Grupi proaktiv i Bashës: pa shije, pa ngjyrë, pa erë

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha është duke u përballur më kritikët e tij brenda Partisë Demokratike, përballje e cila ka ndezur edhe njëherë debatin për çështjet që shqetësojnë partinë kryesore të opozitës. Çështje të cilat duhet të shqetësojnë të gjithë opinionin publik, pasi Partia Demokratike, dhe opozita në përgjithësi është aseti i pazëvendësueshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Sa më e fortë të jetë një opozitë, aq më mirë shkojnë gjërat edhe për qeverisje. Në këtë kuptim debati brenda saj duhet të na interesojë të gjithëve.

Për të tentuar bashkimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka propozuar ngritjen e një grupi pune, që e quajti grupi proaktiv, me idenë për të punuar mbi reformimin e Statutit, dhe ndërtimin e kohezionit brenda partisë.

Në fakt, e gjitha kjo ide është thjesht një procedurë rutinë, që ndodh në çdo parti politike, dhe nuk sjell asgjë në reformimin e asaj partie, transformim i cili është i domosdoshëm, nëse vërtet kërkon të vijë një ditë në pushtet. Aq më tepër kur sheh emrat e grupit proaktiv, të cilët, me gjithë respektin e historisë së tyre brenda Partisë Demokratike, nuk frymëzojnë më askënd, dhe nuk i sjellin asgjë të re asaj.

Problemet e vërteta të Partisë Demokratike, gjenden tjetërkund, dhe nuk zgjidhen me emërimin e një grupi, që nuk zgjidh asnjërën nga to.

Që Partia Demokratike të reformohet ka nevojë për disa hapa që duhet t’i ndërmarrë, në të kundërt, do ta vazhdojë të sorollatet për shumë, në tentativë konstante për ndërtimin e një partie të re, që nuk po ndodh.

Së pari, ka nevojë të zgjidhë çështjen e lidershipit. Pa një lidership të fortë dhe të qartë, asnjë forcë politike nuk mund të vijë në pushtet dhe të bëhet e besueshme si një alternativë qeverisëse të së nesërmes. Problemi i vërtetë i Bashës, dhe i Partisë Demokratike, nuk është fakti se një grupim kritik brenda saj nuk kanë akses në pushtetin e saj, por, e kundërta, është mungesa e një lidershipi të fortë, gjë të cilën ende nuk po arrin ta realizojë.

Së dyti, Partia Demokratike ka probleme të theksuara me ideologjinë e saj. Në të gjitha politika që propozon më shumë prej tyre janë tërësisht të majta, të cilat i kanë zili çdo parti socialiste europiane. I vetmi shans që ka Partia Demokratike që të kthehet në pushtet, është krijimi e një force politike liberale, e cila të besojë tek iniciativa e lirë ekonomike dhe tregu. Ndërkohë, që asnjë nga propozimet e PD-së, nuk shkon në favor të kësaj ideologjie.

Së treti, ka probleme me menaxhimin e partisë. Ende nuk janë të qarta aleancat politike strategjike të Partisë Demokratike, duke krijuar konfuzion në të gjithë kampin opozitar. Apo, bërjen e qartë të skuadrës apo ekipit të Lulzim Bashës, me të cilët ka ndërmend të qeverisë nesër, nëse vjen në pushtet. Askush nuk ka një ide sot, se kush mund të jetë ministër nesër në qeverinë Basha, aspekt ky i cili forcon qartësinë politike të një lideri dhe një partie politike.

Për të gjitha këto arsye, krijimi i grupit proaktov, është thjesht një rutinë politike, i cili nuk zgjidh aspak çështjet që duhet të qartësojë Partia Demokratike sot, për ta reformuar atë, dhe për ta bërë gati për qeverisjen e vendit. Është një veprim, apo një akt, që s’ka as shije, as ngjyrë, as erë, ose e thënë ndryshe, nuk sjell asgjë të re në dinamikën dhe forcimin e saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Faleminderit Mentor Petrela

Nga Edison Ypi Dua të më bësh një sharrë elektrike për të...
Read More