Hakmarrja e Enverit mbi italianen e bukur dhe apeli i të birit

aureliaFamilja Terrusi, emigrantë në Shqipëri, në një histori të rrallë se si u godit nga diktatori, drejtpërsëdrejti pse italiania e bukur refuzoi dashurinë, Hoxha degdisi burrin e saj në burgun e Burrelit, e pushkaton dhe prej ’52 ende pa gjurmë mbi eshtrat. Terrusi: Viktimat e komunizmit s’trajtohen njësoj. Aldo Terrusi, i biri i bankierit të pushkatuar, Giuseppe Terrusi prej ’91 në Tiranë, dy herë duke promovuar një libër mbi historinë e familjes, me dokumente autentike i kërkon shtetit shqiptar të gjejë eshtrat e të atit

Agron Tufa: Burgu i Burrelit është palimpsest kufomash, varrime mbi varrime

Para disa vjetësh, një libër i dorëzuar në Arkiv pa ndonjë farë rëndësie, për arkivisten Nevila Nikën flet shumë, është një histori: ishte libër me dedikim për italianen e bukur, Aurelia Terrusi dhuruar nga diktatori, Enver Hoxha, ku nënshkruante se ishte student mjekësie…

Ishte mashtrues. Por, për diktatorin kjo nuk ishte histori e re.

Aurelia Terrusi është njëra që e pësoi me pushkatimin e bashkëshortit të saj në burgun e Burrelit, me eshtra të pagjetura deri sot.

Musine Kokalari vdiq në burg nga torturat, pse refuzoi Enverin.

Sabiha Kasimati lidhur këmbë e duar me tela dërgohet drejt pushkatimit në urën e Beshirit, e vetme grua në mes 20 burrave, të gjithë intelektualë…

Por, Aldo Terrusi, i biri i Giuseppe e Aurelia Terrusi ka thënë dje, se viktimat e komunizmit s’trajtohen njësoj.

Prej vitit 1991, Terrusi për herë të dytë del publikisht me një libër për historinë e familjes së tij, duke ardhur në Tiranë e deklaruar se varri i të atit ende s’është zbuluar, si përgjegjësi e shtetit shqiptar.

Është pothuaj i rrënuar nga kjo aventurë e gjatë kërkimi, gati pa shpresë dhe i zhgënjyer nga pritjet e përcjelljet institucionale, deri te zyrtarë të lartë në Shqipëri.

Në italisht dhe shqip, brenga e tij shqiptare këtë herë ka plotësuar vakumin historik me dokumente të reja autentike mbi procesin e krimit në diktaturë.

Mbledhur dje në Bibliotekën Kombëtare, promovimi i dytë i së njëjtës histori në librin e ri “Brenga ime shqiptare” vjen nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës dhe Institutit të Krimeve të Komunizmit, një libër që i përket një historie të vërtetë për një familje emigrante italiane, që pak është studiuar, duke identifikuar një anë të errët në diktaturë mbi krimet e pazbardhura.

Por, si duket konsiderohen angazhime anësore të këtyre institucioneve për politikën, në jo pak raste në tentativë për të krijuar një atmosferë debati mbi të shkuarën, për të mos harruar.

Për këtë arsye edhe fjala e Aldo Terrusit dje në Tiranë, ka pasur SOS, edhe pse i është afruar përmes dokumentacioneve të vërtetës. Terrusi ka thënë: “Mendoj se institucionet duhet ta dinë dhe të gjejnë ku janë eshtrat e babait tim. Aty në Burrel është një strukturë militare. Ndaj përgjigjen për këtë duhet ta japin vetëm institucionet. Janë ato që mund të japin leje për të hyrë në këtë terren për të verifikuar ato që më janë thënë. Të gjithë më kanë thënë gjëra të ndryshme dhe s’është arritur asgjë. Unë mbaj mend se kur në 2012 kam vuajtur në burg, ata u zunë para meje për çështje teknike e administrative. Burgu i Burrelit është terreni ku unë duhet të kërkoj, ky është terreni im. Duhet të kërkoj sepse unë duhet të kem besim sepse më janë dhënë dëshmi të sakta, jo alternative; që të burgosurit e Burrelit janë varrosur aty deri më vitin 1955. Unë iu besoj atyre dëshmive dhe jo njerëzve që më thonë gjëra të tjera. Mendoj se eshtrat duhet të jenë aty dhe s’mund të themi të kërkojmë, por dua vetëm të verifikohet në atë kamp. Berisha dhe Rama kanë bërë të njëjtën gjë, për shkak të konflikteve të tyre brenda politikës shqiptare, ata gjithë informacionet që ia lënë njërit, nuk ia lënë tjetrit. Unë pritem me buzëqeshje kur kthehem të kërkoj eshtrat e babait tim. Ai njeri që vepronte kështu nuk është më, por po përsëritet ajo që ka ndodhur 50 vjet më parë në mënyrë xhentile”, -tha ai.

Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare ka treguar një gjest etik për institucionin që drejton si institucion kujtese, ku historia e Aldo Terrusit rëndon jo vetëm mbi familjen e tij, por mbi gjithë shoqërinë shqiptare për të vendosur dinjitetin njerëzor në vend.

Studiuesja dhe arkivistja, Nevila Nika tha se është njohur me Aldo Terrusin rastësisht nga puna në arkiv, ku i ka rënë rast të njohë shumë njerëz, duke veçuar njohjen me italianin.

Nika, vetë prej një familjeje me të vrarë nga diktatura, dhe pa varre, thotë se e kuptonte Terrusin kur ai kërkonte një dokument për të mësuar se ku është varrosur babai i tij. Arkivistja thotë se nuk kishin asnjë të thënë, dhe në arkiv asnjë dokument nuk është gjetur deri sot për këtë histori.

“Aldoja e kërkon dhe ne kemi detyrimin t’i japim çfarë ka mbetur”, thotë Nika, duke ndalur në faktin se duhet vazhduar kërkimi, dhe jo “të lahemi me alibinë se ashtu ishte koha”.

Drejtori i ISKK, shkrimtari Agron Tufa, që ka shkruar edhe parathënien e librit, tha se ky është libri i parë që ka botuar institucioni që drejton, është shpërndarë dhe tani ky botim nuk ekziston më. Ndaj i jep rëndësi “Brenga ime shqiptare” të Aldo Terrusit për shkak të dokumenteve të reja, autentike që ka, një libër që nuk heq dorë nga kërkimi me gjetjen e thelbit të identitetit njerëzor, që në këtë rast konsiderohet një problem i madh, kur pamjet nga diktatura vijnë më të qarta.

Tufa ka treguar se si trokasin në dyert e ISKK-së qytetarë, në mosha të thyera që flasin për etërit e tyre, dhe nuk dinë ku kanë varrin; rindërtojnë detajet, kujtojnë dhe nuk heqin dorë, në mënyrë të çuditshme, edhe pse prej tyre janë burra e gra që nuk e kanë njohur babanë e tyre.

“Ata vdesin me një brengë të tillë”, -thotë Tufa.

“Të gjithë organizmat që janë ngritur deri tani nuk e kanë çuar këtë proces përpara, përkundrazi ka pasur hipokrizi. Me këtë pohim, dje është tërhequr vëmendje drejt buxheteve që jepen për krimet e diktaturës, mbahen konferenca, mbledhje, vijnë ekspertë dhe mbetet vetëm të gjenden hartat e vendet e të pushkatuarve. Këtu kemi dështuar,”- ka deklaruar Tufa.

Ashtu si ka përshkruar në parathënie, Tufa thotë se është një narrativë ku Aldo ka përshkruar me situatë e njerëz kalvarin për t’ju afruar të vërtetës.

“Burgu i Burrelit është bërë palimpsest kufomash, varrime mbi varrime, dhe ne duhet të kemi kurajën dhe dinjitetin për t’iu kthyer kësaj situate. Si është e mundur që nuk ka dosje, nuk është mbajtur një proces verbal ku të jetë shënuar një informacion i tillë. Duhet depërtuar në arkiva dhe jo të përdoren arkivat në mënyrë të dyfishtë. As ne nuk hyjmë dot në institucione, sepse nuk duan, por ky problem duhet të zgjidhet që të pushkatuarve shqiptarë e të huaj minimumi t’iu kthehen eshtrat e familjes”.

Ish-i burgosuri politik, Gëzim Peshkëpia, bashkëmoshatar me Aldo Terrusin ka treguar pikat e përbashkëta me këtë familje, ku dhe ai pas 49 vjetësh ka zbuluar eshtrat e të atit, Manush Peshkëpisë, pushkatuar nga diktatura.

Ka rrëfyer peripecinë e familjes Terrusi, nga Gjirokastra në Vlorë, ku Giuseppe Terrusi ishte drejtor i Bankës.

Pas diktaturës, familja Peshkëpia ka ndarë të njëjtën shtëpi me familjen Terrusi, derisa u larguan nga Shqipëria si të tjerët…dhe më ’91, Gëzimi thotë se është takuar me Aldon, dhe prej kësaj kohe nis përpjekja për të gjetur eshtrat e të atit, duke e shoqëruar në burgun e Burrelit, si dhe në takime me zyrtarë të lartë.

Por, pa rezultat.

“Uroj që Aldo, edhe pse mundësitë tona janë të kufizuara t’iu japë fund ecejakeve, të gjejë varrin e të atit, për të patur një ngushëllim të ligjshëm”, ka mbyllur fjalën e tij, Peshkëpia.

Giuseppe Terrusi vdiq në Shqipëri pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes Aurelia. Ata ishin riatdhesuar në Itali dhe prisnin lirimin nga burgu.

Terrusi shkruan në këtë libër se shkak i dënimit të babait të tij ka qenë fakti që Enver Hoxha ka kërkuar të ketë lidhje dashurie më nënën e tij dhe ajo e refuzoi.

Kjo histori tragjike e ish-drejtorit të bankës tregtare në Vlorë në vitin ’45 dhe familjes Terrusi, kalvari dhe një tufë dokumentesh të reja në librin e ri “Brenga ime shqiptare”.

Kjo është hera e dytë që Aldo Terrusi vjen në Tiranë, në kërkim të eshtrave të babait të tij, dhe Tufa shton se hera e tretë të jetë një takim fatlum për të rifituar dinjitetin, dhe se jemi borxh përpara këtij qytetari italian, të njëjtësohemi me brengën e Aldo Terrusit.

V.Murati

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pse Rama nuk flet për Blushin

Nga Armand Shkullaku Mund të ketë shumë pikëpyetje sot për të ardhmen...
Read More