Heronjtë që duam: Artisti apo arti i angazhuar, kujt ia mban?!

ceta-vojo-kushi-is-still-alive-2016-intervention-in-the-public-spaceSa të rëndësishme janë perspektivat artistike në një territor gjeografik ku frymën ta zë politika dhe kaosi, e pak vend ka për ndërhyrje artistike; një raport që vë në lëvizje disa mekanizma për të kuptuar ndërthurjen mes artit dhe aktivizmit, aktivizmit artistik dhe rolit të artistit të angazhuar si qytetar që synon të ndryshojë jo vetëm sistemin e artit por edhe realitetin ku jeton…

Ekspozita triple feature #5 me tre artistë vjen si projekt pamor mbi një sistem reflektimi qytetar, përmes një konsiderate të artit të angazhuar që do të hapet prej datës 2 dhjetor deri më 28 janar 2017

Është një shqetësim që po merret në konsideratë prej disa artistëve duke u bashkuar në një medium, për të komunikuar një rast specifik, që mungon në aktivitetin e përditshëm artistik. Sa të rëndësishme janë perspektivat artistike në një territor gjeografik ku frymën ta zë politika dhe kaosi, e pak vend ka për ndërhyrje artistike – një raport që vë në lëvizje disa mekanizma për të kuptuar ndërthurjen mes artit dhe aktivizmit, aktivizmit artistik dhe rolit të artistit të angazhuar si qytetar që synon të ndryshojë jo vetëm sistemin e artit por edhe realitetin ku jeton…Qendra për Artin Kontemporan, (Tirana Art Lab) propozon një format serial ekspozitash ku i parashtrohen publikut dy perspektiva artistike, shqiptare, rajonale apo ndërkombëtare. Ky akt vjen në triple feature # 5, edicion special i këtij formati serial, ku do të bëhen bashkë punët e kolektivit artistik shqiptar quajtur Çeta, artistes dhe kërkueses greke Georgia Kotretos dhe artistit shqiptar Pleurad Xhafa. Kjo i dedikohet ndërthurjes midis artit dhe aktivizimit artistik dhe rolit të gjerë të artistit të angazhuar si qytetar që synon të ndryshojë jo vetëm sistemin e artit por edhe realitetin ku jeton.

Triple Feature #5 është gjithashtu pjesë e projektit të përbashkët Heroes We Love, i cili përbëhet prej punëve artistike, si dhe dy ndërhyrjeve artistike në hapësira publike të komisionuara nga TAL, ku për herë të parë edhe do të ekspozohen. Sipas organizatorëve të Tirana Art Lab, kjo ekspozitë ka për qëllim të nxjerrë në pah dhe të ndërlidhë tri qasje estetike të ndryshme: kolektivi artistik Çeta që përdor me vetëdije materiale pamore artistiko-politike, duke ndërhyrë me aksionet e tyre në çështjet më të rëndësishme politiko-sociale nëpërmjet grafiteve apo ndërhyrjeve të ndryshme në hapësira publike; Giorgia Kotretsos, artiste, kërkuese dhe drejtuese institucioni trupëzon shembullin e artistes bashkëkohore “multifunksionale”, e cila hidhet nga një rol dhe angazhim në tjetrin dhe duke mbajtur në të njëjtën kohë të mirëpërcaktuar kufijtë midis këtyre aktiviteteve; Pleurad Xhafa, një artist i angazhuar dhe hulumtues nëpërmjet praktikave konceptuale, personalisht dhe fizikisht i përfshirë me kushtet dhe situatat shoqërore, të cilat sintetizohen në punë që synojnë impaktin në realitetin social dhe artistik njëkohësisht.

“Pavarësisht mënyrës së të punuarit dhe përqasjeve nga perspektiva të ndryshme, të tria këto pozicionime artistike kanë të përbashkët një praktikë artistike të vendosur dhe të drejtpeshuar midis artit, angazhimit social dhe aktivizmit. Megjithatë, në këtë ekspozitë, TAL kërkon gjithashtu të evidentojë rëndësinë e punëve të ekspozuara, jo vetëm për nga aspekti etik dhe impakti social, por edhe funksioni i tyre autonom si pjesë e një sistemit estetik”.

Në pranverë të 2016, një grup studentësh, aktivistësh, dhe artistësh filluan të diskutonin dhe formonin një kolektiv për të kundërshtuar strukturat hegjemonike të kapitalizmit dhe politikave neoliberale dhe ekonomike të Shqipërisë bashkëkohore. Prej diskutimeve, një grup artistësh të rrugës – individualisht autonom, por të njohur si kolektiv me emrin Çeta – mori jetë. Grupi përbëhet prej anëtarësh të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme: dizajni, shkencat politike, arkitektura, arti, fizika. Disa prej tyre merren me dizenjimin dhe ekzekutimin e punëve, sipas nevojave të kolektivit dhe angazhimeve në forma të ndryshme të aksioneve politike në periudha të caktuara. Stensilet dhe “ngjitëset” e kolektivit Çeta tregojnë praninë e një lëvizjeje të vërtetë artit disident në Tiranë, një lëvizje e cila refuzon bashkëpunimin me partitë politike dominuese në vend dhe, në të njëjtën kohë, mohojnë neutralitetin ideologjik që shpesh karakterizon skenën e artit bashkëkohor shqiptar. Georgia Kotretsos (1978, Selanik, Greqi) është një artiste pamore dhe kërkuese nga Athina, Greqi. Ajo u zhvendos që në moshë të re në Afrikën e Jugut në momentin e heqjes së Aparteidit duke krijuar një zinxhir punësh të rëndësishme, me impakt. Ndërsa artisti Pleurad Xhafa është një artist pamor dhe kineast që jeton e punon në Tiranë. Ai ka bashkëpunuar me Departamentin e Shqiponjave, MAPS-Museum of Art in Public Space për projekte të lidhura me ndërhyrje specifike publike në Tiranë. Ai ka fituar gjithashtu Çmimin Ardhje në 2014 të Tirana Institute of Contemporary Art (TICA). Bashkimi i këtyre tre artistëve në një ngjarje që kërkon të zbulojë disa shqetësime që lidhen me angazhimin artistik reflekton një mundësi komunikimi mbi psikën publike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Favoret e fundit të drejtësisë për kolegët e tyre

Dënimet për gjyqtarët dhe prokurorët e akuzuar për korrupsion dhe favore seksuale,...
Read More