Hapja e kutive: Si u vërtetuan pazaret mes partive

KQZ ka hapur dje dhe ka numëruar votat e 64 kutive të kërkuara nga PS dhe PDIU. Në fund të gjithë procesit PDIU siguroi vetëm 5 vota shtesë, që s’i mjaftojnë të arrijë pragun prej 3 për qind. Hapja e kutive vërtetoi gjithsesi shkeljet e rënda gjatë procesit të numërimit të votave në KZAZ.

Nga Fejzi Braushi

Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, mbetet jashtë parlamentit. Hapja e 64 kutive të votimit dhe rinumërimi dhe rivlerësimi i votave që gjendeshin në to nuk i ka dhënë mundësi PDIU-së që të arrijë pragun prej 3 % të votave të vlefshme në Tiranë dhe që kryetari i kësaj force të merrte mandatin e deputetit. Në total kur u rinumëruan dhe u rivlerësuan votat e 64 kutive që ishin kërkuar të hapeshin nga PS dhe PDIU kjo e fundit arriti të rikuperojë vetëm 5 vota gjithsej, të pavlefshme për të ndryshuar rezultatin e shpërndarjes së mandateve në Tiranë. Por pavarësisht kësaj, procesi i djeshëm i hapjes së kutive tregoi se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 25 qershorit është shoqëruar me shkelje që kanë tjetërsuar vullnetin e votuesve nga njëra forcë te një tjetër. Kështu, në total nga 64 kuti në vetëm dy raste rezultati që ato prodhuan përputhej plotësisht me tabelën e rezultateve që ishin depozituar në KQZ, në të 62 rastet e tjera rezultati nuk përputhej, duke prodhuar një pasqyrë tjetër nga ajo që reflektohej në tabelat e rezultateve.

Numërimi

Ka zgjatur 11 orë procesi hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave të 64 qendrave të votimit që i përkisnin zonës zgjedhore të Tiranës. Fillimisht janë hapur kutitë e kërkuara nga PDIU, ku ajo pretendonte se votat e saj ishin tjetërsuar dhe i ishin numëruar forcave të tjera politike. Dhe në fakt pretendimi i saj ka qenë i drejtë. Kur ishin hapur dhe numëruar 20 kuti votimi, PDIU arriti të siguronte në total 16 vota më shumë se kishte në tabelat e rezultateve të grupeve të numërimit në KZAZ. Trend ky që duket se po iu jepte shpresë përfaqësuesve të LSI-së se rezultati final do të ndryshonte raportin e shpërndarjes së votave. Por vetëm kaq, pasi nisja e hapjes së kutive të kërkuara nga PS situata nisë të ndryshojë në disfavor të PDIU-së. Votat që ajo kishte siguruar plus filluan të zbresin sërish, kjo pasi në kutitë vijuese PDIU-së i ishin shënuar në tabelat e rezultateve të grupeve të numërimit më shumë vota se sa ajo kishte realisht në kuti. Aq sa kur u hap kutia e 48-të në radhë, PDIU do të shkonte në -2 vota, pra asaj i ishin shënuar më shumë vota se sa kishte në kuti. Këtu duket se shpresat e PDIU-së për të ndryshuar rezultat kishin sosur, përveçse po të ndodhte ndonjë e papritur e madhe që mund të bënte surprizën. Gjithsesi, rezultati i PDIU-së do të përmirësohej sërish por për të mos shkuar më shumë se 5 vota plus në fund të numërimit të 64 kutive të votimit. Rezultat që do të shërbente vetëm për të ngushtuar edhe më tej diferencën që i duhet PDIU-së për të arritur pragun elektoral prej 3 %. Kështu, nga 38 vota që i duheshin para hapjes së kutive tashmë asaj i duhen vetëm 35 vota, çka do t’i jepte asaj të drejtën që të merrte në Tiranë një mandat deputeti, që në këtë rast do të ishte Shpëtim Idrizi. Gjithsesi procesi i rinumërimit të votave është shoqëruar edhe me kontestime dhe tensione mes palëve. Shkak janë bërë pretendimet për rivlerësimin e fletëve të ndryshme të votës.

Kërkesa shtesë

Por pavarësisht se nuk arriti që të marrë mandatin e pretenduar të deputetit, PDIU duket se nuk është dorëzuar me kaq, por ka vendosur që ta kërkojë atë deri në fund. Nisur pikërisht edhe nga parregullsitë e konstatuara nga rinumërimi i votave të 64 kutive të hapura dje, PDIU ka parë të arsyeshme që ta kërkojë mandatin e saj duke bërë verifikimin e të gjitha votave për gjithë Qarkun e Tiranës. Ndërsa KQZ ishte ende duke numëruar votat e kutive të fundit, përfaqësuesi i PDIU-së në KQZ Erion Manahasa ka dorëzuar një kërkesë të re në protokollin e KQZ-së. Megjithëse kërkesa është shkruar me shkrim dore, PDIU me anë të saj kërkoi hapjen e të gjitha kutive të tjera të Qarkut të Tiranës, pra të më shumë se 1 mijë kutive të tjera. Siç argumentoi PDIU në këtë kërkesë, hapja e 64 kutive të para tregon qartë shkeljet që janë bërë gjatë procesit të numërimit ndaj dhe kërkon që të verifikojë votat e saj në të gjitha kutitë e tjera. “Duke qenë se nga rinumërimi dhe rivlerësimi i qendrave të votimit të bëra deri më tani kanë rezultuar të faktuara të gjitha pretendimet e ngritura nga PDIU, gjithashtu për 117 kuti nuk na janë mundësuar pamjet filmike dhe nga ku 2% e kutive që u rinumëruan deri tani duhet të ritabulohen të gjitha. Kërkojmë nga KQZ kapjen e të gjitha qendrave të votimit të Qarkut Tiranë dhe rivlerësimit të përmbajtjes së të gjitha kutive të votimit të Qarkut Tiranë”, thuhej në kërkesën e paraqitur nga PDIU. Por KQZ e hodhi poshtë këtë kërkesë dhe miratoi tabelën e re të rezultateve të qarkut të Tiranës.

Konkluzione

Ndonëse nuk arriti të sjellë një ndryshim në shpërndarjen e mandateve, procesi i hapjes dhe rinumërimit të votave në 64 kuti votimi, tregoi disa defekte dhe probleme që kanë shoqëruar procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 25 qershorit. Së pari, pavarësisht se nuk arriti të kalojë sërish pragun prej 3 %, PDIU arriti të faktojë pretendimet se në një numër të konsiderueshëm kutish, numëruesit kishin tjetërsuar votat në favor të një subjekti tjetër zgjedhor. Nga ana tjetër ky proces vërtetoi plotësisht edhe pretendimet e PS se PDIU kishte përfituar në një numër të konsiderueshëm kutish votimi vota që nuk i përkisnin asaj. Por në të dyja rastet, vërtetohen dobësitë e procesit të numërimit. Kjo pasi si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë, këto veprime janë bërë plotësisht me pëlqimin e numëruesve të të 5 partive kryesore që kishin të drejtën të kishin numërues, pra përfshi këtu PS, PD, LSI, PDIU dhe PR. Gjithashtu, ky proces vërtetoi edhe lojën që PS ka bërë në këto zgjedhje në Qarkun e Tiranës duke i numëruar vota të paqenë PDIU-së me qëllim që kjo e fundit të arrinte të merrte një deputetë në Qarkun e Tiranës dhe me shpresën se atë do ia merrte LSI-së. Por fakti që prodhuan kutitë e hapura dje vërteton gjithashtu se fillimisht PS e ka favorizuar PDIU-në për të dëmtuar LSI-në. Në këtë moment të numërimit në ZAZ PS i ka dhënë vota shtesë PDIU-së. Por në momentin që LSI e ka siguruar mandatin e saj të pestë, dhe kur ka parë që nga mandatet që merrte PDIU dëmtohej vetë ajo, atëherë PS ka vendosur që votat që ia dha në fillim PDIU-së t’ia merrte në disa kuti të tjera, duke mos e lejuar që të arrinte pragun 3 për qind.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

At Gjeçovi, si e ruajti unazën e arit të gjetur në 1900

Duke kujtuar në 142-vjetorin e lindjes At Shtjefën Gjeçovin, kontributin e tij...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *