“Haradinaj”: Rama-Meta rivalitet dhe për çështjet kombëtare

meta-gjini-ekonomia-online-1-850x590Pas protagonizmit për ndikimin te krerët e partive shqiptare në Maqedoni, Rama e Meta duken në garë edhe për çështjen e arrestimit të Ramush Haradinajt, ndërsa analistët e akuzojnë kryeministrin se marrëdhëniet e mira me Vuçiç nuk kanë prodhuar rezultate në favor të shqiptarëve

Nga Nevila Perndoj

Dikur nuk e ka njohur rajonin.

Madje sapo u zgjodh, në intervistën e parë si kryetar i PS-së kur pyetej për zhvillimin në Kosovë e Maqedoni, përgjigja e tij ishte: “Kam miq Veton Surroin dhe Arbën Xhaferrin”.

Por pas një eksperience që ia detyron pozicioni dhe pas 3 vitesh e ca si kryeministër, Edi Rama duket se ka një rol kyç te shqiptarët në Prishtinë e Shkup.

Gjithsesi më i “vjetër” se Rama në këtë fushë është bashkëdrejtuesi i koalicionit qeverisës në Tiranë.

Ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm, Ilir Meta si kryetar Kuvendi sot ka ndikimin e tij. Këtë po tenton ta rishfaqë në një “tokë të zanme” së fundmi nga Rama, me të cilin duket se fërkimet nuk janë të pakta për qeverisjen dhe një sërë çështjesh të tjera në qeverisjen PS-LSI.

Por dueli Rama-Meta po rishfaqet edhe për zhvillimet përtej Shqipërisë zyrtare. Një editorial i para do ditëve i Ramës për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë duket se i dha atij protagonizmin pasi bëri bashkë shqiptarët në Maqedoni.

“…Pse pafajësia që Ramush Haradinaj mori nga Gjykata e Hagës nuk i mjafton këtij qytetari të shtetit të Kosovës, që të mos ndalohet në një kufi europian si të ishte një kriminel në kërkim ndërkombëtar?!”, është një ndër pikëpyetjet që ngre ai në shkrimin e tij.

Por kjo “fushë” e lirë virtuale e çoi Ilir Metën në lëvizje konkrete, pikërisht në zyrat e AAK-së në Prishtinë.

Zyra e shtypit e LSI-së nuk përcolli ndonjë njoftim zyrtar, por këshilltari për Marrëdhëniet me Publikun në Kuvend, Emiliano Aleksi postoi në faqen e tij në Facebook një foto lajm të Metës në zyrat e AAK-së me titullin: “Meta: Haradinaj është qytetar i Kosovës, jo i Serbisë”.

“Kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt pasi Ramush Haradinaj nuk është qytetar i Serbisë, por është qytetar i Kosovës dhe si i tillë është simbol i qytetarëve shqiptarë në të gjithë botën. Haradinaj është një krenari për të gjithë shqiptarët dhe për faktin se ai është përballur me kurajë dhe dinjitet edhe përballë drejtësisë ndërkombëtare”, -ka thënë Meta, raporton Gazeta Express.

Në takim, Meta është shprehur se do t’i dërgojë homologes së tij serbe një shkresë në lidhje me këtë rast, ndërsa ka shtuar se ka kontaktuar me homologun e tij francez menjëherë pas marrjes së lajmit për arrestim pasi që, siç tha ai, “duam që këtij rasti t’i jepet fund pasi kemi të bëjmë me një simbol të sakrificës shqiptare”.

Beteja në Tiranë

Meta në Prishtinë është pritur nga nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, si dhe anëtarë të tjerë të këtij subjekti politik.

Vizita e Metës në Prishtinë ka kaluar në një tjetër etapë ndërsa nga Tirana vijojnë akuzat se qëndrimi i kryeministrit Rama ndaj arrestimit të Ramush Haradinajt ishte i vonshëm.

Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku, tha pak ditë më parë se reagimi i Ramës për Haradinajn është si ‘Kofini pas të vjelit’: “Reagim i vonuar e konfuz i kryeministrit Rama për arrestimin e Ramush Haradinaj. Populli thotë ‘më mirë vonë se kurrë’, por ky është një ndër ato raste kur të reagosh vonë, siç bëri Rama është sikur të mos kesh reaguar kurrë”.

Partia Demokratike kërkoi gjithashtu që Serbia të tërheqë kërkesën për ekstradim dhe të bëj nul fletë-arrestin, duke i kërkuar jo pa doza ironie Ramës që një telefonatë e këtij të fundit me kryeministrin serb Vuçiç mund ta zgjidhte ngërçin.

Edhe gazetari Ilir Babaramo në një shkrim të tijin vëren ndër radhë se, “as Rama dhe as Thaçi nuk i kërkojnë Vuçiçit që normalizimi i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve nis nga fshirja e efekteve të luftës. Dhe lista e luftëtarëve të UÇK të shpallur në kërkim është pikërisht efekt i kësaj lufte”.

Spartak Ngjela e sheh më të thellë problemin.

Përmes një analize të zgjeruar, ai kritikon se mungesa e theksuar e personalitetit të Shqipërisë në Perëndim, ka sjellë si rezultat edhe vështirësinë e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.

Ai shkruan se Ramush Haradinaj, edhe pse është një hero i luftës për pavarësinë e Kosovës, arrestohet nga policia franceze për hesap të serbëve.

“E pra, ku e gjejnë serbët këtë forcë që i dalin ndesh historisë së shqiptarëve, në një kohë kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Këtu duhet të fillojë analiza e re e pozicionit shqiptar. Është mungesa e një arsyeje politike të brendshme reformiste në Shqipëri, që po dëmton të gjithë çështjen shqiptare në Ballkan…”, – nënvizon Ngjela.

Ndërsa secila palë shqiptare e hedh fajin gjetkë, dikush Brukselit e dikush Serbisë, ajo që vihet re bindshëm në skenën e politikës shqiptare është protagonizmi i palëve, kush me editoriale, kush me kritika e kush me vizita në Prishtinë.

Përpos rivalitetit mes tyre dhe thirrjeve për lirimin e Ramush Haradinajt, problemi mbetet aty; lista e Interpolit prej së cilës në kohë të caktuara dhe në rrethana specifike politike Ramush Haradinaj gjithnjë e ka pësuar.

Blushi: Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më e njëjta

“Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate, por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë. Ndalimi i tij i papritur nuk është një pagesë ndaj të shkuarës, por është një çmim mbi të ardhmen. Jam i bindur që Ramushi do të lirohet por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë…”, shkruan Ben Blushi në Facebook, ndërsa shpreh sigurinë se kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë.

Ai nënvizon se pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja sipas tij është se çfarë drejtimi do ketë demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilësie.

“Ne vende të vogla ndryshimi i Kohës Politike ka efekte të Mëdha. Kosova nuk bën përjashtim. Demokracia dhe Liria nuk janë një dhuratë e përjetshme. Ato duhet t’i fitosh përditë. Lirinë e sjellin çlirimtarët si Ramushi, por Demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë. Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot”, – vëren Blushi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ligji i vettingut ra, reforma jo

Nga Fitim Zekthi Pezullimi i ligjit të vettingut nga Gjykata Kushtetuese ka...
Read More