Hasi trazon politikën e Tiranës, të gjithë kundër dekorimit

Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit. Kryeministri Rama i kërkoi Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi. Presidenti Meta e quajti vendimin një akt të panevojshëm provokues. Partia Demokratike akuzoi se dekorimi është një akt kriminal i Edi Ramës, dhe i kërkoi atij të shkarkojë kryebashkiakun e Hasit.

Me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit, me motivacionin “Personalitet Intelektual, në kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”. Në historinë shqiptare Gafurr Mazreku njihet si i vetmi njeri që ka shkrehur një armë në ambientet e Parlamentit. Ishte viti 1997 kur Mazrreku, deputet i Partisë Socialiste, qëlloi në drejtim të rivalit të tij demokrat, Azem Hajdari, duke e plagosur atë. Për këtë u dënua me 8 vjet burg, ndërsa 21 vjet më pas nderohet nga Këshilli Bashkiak i Hasit, ku votimi kundërshtohet nga këshilltarët e djathtë. Miftar Dauti, kryetar i këshilltarëve të djathtë, tha: “Vendimi është i jashtëligjshëm pasi është marrë pa prezencën e këshilltarëve të djathtë”.

Presidenca: Provokim i panevojshëm

Dekorimin e atentatorit të Hajdarit, Presidenti Ilir Meta e cilësoi provokim i panevojshëm dhe që duhet dënuar sepse është në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë. “Çdo akt që evokon konfliktet ekstreme dhe dhunën kriminale duhet dënuar dhe evituar në jetën publike. Ky vendim është një provokim i panevojshëm, në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj të qartë europiane. Dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike”, deklaron Presidenti Ilir Meta.

Rama: Ne nuk dimë gjë!

Pak orë para se të merrej vendimi, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama e ka quajtur një turp propozimin e këshilltarëve të majtë, duke u shprehur se ky propozim nuk duhej të kishte ardhur asnjëherë. Burimet tregojnë se Rama ka bërë të paditurin, duke pyetur: “Ç’janë këta këshilltarë që bëjnë këto propozime pa pyetur dhe ne nuk dimë gjë”. “Gafur Mazreku nuk duhej propozuar për Qytetar Nderi”, mësohet të jetë shprehur Rama. “Janë bërë propozime pa na pyetur ne, nuk dimë gjë”, -tha Rama, duke kritikuar këshilltarët e majtë. Ndërkohë pasdite pas akuzave të forta të lëshuara nga opozita, Kryeministria publikoi një

deklaratë për shtyp ku thuhej se Edi Rama distancohet totalisht nga vendimi i këshilltarëve të Hasit, të cilët shpallën qytetar nderi Gafurr Mazrekun. “Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar”, thotë në deklaratë. Në deklaratë thuhet se Rama i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi.

PD: Rama të shkarkojë kreun e Bashkisë Has

Për PD, kërkesa për prefektin e Kukësit nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit, Azem Hajdarin. “Asgjë nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin kriminal për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit Liderin e Lëvizjes Studentore Azem Hajdari! Firma e prefektit nuk është zgjidhja! Është vetëm një mjet që Edi Rama të mos marrë përgjegjësi!”, thuhet në reagimin e PD. Në deklaratën e PD kërkohet nga kryeministri Rama shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Has, Adem Lala. “Që të tregojë distancim të vërtetë prej vendimit kriminal, Edi Rama duhet ta shkarkojë sot Kryetarin e Bashkisë së Hasit, përfaqësues i Partisë Socialiste, i zgjedhur nga Edi Rama. Të ruajë të njëjtin standard si me këshilltarët e Kukësit që morën pjesë në protestë, të cilët, në pamundësi për t’i shkarkuar, i përjashtoi nga Partia Socialiste”, thuhet në deklaratën e PD, e cila thekson më tej se: “Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!​”

Rudina Hajdari: Akt i shëmtuar

Pas vendimit të këshillit bashkiak të Hasit ndër politikanët e shumtë që kanë reaguar ishte edhe e bija e Azem Hajdarit, Rudina, tashmë deputete. Ajo e cilëson vendimin një akt të shëmtuar dhe të pajustifikueshëm. “Ky është një akt i shëmtuar. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë i shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin se ky njeri ishte i pari që bëri një akt të tillë në Parlament. Ky është një njeri që është dënuar dhe është kriminel. Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Më vjen keq që ne po promovojmë që persona të tillë të lartësohen në këtë mënyrë”, u shpreh Rudina Hajdari.

PD: Akt kriminal i Edi Ramës

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, e quan akt kriminal dhe të pashembullt shpalljen e atentatorit të Azem Hajdarit ‘Qytetar Nderi’ i Hasit. Në një deklaratë për media, Strazimiri u shpreh se ky Rama nuk mund të fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati. “Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij. Prandaj, Edvin Kristaq Rama nuk fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati! Partia Demokratike e konsideron atë vetë, autorin e vendimit kriminal; Është vendim i Edvin Kristaq Ramës, i Ditmir Sulejman Bushatit, i Ilir Hamit Beqjes, i Ministrit të Brendshëm të Ramiz Alisë, Gramoz Ruçi, i hetuesit torturues të komunizmit kundër Lëvizjes Studentore Fatmir Xhafaj, e i sa e sa të tjerëve, oficerë Sigurimi e persekutorë e vrasës, të genit më të mirë të këtij kombi”, thuhej në deklaratën e deputetit Strazimiri.

 

Gafurr Mazreku

Gafurr Mazreku është i njohur për skenën politike shqiptare, pasi më 18 shtator të vitit 1997 brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, pas një sherri verbal dhe më pas fizik me deputetin Azem Hajdari ai nxori armën dhe plagosi Hajdarin. Një vit pas atentatit nga Gafurr Mazreku, Azem Hajdarin e përndjek fati tragjik dhe ekzekutohet nga Fatmir Haklaj pranë selisë së PD në 12 shtator 1998. Pas atentatit brenda në Parlament, Mazreku u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, dhe në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Historia e dosjes së “CEZ”: A po ndryshon kurs prokuroria?

Ish-ministri i Ekonomisë gjatë kohës së privatizimit të OSSH konfirmon fletëthirrjen e...
Read More