Heshtje më e rëndë se plumbi

Nga Bardhyl Ermini

Përse nuk reagon enti kulturor Kult? Përse nuk reagojnë shkrimtarët pjesëmarrës në konkurrim?

                        ( Mbi debatin e hapur për çmimin Kult për letërsinë 2018)

Konkurset letrare janë të lashta sa vetë letërsia. Të parat konkurse datojnë gjatë festivaleve të organizuara kryesisht për nder të hyjnive. Shembullin më domethënës e ndeshim te kënga VIII te Odiseja, ku vepra letrare duhet të kalonte nëpër disa filtra vlerësimi, nuk duhej të ishte vetëm argëtuese… Konkurset letrare vijuan të ishin të pranishme edhe gjatë periudhës klasike. Veprat më të njohura dhe më të mira të periudhës së lashtësisë u shkruan për t’u paraqitur në konkurset letrare, për t’iu dorëzuar vlerësimit të publikut (pa rënë aspak në populizëm). Kësisoj, konkurset letrare u bënë me të vërtetë nxitëse të lëvrimit të artit dhe letërsisë, promovuese e cilësisë dhe e vlerave të tij. Pa këto konkurse, nuk do të kishim shumë vepra të mëdha të letërsisë së lashtë greke.

Shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo kohë. Jemi të vetëdijshëm, siç jemi të vetëdijshëm se konkurset letrare kanë ndryshuar në çdo gjë. Në kohët tona, kurora e dafinave është kthyer në një fletushkë e shoqëruar me një medalje dhe një sasi të hollash. Në konkurset letrare të periudhës së lashtësisë, vlerësuesi ishte publiku, lexuesi, ndërsa në kohët tona është një komision i përbërë nga 5 apo 6 veta, duke lënë shteg për jo pak doza subjektivizmi në vlerësim.

Ky ndryshim nuk është pa rëndësi. Sepse duke mos përfaqësuar më vlerësimin e publikut, roli i konkurseve të sotme letrare nuk është nxitës. Në fakt, veprat e mira letrare të kohëve tona do të ekzistonin dhe pa këto konkurse. E megjithatë, njëlloj si konkurset letrare të periudhës së lashtësisë, ato të sotme luajnë rolin e promovuesit të cilësisë dhe të vlerave të artit, duke e afruar lexuesin te veprat e arrira letrare. Duke e njohur këtë rol të konkurseve letrare, si një lexues besnik e i pashkëputur i letërsisë shqipe dhe i historisë së ecurisë të saj, kisha shumë shpresë se në periudhën e demokracisë, prej tyre do të kishim një promovim të vlerave të vërteta të letërsisë sonë. Mendoj se ka patur disa përpjekje pozitive në këtë drejtim në vitet ‘90, por për fat të keq gjendja erdhi duke u përkeqësuar aq shumë, sa ka arritur puna të tregojnë edhe barsoleta për kulisat ku ato organizohen, dhe sot mund ta shpallim me zë të lartë se konkurset letrare në Shqipëri janë rrezikuar prej promovimit të letërsisë së klaneve, grupeve dhe miqve, sidomos shkrimtarëve konform vijës politike të çastit, apo atyre që duken se janë “nën sqetullën” e të madhit të Qeverisë sot, apo atij tjetrit dje. Zgjohesh në mëngjes dhe të duket se po jeton në një tjetër diktat, atë të klaneve dhe të imponimit të politikës në letërsi e kulturë. Dhe ndonëse deri edhe ajri është ndotur atje ku nuk mban më e ne po gjallojmë në këtë “helmim”, kur besoja se asnjë “produkt” konkursesh letrare në Shqipëri nuk do të kishte më të drejtën e paragjykimit, një shkrim tepër problematik i zotit Shpëtim Dodajt, botuar te Mapo e datës 3 dhjetor, më ka lënë një shije të keqe e të hidhur. Ai thoshte se është kapërcyer kufiri i megasubjektivizmit të komisionit të çmimit kult për letërsinë 2018. Gjykohej vepra e Zija Çelës, Besnik Mustafajt, Mira Meksit dhe Ardian Kyçykut. Jam lexues i rregullt dhe e dua veprën e Zija Çelës, Mira Meksin e vlerësoj për shkrimin modern, për rrëfenjën dhe për gjuhën shumë të pasur shqipe që përdor dhe pasuron (kam botuar një shkrim vlerësues për “Flutura mes gjinjve” në gazetë të përditshme në 11.01.2018 ) kam lexuar edhe poezi të ndjera të Besnik Mustafajit. Qysh në faqet e para të librit të zotit Kyçyku, të cilin e gjeta me pak vështirësi, i dhashë të drejtë Dodajt, të paktën kështu mendoj. Gjuha jo vetëm ngec, aq sa duket se nuk ke të bësh aspak me një vepër letrare, por për çudi, më la edhe një shije të keqe për shprehjet vulgare e poshtëruese që përdoren ndaj një personazhi femër. Nuk arrita të kuptoj se si imitimet e të folurës veriore ishin deformuar ashtu dhe se si përziheshin ca dialekte që nuk janë dëgjuar kurrkund, apo për më keq nuk ekzistojnë. Me durim të madh e mbarova librin që për fat ishte i shkurtër dhe mbajta po atë mendim të faqeve të para, duke shtuar edhe faktin se subjekti për mua është i errët.

Por ajo që më shqetëson më shumë në këtë debat që është hapur, është se si ky enti që ka dhënë çmimin Kult për letërsinë nuk po reagon. Përse nuk tregon publikisht motivin e vlerësimit të librit Ati, përse na krijon terrenin që të mendojmë se një është pjellë, një strategji e pakuptimtë e naive për të goditur gjuhën shqipe? Përse nuk na shpjegon se si e ka menduar të na diktojë e të na shesë një vepër të tillë si më të mirën e letërsisë shqipe për një vit të tërë, kur në të vërtetë është mbase edhe më e dobëta e një viti apo më tepër? Po shkrimtarët pjesëmarrës në këtë konkurrim pse heshtin? Ata që i kanë vënë përballë këtij fituesit. Të jenë konformuar vallë me “ëmbëlsinë” e çmimeve kult që mbase shpresojnë se do të marrin në një të ardhme? Thjesht, pse ta prishin me ta? Apo i tuten gjykimit publik të librave të tyre në konkurrim? Si mund të mbyllin sytë përpara këtij pothuajse skandali?

Lexova reagimin e shkrimtares Mira Meksi që thoshte se është tërhequr nga konkurrimet. Po çfarë zgjidhet kështu, duke u tërhequr në guaskën e vetvetes, duke u izoluar në vilat apo kështjellat ku janë mbyllur? Shkrimtarja në fjalë thoshte edhe se nuk ka sistem gjykimi të vërtetë në Shqipëri. Pyetja ime është, po pse nuk punohet nga të gjithë për ta krijuar këtë sistem? Kanë kaluar afro 30 vjet nga rënia e Murit. Prapë frikë? Çfarë është bërë për këtë? I kam parë edhe përpjekjet qesharake të disa shkrimtarëve nëpër anketime gjoja për të promovuar vlera të letërsisë shqipe. Po si ndodh kjo që me fodullëk u japin mend shqiptarëve për librat që duhet me patjetër të lexojnë nga letërsia shqipe gjatë jetës së tyre dhe thonë broçkulla? Pothuaj të gjithë kam parë që përmendin letërsinë e traditës, duke iu shmangur padrejtësisht letërsisë së sotme. Apo edhe kur përmendin ndonjë nga letërsia e sotme do të dali patjetër ja miku, ja klani, përveçse ndonjë përjashtimi. Njëri prej tyre, shkrimtar i njohur, nga dhjetë libra që kish në dispozicion për t’u sugjeruar shqiptarëve, numëronte plot shtatë libra të Kadaresë dhe ç’vinte pas shkrimtarë të traditës? Atë që shqiptarët t’i lexonin në jetë. Si ta gjykosh këtë? Sigurisht Kadareja është shkrimtari ynë i madh, po si mund të mohohet zhvillimi i letërsisë shqipe? Ç’është more ky shkrimtar? Servil e mendjemykur apo shkrimtar që mohon vetveten? Shikoni në botën e madhe, nxjerrin përherë sisteme referimi të freskëta në zhvillimet dinamike të letërsisë, pse e duan kulturën e tyre, e duan gjuhën e tyre, e duan të ardhmen e kombit të tyre dhe luftojnë për të.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debati për “Çmimin Kadare”: Kontestimet dhe kritika e munguar

Në katër vite jetë çmimi letrar Kadare ka provokuar debate mbi letërsinë...
Read More