Halucinacionet e politikanëve dhe varfërimi i shqiptarëve

Nga Harallamb Kota

Në pragun e shembjes së Perandorisë Osmane, “Rilindasit e Mëdhenj” në vitin 1878 ndërtuan platformën e krijimit të “Shtetit Shqiptar” dhe formuluan strategjinë e daljes nga prapambetja shekullore. Mëvehtësia e Shqipërisë nga perandoria Osmane u shpall më 28 nëndor 1912. Përfaqësuesit e krahinave shqiptare që morën pjesë në “Kuvendin Kombëtar” krijuan të parën qeveri kombëtare me kryeministër Ismail Qemalin. Por platforma politike e Rilindjes Kombëtare dhe strategjia shtetformuese e Ismail Qemalit për bashkim kombëtar, u venit në mjegullnajën e halucinacioneve të politikanëve, të cilët e konsideruan Shqipërinë plaçkë tregu në interes të qëllimeve individuale për t’u pasuruar e sunduar. Lufta politike për pushtet i deformoi karakteret e tyre, i ndryshoi dhe i vendosi egërsisht kundër njëri-tjetrit.

Grupimet e ndryshme politike në pushtet apo në opozitë, për të luftuar kundërshtarin e tyre u mbështetën financiarisht e ushtarakisht edhe tek individ e segmente antishqiptare, qeveri armiqësore dhe shtete me synime aneksioniste ndaj Shqipërisë.

Lufta politike midis zogistëve dhe antizogistëve, midis nacionalçlirimtarëve, nacionalistëve, ballistëve e legalistëve, midis komunistëve dhe antikomunistëve, midis orientalistëve dhe oksidentalistëve etj. etj., e dobësoi në vazhdimësi shtetin dhe e varfëroi popullin shqiptar. Sidoqoftë, në ndryshim me politikën e ndjekur nga Porta e Lartë, e cila i trashëgoi shtetit shqiptar të sapomëvetësuar një vend tepër të prapambetur dhe një popullsi analfabete dhe injorante, qeveria e Ismail Qemalit dhe qeveritë kalimtare pas tij, krahas masave shtrënguese për stabilizimin e rendit, u karakterizuan edhe me disa arritje social-ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, shëndetësore etj. Mirëpo, ndërtimi i ekonomisë shqiptare sipas modeleve perëndimore dhe zhvillimi i vendit bazuar në ekonominë e tregut, u ndërpre pas vitit 1944. Halucionistët komunistë u premtuan partizanëve dhe pjesëmarrësve në “rezistencën antifashiste”, se pas çlirimit të Shqipërisë dhe vendosjes së pushtetit popullor, “do të hanin me lugë floriri”. Për ta mbledhur floririn dhe grumbulluar lugët, komunistët, që e drejtuan shtetin për gati 50 vite, goditën pa mëshirë tregtarët, industrialistët dhe pronarët e mëdhenj të tokave, i burgosën, i internuan dhe ua konfiskuar pasurinë. Më pas, zbatuan teorinë e Mao ce Dunit “fshati të rrethojë qytetin”. Si pasojë, intelektualët që kishin studiuar në shtetet perëndimore dhe zyrtarët e lartë që kishin drejtuar shtetin shqiptar u shpallën armiq. Pasi u burgosën dhe u vranë të diturit, drejtimin e shtetit e morën të paditurit, të cilët duke zbuluar “rrugë të reja” të parrahura ndonjëherë dhe në kërkim të mirëqenies imagjinare e zhytën popullin shqiptar në mjerim dhe varfëri. Por, “shpresa vdes e fundit”, thotë filozofi popull dhe “dielli lind nga perëndon” vjershëroi Naim Frashëri.

Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri ndodhi në fundin e vitit 1990 dhe erdhi vrullshëm, por çuditërisht pa ndonjë strategji kombëtare. Tubimet e shqiptarëve të lodhur nga diktatura dhe të varfëruar prej saj, u organizuan dhe u drejtuan nga individë të ndryshëm. Folësit, me halucinacionet e tyre çoroditëse të tejmbushura me parajsa përrallore pas përmbysjes së diktaturës dhe rivendosjes së lirisë e demokracisë, u kthyen në heronj dhe tribun popullor. Por a ishin të tillë?!

Halucionistët “demokratë”, premtuan liri, drejtësi, punë dhe barazi. Oratorë të shumtë me theks verior e jugor, premtuan rolin pararojë të rinisë, të studentëve, të grave dhe të sindikatave në përmbysjen e diktaturës dhe krijimin e mirëqenies për të gjitha shtresat shoqërore. Ata, u premtuan të tubuarve “parajsën e punës” në më pak se tetë orë në ditë, eliminimin e turnit të natës dhe lajkatonin gratë “se mjaft keni punuar e jeni rropatur në punë” se meritoni të mos punoni më dhe të ktheheni “në zonja shtëpie”. Keqardhja më e madhe, krijohej kur në foltore shfaqeshin “komunistët e vetëshpallur demokratë”, duke i orientuar turmat e irrituara, që kërkonin “liri demokraci”, midis tyre qindra e mijëra të persekutuar e të dënuar politik nga regjimi diktatorial si dhe qindra e mijëra ish-pronarë, “të putheshin me persekutorët dhe grabitësit e pronave të tyre nën moton jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Një sy i hapur pa dhe një mendje e kthjellët dëgjoi gjithçka. Ishte marrëzi. Tentoi të fliste, të bërtiste t’i ndalte dhe t’i ndante të persekutuarit nga persekutorët dhe pronarët nga grabitësit e pronave të tyre. Por nuk mundi. U mek dhe nuk foli. Edhe po të fliste askush nuk do e dëgjonte. Politikanët e rinj që morën drejtimin e “Shqipërisë Demokratike”, u shfaqën me halucinacionet e vjetra, por tashmë të pasuruara me simptoma të reja. Lindën teori të ndryshme, si: çeku i bardhë, platforma zero, çoroditja kombëtare, goditja e patriotizmit si nacionalizëm primitiv, çmitizimi i flamurit kombëtar, i Skënderbeut, i Ismail Qemalit dhe i figurave të tjera kombëtare, patriotike dhe shkencore.

Halucionistët që morën frenat e “Shqipërisë Demokratike”, zbuluan përsëri rrugë të pashkelura dhe rrafshuan gjithçka të trashëguar nga Perandoria Osmane dhe gjithçka e ndërtuar nga Shteti Shqiptar në vitet 1912-1990, duke përfshirë punishte, fabrika, kombinate, miniera, pemishte, hidrovore dhe çdo vend pune, duke i varfëruar edhe më shumë shqiptarët dhe inkurajuar moralisht ata, për të braktisur atdheun e tyre, në kërkim të një “jete më të mirë”. Klasa politike që erdhi në pushtet, ndoqi strategjinë e drejtimit “rumpallhane” që favorizoi pasurimin e tyre të paligjshëm dhe varfërimin e shtresave të gjera popullore. Për këtë qëllim, u lejuan filozofi lidhur me kulturën, artin, shkencën dhe fenë të cilat bien ndesh me kulturën dhe traditën e familjeve shqiptare. Në vorbullën e kësaj çoroditjeje, u përfshinë edhe intelektualë shqiptarë, historianë, filozofë, politologë, psikologë etj., të cilët për t’u paraqitur “demokratë”, apo më “katolik se Papa”, rrokën flamurin e antikomunistit, antikonformistit, antishkencës etj….etj…duke deklamuar ide dhe qëndrime stereotipe të cilat me sa dukej nuk i kuptonin as vetë. Si pasojë, adoleshentët, rinia dhe shoqëria shqiptare “ra në kurth”, duke iu shmangur punës dhe parapëlqyer jetën parazitare. Në mjediset familjare, shoqërore, partiake, parlamentare dhe pushtetare, mbizotëruan thënie ogurzeza mbi mënyrat e pasurimit të shpejtë e të paligjshëm “duke përvetësuar objekte e toka shtetërore, fondet e investimeve për vepra botore, rrugë e urra të pambaruara apo të pandërtuara etj…etj”. dhe retorikat e çuditshme “mos më pyet si e krijova milionin e parë (euro)”!!!

Largimi i rinisë nga leximi i librave letrarë, shkencorë dhe historikë me karakter kombëtar, gjunjëzimi pranë ekraneve televizive duke ndjekur “përralla me mbret”, treguar nga moderator, opinionist apo gazetar mediokër, është “rrugë e pashkelur” që i varfëron shqiptarët shpirtërisht dhe ekonomikisht.

Në 28 vite poskomuniste “Shqipëria Demokratike”, vazhdon të lëngojë dhe shqiptarët çdo vit që kalon rezultojnë: më të varfër se nuk kanë punë, më të paditur pasi shkollat janë të mbushura me arsimtarë “militantë të partive politike”, më të çoroditur se luajnë loto, lojëra fati, kumar, thithin hashash, marijuanë, heroinë dhe droga të tjera. A ndiejnë përgjegjësi politikanët, deputetët, shtetarët dhe qeveritarët lidhur me këto fenomene dhe degradimin moral që po pëson shoqëria shqiptare !?. Mesa duket nuk ndiejnë përgjegjësi, pasi zhvillojnë “lojën e kungulleshkave” e këndojnë këngën “ato maja rripa-rripa, një herë ma hipe, njëherë ta hipa”. Në seancat parlamentare, në ekranet televizive dhe në mediat e shkruara, qeveria paraqet vetëm “suksese dhe rritje ekonomike”, ndërsa opozita paraqet “dështime dhe rënie ekonomike”. Fjalë…fjalë.. shumë fjalë dhe fukarallëk. Në vorbullën e akuzave e kundërakuzave të formuluara nga grupimet parlamentare, deputetët e shohin të udhës t’u shmangen çështjeve në interes të popullit që përfaqësojnë dhe ta përqendrojnë vëmendjen në interesat e tyre individuale e familjare. Refreni “të rrosh, a të mos rrosh”, është çështja dhe qëllimi. Të dënuarit, të persekutuarit dhe të internuarit politik thonë: “Rr’no për me diftue”. Ish-pronarët thonë: “Rro dhe shpreso”. Politikanët dhe shtetarët thonë: “Rro për të sunduar dhe për t’u pasuruar”. Po shoqëria shqiptare çfarë thotë? Ajo hesht dhe shpreson në premtimet e shumta të politikanëve pushtetar.

Mirëpo, halucionistët kanë qëllimet e tyre. Ata synojnë pasurimin e shpejtë, nëpërmjet privatizimit të mëtejshëm të ekonomisë kombëtare dhe kontrollit të financave të shtetit shqiptar, nëpërmjet favorizimit të kompanive private dhe bankave që i nënshtrohen “partneritetit të paligjshëm” me shtetarët, duke u dhënë atyre parësinë e tregut, tenderave, koncesioneve etj. Ky është synimi dhe aspak meraku për ngarkesat fiskale. Si pasojë, administratorët e shtetit shqiptar mbas vendosjes së TVSH mbi biznesin e vogël dhe taksat për banesat private, u shfaqën me një halucinacion të çuditshëm lidhur me taksën mbi çdo televizor që disponohet nga familjet shqiptare.

Për ta sunduar më lehtësisht popullin e shumëvuajtur shqiptar, krahas varfërimit ekonomik, halucionalistët synojnë edhe varfërimin shpirtëror nëpërmjet disa mekanizmave ku mund të veçojmë: a) gjetjen e stërholluar “kush është patriot duhet të paguajë çdo detyrim ndaj shtetit”, (e cila mbyll ciklin e kontrollit të shtetit ndaj individit filluar pas vitit 1944 me shtetëzimin e pronave, me tufëzimin e bagëtive, me ngushtimin e oborreve e kthimin te bishtuku e tolloni). b) shkatërrimin e kulturës kombëtare duke lejuar rrënimin e tempujve të saj dhe goditjen e parimeve shtetformuese të “Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, c) futjen e kulturave të deformuara dhe prania në shkolla e individëve për t’u afruar nxënësve “atavizma” dhe nxitur “shfaqjen e deformimit seksual”. Halucionistët që frymëzohen nga “ëndërrizmat dhe futurizmat”, për të sunduar dhe notuar në mjegullnajat e lakuriqësisë shpirtërore, duhet ta shpëtojnë fillimisht qenien e tyre nga humnera që ndodhen dhe më pas të guxojnë për ta përdorur fjalën e shenjtë “patriotët shqiptarë”. O ditë e shenjtëruar ku je ?! Ndoshta “Vetingu” dhe “Reforma në Drejtësi”, do e sjellin midis shqiptarëve si në “motin e madh skënderbejan” dhe ajo do ta pastrojë shoqërinë shqiptare nga kjo klasë politike me pasuri përrallore e të paligjshme dhe do ta bëjë Shqipërinë shtet të administruar nga “patriotët e vërtetë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mazhoranca “kyç” lojërat e fatit me 75 vota, radha për alkoolin

Mazhoranca votoi dje me 75 vota pro ligjin që ndalon zhvillimin e...
Read More