Hapja e negociatave do të sjellë një sistem të ri politik

Nga Ervis Iljazaj

Sigurisht që, rekomandimi pa kushte për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, do të përdorej nga politika në varësi të optikës të secilës palë. Dhe, s’ka si të ndodhte ndryshe, për fakti se, me procesin e integrimit është luajtur një betejë politike shumë e rëndësishme në politikën e brendshme. Shqiptarët janë ndoshta, populli më proeuropian i rajonit, dhe politika shpesh e ka përdorur këtë konsensus të gjerë për të bërë betejën e saj, si triumf apo si dështim qoftë.

Edhe kësaj here, në deklaratën për shtyp të Kryeministrit Rama, nuk mund të fshihej tentativa për të marrë meritat, apo akuza për opozitën dhe rolin e saj.

E megjithatë, përtej këtij debati që ndodh rëndom në politikën shqiptare sa herë që flitet për integrimin e Shqipërisë në BE, hapja e negociatave nëse do të ndodhë vërtet në Qershor kur të vendosë Këshilli Europian, është lajmi më pozitiv që ka marrë Shqipëria kohët e fundit dhe me siguri, do të ketë një impakt jashtëzakonisht të madh jo vetëm për shqiptarët, por do të ndikojë thelbësisht edhe në sistemin politik.

Me hapjen e negociatave, politika shqiptare do të ndryshojnë totalisht sistemin e saj, duke u konvertuar në një politikë më institucionale. Deri më tani ne kemi patur një sistem politik që bazohej shpeshherë te spontaniteti apo te zotësia apo jo e një lideri politik dhe karizma e tij. Ndërsa, negociatat, për vetë natyrën e tyre procedurale, do ndryshojnë dhe natyrën e politikës shqiptare.

Sepse, Bashkimi Europian, ndryshe nga NATO, nuk është një aleancë diplomatike dhe kaq. Është një regjim politik dhe një mënyrë qeverisjeje, me ekonomi të përbashkët, me ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Në këtë kuptim, politika shqiptare do të duhet të ndjekë të gjithë këtë proces për të qenë e pranuar.

Kështu që, me hapjen e negociatave, sistemi politik shqiptar, do të futet në një normalitet të imponuar.

Me realitetin politik që kemi sot, çdokujt i lind e drejta të jetë skeptik, por çdo vend që ka kaluar këtë fazë në raport me Bashkimin Europian ka pësuar dhe një ndryshim radikal për sa i përket natyrës së politikës së tij.

Por, deri në hapjen e negociatave, ka akoma rrugë për t’u bërë. Kështu që, rekomandimi, nuk duhet parë as si një gjë e parëndësishme, por as me një entuziazëm të ekzagjeruar siç po ndodh këto ditë. Sepse, për momentin, problemet e Shqipërisë vazhdojnë të jenë aty. Një nga këto probleme, ka të bëjë me ekonominë, sidomos me rritjen e taksave dhe mungesës së investimeve të huaja. Shpresojmë që hapja e negociatave do t’i japë një shtysë të re edhe ekonomisë shqiptare. Përtej fondeve që do vijnë nga Bashkimi Europian, marrja e negociatave, me siguri do të ndikojë edhe në investime e huaja, pasi të qenit në një status të tillë, e bën Shqipërinë një vend më të sigurt.

Për të gjitha këto arsye, faza që e pret Shqipërinë, mbas hapjes së negociatave, është një fazë totalisht e re. Jo vetëm për politikën e brendshme, por, edhe për gjeopolitikën e saj. Me hapjen e negociatave, Shqipëria atashohet përfundimisht me Europën dhe Perëndimin. Në këto kohë të vështira gjeopolitike, nuk është lajm i parëndësishëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Detajet e një dite të gjatë: Rama mbron Xhafën

“Akuzat ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë, dhe...
Read More