Heqja e mandatit të dy deputetëve, si shenjë e një raporti të ri midis politikës dhe drejtësisë

Nga Ervis Iljazaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur t’iu heqë mandatin dy deputetëve me kërkesë të Prokurorisë të Përgjithshme si pasojë e ligjit për dekriminalizimin. Ky është një sukses tjetër i këtij ligji, që për hir të së vërtetës është një meritë e padiskutueshme e Partisë Demokratike dhe Kryetarit të saj Lulzim Basha, pasi me insistimin e këtij të fundit, u arrit të aprovohej një ligj, i cili ka si synim pastrimin e Parlamentit të Shqipërisë nga kriminalizimi dhe, efektet pozitive të tij janë evidente.

Heqja e dy mandateve të fundit nga KQZ, tregon edhe njëherë që tashmë, jemi futur në një raport të ri midis politikës dhe drejtësisë. Për 25 vite me radhë, pjesa më e madhe e organeve të drejtësisë shqiptare ka qenë totalisht nën kontrollin e politikës, një nga problematikat më të mëdha kjo, që me sa duket me Reformën në Drejtësi po i vjen fundi.

Efektet e kësaj Reforme, pa mbaruar ende kompletimi i saj i plotë, kanë filluar që tani. Dhe, kjo atmosferë ndihet te tensionimi i klasës politike shqiptare, që dukshëm po e ndjen, se organet e drejtësisë po i ikin nga duart. Fakti që politika, nuk mundi të ndalonte drejtësinë për heqjen e mandateve të disa deputetëve, e tregon më së miri këtë ndryshim raporti që është duke ndodhur.

Viti që lamë pas, mund të konsiderohet si një vit i bllokuar në aspektin politik, pasi çdo temë, çdo strategji, çdo aksion, rrotullohej rreth Reformës në Drejtësi. Politika u përpoq me çdo mjet, kush më pak e kush më shumë, të ndalonte një Reformë, e cila do të kishte pasoja në sistemin politik shqiptar, edhe pse çdo palë politike është munduar të zhvillojë një betejë në opinionin publik, duke bërë garë se cila e donte më shumë këtë Reformë.

Ndërsa, viti që po vjen, me shumë mundësi, do të karakterizohet nga efektet që kjo Reformë, apo kjo marrëdhënie e re midis politikës dhe drejtësisë, do të ketë në politikën shqiptare. Prandaj, të gjitha palët duket sikur janë në pritje të këtij ndryshimi, dhe për këtë arsye dhe qeverisja dhe aksioni opozitar ka stopuar.

Mjafton të lexosh me vëmendje Reformën në Drejtësi, për të kuptuar se organet që ajo krijon dhe mënyra se si ato krijohen i heq plotësisht aksesin politikës te pushteti gjyqësor. Jo vetëm kaq, por me këtë Reformë ka rrezik të krijohet një korporatë magjistratësh, pushteti i të cilëve nuk balancohet nga asnjë pushtet tjetër, kusht thelbësor ky për një shtet të së drejtës.

Në këtë kuptim, nga një raport i cili dominohej nga politika, kjo Reformë krijon një të ri, domenin e pushtetit të drejtësisë. Sepse, në asnjë vend tjetër demokratik nuk gjejmë një Reformë të tillë, ku pushteti gjyqësor të jetë jashtë kontrollit të ndonjë pushteti tjetër. Edhe ligji i dekriminalizimit është një ligj shumë i ashpër, pothuajse në kufijtë e kushtetutshmërisë, pasi heqja e mandatit bëhet për vepra penale të cilat mund të jenë kryer edhe para 20 viteve, duke shkelur kështu, parimin e parashkrimit të një vepre.

Por të dyja, dhe Reforma në Drejtësi dhe ligji i dekriminalizimit ishin të domosdoshme. Për të këqija ekstreme, siç janë kontrolli i drejtësisë nga politika dhe inkriminimi i saj, duhen mjete ekstreme për t’i luftuar ato.

E rëndësishme është, që mos të biem pre e një fryme justicialiste që kërkon me çdo kusht dënimin e politikanëve apriori, një frymë e cila gjen mbështetje te shoqëria shqiptare, që është një shoqëri e uritur për drejtësi, por organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre duke hetuar dhe dënuar këdo që vërtetohet se shkel dhe ka shkelur ligjin apo ka abuzuar me pushtetin dhe pasuritë publike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Festa e PD, cilët munguan dhe ftesa e Bashës për bashkim

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u përpoq të mbante një fjalim gjithëpërfshirës,...
Read More