HEC-et e Osumit dhe Vjosës si fillimi i një industrializimi të pashmangshëm!

Nga Besart Kadia

Rasti i sagës së HEC-it që parashikohej të ndërtohej në lumin Osum nga kompania “HP Bigas Veleshnje Energy” tregon se çfarë nuk shkon me politikën, institucionet publike e shoqërinë civile në Shqipëri. Ky rast vendos përballë në mendjen e njerëzve një kompani shfrytëzuese private dhe një pasuri të pambrojtur kombëtare. E gjitha kjo për faj të të gjithë aktorëve me interes publik për të qenë së pari, të sinqertë me interesat që realisht  përfaqësojnë dhe së dyti, profesional sa duhet për të thënë se si fushat e tyre të ekspertizës mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit në favor të interesit publik.

Thënë këtë HEC në Osum ekspozon hipokrizinë e panevojshme dhe dëmtuese të politikës sonë për të deformuar dhe ato çështje që janë me interes shtetëror. Së pari, ideja për ndërtimin e tri hidrocentraleve Bigas 1, Bigas 2 dhe Veleshnje u miratua fillimisht në shtator 2013 nga qeveria Berisha. Kjo ishte një ndër shumë kontrata të tjera të firmosura nga kjo qeveri të cilat së bashku formonin një industri mirëfilli të rëndësishme për ekonominë vendëse. Në katër vjet ndër të tjera qeveria e djathtë e Berishës dha me koncesion, leje zhvillimi e privatizoi hidrocentrale që arrinin në total mbi 500 HEC-e. Të tëra këto kontrata pa përjashtim janë konsideruar si korruptive nga qeveria Rama e cila premtoi rishikimin e secilës prej tyre duke minuar menjëherë parimin e sigurisë juridike në vend. Qeveria nuk njihte shtetin?! Së dyti, rrezikoi të gjithë bizneset pasi u ndryshua në mënyrë të njëanshme çmimi mbi të cilin këto HEC-e mund ta shisnin energjinë që ata prodhonin. Pra, kishin marrë risk e kredi përsipër bazuar mbi një çmim të garantuar nga shteti dhe në mes të lojës shteti vendos të ndryshojë rregullat! Të dy këta hapa treguan menjëherë mungesën e një vizioni e strategjie të qeverisë për industrinë e energjisë në vend. Në vitin 2016 gjatë qeverisë Rama Ministria Energjetike nënshkroi një marrëveshje me kompaninë në fjalë dhe vetë Kryeministri Rama e nënshkroi këtë projekt në dhjetor 2017. Pra një projekt investimi në lumin Osum që kalon në filtrat e tri qeverive (Berisha II, Rama I e Rama II) e që më pas sërish për shkak të presionit të opinionit publik gjithçka niset nga e para! Kryeministri Rama dhe ministri i tij “zbulojnë” gabime teknike në vendim dhe kërcënojnë deri në burgim për keqbërësit! Në rast se ka disa gabime teknike siç pretendohet a nuk do të ishte e udhës që të sqarohej se pas korrektimit të këtyre gabimeve teknike HEC-i sërish do të ndërtohet? Apo prej këtyre gabimeve teknike të disa punonjësve të nivelit të ulët në Ministri ndryshon strategjia kombëtare për energjinë? Kjo nuk është racionale, profesionale e është një politikë që është në avantazh të askujt! Fatkeqësia është se debati nëse duhet ndërtuar apo jo ky HEC është shumë i thjeshtë dhe emocional. Tituj të tillë do të frikësonin këdo, aq më tepër këtë qeveri që nga sondazhet qeveris, “nga HEC-et 75% e peshqve do të zhduken, HEC-et do shkatërrojnë lumin e fundit në Europë, skandal, Kanionet e Osumit në rrezik” etj. Po le ta themi Shqipëria duhet të ndërtojë HEC-e për të prodhuar energji dhe në këtë proces ka kosto mjedisore të cilat duhen minimizuar. Nuk ka dy mënyra për këtë! Por alternativa ambientaliste që HEC-et nuk duhet të ndërtohen është opsioni më i gabuar dhe ja përse.

 

Shqipëria sot shfrytëzon vetëm afërsisht 40% të kapacitetit të saj prodhues nëpërmjet lumenjve. Fakti është se në të ardhmen më shumë HEC-e do të ndërtohen e duhet të ndërtohen në Shqipëri. Ne jemi vendi me potencialet më të mira për prodhimin e energjisë nëpërmjet burimeve ujore, por ndërkohë kemi në operim vetëm 117 hidrocentrale dhe 43 të tjerë janë në ndërtim ndërkohë që 364 nuk kanë filluar akoma prodhimin. Në rast se këto të dhëna ju duken si një hap në drejtim të gabuar është e rëndësishme të krahasohemi me rajonin. Serbia ka në planifikim mbi 800 projekte për ndërtimin e HEC-eve.

Shqipëria duhet të shfrytëzojë avantazhin e saj krahasues për shkak të burimeve natyrore. Fakt është se e ardhmja do të jetë më konkurruese e ne duhet të jemi kryesorët në prodhimin e energjisë nëpërmjet burimeve ujore. Ballkani ka hyrë në “water rush” i ngjashëm me “gold rush” në Amerikën e shekullit të 18-të. Mjafton të themi se në shtatë vitet e ardhshme mbi 2800  HEC-e planifikohen të ndërtohen në Ballkan dhe çfarë është më e rëndësishmja 43% e tyre do të ndërtohen në parqe të mbrojtura kombëtare. Kompromisi është kudo i njëjtë, nëse kërkon zhvillim ekonomik duhen minimizuar kostot në mjedis, por ato janë të pashmangshme. Kjo industri e rëndësishme do të injektojë mbi 24 miliardë euro në Ballkan për ndërtimin e këtyre HEC-eve. Ne e kemi zgjidhjen ose të mbetemi importues të energjisë elektrike, ose të shndërrohemi në prodhues e eksportues të saj. Fakti është se në të ardhmen Ballkani dhe Europa do të kenë gjithnjë e më shumë nevojë për konsum të energjisë elektrike ndaj dhe kapacitetet tona duhet të rriten me këtë trend. Sipas Hydropower vetëm në Shqipëri kërkesa për energji elektrike do të rritet me 60% në shtatë vitet e ardhshme.

Lajmi i mirë është se në vitin 2016 Shqipëria arriti që të sigurojë 28% të prodhimit të saj energjetik nga HEC-e, lejet e të cilave u dhanë kryesisht nga qeveria Berisha në periudhën 2009-2013. Ky ishte dhe viti që realizoi dhe ndër nivelet më të larta të prodhimit të energjisë në 10 vitet e fundit duke arritur në 7.1 MWh. Në mungesë të HEC-eve vendase ekonomia jonë do të ishte detyruar të importonte akoma më shumë energji nga jashtë vendit duke vështirësuar financat vendase. Nga ana tjetër, ndërtimi i këtyre HEC-eve ka injektuar para në ekonomi e kanë krijuar vende pune ku sipas të dhënave ato arritën sa 9% e GDP-së në formën e Investimeve të Huaja Direkte, investimeve private dhe privatizimeve. 

Por kjo strategji shtetërore për furnizimin e ekonomisë me energji të prodhuar nga burime hidrike u akuzua nga opozita e asaj kohe si mirëfilli korruptive e nga ambientalistë e grupe të ndryshme interesi si një strategji që do të dëmtonte florën e faunën në zonat ku ato ndërtohen. Padyshim që raste korrupsioni mund të ketë patur dhe po ashtu pa dyshim që zhvillimi sjell edhe kosto mjedisore por alternativa e mosndërtimit nuk është alternativë. Për ta theksuar dhe njëherë rëndësinë ekonomike të HEC-eve mjafton të përmendim faktin se nga viti 2002 deri më sot 118 kontratat koncesionare të lidhura nga shteti shqiptar arrijnë një vlerë investimesh prej 3.085 miliardë EURO. Për këtë arsye HEC-et e Osumit dhe Vjosës si fillimi i një progresi të pashmangshëm!

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për një shtatore të Arshi Pipës në Shkodër!

Në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Arshi Pipës e kujton...
Read More