Guximi për nudon, por shumë pak teatër

Equus, drama tronditëse e viteve ’70, prej disa fundjavave ka ndalur frymën e spektatorëve, shoqëruar me duartrokitje të gjata, ovacione mbi personazhin kryesor: të riun Igli Zarka që mbyll dy skenat finale të shfaqjes me daljen e gjatë, Nudo…Kjo ka marrë ngjarjen e teatrit, duke u vlerësuar e guximshme, mbi një raport idhujtarie që shoqëron ndërtimin e personalitetit të njeriut, e shkruar nga Peter Shaffer, që ka pasur në Tiranë premierë me regji të boshnjakut, Dino Mustafiç, duke sjellë versionin e tij mbi lirinë

Publiku shqiptar e ka psikozë tashmë të mos bëjë dallimin në teatër, por të mbajë gjatë duartrokitjet dhe të qëndrojë në këmbë edhe për punët më mediokre që luhen në skenë. Diferenca nuk është dukur as për shfaqjen “Equus”, me autor Petter Shaffer, vënë në Teatrin Kombëtar nga regjisori boshnjak, i njohur në Shqipëri, Dino Mustafiç.

Ky regjisor ka një natyrë radikale në punët e tij. Është një regjisor intelektual, që shqetësohet për njeriun, çfarë ndërtojnë jetën e tij, si qenie apolitike.

Equus këtë ndante, ndonëse pas shfaqjes largimi të çon në brendi një tingëllimë të fshehtë, si njeriu-zot, Jezus. Një dramë psikike që autori Shiffer e ka shkruar në vitet ’70 që tregon historinë e një djali, i cili ka një magjepsje të çuditshme, fetare me kuajt.

Vetë autori, Shaffer ka treguar se mori frymëzim për këtë dramë, pasi dëgjoi për krimin e një të riu që verboi me gozhdë gjashtë kuaj në Angli. Dramaturgu ishte jashtëzakonisht i intriguar pse ky i ri e bëri një gjë të tillë. Equus këtë incident shqyrton, ndërsa Shaffer përpiqet të krijojë një tregim imagjinar duke shpjeguar motivimin pas aktit. Duke vendosur një psikiatër, që orienton narracionin, përpiqet të zbulojë detaje nga jeta e pacientit të tij 17-vjeçar, derisa më në fund, në fund të shfaqjes, e gjitha shpërfaqet.

Shaffer me këtë dramë mund të provokojë çdo regjisor nëse nuk ka nën lëkurë gjendjet njerëzore. Mustafiç në Tiranë për shembull e ka shqetësuar ideja e lirisë së njeriut, duke e shpjeguar këtë si klon të ideve të tij më me peshë mbi dy aktorë, të riun Igli Zarka, dhe aktorin e njohur Timo Flloko.

E plotësuar me “stolin” e rezervave nga aktorë që ndanin skenën, në të shumtën e kohës, me publikun, pasivisht. Ndërtuar në një spital psikiatrie, doktor Martin Dysart, luajtur nga Timo Flloko, ka zbërthyer historinë, duke “dirigjuar” pothuajse shfaqjen. Flloko, aktori epik, që ka një portret të fiksuar për spektatorët nga filmat me partizanë, apo mësuesi te Lulëkuqe mbi mure, e ka pasur të vështirë t’i rrëshqasë skematizmit të interpretimit, duke mbetur besnik i narratorit. Dysart është një psikiatër i specializuar në trajtimin e fëmijëve, por siç e shpreh është mjaft i dëshpëruar nga puna e tij, çfarë ka arritur. Ai është duke pritur të bëjë një mrekulli. Derisa vjen klienti i ri, Alan Strang, djali 17-vjeçar që ka verbuar gjashtë kuajt.

Dysart tregon pothuaj gjithë dramën, që hyjnë e dalin në skena filmi…Puna e Dysart sipas veprës është të kthejë Alan në gjendje normale, dhe të kuptojë prej tij historinë deri në kryerjen e krimit; të zbulojë nëse kjo gjendje e Alan ka lidhje me jetën familjare të tij; në fund, Dysart arrin ta marrë me të mirë Alanin, për t’ju përgjigjur pyetjeve të tij. I riu, 17-vjeçar, ka qenë gjithmonë i hipnotizuar me kuajt, ndaj dhe kujtesa e tij e parë është ajo e një kali në plazh, kur ishte gjashtë vjeç.

Është Igli Zarka i riu, mjaft i brishtë për skenën e teatrit. Për regjisorin si duket ishte mjaft e lehtë t’i besonte këtij aktori rolin e “guximshëm”, atë të Alan Strang të riut që tronditi Anglinë për krimin e tij mbi kuajt. Por, në shfaqjen e Tiranës guximi i takonte vetëm nudos të tij. Po, ishte guxim dalja nudo e këtij aktori. Tronditëse jo nga zhveshja e vlerësuar artistike. Por nga ngasja e gjatë, si në fund të aktit të parë, ashtu dhe në mbylljen e skenës, shfaqjes.

Në aktin e parë, historia kalon në një blasfemi kur Alan identifikon Jezus-in me Equus-in, emërtimi i kalit të tij. Një idhujtari që zhvillon perversitetet, çfarë ndodh në trazimet e njeriut, deri në të paimagjinueshmen jo vetëm adhurimin, por shpërthimin erotik të djaloshit me Equusin.

Aktori vihet pak në punë, pak zhvillon dhe rrit karakterin e tij dramatik, ndoshta për shkak se doktori psikiatër, ashtu si Mustafiç e ka menduar, merr hapësirë më të madhe në skenë.

Derisa në mënyrë gati “urdhëruese” çon në zhveshje të aktorit, nudo, lakuriq, duke ngrirë kokën e spektatorëve në vend, edhe pse shfaqja deri në atë moment dukej zvarritëse, që binte shpesh në vakume të ritmit. Pamja nudo e djaloshit të ri nuk tronditi për dramën e tij. Ajo ka tronditur vetëm për nuditetin. Ecja e gjatë skenike, nudo e Alan-it, e shoqëruar me muzikë jashtëzakonisht të lartë, buçuese, për të shtuar efektin e artistikes në zhveshjen e trupit, mbyllin aktin e parë. Deri në këtë moment asgjë s’po ndodhte në teatër, veç këtij guximi.

Ishte një shfaqje që kërkonte “shpëtimin” me elemente të tilla si muzika, kënga, dhe lëvizjet që më shumë shkonin si një shfaqje baleti, se spektakël teatri.

Akti i dytë, nis me aktoren Ema Andrea. Mjeshtri skenike, brilante në lojën e saj si nëna e Alan Strang, një grua e devotshme, besimtare që kërkon dhe ajo si gjithë të tjerët të largojë përgjegjësitë prindërore, për krimin e djalit të saj, të kërkojë edhe ajo në arsyet pse i biri arriti të qorrojë kuajt, çfarë ka ndodhur me psikozën e tij?! Në duet me aktorin Arben Derhemi, babai i Alan, marrë si komplesitete të zbërthimit të historisë, Ema bëhet një pikë e fortë në teatrin e Mustafiç. Grimasa e saj, interpretimi individual krejtësisht në liri skenike si një motiv i fortë psikologjik duke zbutur “ashpërsinë” e regjisë, Andrea vendos stekën e saj si aktore në këtë shfaqje. Vetëm ajo luan teatër, “jashtë” kërkesës të regjisë.

Mund të anashkalohen fare lehtë si pjesë spektakli e poza filmike vendosja e aktorëve të tjerë, apo episodeve gati të rëndomta për teatrin. Treshja e aktorëve që përfaqësojnë gjykatësin, doktorin apo biznesmenin krijojnë atmosferë melodramatike, të shkëputura nga atmosfera e shfaqjes për të prekur qëllimisht atmosferën socio-politike aktuale; sa edhe Jill Mason, vajza e stallës që e përfshin Alan në historinë e kuajve, duke e ndihmuar për ta punësuar atje.

Kalorësi, ku luan Ermir Z. Jonka, që nxit e mëson Alan të kalërojë, është i vetmi që mbart idenë e regjisorit Mustafiç për lirinë. Askund tjetër sa tek ai del ky mendim, që ka shpërndarë në media regjisori boshnjak se, version i tij në Tiranë flet për frymë lirie.

Kalorësi në skenë, si balerin dhe bartës i shqetësimeve sociale, merr po aq guxim sa Alan, duke krijuar një dyshe që tejkalojnë pothuaj edhe regjisorin. Përmes tyre lexon një dëshirë “të fshehtë” ekstravagance në skenë. Por teatri ka tjetër gjuhë, dhe për këtë nuk shërbeu as recitimi patetik i kalorësit, duke shpërndarë moral, sa edhe Jill, vajza e vogël e stallës, e dashura e Alan. Në fund, sfondi erotik i stisur, si një film kitch, ku Jill fton për seks Alan në stallën e kuajve janë qëllimi i fundit për të kuptuar gjithë historinë: Alan zhvishet sërish nudo, i përplas në ballë publikut penisin e tij, bashkë me ulërimat kakofone, me zëra dhe muzikë, deri në buzë të skenës është tronditur nga tradhtia që i bëri Equus-it të tij, Krishtit të tij të zëvendësuar: Ai bëri dashuri pas portës së drunjtë të stallës.

Me drapër në dorë nga ky makth i tradhtisë, Alan nuk kupton dot veten, qenien e tij duke goditur në sikur, mbi sytë e kuajve. Djali nudo vërtitet në skenë me muzikën buçitëse, bën dy hedhje si “kalorsiake” , i përplaset në fytyrë, në bark dhe në organin e tij boja e kuqe si shkak i mynxyrës…derisa me gulç shtrihet, duke u mbuluar me një çarçaf të bardhë nga psikiatri, si triumf mbi të “keqen”, makthin.

Nudoja e aktit të dytë e Alanit ishte për t’u quajtur guxim, tronditëse dhe artistike për shkak se e kishte masën e ngarkesës psikike sa për ta çmeritur njeriun, jo për sensin e lirisë që na e interpretoi Mustafiç në Tiranë, por si ndërtohet qenia njerëzore, personaliteti i tij, se ç’ndodh me psikozën e qenies. “Equus”, është quajtur një klasik modern ku përmes analizave të psikiatrit mbi ngjarjet, Shaffer ka krijuar një portret provokues se si materializmi dhe komoditeti kanë vrarë fuqinë adhuruese e pasionin dhe, si rrjedhojë aftësinë e njeriut për të përballuar dhimbjen. Kjo është konsideruar ndër dramat e rralla duke krijuar një atmosferë mbi gjendjen, që me ashpërsi nxjerr konkluzione mbi prishjen shpirtërore dhe mendore të njeriut modern.

Nëse Shaffer dha shenja lirie në vitet ’70, në këtë shekull, në vendin tonë ku teatri s’ka dalë ende nga gërmadhat e realsoc-it e ka të vështirë t’i drejtohet një publiku jashtë kësaj psikoze. Duartrokitjet nga këto arsye s’kanë për t’u ndalur, dhe pse në këtë rast u thanë me qindra bravo për djalin e guximshëm që doli çdo natë nudo në teatër, por pak brenda tij.

Violeta Murati

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kriza e zgjedhjeve: ‘Krushqit e ngrirë’ të negociatave

Palët politike që duhet të zgjidhin krizën nuk kanë qenë në gjendje...
Read More