Hapa di të bëjë vetëm zemra

Shënime për romanin “Kokoro” të Natsume Soseki, “Ombra GVG” 2017/Rrëfimi i Sosekit është njëkohësisht një përshkrim i fortë i dilemave të vetmisë. Marrëdhënia mes studentit dhe “Senseit”, përmes komunikimit e më pas rrëfimit, vjen edhe si një kundërshti e fortë e sëmundjes më të madhe që mund të japë vetmia- pafuqisë për t’i shtrirë dorën dikujt

 

Nga Agim Baçi

A mund ta kapërcejmë të shkuarën tonë nëse e mbajmë brenda vetes pa mundur ta rrëfejmë kurrë me fjalë? Natsume Soseki vë përballë atë që dëshiron të mësojë dhe atë që ka nevojë të rrëfehet. Një student i ri, që hap një derë të madhe për të parë, dhe një njeri në moshë që ka nevojë ta lërë atë derë të hapur për të rrëfyer, për të ftuar dikë që ta njohë. Në fillim duken dy rrugë të kundërta. Por pastaj, përmes një humori dhe serioziteti njëkohësisht, Soseki  na rrëfen se janë e njëjta udhë e njeriut, veçse dikush kërkon të shohë pas, e dikush të shohë përpara, sepse mes tyre nuk është vetëm koha, por edhe leksioni i gjithë botës- në fillim mëso dhe pastaj, në mundsh, rrëfehu!

Mos e gjyko detin prej dallgës”, thotë një fjalë e urtë perse! Dhe kjo fjalë e urtë duket sikur e mbështjell gjithë rrëfimin e Sosekit, teksa na fton të ndërtojmë ura besimi kur kërkojmë që dikush të lërë vetveten te ne. Soseki, duke e ndërtuar marrëdhënien fillimisht përmes atij që duhet të pyesë, ai fton çdo lexues të bashkudhëtojë me të, duke besuar se të gjithë kanë nevojë fillimisht që të pyesin. Dhe studenti, që duhet të ndërtojë për veten një udhë, pasi është jashtë autoritetit prindëror dhe sigurisë nga të tjerët,  i ndërton pyetjet natyrshëm sikur e sheh për herë të parë botën dhe nuk fshihet pas asnjë filozofie. Por “Sensei”, siç e thërret studenti mikun e tij të moshuar, është përballë shumë dilemave teksa i kërkohet të rrëfejë vetveten. E vërteta e së shkuarës së tij, e sidomos historia me mikun e tij të ngushtë, K-në, nuk është materializuar kurrë me fjalë, nuk është bashkëndarë me askënd, ndaj nuk mund të jepet menjëherë, e për më tepër, nuk mund të jepet pa besuar se dikush do të mund ta mbajë atë të vërtetë që ai kërkon ta rrëfejë. (A nuk vihemi ne të gjithë në një dilemë të madhe kur na kërkojnë t’u rrëfejmë diçka nga vetja? A e mendojmë për një çast se si do na e marrë dhe nëse do të na besojë apo jo?). Por ç’do të ishte njeriu nëse nuk do të shihte se përvoja e tij, mësimet që ka marrë në jetë, nuk do të vlenin për dikë tjetër?

Rrëfimi i Sosekit është njëkohësisht një përshkrim i fortë i dilemave të vetmisë. Marrëdhënia mes studentit dhe “Senseit”, përmes komunikimit e më pas rrëfimit, vjen edhe si një kundërshti e fortë e sëmundjes më të madhe që mund të japë vetmia- pafuqisë për t’i shtrirë dorën dikujt. Dhe kjo pafuqi ka ushqim vetëm jetën përmes dyshimit. E kur dyshimit i bashkëngjitet pesha e madhe e humbjes, gjithçka duket se bëhet e errët përreth dhe nuk shikojmë dot dorën që na duhet pranë.

Mendoja me vete se duhej t’i hapja zemrën K-së, por e ndieja që tani ishte shumë vonë për ta bërë këtë gjë. Heshtja ime kishte qenë një gabim i tmerrshëm. Mallkoja veten që nuk ia kisha ndërprerë rrëfimin e t’i kundërvihesha me rrëfimin tim. Ose të paktën, mbasi të përfundonte ai, të tregohesha i zgjuar dhe t’i flisja për ndjenjat e mia. Pas asaj që ndodhi, nuk do të kishte kuptim t’ia tregoja, do të dukej sikur po e trilloja. Më rrihnin tëmthat nga dëshpërimi. Do të doja që K-ja ta shtynte edhe një herë derën që ndante dhomat tona e të hynte brenda. Në mëngjes, ai më zuri befas, krejtësisht të papërgatitur. Sa do të doja që të përsëritej skena. Hera-herës hidhja sytë nga dera, por ajo qëndronte e mbyllur. Përtej asaj dere, K-ja qëndronte i heshtur… Pas një farë kohe, heshtja fillojë të më nervozojë. Çfarë mendonte ai vallë?” (Natsume Soseki, “Kokoro”, Ombra GVG, Përkthimi: Pirro Dollani, f.273)

“Kokoro”- pra zemra e gjithçkaje- vjen përmes një diskutimi ku përfshihet morali, nderi, dashuria dhe detyra. Soseki ka rrëfyer hendekun e madh që rrokin brezat, duke e ftuar lexuesin të gjejë udhën përmes asaj që kërkon të justifikojë hapat e tij dhe asaj që ka nevojë të kuptojë nga njerëzit e realitetet rreth tij. Dilemat për atë që kemi brenda nesh pasi jemi përballur me botën ndryshe janë gjithnjë në sulm, ndërkohë që rrëfimi ynë ndaj të tjerëve mbetet një sfidë që rrethohet nga qindra pikëpyetje.

…Ndoshta nga rrethanat e jetës ose nga natyra ime, kam jetuar kështu që të kisha sa më pak lidhje me njerëzit. Por jo se jam moskokëçarës ndaj të tjerëve. Jo, unë i kaloj ditët në plogështi, sepse jam shumë i ndjeshëm dhe më mungon energjia që të përballoj shqetësimet që më shkaktojnë. Kësisoj, sapo premtoj diçka, brengosem së tepërmi nëse nuk e përmbush. Nevoja për t’u çliruar nga ky ankth më shtyu të merrja penën përsëri….

…Kam lindur njeri me moral dhe më kanë rritur të tillë. Morali im mund të jetë krejt ndryshe nga morali i të rinjve sot, por edhe nëse është ndryshe, është i imi. Nuk është një kostum që unë e kam marrë hua që të shkojë me kohën…( F. 176-177).

I shkruar në fillimshekullin e shkuar, Soseki duket se ka paralajmëruar si askush tjetër zgjerimin e hendekut moral mes brezave dhe sfidat e njeriut për t’i qëndruar besnik vlerave që ka besuar dhe ëndrrave që ka patur në fëmijërinë dhe rininë e tij. Por Soseki e ka një derë zgjidhje- biseda jonë me veten, për të ditur ta falim, që të mundim më pas të shohim dikë tjetër në sy!

Shkruar Nga
More from Revista User

“Po mbytemi”, thirrjet live të banorëve të Mallkuçit, FA ndërhyn me helikopter

Fushë-Kruja është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ndërsa më...
Read More