Hahn: Arrestoni “peshqit e mëdhenj” ose ndërpresim hapjen e negociatave

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, në një intervistë për “Stuttgarter-Zeitung”, përcjell qartazi mesazhin se arrestimi i “peshqve të mëdhenj” është kusht thelbësor për hapjen e negociatave. Në Parlamentin gjerman mbahet një tryezë debati për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, është treguar skeptik për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në një intervistë të dhënë për median gjermane “Stuttgarter-Zeintung”, Johannes Hahn ka kërkuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. Gjithashtu, ai deklaroi se nëse nuk do të ketë arrestime politikanësh, BE mund të ndërpresë procesin e negociatave me Shqipërinë. “Unë mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk them se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim. Megjithatë, reformat e nevojshme mund të arrihen më së miri gjatë procesit të pranimit. Merrni shembullin e korrupsionit. Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që është e krahasueshme me tonat. Por, në bisedimet e pranimit, i kushtojmë vëmendje faktit se ligjet zbatohen gjithashtu, rastet e korrupsionit vërtet sjellin para drejtësisë peshqit e mëdhenj që nuk kursehen. Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat. Pra, ne mund të kapërcejmë gjendjen akoma të pakënaqshme të sistemeve ligjore në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur të fillojmë bisedimet e pranimit”, deklaroi Hahn.

Berlin: Diskutim për Shqipërinë në Bundestag

Për ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, socialdemokratin Michael Roth, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të çelen sa më shpejt. Për Shqipërinë, Roth përmend një sërë zhvillimesh pozitive që sipas tij duhen shpërblyer. Në krye të listës është procesi i rivlerësimit të gjyqësorit, vettingu, i cili sipas tij konsiderohet model për rajonin. Negociatat do të kenë një impakt pozitiv për reforma të tilla. “Po të krahasosh zhvillimin në Shqipëri me atë në Serbi dhe Mal të Zi, të cilat po bëjnë negociata konkrete për anëtarësim, mendoj se ky sinjal është një ndihmesë e madhe për stabilizimin e rajonit dhe dokumenton se ne e kemi seriozisht”, -tha Roth të martën në mbrëmje në Berlin, gjatë një tryeze të rrumbullakët për Shqipërinë. Qëllimi i tryezës së mbajtur në ambientet e Bundestagut ishte që të informoheshin deputetët dhe të interesuarit nga politika, shkenca, media dhe ekonomia rreth gjendjes aktuale në Shqipëri dhe të debatonin për përparësitë dhe anët negative të çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Qëndrim pozitiv

Folësit në tryezën e zhvilluar në parlamentin gjerman kanë qenë pozitivë ndaj çeljes së negociatave. I vetmi që e shihte pak më ndryshe gjendjen në Shqipëri, është Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin parlamentar CDU/CSU: Frei tha se rezultatet e Vettingut, që deri tani ka pasur vetëm pesë procese, nuk mund të shihen ende. Veç të tjerash Frei përmendi edhe tema të tjera, që ende nuk po zgjidhen, siç është reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit të organizuar. “Janë bërë përparime në luftimin e kultivimit të drogës, por jo në tregtinë me të”, vuri re ai. Grupi parlamentar i tij do ta caktojë së bashku me partinë tjetër të koalicionit, SPD, një pozicion deri në qershor, me të cilin do të prezantohet kancelarja gjermane në samitin e Brukselit, në fund të qershorit. Për Manuel Sarrazin-in, momenti i tanishëm është shumë i përshtatshëm: “Nëse nuk hapen tani, do të ketë një periudhë pauze të gjatë”, tha deputeti i të Gjelbërve, i cili ishte edhe njëri prej organizatorëve kryesorë të takimit. Sipas Sarrazinit mekanizmi i perspektivës europiane është i vetmi mekanizëm efektiv për reformat dhe ngritjen e institucioneve demokratike. Edhe Ardian Haçkaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Tiranë, përmendi zhvillimet dhe përparimet që ka bërë Shqipëria në këto kohë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë juridik. Ai përmendi efektin e madh pozitiv që ka Vettingu, jo vetëm në drejtësi por edhe në komunikimin mes opozitës dhe pozitës, që sipas Haçkaj ka nisur të jetë konstruktiv. “Europa është për ne një çështje ekzistenciale, por ne e dimë se është një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, tha politologu shqiptar. Një mbështetje tjetër për negociatat erdhi edhe nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila vlerësoi procesin e reformës juridike, të cilën ajo e quajti një proces shumë të guximshëm, për të cilin Shqipërisë iu desh të ndryshonte një të tretën e kushtetutës dhe kujtoi ndër të tjera se integrimi i Shqipërisë në procesin e negociatave do të jetë një faktor stabilizimi në rajon, nisur nga fakti që “shqiptarët etnikë jetojnë në pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“3 vende skeptike, hapja e negociatave me kusht”

Bullgaria që ka presidencën e BE deri në fund të qershorit foli...
Read More