Hapja e negociatave do të ishte si një notë kaluese me hatër

Nga Mustafa Nano

Mazhoranca ka krijuar një lloj pritmërie lidhur me procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vetë Rama në më shumë se një rast ka përcjellë mesazhin se “dita e madhe është duke ardhur”. Atij i ka mbajtur ison ministri Bushati. Tani, ata dinë më shumë sesa ne. Janë ex officio shqiptarët më të informuar lidhur me këtë gjë. Përveç kësaj, informacionin e kanë më të besueshëm, ngaqë e marrin drejt e nga burimet, e jo nga gazetat e televizionet, siç e marrim ne të tjerët. Mirëpo, gjithçka që mund të dinë, ka të bëjë me vendimin e Komisionit Europian, që do të bëhet i ditur në muajin prill. Ky i fundit ka në dorë të japë rekomandimin mbi hapjen e negociatave mes Shqipërisë e BE-së, dhe me sa duket, Jean-Claude Juncker e Co. e kanë bërë mendjen top që këtë rekomandim ta japin. Se sikur të ndodhte që as Komisioni të mos e jepte rekomandimin, atëherë kjo do të thoshte që Rama e Bushati jetojnë mes iluzioneve e vetëgënjimeve, gjë që do të ishte e rëndë. Mirëpo, nuk ka gjasa që të ndodhë kjo gjë. Komisioni ka për ta dhënë rekomandimin. Dhe kjo nuk ka lidhje me ndonjë sukses shqiptar, pavarësisht se kështu mund të shitet qoftë nga përfaqësues të Brukselit, qoftë në Tiranë. Duhet thënë se më shumë është Komisioni që është i interesuar ta hedhë këtë hap. Në rastin që rekomandimi nuk do të jepej, do të ishin të shumtë zërat që do të flisnin për një dështim të vetë Komisionit, i cili ka vite që merret me Shqipërinë, e vende të tjera të Ballkanit. Në të kundërt, nëse rekomandimi jepet, ky do të ishte edhe një tregues se Komisioni nuk ka xhiruar në boshllëk gjithë këto kohë. Eurokratët “nxjerrin bukën e gojës” me këto gjëra. Federica Mogherini, që në një farë mënyre është ministrja e jashtme e BE-së, na ka dhënë gjithnjë përshtypjen se ajo është personi më i interesuar për hapjen e negociatave, më i interesuar se Rama e Bushati. Ky fakt e ka bërë edhe punën e autoriteteve tona më të lehtë. Nuk u është dashur të bëjnë ndonjë stërmundim. Thënë me fjalë të tjera, u është dashur të trokasin në një derë të hapur. Për këtë arsye, rekomandimi nuk do të ishte një arsye për të festuar. Duhet thënë kjo, pasi dikush mund të jetë duke përgatitur një festë nëpër rrugët e Tiranës, gjë që do të ishte – lëri të tjerat! – një festë e parakohshme.

Sepse rekomandimi do të ishte një letër krejt pa vlerë, nëse nuk do shoqërohej nga vendimi i Këshillit të Ministrave që do të mblidhet në qershor. Mirëpo, këtu gjërat vijnë e ndërlikohen. Sepse nuk kemi më një qendër të vetme, siç është Brukseli, ku mund të lobohet me lehtësi. Janë 28 shtete që lipset të japin miratimin e tyre. Mjafton që vetëm një shtet të thotë “jo”, dhe e gjitha kështjella rrëzohet. Presidenti grek, por edhe autoritete të tjera greke para tij, nuk është se flasin kuturu, kur thonë se rruga e Shqipërisë për në Europë kalona nga Athina. Është tamam kështu. Nëse Greqia nuk do, negociatat e anëtarësimit tonë në BE nuk mund të hapen. Por në këtë mes, problemi nuk është më Greqia. Kjo e fundit, edhe ngaqë ka marrë, apo pret të marrë, ndonjë gjë në këmbim të votës në favor të hapjes së negociatave (është duke u finalizuar një marrëveshje e madhe mes Greqisë e Shqipërisë, që do të celebrohet nga Ciprasi e Rama në Tiranë në muajin prill, ndoshta pas marrjes së rekomandimit), duket se ka vendosur të luajë rolin e “gjitonit të mirë”. Problemi janë shtete të tjera, të cilave Shqipëria nuk ua ka mbushur dot mendjen se është gati të bëhet pjesë e klubit të vendeve më të pasura e më të emancipuara të botës. Dhe nuk është se e kanë gabim, apo jo? Madje, unë kam përshtypjen se asnjë europian nuk e di saktësisht se sa e varfër dhe e prapambetur është Shqipëria në të vërtetë. Ne që jetojmë këtu e dimë. Por, edhe aq sa dinë, holandezëve e danezëve u mjafton për të qenë ndërdyshës ndaj kërkesës së Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit në këtë klub të tyrin. Pastaj, edhe Angela Merkel e Emmanuel Macron, dy “fansat” e Edi Ramës, kanë punë me një opinion politik e publik të brendshëm që nuk po e bën dot të vetën idenë se Shqipëria mund të jetë një vend anëtar i BE-së.

Nga ana tjetër, në këtë ekuacion Shqipëria nuk është e vetme. Dhe nuk do të shqyrtohet si një rast më vete. BE-ja po bën çmos të integrojë brenda vetes gjithë Ballkanin. Serbia e Mali i Zi kanë ecur më shpejt. Të kap një parehati e madhe, kur mendon se Mali i Zi nuk i ka mbushur ende 10 vjet të jetës së vet si shtet, dhe menjëherë i ka dalë përpara Shqipërisë që ka më shumë se 100 vjet që ekziston, por ja që gjërat kështu janë, dhe kjo është një provë ulëritëse e faktit që Shqipëria është çdo gjë, por jo serioze. Pas tyre vijmë ne, Kosova, Maqedonia e Bosnjë-Hercegovina. Mirëpo, Bosnja e Maqedonia kanë mbetur pas për shkak të fërkimeve të natyrës etnike brenda tyre. Edhe Kosova, si shtet, ka më shumë se një alibi për vonesat e saj në procesin e integrimit në BE, ndonëse po bëhet gjithnjë e me qartë se nuk janë në gjendje të qullosin ndonjë gjë më të mirë sesa ajo që kemi qullosur ne prej 100 vjetësh. Shkurt, mbetemi vetëm ne shqiptarët si një rast i veçantë në këtë histori, mbetemi si një popull me aftësi të dyshimta vetëqeverisëse. Dhe prandaj, integrimi në BE ka për shqiptarët një rëndësi më të madhe sesa ka për popujt e tjerë në Ballkan. Do të vuajmë brenda klubit të BE-së në terma të imazhit e të fuqisë kompetitive, por do të fitojmë shumë në një drejtim tjetër: Do të jemi gjithë kohën të mbikëqyrur. Dhe të asistuar. Ky do të ishte një garanci e madhe që do na ofrohej ne shqiptarëve. Integrimi në BE vlen më së shumti për këtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhjet: Ministrat teknikë mbyllin raportin, pritet fjala e Bashës

Raporti i përbashkët do të jetë i bazuar kryesisht mbi të dhënat...
Read More