Hahn: Demokracia nuk frenohet nga bojkoti, zgjedhjet do të mbahen

johannes-hahnNga Nevila Perndoj

Komisioneri Europian për Politika Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, në një mesazh të pazakontë e ka vendosur PD-në dhe vetë Lulzim Bashën para shqiptarëve, duke e etiketuar atë indirekt si përgjegjës nëse shmangen aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Përmes një mesazhi publik, Hahn i është dorëzuar mundësisë së gjetjes së një dialogu, teksa nënvizon se një numër opsionesh u ofruan me shpresë që “partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët”.

“Për fat të keq, ky nuk ishte rasti. Pra sot, jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Ishte zgjedhja e paramenduar e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë e shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore…”,  shkruan Hahn. Megjithatë, Komisioneri për Zgjerimin nënvizon se procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë mbrapa.

“Demokracia dhe standardet demokratike, nuk do të frenohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare…”, shkruan ai.

Hahn përmend ndër radhë rolin që duhet t’u sigurohet vëzhguesve ndërkombëtarë për vlerësimin e zgjedhjeve, duke theksuar: “…Le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për ‘veprime’, të cilat do të minonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto ‘veprime’ nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse iu pëlqen apo jo – të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, nga të gjitha anët…”, shkruan ai.

Sipas tij, fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin, nuk është fitore për askënd. “Kjo është një humbje e qartë për demokracinë. Të dashur qytetarë, kam besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i Bashkimit Europian. Le të jemi të qartë:

Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës, nëse përpiqen të nxjerrin nga binarët aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

BE-ja do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkruan ai

Basha

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili gjatë fjalës së mbajtur në çadrën e ngritur para kryeministrisë, tha se beteja 83-ditore e opozitës është me paqësorja dhe europiania që ka njohur Europa në këto vite.

“…Në asnjë cep të kontinentit europian nuk luftohet aktualisht kaq fuqishëm për vlerat e Europës se sa në këtë shesh të lirisë. Prej 18 shkurtit e deri më sot, Europa e vlerave është Europa e zgjedhjeve të lira. Pa zgjedhje të lira s’kish për të pasur kurrë Europë.  Europa e vlera është Europa e shtetit ligjor, e cila nuk ndëshkon të pafajshmin dhe ngre në pushtet kriminelin dhe trafikantin. Se po të ndodhte kjo vetëm Europë nuk do të ishte. Europa e vlerave është Europa e demokracisë së vërtetë, jo me votime moniste, por vetëm me zgjedhje konkurruese alternativash të padiktuara nga krimi e droga. E ç’t’jua them unë këto, i dini fare më mirë ju, madje edhe më mirë se ndonjë europian i dini ju, shqiptarët europianë…”, -tha Basha. Në këtë këndvështrim, ai theksoi para demokratëve se beteja e opozitës është një betejë e drejtë për Europën. Sipas tij, nuk ka betejë më europiane se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“…Kukumjaçkat e republikës së vjetër, nuk na trembin, nuk na shkurajojnë dhe nuk na ndalin dot nga kauza europiane e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Miqtë tanë anembanë botës e dinë dhe duhet ta dinë fare mirë, se rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga bojkoti. Nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga mospjesëmarrja. Por kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të kalojë as nga asgjësimi i garës së vërtetë. Nuk mundet e nuk do të kalojë nga rikthimi i monizmit 27 vite pasi e shporrëm me votë njëherë e mirë për të mos e kthyer më kurrë.

Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votimet farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja europiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin e popullit shqiptar, vulën e popullit shqiptar, qëndresës tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri…”, -tha ai.

Por si? Basha tha se prova e parë do të jetë 13 maji i së shtunës.

“Ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu…”, -tha ai.

 

Bregu: Kumti i Hahn për turpin që s’e meritojnë demokratët

“Kumti i Hahn për turpin që se meritojnë demokratët!”. Ky është komenti që vjen nga deputetja demokrate, Majlinda Bregu, pas mesazhit publik të komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn.

“Kjo është letra më e trishtë që s’do doja të kishte mbërritur kurrë. Kjo ka qenë prej kohësh frika dhe arsyeja e vetme për të cilën kam folur e kërkuar që të paktën me veten e me miqtë të mos flisnim sikur i flisnim murit! Që as Europa e as Washingtoni, por asnjë shqiptar me arsye të mos na e drejtonte gishtin duke na bërë me turp për vendimet që në fakt nuk u morën as me diskutim, as me shqyrtim, as me parashikim nga demokratët, por nga kush nuk desh të dëgjojë. Ja ku jemi sot! Izolim!…”, shkruan ajo në Facebook.

Duke sjellë citime nga mesazhi i Hahn, Bregu nënvizon ndër radhë se këtë nuk e meriton partia e parë opozitare në vend.

“…Nuk qaj hallin as të kryetarit të PD-së as të ndokujt tjetër që nuk e ndali dot këtë shkarje, por të atyre qindra-mijëra demokratëve që nuk e donin PD-në rrugëve.

Kryetari e deshi PD-në në çadër e jo në Parlament; në mosbindje civile e jo në zgjedhje!

U gëzua nga e ashtuquajtura ‘fitore e Kavajës’, që veç si e tillë s’duhej festuar asnjëherë.

Sot ne nuk e meritonim këtë! Ikja nga beteja për asnjë arsye nuk është rezistencë ndaj kësaj mazhorance të frikshme, as përballje me Edi Ramën, por dorëzim para të keqes që ka zaptuar të përditshmen e shqiptarëve, duke i dhënë një pushtet të pakufizuar të vetmit që pushtetin e lakmon dhe me të tallet…”, shkruan ajo.

Bregu nënvizon se parlamenti i nesërm do të jetë i pari në 27 vjet ku “demokracia” do të përdoret për të çrrënjosur demokracinë!

“Dhe jo vetëm s’do ketë pikë vullneti të luftojë drogën e krimin, por përkundrazi rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt presidencializmit turk!

Ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD–së: Kuraja e shpresa e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh a të mos jesh!”, shkruan ajo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Varoufakis shkruan tekstin e këngës polifonike shqiptare për emigrimin

Shqipëria do të prezantohet në Bienalen e Venecias në një mënyrë të...
Read More