikon të kthehet në një Republikë Kryeministrore dhe jo Parlamentare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rudina Hajdari, jo vetëm si vajza e Azemit

Rrëfimi interesant i bijës së liderit të Lëvizjes Studentore dhe kryetar i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.