Habilaj-Tahiri: Urdhër-arreste për ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës, priten të tjera

Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshon urdhër-arreste për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jael Çela, ish-shefin e Postës Kufitare të Dhërmiut Sokol Bode dhe Gjergj Kohilën, shefin e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në Drejtorinë e Qarkut Vlorë. Urdhër-arrestet, pas hetimit të dosjes Habilaj-Tahiri. Prokuroria i mbajti nën hetim që nga prilli i këtij viti. Pritet të ketë edhe urdhër-arreste të tjera për ish-drejtuesit e policive të zonave problematike ku u kultivua kanabisi në vitin 2016.

Prokuroria për Krime të Rënda lëshon disa urdhër-arreste për drejtues dhe ish-drejtues të nivelit të lartë dhe të mesëm të policisë, të dyshuar për lidhje të forta në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Tri urdhër-arrestet e para lidhen me ish-drejtues të policisë së Vlorës, të dyshuar se janë të përfshirë me grupin kriminal që drejtohej nga Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Burimet shprehen se mes emrave që janë në listë për t’u arrestuar është edhe Jael Çela, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Bode, shef i Postës kufitare të Dhërmiut dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë. Që të tre ishin nën hetim prej disa muajsh, që nga prilli i këtij viti. Emrat e tyre u lakuan pasi dyshohet se janë përfshirë drejtpërdrejt në grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se ish-krerët e Policisë së Vlorës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar grupin Habilaj që të kultivonte dhe magazinonte sasi të mëdha kanabisi në luginën e Lumit të Vlorës. Sipas hetimeve, “tolerimi” nuk ishte vetëm në kultivim, pasi institucioni i akuzës ka të dhëna se Sokol Bode u ka krijuar lehtësira këtyre trafikantëve që të kenë një shteg të hapur dhe sigurt që të niseshin skafet me kanabis nga disa pika në zonën e Dhërmiut, me destinacion Italinë. Ndërsa në lidhje me Kohilën dyshohet se ishte personi i cili bashkë me vartësit e tij të sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, duhet të monitoronte dhe raportonte mbi veprimtarinë e disa grupeve që vepronin në trafikun e narkotikeve.

“Viktimat” e Habilajve…

Të tre ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit patën karrierë të gjatë në poste të rëndësishme gjatë kohës që Ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri. Për dy vite Jael Çela mbajti detyrën e nëndrejtorit të Policisë së Durrësit, por karriera e tij njohu ngjitje në shtator të vitit 2014, kur u emërua numri një i Drejtorisë së Policisë Vlorë, pozicion që e “betonoi” për shumë kohë pa lëvizje, deri në prill të vitit 2017. Çela ishte ndër drejtuesit e parë të lartë që u shkarkuan nga ministri i ri Fatmir Xhafaj. Gjithashtu, larg radhëve të policisë përfundoi edhe Sokol Bode. Ai njihej si person që shoqërohej hapur me Habilajt, madje qarkullon edhe një foto ku shfaqet me Moisi Habilajn. Urdhër-arrestet për tre ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës janë lëshuar pasditen e djeshme dhe mbërritën zyrtarisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe operacioni për ndalimin e të dyshuarve është në vijim. Kjo dosje ishte prej muajit prill në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas referimit që ishte bërë nga policia lokale më 30 prill të këtij viti. Në tetor iu bashkëngjit edhe çështja Tahiri, pas arrestimit të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali. Pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar për Jael Çelën mendohet se ai mund të jetë larguar jashtë vendit pak javë pasi ishte shkarkuar nga detyra. Në rast se nuk gjendet brenda territorit tonë ai mund të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Kanabisi dhe të tjerët…

Ndonëse tre urdhër-arrestet e para lidhen me ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës, pritet që në orët dhe ditët në vijim të lëshohen edhe urdhër-arreste të tjera. Nsjë numër i lartë ish-zyrtarësh dhe zyrtarësh të Policisë së Shtetit po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Indiciet e para për implikimin e tyre në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit i kanë marrë prej dy vitesh në mënyrë zyrtare nga Shërbimit Informativ Shtetëror. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka patur më të lehtë hetimin për ta, pasi një pjesë e mirë e emrave të përfolur si të implikuar me grupe të fuqishme që merreshin me trafikim e kanabisit, janë larguar nga policia e shtetit menjëherë pas ardhjes në ministri të Fatmir Xhafajt. Përveç drejtuesve të lartë nën hetim janë edhe punonjës të nivelit të mesëm. Nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë ish-drejtuesit policor të katër qarqeve kryesore si Vlora, Shkodra, Durrësi dhe Berati. Ish-krerët e këtyre policive dyshohet se kanë lejuar grupe të fuqishme që të merreshin me kultivimin e kanabisit, duke marrë ryshfet shuma në vlera të mëdha. Në gjashtë muajt e fundit sasia më e madhe e kanabisit është sekuestruar në qarkun Vlorë, Shkodër, Durrës dhe Berat. Në Shkodër zona e Malësisë së Madhe njihej si më problematike, ndërsa në Vlorë pjesa e luginës së Lumit të Vlorës, në qarkun Berat pjesa malore e zonës së Skraparit, ndërsa në qarkun Durrës situata thuajse kishte dalë jashtë kontrollit në malësinë e Krujë dhe Fushë-Krujë. Pavarësisht lëshimit të tre urdhër-arresteve, prokuroria duket se nuk do të ndalet me kaq, pasi në ditët në vijim emra të tjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të policisë do të përballen me drejtësinë. Kanabizimi i vendit në vitin 2016 po sjell edhe pasojat e saj, ku një pjesë e drejtuesve të policisë po hetohen si të implikuar drejtpërdrejt me grupe të strukturuara kriminale që zhvillonin aktivitet në fushën e narkotikëve.

Nxitja erdhi nga Italia

Prokuroria e Krimeve të Rënda u vu më shumë në lëvizje kur Policia e Katanias në Itali arrestoi Moisi Habilajt, kushëririn e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe anëtarët e tjerë të grupit. Menjëherë pas mbërritjes së një pjesë të dosjes hetimore italiane Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik ish-ministrin Saimir Tahiri. Institucioni i akuzës dyshon se ish-ministri ka lidhje me aktivitetin kriminal të Habilajve, pasi këta të fundit në përgjimet e kryera nga Prokuroria e Katanias shprehen se kishin mbështetjen e Tahirit, ndërsa flasin për dhurata dhe sasi të mëdha vlerash monetare. Paralelisht me hetimet ndaj Tahirit prokuroria urdhëroi edhe arrestimin e vëllait të Moisi Habilajt dhe dy anëtarëve të tjerë të këtij grupi që dyshohet se jetonin në Shqipëri. Në operacion u bllokua një sasi mjaft e madhe prej rreth 4 tonë kanabis në Babicë të Vlorës, duke u vënë në pranga Armando Koçeri dhe pak orë më vonë edhe Nazer Seiti. Që të dy akuzohen nga prokuroria se janë pjesë e grupit të trafikut të narkotikëve që drejtohej nga Moisi Habilaj. 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Politically incorrect: Çfarë ka që nuk shkon sot me Islamin shqiptar? (II)

Nga Mustafa Nano -Vijon nga numri i djeshëm Pse një pjesë e...
Read More