Gurët e tëmthit: Më të rrezikuar të moshuarit, trajtim me dhe pa operacion

Mendohet se prania e një guri të thjeshtë të tëmthit mund të shkaktojë prodhimin e shumë gurëve. Fatmirësisht njerëzit mund të jetojnë pa fshikëzën e tëmthit. Heqja e saj nuk kërkon ndryshime në dietë 

Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të mbledhur gurë në tëmth sesa të rinjtë. Po kështu, gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të mbledhur gurë në tëmth sesa burrat. Këta janë ndër kategoritë më të rrezikuar për të zhvilluar gurë në tëmth. Doktor Altin Cekodhima, mjek gastrohepatolog shpjegon gjithashtu faktorë të tjerë që ndikojnë në formimin e këtyre gurëve; që nga mbipesha, mjekimet që përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit, sëmundja e diabetit etj. Gastrohepatologu Cekodhima sqaron se shumë gurë të tëmthit, veçanërisht ata të heshturit, zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera. Por kur mendohet se gurët e tëmthit mund të jenë shkaktarët e simptomave, nevojitet kryerja e ekografisë së barkut. Po kështu mjeku sqaron edhe mënyrat më të reja të trajtimit të gurëve në tëmth, që nga trajtimi medikamentoz e deri tek ai kirurgjikal.

Çfarë janë gurët e tëmthit?

Gurët e tëmthit formohen kur lëngu i grumbulluar në fshikëzën e tëmthit mpikset ose ngurtësohet në copa të vogla materiali të ngjashme me gurët. Lëngu, i quajtur bilë (lëngu i tëmthit), ndihmon në tretjen e yndyrave të ushqimit. Bila prodhohet në mëlçi, pastaj depozitohet në fshikëzën e tëmthit derisa t’i nevojitet trupit për tretjen e yndyrave. Në ketë kohë fshikëza bën kontraksione të cilat shtyjnë bilën në një tub të quajtur duktusi biliar i përbashkët prej të cilit bila kalon në zorrën e hollë duke ndihmuar në tretjen e ushqimeve. Bila përmban ujë, kolesterol, yndyra, kripëra biliare, proteina dhe bilirubinë. Kripërat biliare shpërbejnë yndyrat, ndërsa bilirubina i jep feçeve (jashtëqitjes), ngjyrën e verdhë. Në qoftë se lëngjet biliare përmbajnë shumë kolesterol, kripëra biliare apo bilirubinë, në situata të caktuara formohen gurët.

Ekzistojnë dy tipe gurësh në tëmth, gurë kolesteroli dhe gurë pigmenti.

Gurët e kolesterolit janë zakonisht me ngjyrë të verdhë në jeshile dhe përbëhen kryesisht nga kolesterol i ngurtësuar. 80% e gurëve të tëmthit janë të kësaj natyre.

Gurët e pigmentit janë të vegjël, me ngjyrë të errët, të përbërë nga bilirubina.

Gurët e tëmthit mund të jenë sa kokrrizat e rërës deri në madhësinë e topit të golfit. Fshikëza e tëmthit mund të formojë një gur të vetëm të madh, qindra gurë të vegjël ose çdo kombinim të mundshëm të tyre. Gurët mund të bllokojnë rrjedhjen normale të bilës (lëngut të tëmthit) nëse vendosen në ndonjë nga duktuset prej nga rrjedh bila, nga mëlçia në zorrën e hollë.

Këto vende mund të jenë:

– duktuset hepatikë të cilët e nxjerrin bilën (lëngun e tëmthit), jashtë mëlçisë;

– duktuset cistikë, prej të cilëve bila shkon dhe del në fshikëzën e tëmthit dhe duktusi biliar i përbashkët i cili përçon bilën nga duktusi cistik dhe hepatik në zorrë të hollë.

Bila ngelet në këto duktuse duke shkaktuar infeksion të fshikëzës së tëmthit, të vetë duktusit dhe rrallë të mëlçisë. Një duktus tjetër i cili derdhet në duktusin biliar hepatik është edhe duktusi pankreatik i cili nxjerr enzimat tretëse pankreatike nga pankreasi. Në qoftë se gurët bllokojnë daljen e këtij duktusi, enzimat tretëse pankreatike mbeten në pankreas duke shkaktuar inflamacion shumë të dhimbshëm, të quajtur pankreatik, nga gurët e tëmthit. Në qoftë se ndonjëri prej këtyre duktuseve qëndron i bllokuar për një kohë të caktuar mund të shkaktohen dëmtime të mëdha ose fatale si dhe mund të infektohen fshikëza e tëmthit, mëlçia ose pankreasi. Shenjat lajmëruese të kësaj situate serioze janë: temperaturë e lartë; zverdhje e lëkurës dhe dhimbje në intervale të rregullta.

Nga se shkaktohen gurët e tëmthit?

Shkencëtarët mendojnë se gurët kolesterolikë formohen kur bila (lëngu i tëmthit), përmban shumë kolesterol, shumë bilirubinë, kripëra biliare të pamjaftueshme ose kur fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht për arsye të ndryshme. Shkaku i formimit të gurëve të pigmentit është i paqartë. Ka gjasa që ata të formohen te personat të cilët kanë cirrozë hepatike apo infeksion të traktit biliar apo sëmundje gjaku të trashëguara (siç është anemia drepanocitare kur trupi prodhon shumë bilirubinë). Mendohet se prania e një guri të thjeshtë të tëmthit mund të shkaktojë prodhimin e shumë gurëve. Megjithatë, janë zbuluar faktorë të tjerë që ndikojnë në formimin e gurëve të tëmthit, në veçanti të gurëve kolesterolikë. Obeziteti është një faktor rreziku për të krijuar gurë, veçanërisht te gratë. Një studim i gjerë ka treguar se të qenit qoftë lehtësisht mbi peshë rrit rrezikun e krijimit të gurëve në tëmth. Kjo ndodh sepse obeziteti mund të reduktojë sasinë e kripërave biliare në bilë (lëngun e tëmthit) duke çuar në përqendrim më të lartë të kolesterolit në të. Obeziteti gjithashtu ul aftësinë e fshikëzës së tëmthit për t’u zbrazur.

Estrogjeni (hormon femëror)

Sasia e shtuar e estrogjenit gjatë shtatzënisë, terapia zëvendësuese me hormone dhe marrja e kontraceptivëve oralë, shton nivelin e kolesterolit në bilë dhe pakëson lëvizjet e fshikëzës së tëmthit. Të dy këta faktorë çojnë në formimin e gurëve.

Gjinia

Gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të mbledhur gurë në tëmth sesa burrat.

Mosha

Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të mbledhur gurë në tëmth sesa të rinjtë.

Ilaçet

Mjekimet për të ulur nivelin e kolesterolit. Medikamentet që përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak rrisin sasinë e kolesterolit që sekretohet (derdhet), në bilë (lëngun e tëmthit). Si pasojë rritet rreziku për formimin e gurëve të tëmthit.

Diabeti

Në përgjithësi njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë nivele të larta të acideve yndyrore të quajtura trigliceride. Këto lloj acidesh yndyrore rrisin rrezikun e formimit të gurëve të tëmthit.

Pesha

Humbja e menjëhershme në peshë. Ndërsa trupi shpërbën yndyrat gjatë rënies së menjëhershme në peshë, mëlçia sekreton (derdh) më shumë kolesterol në bilë (lëngun e tëmthit) gjë që çon në formimin e gurëve. Mos ngrënia (agjërimi), ul lëvizshmërinë e fshikëzës së tëmthit duke shkaktuar mbi përqendrim të bilës me kolesterol, gjë që çon në formimin e gurëve.

Cilët janë të rrezikuar të kenë gurë në tëmth?

Gratë; njerëzit mbi 60 vjeç; burrat dhe gratë mbipeshë; rënia e menjëhershme në peshë; gratë shtatzëna; gratë që marrin terapi zëvendësuese hormonale; gratë që përdorin kontraceptivë oralë.

Cilat janë shenjat?

Simptomatologjia e gurëve të tëmthit shpesh quhet “ataku” i gurëve sepse ato ndodhin krejt papritur. Një atak tipik shkakton; dhimbje e vazhdueshme në pjesën e sipërme të barkut, që shtohet menjëherë dhe që zgjat nga 30 minuta në disa orë; dhimbje në shpinë midis dy shpatullave; dhimbje nën shpatullën e djathtë; të përziera dhe të vjella. Shpesh ataku i gurëve vjen pas një vakti të pasur me yndyra dhe mund të ndodhë gjatë natës.

Shenja të tjera mund të jenë:

Fryrje barku; intolerancë e përsëritur ndaj ushqimeve yndyrore; dhimbje në formë kolikash; gromësira; gazra; mostretje. Në rast keni njëkohësisht dhe ndonjë nga këto simptoma duhet të shkoni menjëherë te mjekun; keni të dridhura; temperaturë të lehtë; zverdhje të lëkurës dhe të syve; feçe të zbardhura. Shumë njerëz me gurë në tëmth nuk kanë simptoma. Këta quhen pacientë asimptomatikë dhe gurët e tyre quhen “gurë të heshtur”. Ata nuk ndërhyjnë në funksionin e fshikëzës së tëmthit, mëlçisë dhe pankreasit dhe nuk kanë nevojë për trajtim.

Si diagnostikohen gurët e tëmthit?

Shumë gurë të tëmthit, veçanërisht ata të heshturit, zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve për probleme të tjera. Por kur mendohet se gurët e tëmthit mund të jenë shkaktarët e simptomave, nevojitet kryerja e ekografisë së barkut. Ekografia përdor valët e zërit për të evidentuar praninë dhe për të bërë lokalizimin e gurëve. Ekografia është mënyra më sensitive dhe specifike për të diagnostikuar gurët. Që të bëhet një ekzaminim sa më i saktë duhet që pacienti të jetë esëll (pa ngrënë), që fshikëza të jetë e mbushur për të lejuar vizualizimin e plotë dhe lokalizimin e gurëve.

Endosonografia EUS: është një procedurë minimalisht invazive me risk të ngjashëm me atë të gastroskopisë. Afërsia e ekoendoskopit me sistemin biliar ekstrahepatik (rrugët e tëmthit), mungesa e radiacionit dhe siguria e bëjnë EUS një metodë të shkëlqyer për ekzaminimin e duktusit biliar të përbashkët, fshikëzën e tëmthit dhe gurëve të vegjël në të, llumin biliar gjithashtu si dhe për mikrogurët (mikrolitiazis). Sistemi biliar ekstra hepatik (rrugët e tëmthit), mund të vlerësohet plotësisht me EUS te 96 % e pacientëve.

Teste të tjera diagnostikuese:

Tomografia e kompjuterizuar (CT), skaneri i cili tregon praninë e gurëve ose komplikacionet e mundshme.

Rezonanca magnetike kolangiografike e cila mund të diagnostikojë duktuset biliare të bllokuara.

Koleshintigrafia (HIDA skaner) e cila përdoret për të diagnostikuar anomalitë e kontaksioneve (tkurrjeve) të fshikëzës së tëmthit dhe obstruksionet (bllokimet). Në këtë test pacientit i injektohet në venë një material radioaktiv i cili shkon në fshikëzën e tëmthit, e cila më pas stimulohet për t’u kontraktuar.

Kolangiografia endoskopike retrograde (ERCP):

Faza e parë e ekzaminimit kryhet njësoj si gastroskopia. Kur mjeku ka arritur në fillimin e zorrës së hollë ai injekton një ngjyrues te veçantë i cili qëndron përkohësisht në duktuset e sistemit biliar.

ERCP përdoret për të lokalizuar dhe për të hequr gurët në duktuse.

Teste laboratorike të gjakut.

Testet e gjakut përdoren për të parë shenjat e infeksionit, obstruksionit (bllokimit), pankreatitit (infeksionit të pankreasit) ose të verdhëzës.

Simptomat e gurëve në tëmth janë të njëjta me ato të:

Atakut kardiak; apendicitit; ulcerave; sindromës së zorrës së irritueshme; hernies hiatale, pankreatitit dhe hepatitit.

Cili është trajtimi?

Trajtimi kirurgjikal- Heqja me kirurgji e fshikëzës së tëmthit, është mënyra më e shpeshtë e trajtimit të gurëve simptomatikë. Kirurgjia në këtë rast quhet kolecistektomi. Metoda më e shpeshtë dhe më e mirë e heqjes kirurgjikale të fshikëzës së tëmthit është kolecistektomia laparoskopike. Kjo lloj ndërhyrjeje kryhet nëpërmjet tri çarjeve të vogla milimetrike në bark ku futen instrumentet kirurgjikale me një kamerë të vogël. Për shkak se muskujt e murit të barkut nuk priten, gjatë procedurës laparoskopike ka më pak dhimbje dhe më pak ndërlikime në krahasim me kirurgjinë e hapur ku bëhet një çarje e madhe e barkut. Pacientit i duhet të qëndrojë në spital vetëm një natë pas kësaj procedure. Në qoftë se mjeku kirurg zbulon pengesa për të kryer kirurgjinë endoskopike si për shembull infeksion apo çikatriçe të operacioneve të tjera, atëherë ndërhyrja bëhet me kirurgji të hapur. Quhet kështu sepse mjekut kirurg do t’i duhet të bëjë një prerje të barkut rreth 15-17cm për të hequr fshikëzën e tëmthit. Kjo është kirurgji që kërkon hosptializimin e pacientit për 2-7 ditë. Komplikacioni më i shpeshtë i kirurgjisë së fshikëzës së tëmthit është dëmtimi i duktuseve biliare. Në qoftë se gurët ndodhen në duktusin biliar atëherë mund të kryhet Kolangiografia Endoskopike Retrograde (ERCP).

Trajtimi –Ky lloj trajtimi përdoret vetëm në raste të veçanta, për shembull kur pacienti ndodhet në një situatë serioze mjekësore e cila nuk lejon kryerjen e kirurgjisë dhe vetëm në rastet e gurëve, kolesterolikë, me përjashtim të rasteve të gurëve kolesterolikë. Gurët zakonisht riformohen pas trajtimit jokirurgjikal.

Terapia me tretës oralë –Medikamente me përbërje të acidit biliar përdoren për të tretur gurët. Mund të duhen muaj apo vite të tëra trajtimi për të tretur gurët kolesterolikë. Këto medikamente kanë si efekt anësor diarre të lehtë dhe mund të rritin lehtësisht nivelet e kolesterolit dhe enzimave hepatike në gjak.

Terapia me tretje direkte –Kjo procedurë eksperimentale konsiston në injektimin e medikamenteve direkt në fshikëzën e tëmthit për të tretur gurët. Metil terbutil eteri mund të shpërbëjë gurët brenda 1-3 ditëve, por duhet bërë shumë kujdes sepse është substancë shumë toksike. Kjo procedurë mbetet akoma eksperimentale.

A u duhet njerëzve fshikëza e tëmthit?

Fatmirësisht njerëzit mund të jetojnë pa fshikëzën e tëmthit. Heqja e saj nuk kërkon ndryshime në dietë. Kur fshikëza e tëmthit hiqet, bila rrjedh jashtë mëlçisë nëpërmjet duktusit hepatik në duktusin biliar të përbashkët dhe menjëherë kalon në zorrën e hollë, në vend që të grumbullohet në fshikëzën e tëmthit. Meqenëse bila nuk qëndron në fshikëzën e tëmthit, por zbrazet menjëherë dhe shpesh në zorrën e hollë, mund të shkaktojë diarre në 1% të njerëzve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Besart Kadia i përgjigjet gazetarit: Bomba nuk është zgjidhja, zoti Hila

Drejtori i Institutit Pashko replikon me gazetarin Dritan Hila, i cili pas...
Read More