Harta e re mesjetare e Europës

robert-d-kaplan-6Nga Robert D. Kaplan*, The Wall Street Journal

Studiuesi i politikave gjeostrategjike Robert Kaplan nga qendra Stratfor shkruan se raportet e vjetra dhe dinamikat e reja mes vendeve janë shumë të lidhura me hartën dhe pozicionin gjeografik. Ai shprehet se kufijtë e Europës moderne janë afërsisht kufijtë e perandorisë të themeluar nga Charlemagne në shekullin e nëntë

Shikoni çfarëdolloj harte të Mesjetës ose fillimi i epokës moderne, para Revolucionit Industrial, dhe do të hutoheni prej inkoherencës së saj marramendëse – gjithë ato perandori, mbretëri, konfederata, shtete të vogla, kjo “e sipërme” dhe kjo “e poshtme”. Është pamja e një bote të copëzuar në mënyrë radikale. Evropa e sotme po rikthehet te kjo hartë. Dekadat e paqes dhe begatisë, nga 1950 deri më 2009, kur filloi kriza financiare e Bashkimit Europian, i bënë kufijtë ekonomikë dhe politikë të kontinentit të dukeshin të thjeshtë. Gjatë Luftës së Ftohtë pati dy blloqe koherente që u pasuan nga ëndrra e pas Luftës së Ftohtë për një Europë të Bashkuar me një monedhë të vetme. Sot, ndërsa BE merr goditje njëra pas tjetrës nga brenda dhe nga jashtë, historia po ndryshon rrjedhën – drejt një ndërlikimi dobësues, sikur gjysmë shekulli i mëparshëm të kishte qenë një interval para kthimit te frika dhe konflikti. SHBA tani po e shikon realitetin e kësaj situate të re. Europa, e cila rivalizon atë amerikane si më e madhja në botë, mbetet një aset dhe aleat, por dhe një problem i thellë. Shqetësimi është se si mund të menaxhohet ajo. Ndarjet e Europës ishin të dukshme për dekada, ndërsa BE punonte për zgjerimin e kufijve të tij. Kishte vende brenda BE dhe jashtë saj; ato brenda zonës së lëvizjes së lirë pa kufij (zona Shengen) dhe ato jashtë; ato që ishin në gjendje të menaxhonin rreptësinë financiare të eurozonës dhe ato që nuk ishin. Ato që nuk vlerësohen shumë janë rrënjët e thella të këtyre ndarjeve në historinë dhe gjeografinë e kontinentit. Kufijtë e Europës moderne janë afërsisht kufijtë e perandorisë së themeluar nga Charlemagne në shekullin e nëntë. Perandori Romak i Shenjtë i parë, sundoi tokat nga Deti i Veriut poshtë përgjatë Vendeve të Ulëta me rrezatim drejt Frankfurtit, Parisit, Milanos e me radhë. Kushërinjtë e tyre më të dobët të kësaj Europe gjendeshin përgjatë Mesdheut, nga Gadishulli Iberik në jugun e Italisë dhe vendet ballkanike historikisht më pak të zhvilluara, trashëgimtarë të traditës bizantine dhe osmane. Pas dekadave që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kjo ndarje u shtyp për shkak të izolimit relativ të Europës nga vendet në kufi me të – nga rajonet e Afrikës së Veriut dhe Euroazia, që, për shekuj me radhë, ndikuan kaq shumë në formësimin e karakterit të dallueshëm të periferisë së kontinentit. Gjeografia sot nuk mund të anashkalohet, ndërsa rajone të ndryshme të Europës mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj kërcënimeve që paraqet Rusia nën presidentin Vladimir Putin, dallga e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe shpërthimet terroriste më të fundit në Europë dhe jashtë saj. Është bërë e qartë se centralizimi i imponuar prej dekadash nga BE dhe burokracia e saj jo përfaqësuese dhe e distancuar nuk kanë krijuar në Europë të bashkuar. Në fakt, është krijuar një përplasje e fuqishme në gjithë kontinentin, përplasje që BE mund ta kalojë vetëm nëse arrin të gjejë mënyrën më të mirë për vendosur legjitimitetin e vet mes kombeve të ndryshme.

Mbrojtja gjeografike që e ruajti Europën gjatë periudhës pas lufte nuk reziston më. Kur gjeografi i madh francez i shekullit të 20-të Fernand Braudel shkroi veprën e tij klasike për Mesdheun, ai nuk e trajtoi detin si kufirin jugor të Europës. Kufiri, sugjeroi ai, ishte Saharaja. Sot, si për të vërtetuar që ai kishte të drejtë, karvanët e emigrantëve mblidhen nga Afrika e Veriut, Nga Algjeria në Libi, për pushtimin demografik të kontinentit. Edhe Ballkani ka rifituar rolin e tij historik si korridor për emigrim masiv drejt qendrës së Europës, ndalesa e parë për miliona refugjatë që largohen nga rënia e regjimeve në Irak dhe Siri.

E kështu tani Europa gjendet përballë një ironie historike hidhur: Dekadat në të cilat ajo ishte në gjendje të zhvillonte idealet e larta të së drejtave universale të njeriut, përfshi të drejtën e të vuajturve të gjejnë strehë në Europë, u bënë e mundur, siç shihet, nga regjimet shtypëse që ishin dikur në periferi të saj. Bota arabe u mbajt e mbyllur për dekada nga shtete burgje, diktatorët e të cilëve i mbajtën popujt e tyre brenda. Sadam Hyseini në Irak, familja Aasad në Siri, Muamar Kadafi në Libi – i mundësuan Europës të përgatiste tortën e saj idealiste dhe ta hante atë.

Akoma më keq për unitetin evropian, gjeografia dhe historia kanë punuar t’i bëjnë disa rajone të kontinentit më të prekshëm nga dallga e emigrantëve dhe refugjatëve krahasuar me të tjerët. Ndërsa Gjermania dhe pjesë të Skandinavisë i mirëpresin, vendet e Europës Qendrore si Hungaria dhe Sllovenia po ngrenë gardhe me tela me gjemba. Vendet ballkanike, të ndarë nga pjesa tjetër e Europës nga lufta dhe zhvillimi i dobët në vitet ‘90, tani kanë marrë një goditje tjetër nga anarkia në Lindjen e Mesme. Në skajin jugor të Europës, Greqia, dikur një provincë otomane e varfër, shikon krizën e saj financiare të keqësohet për shkak të pozicionit gjeografik të pafat që e kthen në një portë për qindra mijëra emigrantë që arratisen nga trazirat në botën arabe.

Një tjetër faktor kritik në periudhën e stabilitetit relativ që po i vjen fundi në Europë ishte roli gjeopolitik i Rusisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik ishte një kërcënim strategjik i qartë, por ishte një kërcënim i menaxhuar mirë nga SHBA, por pas vdekjes së Stalinit, Kremlini u udhëhoq nga funksionarë të mërzitshëm, jo të rrezikshëm. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dekada e trazirave dhe institucioneve të dobëta do të thoshte, mes të tjerave, se Rusia nuk ishte rrezik për Europën.

Sot, e panevojshme të thuhet, Rusia është kthyer si një lojtar strategjik në Europë. Konsolidimi i kontrollit brenda Rusisë nga Putini pas periudhës së pavendosmërisë së Boris Jelcinit ka krijuar një ndarje të thellë mes Parisit dhe Varshavës, Berlinit dhe Bukureshtit. Nëse ishe polak ose rumun në vitet 1990, Rusia ishte kaotike dhe e dobët, dhe anëtarësimi në NATO dhe BE dukej si mundësi për paqe afatgjatë dhe begati. Horizonti strategjik është shumë i ndryshëm tani: E ardhmja e sipërmarrjes evropiane duket e paqartë, dhe një Rusi e ringjallur ka aneksuar Krimenë, ka shkelur Ukrainën në lindje dhe kërcënon kufijtë e vendit tënd.

Tani mund të shikojmë fillimin e ndryshimit të aleancave të Luftës së Ftohtë. Europa po ndahet sërish përgjysmë, por kësaj here është Europa Lindore ajo që kërkon afrim më të madh me SHBA sepse dyshon gjithmonë e më shumë që vetëm NATO nuk do të jetë pengesë mbrojtëse efektiv përballë Rusisë. Ndërkohë, vendet e Europës Perëndimore, të shqetësuara për dallgën e refugjatëve dhe sulmet terroriste në vendet e tyre, kërkojnë të afrohen më shumë me Rusinë, si një digë kundër kaosit që vjen prej Sirisë.

Putini e di që gjeografia dhe fuqia – ushtarake dhe ekonomike – janë ende pika fillestare për mbrojtjen e interesave kombëtarë. Elitat e Europës kanë qasje krejt tjetër. Pas shekujsh gjakderdhjeje, ato kanë hequr dorë nga fuqia politike tradicionale. Për të mbrojtur paqen, ata i kanë varur shpresat te një regjim rregullator i drejtuar nga teknokratët post-kombëtarë në Bruksel. Në mendjen e tyre, ndarjet e kontinentit mund të shërohen nga shteti social dhe monedha e përbashkët. Identitetet kombëtare të dallueshme të formuara nga eksperienca historike dhe kulturore shekullore do t’i hapin rrugë supershtetit evropian, pavarësisht çmimit të legjitimitetit politik të BE mes shteteve të ndryshme të Europës.

Në Britani dhe në shumicën e Europës Perëndimore tani ka një përplasje kundër tejzgjatjes së Brukselit dhe po gjen mbështetje në politikën e brendshme kombëtare. Politikat sociale që dikur shërbenin si balsam për ndarjet e kontinentit kanë shërbyer si barrë mbi ekonomitë kombëtare, dhe ky stanjacion ka ofruar sfondin për politika nacionaliste (herë-herë reaksionare) dhe rritjen e urrejtjes për refugjatët.

*studiues i gjeostrategjisë, qendra Stratfor

Shkruar Nga
More from revista mapo

Del nga Arkiva: La Traviata, si kanë ndryshuar në 60 vjet Violetta-t

TKOB ka publikuar këto ditë të gjitha sopranot që kanë interpretuar personazhin...
Read More